E shtune, 27.04.2024, 09:24 PM (GMT+1)

Mendime

Remzi Limani: Individualiteti krijues dhe shoqëria (2)

E enjte, 19.07.2012, 08:00 PM


INDIVIDUALITETI KRIJUES DHE SHOQËRIA (2)

(Prezantimi i vlerave të veçuara muzikale)

Nga Remzi Limani

Pa dyshim se mjetet informative gjithandej hapësirave mediale kanë një rol të veçantë dhe fuqi të pazëvendësueshme në sensibilizimin e vlerave dhe ngjarjeve të shumta kulturore. Këtu bejnë pjesë mediumet e shkruara dhe ato elektronike siç janë televizionet publike dhe ato private. Mirëpo, edhe në këto hapësira informative e veçmas në hapësirat televizive me fuqi marramendëse mediale - sikurse nuk bëhen selektimet e nevojshme për t`i eliminuar antivlerat dhe shëmtitë e pështira nga ekranet publike, ku pa asnjë kriter prezantohet shundi i cili pa pardon i servohet publikut të gjërë. Në këtë rast, kur behet fjalë për prezantimet e vlerave të individëve meritorë, menaxherët e mediave, në veçanti të atyre publike me ndikim dhe të cilat jetojnë nga paratë e taksapaguesëve, kanë obligim parësor ndaj shikuesëve parapagues, që në ekranet televizive t`i prezantojnë individët artistë të edukuar dhe ata që kanë çka të japin nga krijimtaria e tyre e dëshmuar, e pranueshme dhe e mirëpritur për auditorin e gjërë. Pra, nën thjerrëzën seleksionuese nëpër të cilën duhet të fokusohen vlerat e veshura me njerëzoren dhe artistiken - sikur nuk kalon askush dhe, në sytë e botës bëhen matrapazllëqet ndër më të ndryshmet për t`i publikuar antivlerat e zhveshura gati pilikuri, ngase individët e caktuar nuk kanë çka të japin përpos imazhit të lakuriqësisë së tyre banale, që na ngjajnë në promocione publicitare për veshjet e brendshme...  Këto pamje të papranueshme për publikun e në veçanti për atë familjar na bëjnë të mos ndihemi komod pranë ekraneve televizive aq më tepër të atyre të cilat mbajnë epitetin e televizioneve kombëtare. Në këtë kontekst, televizioni publik, duhet të mendoj për prodhimet televizive dhe efktet e tyre ndikuese tek publiku. Pra, duhet të mendohet për raportin mes shikuesit dhe mediave në cilësinë e vlerave dhe njerëzores. Tani, ky kujdes i domosdoshëm sikurse është jashtë konturave të racionales pa i përfillur normat mbi prodhimtarinë e vlerave efektive dhe të pranueshme. Kjo qasje iracionale dhe sensibilizimi i së keqës dhe të shëmtuarës me të gjitha lakuriqësitë e ekspozuara janë vlerësime të pa kriter dhe të pa kripura...

Koncepcioni tradicional, i cili edukatën e mirëfilltë e sheh si vlerë kreativiteti të dalë nga normat e pranueshme të një klase të veçuar shoqërore, vazhdon të mendoj me arsyen: se vlerat e njeriut të merituar prodhojnë bashkëjetesë të vazhdueshme në mes shikuesit dhe mediave, të cilat japin efekte të duhura edukative dhe emocione pozitive për auditorin.

