Shtesë » Lajme
Agolli: Podrimjen e takova para 1 muaji, dukej si djalosh optimist
E diele, 22.07.2012, 06:33 AM
Nga Fatmira Nikolli
Si e pritët lajmin e shuarjes së Ali Podrimjes?
Lajmi për vdekjen e Ali Podrimjes na ka mërzitur, na ka pikëlluar. E, jo vetëm ne që e njihnim, por edhe ata që lanë lexuar poezinë e tij. Ishte një poet nga më të shquarit e shqiptarëve, në të dy anët e Shqipërisë, edhe këtej edhe andej Drinit. Ali Podrimja ishte një njeri aktiv edhe sa i takon problemeve të shoqërisë e jetës së njerëzve, këtu në Shqipërinë zyrtare dhe andej në Shqipërinë tjetër. Më duhet të them se ka qenë një shok i mirë për të gjithë poetët. Nuk ishte ziliqar e as xheloz. I donte poetët e Shqipërisë e të Kosovës, shkruante për ta dhe i linte mënjanë mëritë, xhelozitë e zilinë. Është humbje e madhe ikja e tij. Është humbje për njerëzit edhe për ne poetët.
E takonit shpesh?
Sa herë që vinte në Tiranë më vizitonte në shtëpi e kjo jo vetëm vitet e fundit, por edhe para 1990-ës ka ardhur shpesh. Ai i takonte të gjithë miqtë e tij poetë e shkrimtarë. Shpeshherë ka ndodhur që kur vinte, të rrinte edhe një javë edhe 10 ditë këtu me mua në shtëpinë time. Ka qëlluar që bashkë me të, të vinte edhe Azem Shkreli, poeti tjetër i njohur që edhe ai është ndarë nga jeta. Zakonisht qëndronte gjatë dhe rrinim zgjuar e bisedonim deri vonë pas mesnate. E kam ndjerë në ato biseda dinamizmin e tij, lëvizjet. Donte të ishte gjithnjë në udhëtime. Ishte një zog që fluturonte. I donte aq shumë udhëtimet sa më ka qëlluar ta takoj edhe në Çorovodë, por shkonte edhe në Tomorr tek teqeja çdo muaj gusht.
Po hera e fundit që e keni takuar kur ka qenë? Si iu duk ai?
E kam takuar mbase një muaj më parë kur erdhi këtu. Ishte shumë optimist madje dukej si djalosh. Ai ka qenë një moshë me bashkëshorten time, Sadijen dhe i thashë se do të jetosh deri në 100 vjeç. Ai iku, po la pas një emër të madh, dhe kjo ka rëndësi. Emri i tij nënkupton një poet të përmasave të mëdha. Do e mbaj mend si një njeri të dashur, si një njeri të mirë. Humbjen e tij e kemi përjetuar shumë keq, jo vetëm se s'do mund t'ia lexoj më poezinë e bukur, por sepse do të më mungojë edhe zëri i tij, që nuk do ta dëgjoj më.
(Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)