Mendime
Elida Buçpapaj: Jashtë rrugaçët nga Parlamenti
E enjte, 12.07.2012, 07:44 PM
Çdo ditë një
temë
JASHTË RRUGAÇËT NGA PARLAMENTI I SHQIPËRISË
-Si mund të tolerojmë që fyhet një nënë shqiptare si « rrugaçe »
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Një deputet
i Parlamentit të Shqipërisë e ka fyer publikisht Prokuroren e Shqipërisë duke e
quajtur « rrugaçe ». Sikur të mos jetojmë
në shekullin XXI, por në periudhën e inkuizicionit, kur gratë i digjnin në turra
drush. Një deputet i parlamentit të Shqipërisë e ka fyer një grua shqiptare,
nuk ka rëndësi se çfarë posti mban kjo grua. Një deputet i parlamentit të Shqipërisë
e ka fyer një grua shqiptare, sikur të ishte
përfaqësues i primitivizmit dhe tribalizmit dhe jo i sovranit.
Diktatura
komuniste i fyente, i poshtëronte, i vriste gratë, i dërgonte në kampe përqëndrimi,
i depersonalizonte, i torturonte, i pushkatonte pa gjyq, i pushkatonte me fëmijë
në bark, ndërsa një përfaqësues i popullit, në shekullin XXI, i një vendi që krenohet
se e paska rrëzuar diktaturën, e fyen prokuroren e Shqipërisë si « rrugaçe »! Sikur
të jetë përfaqësues i parlamentit të Enver Hoxhës dhe jo i një regjimi
demokratik, sikur të jetë përfaqësues i parlamentit të Hugo Çavezit dhe jo i një
vendi anëtar të NATO-s!
Fyerjen e
deputetit të parlamentit të Shqipërisë e kishin botuar sot i gjithë shtypi i
Tiranës, i kishin bërë jehonë dhe mediat
vizive të Shqipërisë, ndërsa nuk pamë asnjë burrë nga të ashtuquajturit
opinionistë të Tiranës, që t’i kishte dalë në mbrojtje Ina Ramës!
Një përfaqësues
i parlamentit, që i fyen gratë shqiptare, shpreh në mënyrën më eksplicite
nivelin e mjerë që ka politika shqiptare, është dëshmi e gjallë e profilit të politikanit
shqiptar, i cili është jashtë standarteve të një vendi demokratik.
Një shoqëri
ku politikanët i fyejnë gratë, ndërsa elita theket në diell në plazhet dhe vilat luksoze të blera si shërbëtore dhe
puthadore e këtyre politikanëve, rrezikon të degradojë dhe degjenerojë sistemin,
sepse lejon që një deputet i Parlamentit të Shqipërisë të denigrojë figurën e
një nëne, e cila është e shenjtë dhe e paprekëshme!
Gruaja shqiptare është bija e Nënë Terezës, është trashëgimtarja e Mbretëreshës Teuta, është stërmbesa e Rozafës e cila u vetëflijua, sakrifikoi jetën e saj deri në sublimitet, duke kërkuar të vetmin « privilegj » që t’i lihej jashtë murimit gjiri për të mëkuar birin e saj, që ky të jetonte. Legjenda e Rozafës e kthen në mit gruan shqiptare, e bën shkakun dhe arsyen e ekzistencës të farës shqiptare. Flijimi i saj është akti më ekstrem që nuk lejon më të tolerohet asgjë kundër femrës shqiptare, nga askush.
Edhe në Kanun,
i cili sot përmendet dendur, për të justifikuar aktet e degradimit të shoqërisë
për shkak të mungesës të shtetit të së drejtës, femra është e paprekëshme.
Kur një deputet
i Parlamentit tër Shqipërisë e fyen një grua « rrugaçe », merrni me mend se çfarë
leksione të barbarisë jep për qytetarin e thjeshtë ! Kur një deputet i
parlamentit të Shqipërisë e fyen prokuroren e Shqipërisë « rrugaçe », merrni me
mend se çfarë leksioni antiqytetërues, antiemancipues, antidemokratik dhe antiligjor
jep ky deputet për shoqërinë shqiptare.
Nuk e ka
fajin Ina Rama që klasa politike shqiptare e ka lejuar degradimin e drejtësisë shqiptare.
Nuk e ka fajin Ina Rama që Fehmi Avdiu dhe Arben Puto, njëri i inkriminuar dhe
tjetri kuisling i regjimit totalitar, sot vazhdojnë e i japin popullit shqiptar
leksione për drejtësinë! Fajin e ka politika!
Fajin e
ka politika. E cila toleron dhe bën indiferentin kur një deputet i parlamentit
të Shqipërisë e quan « rrugaçe » një grua shqiptare, e cila është bijë, motër,
bashkëshorte, grua, femër shqiptare, është nënë!
Dhe
mjerimi është se askush nga krahu i PD nuk do t’i dilte në mbrojtje Ina Ramës !
Deri këtu ka arritur niveli i konformizmit i politikës, deri këtu ka arritur
paburrëria ! Duke përfshirë këtu edhe gratë e Parlamentit të Shqipërisë!
Por nëse
ata e tolerojnë, ne shoqëria shqiptare nuk duhet ta tolerojmë! Nuk ka gra rrugaçe! Nuk ka nëna
rrugaçe! Nuk ka femra rrugaçe! Rrugaç është kushdo që fyen një grua! Edhe ai
deputeti i Parlamenti i Shqipërisë që e fyeu një grua! I cili nuk meriton që të
jetë përfaqësues i sovranit.
PS: Këtë opinion
do ta përcjell në të gjitha gazetat kryesore të Tiranës, të shohim se cila prej
tyre do ta botojë