Mungesa e kritereve në përzgjedhjen e muzikës dhe këngëve të realizuara në kuptimin e plotë, joprofesionalizmi dhe papërgjegjësitë e stafit menaxherial të cilët bëjnë lejimin e programeve kulturore dhe, pa asnjë arsyetim (ngase nuk e kanë) na servojnë individë të cilët nuk dinë çështë kënga dhe përbërja e saj. Shih për këtë tekstet e “këngëve” të bastarduara deri në skajshmëri dhe paturpësi të paparë!!! Pra, në ekranet publike na mungojnë emrat e individëve respektiv, interpretuesëve të dëshmuar dhe të vijëzuar në pentagramin e artistëve të veshur me kombëtaren dhe artistikën së bashku me muzikën profesionle dhe këngët e tyre që flasin shqip. Andaj, qasja e prezantimit të vlerave autoritative dhe sensibilizimi i tyre është primar dhe obligim ndaj individëve profesional dhe qasje e drejtë në kuptimin e edukimit dhe vlerave muzikore të punuara nga autorë shqiptarë – që na bën ta kuptojmë evoluimin e muzikës shqiptare deri në baraspeshën estetike të muzikës me veçori dalluese dhe gjuhë universale gjithandej botës së qytetëruar. Për këtë, duhet të bazohemi në të arriturat dëshmuese të artistëve – individë të gjeneratave të ndryshme të cilët u dëshmuan në cilësinë e interpretëve dhe instrumentalistëve të përkryer në fushat e tyre. Andaj, me kënaqësi do t`i veçoja disa pre emrave respektiv të cilët tashmë e qëmoti janë emra kuptimi në fushën e muzikës. Këtu do ta përmendja tenorin magjiplotë, Kastriot Tusha, zëri i të cilit gurron i kulluar në faqen e lavdishme të këngës operistike në kuptimin e një këngëtari profesionist në fushën e interpretimit edhe të këngës së lehtë, serenatës dhe këngës së mirëfilltë popullore – që e bëjnë te denjë dhe të nderuar për cilësitë e larta artistike.

Këtu, pashmangshëm zë vend e nderuara, Inva Mula, këngëtare soprano shqiptare me një opus të gjërë dhe të lakmueshëm. Në konkurset ndërkombëtare mori çmime të lavdishme siç janë: konkursi “George Enescu” në Bukuresht. Pastaj fitoi konkursin ”Butterfly” në Barcelona, çmimin në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, Bruksel, në Mynih dhe në Oslo. Ka marrë pjesë në operën Medee të Luigi Cherubini-t në Francë. Pastaj rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i peste” i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën "The Diva Dance". Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizet-it në Paris. Në vitin 2001 ishte e zënë në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit “Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scara” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon. Luajti gjithashtu disa herë, La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto si dhe në Norine-n e parë në L'elisir d'amore në Toulouse të Francës etj.

Kurse sopranja, Shpresa Gashi është një pasqyrim i edukuar prej një artisteje të veçuar në panoramën kulturore. Zëri e saj i adhuruar, me një timbër sa të veçantë po aq edhe melodik e karakterizon personalitetin e saj artistik. Kjo këngëtare në vazhdimësi e kultivon, e zhvillon dhe e pasqyron trashëgiminë e këngës duke e begatuar dhe duke e ruajtur baraspeshën estetike për artin e këngës shqipe.

Po ashtu, vend meritor në gjerdanin e muzikës profesionale zë vend, Vikena Kamenica, mexosopranoja e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo artiste tashmë e angazhuar dhe e lavdishme në fushën e këndimit, përpos këngës operistike ajo ka aftësi të madhe të krijoj atmosferë festive edhe në interpretimin e këngës së lehtë dhe të asaj të shoqëruar me muzikën e xhazit modern.

Violinistja e famshme, Sihana Badivuku - Hoxha, e cila duke hyrë thellë në botën e saj prej një interprete virtuoze, ajo i përjeton jo vetëm lëvizjet e gishtërinjve dhe harkun në violinë. por edhe ato të krihëve të fluturës, harkun e vetullave, rrahjen e qerpikëve dhe kafshimin e buzëve. Pra, e tëra hyn në funksion të botës magjepse nëpërmjrt tingujve muzikor të interpretuar me mjeshtëri të përkryer.

Pianistja, Dhurata Lazo – Bejleri, edhepse i studio dhe i luan kompozitoret më të njohur të muzikës klasike, ajo me interesim të madh nxjerrë në pah bukurinë e timbrit shqip me të gjitha efektet e dukshme poetike. Në këtë kuptim, pianistja jonë Dhurata, në formatin e saj artistik me kohë e zuri frymën e bukur shqipe, duke bashkëpunuar me kompozitorët tanë siç janë: Çesk Zadeja, Fehim Ibrahimi, Tonin Arapi, Kozma Laro, Pëllumb Vorpsi, Nikolla Zariqi, Albert Paparisto dhe të tjerë për t`i dëshmuar para botës vlerat tona edhe në fushën e muzikës artistike. Kjo qasje e pianistes sonë dhe kontributi i saj në sensibilizimin e vlerave kombëtare në fushën e muzikës shqipe të punuar nga autorë shqiptarë, e bënë evoluimin e muzikës shqiptare deri në baraspeshën estetike të muzikës si gjuhë universale gjithandej botës sonë. Andaj, kontributi i artistes sonë në hapësirat koncertale në disa qytete të Italisë, Francë, Gjermani, USA, Luksenburg dhe në hapësira tjera - vë në pah vlerat e padiskutueshme  në fushën e interpretimit individual.

Për flautisten, Venera Mehmetagaj – Kajtazi, flet virtuoziteti i lojës së saj, ku me dhjetë gishtërinjtë e artë e cepin e buzëve qershi, pa vështirësi zotëron katërmbëdhjetë vrimat e flautit të saj. Ky është një vlerësim poetik ashtu sikurse edhe tingujt e këtij instrumenti parajsor, të dashur, sensibël e të ndjeshëm duke i potencuar aftësitë e saja të interpretimin profesional që pa dyshim e radhisin në figurat e çmuara që e begatojnë kulturën tonë muzikore.

Pianistja respektive, Lejla Haxhiu – Pula, e cila me të drejtë shquhet në fushën e interpretimit pianistik, dhuntinë e saj artistike, paraqitjet e shumta skenike dhe qëndrueshmërinë permanente në zhvillimin e muzikës artistike na bëjnë ta kuptojmë personalitetin e saj të veçuar. Pra, ajo mbetet në funksion të talentit dhe të edukimit permanent në frymën e botës së veçantë muzikale.

Tani, me kënaqësi dhe konsideratë të veçantë do ta vijëzoj violinistin, Shkëlzen Doli, i cili tashmë është i veshur me petkun e merituar dhe epitetin e një artisti të merituar dhe të vlerësuar nga njerëzit kompetentë të fushës së interpretimit artistik. Puna e tij shumëvjeçare dhe sukseset e merenduara e bën që ky artist të jetë edhe anëtarë i Filarmonisë së Vienës – një nga filarmonitë më të njohura nga skena ndërkombëtare e muzikës serioze për çka na bën të mburremi me të.

Këtu do t`i përmendim edhe disa emra të veçuar të gjeneratës së vjetër, asaj të mesme dhe të sotmës siç janë: Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Anita Take, Sabri Fejzullahu, Eli Fara, Sanije Matoshi, Bashkim Paçuku, Ardit Gjebrea, Eda Zari, Manjolla Nallbani, Alban Skenderaj, Flaka Krelani, Teuta kurti, Redon Makashi, Yllka Kuqi, Rona Nishliu, Linda Halimi dhe të tjerë të merituar në cilësinë e vlerave si pasqyrime të së vjetrës e cila vazhdon të shkëlej edhe në ditët e sotme, dhe një avangarde të re këngëtarësh, gjithmonë në vijën e vlerave, të së vërtetës dhe të bukurës artistike, nga e cila duhet të mësohen të tjerët – nëse mendojnë të gjinden në mesin e të merituarve – ngase, brenda natës dhe me një rresht tekst të pakuptim nuk mund të arrihet askund. Pra, me emrat e veuçar më lart dhe të tjerëve me vlera dhe cilësi prej këngëtarësh të mirëfilltë, lirisht mund të themi se ne posedojmë vlara për t`u lavdëruar me to. Andaj, vlerat e dëshmuara nuk guxojmë t`i baraspeshojmë me antivlerat e një kohe dhe çasti paradoksal.

Së këndejmi, në kërkim të frymës artistike dhe vlerave muzikore do t`i veçoja edhe tre grupe muziktarësh – për mua të merituar, të cilët na prezantohen me muzikën e kultivuar në mes rokut e xhazit dhe asaj tradicionale të përpunuar siç janë grupet: “Troja”, “Asgjë sikur dielli” dhe “Etno klasik”. Dy grupet e para na prezantohen me projektet e tyre serioze, të fisnikruara me tekste të mirëfillta nga të cilat nxjerrin në pah klithmat e kohës së bashku me realitetin e hidhur të interpretuar në suaza të një kënge ngushëllimi, si çlirim emocional dhe domosdoshmëri e momentit dhe e kohës sonë. Kurse grupi i tretë, me mjeshtëri nxjerrë dhe përpunon margaritarët e kohës së shkëlqyer, duke bërë inkorporimin e muzikës shqiptare, të asaj popullore, të këngës së lehtë dhe të asaj qytetare – ku në disa ekzekutime vërehej edhe melosi popullor i draditës nga popuj tjerë, qëllimisht të trajtuara si melos me vlera tingëllore. Këtu inkorporohen edhe vlerat e muzikës serioze e kompozitorëve klasik të njohur gjithandej botës muzikale. Ky gërshetim i bukur në mes këngës popullore dhe asaj artistike, në mes tradicionales dhe modernes, gjithnjë me një aranzhman ndryshe nga e përditshmja, të përpunuara dhe të përformuara në frymën e xhazit, na japin një miks të përkryer dhe të lakmueshëm. Sa për ilustrim do t`i përmendi disa nga këngët e njohura dhe të përpunuara nga grup muziktarësh respektiv. Pra, është kënaqësi e veçantë t`i dëgjosh këngët e përpunuara siç janë: “Baresha”, “Kur hana del”. “Karmen”, Vivaldi`s “Spring”, “Liqeni i mjellmave”, “Vallja hungareze”, “Oda e gëzimit” dhe të tjera...

Andaj, kënga jonë u ngjiz dhe u krijua nga rrënjet e veta, të një etnosi më të vjetrin në Gadishullin Ballkanik, me respekt të veçantë ndaj kulturës kombëtare si produkt i saj me prioritet nacional në zhvillimin e muzikës shqiptare në konturat e një formati të veçuar artistik. Në këtë kuptim, kënga jonë me zë qiellor, e një fryme dhe specifike ndryshe nga të tjerët dhe e veçantë në kuptimin kulturës tradicionale dhe të interpretimit individul duhet të mbesin vlera me të njejtin shkëlqim, duke i qëndruar besnik vlerave kombëtare pa u nënshtruar lakmive dhe rrebesheve të kohërave, të cilat patën dhe kanë tendencën e ngulfatjes kulturore të një populli, i cili me shumë sakrifica e ruajti dhe e kultivoi këngën që rrjedh shqip. Prandaj, nuk e kuptoj: se si surrogatet, improvizimet, tekstet e palara të mbushura përplot lapërdhi, muzika e kamufluar me tingëllimën sllave dhe atë orientale – pa fije turpi prezantohen nëpër ekranet televizive?!? Këto dukuri neveritëse të huazuara nga kulturat e popujve të rajonot dhe më gjërë – vijnë si produkte të djallit dhe nëntoka e zezë komerciale e cila nëpërmjet matrapazëve të kohës së të marrëve na servohen edhe nëpër ekranet tona televizive. Për këtë, me frymë imediate duhet kërkuar nga njerëzit kompetent që në mënyrë selektive të nxjerrin vlerat e mirëfillta dhe antivlerat t`i largojnë nga skena. Kështu, auditori do t`i kuptoj qartazi vlerat e vërteta dhe do të vetëdijesohet me kohën për ta identifikuar vetveten me vlerat e kulturës nacionale.

Për situatat e krijuara të kohës aktuale, ndikimet negative dhe shëmtitë verbuese duhet kanalizuar në rrjedhen e ujërave të zeza dhe të mbyllen në pusetat e tyre përgjithmonë, sepse, tani më shumë se kurrë kemi nevojë për koncepcione të reja të të menduarit ndryshe nga e sotmja banale...

Prandaj, para se gjithash, është e nevojshme të kristalizohen rrënjët tona nëpër shtjellat e historisë sonë, peshën e barrës së kohës dhe definicionon e qartë të shoqërisë në pushtet. Pra, duhet bërë një ndërhyrje kirurgjikale kundër verbërisë dhe shabllonizmit të një kallëpi dhe terrinës politike të krijuar me tendencë rrugëtimi nëpër zbehtësinë e hënës në të sosur... Andaj, shoqëria në pushtet duhet t`i tërheq përdet e mykyra nga xhamat e tymt, përterj të cilëve shtrihen horizontet me visore parajsore drejt Kopshteve të Edenit, të krijuara nga Perëndia për dëshirën dhe gëzimin e krijesave të tij më të dashura të quajtur njerëz.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora