E marte, 15.10.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: Hulusi Hako kundër Religjioneve

E marte, 10.07.2012, 07:42 PM


Prof. Hulusi Hako dhe

atavizmat e tij marksiste kundër Religjioneve

Nga Pirro Prifti

Një përgjigje pak e vonuar por e domosdoshme.

Në temën e tij marksiste `Feja dhe ateizmi` te dt. 26 maj 2012 botuar tek `Postieri`,  Prof.Dr. Hulusi Hako (http://ateistet.org/lende/shkrime/feja-dhe-ateizmi-1)  përmënd disa argumenta kundër Religjoneve fetare dhe  alternativave të këtyre religjioneve për të marrë pjese në prosperitetin e shtetit në përgjithësi, dhe në veçanti në Shqipëri, e cila ka tre religjione  të forta dhe qindra vjeçare. Këtë argument Prof. Hulusiu e konfirmon me një thënie të Xhon Lok i cili ka thënë se .. “Adhurimi i Zotit është aq personal, aq privat, sa është, të themi edhe mbjellja e tokës, martesa e vajzës, mënyra e shpenzimit të të ardhurave” etj. Feja hyn në shijet dhe gustot personale`.

Dhe pastaj hedh analizon nëpërmjet ideve tij gjithashtu marksiste,  frazën e thënë nga unë në artikull se `..as ideja  që të ketë stabilitet në Shqipëri duhet të sanksionohet me kushtetutë  ndarja e pushteteve mes përfaqësuesve politikë të bashkësisve fetare. ..`Këtë ide e kam pasqyruar në  artikullin tim të botuar në gazeta Sot por që ndodhet edhe në internet: “Stabiliteti i Shqipërisë, vetëm në se drejtohet nga përfaqësues të komuniteteve fetare” (5 janar 2012).

Këto refleksione të Profesorit në të gjashtë kapitujt e tij:

1.Feja dhe Ateizmi

2. Fetë, objekt i polemikës shekullore të njerëzimit

3. Të besuarit është zgjedhje dhe zgjidhje personale

4. Koha e teokracisë politike ka perënduar

5. Kërcënimet me gjuhën fetare, nuk pinë ujë fare në ndërgjegjen shqiptare

6. Ndarja e fesë nga shkolla, arsimi laik është një fitore e madhe e demokracisë, që duhet mbrojtur me çdo kusht

mendoj se janë konform me idenë e Marksit se `Feja është Opium për Popullin`.

Në komentet ndaj shkrimit tim por dhe ndaj shkrimeve të përmëndura nga z.Hulusi Hako, përvijohet  si me një fill të kuq në të  gjashtë kapitujt e shkrimit  opinioni i tij kriptokomunist se feja dhe religjionet tashme janë një fenomen i kaluar dhe se.. Kushtetuta e ka ndarë shtetin laik nga Feja...

Në komentin tim ndaj kritikës marksiste të Profesorit mund të theksoj së pari se John Locke (29 August 1632 – 28 October 1704) ka qënë një ligjvënës që sot nuk i referohet askush për shkak të ideve të tij tashmë të tejkaluara, por që  është i njohur si `babai i liberalizmit klasik`, dhe në përgjithësi një armik i religjioneve ( ishte nje heretik fetar kristian) të cilat ai i nëvlerësonte; madje dhe vetë Marksi e ka kritikuar John Lockun persa i përket ideve të tij për problemet e pronës. Idetë e vjetra John Lock-ut tregojnë se  sa larg kuptimeve të reja që përbëjnë religjionet në stabilizimin e shoqërive post-komuniste janë idetë e z. Hulusi.

Idetë e Profesorit ngatërrojnë fenë më ekstremizmin fetar, ngatërrojnë traditat  e shëndosha fetare me degjenerimin moral  të shoqërisë së sotme, ngatërron  komunitetin fetar,  dhe inteligjencën e komuniteteve përkatëse fetare si një forcë e madhe që mund të luajë në stabilizimin e shoqërisë shqiptare ndaj fenomeneve sociale të papunësisë, korrupsionit,  degradimit moral dhe etik, si dhe në rolin që mund të luajnë ata në drejtimin e mundshëm të vendit tonë si një vend i pastabilizuar politikisht.

Nëse Profesori do të hidhte një vështrim në të kaluarën 100 vjecare të pavarësisë mund të konstatonte lehtësisht se është pikërisht mungesa dhe anash kalimi i kësaj inteligjence të vecantë e të pastër- në drejtimin e vendit dhe në stabilitetin e tij politik aq të lëkundur gjatë gjithë këtyre viteve si Shqipëri e pavarur.

Mund të them me keqardhje se pikërisht ide të tilla marksiste  për drejtimin ateist të shtetit i  nxiti komunistët e Enver Hoxhës që të shkatërronin me themele kishat dhe xhamitë, ishin ata njerëz me ide të ngjashme me këto që përmënd në artikullin e tij Profesor Hulusi Hako që vendosën Fletë-rrufetë e famshme kundër fesë dhe doktrinave fetare më 1967.

Kjo thagmë 34 vjecare së bashku me doktrinëns marksiste-leniniste  që kërkonte krijimin e `njeriut të ri` ( apo i harruat këto filozofi të pastra komuniste, z. Hulusi?), bënë që  njerëzit e sotëm për 22 vite rresht pas rrëzimit tw komunizmit, u mashtruan, dhe ende janë të hutuar për ngjarjet e çuditshme që kanë ndodhur në Shqipërinë post-komuniste, ku ashtu si dhe në kohën e Zogut injoranti drejtonte shtetin,  provinciali drejtonte inteligjencën,  drejtuesi klanor përdorte servilët për të mbledhur paratë apo për të ndëshkuar të pabindurit, ku  profesionistët janë anash kaluar, dhe në vend të ushtarakut drejton aktori, në vend të juristit me eksperiencë drejton askushi, në vend të biznesmenëve Shqipëria ka politikanët drejtues në ekzekutiv, legjislativ, të lokaleve gjatë tërë këtyre 22 viteve etj, etj.

Përse arritëm deri këtu i nderuar Profesor? Mos vallë në gjithë këto 100 vite kanë drejtuar ndonjë nga inteligjencia e religjioneve më të rëndësishme në Shqipëri ? jo , i nderuar.

Atëhere përse gjithë ky mllef kundër komuniteteve fetare në një kohë që ato jo vetëm janë përjshtuar me ligj nga drejtimi i vendit por edhe politika i ka shmangur me marifet sepse  dihet që pjesëmarrja në qeverisje e inteligjencias së komuniteteve fetare do të përkthehet nga politika mafioze shqiptare si: humbje e fitimeve, humbje e pushteteve, humbje e respektit dhe namit të rremë të nxitur aq paturpësisht nga mediat e blera që ngrenë hicin dhe dobiçin, duke lënë në harresë madje dhe ju vetë që keni kontribuar denjësisht në profesionin tuaj.

Ju thoni se: .. `Autori, ka montuar disa ngjarje trazirash, ia atribuon këtij kushti disa destabilizime gjatë kohërave dhe, në mënyrë fataliste, pohon se pa plotësimin e tij “destabilizimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

Një trend i hatashëm kërcënimi! Kërcënon tjetri me qiellin, sikur ta ketë kapur atë me dorë`.

Mesa duket nuk e keni kuptuar se ka dallim midis asaj që thoni ju dhe asaj që argumentoj une.

Në këtë rast unë jam për shtetin laik por them se:

së pari, Shqipëria duhet të drejtohet nga inteligjencia e komuniteteve fetare gjë që nuk ka të bëjë me shtetin fetar sic përmëndni ju,

së dyti argumentoj se Shqipëria duhet të drejtohet nga tre pushtetet por ato të  kenë secili nga një drejtues  që përfaqsojnë  komunitetet me të mdëdha fetare pra një triumvirat , por komuniteti më i madh fetar të marrë përfaqësime më të mëdha.

Mund të përmënd në këtë rast Libanin. Derisa ky shtet kishte drejtim të ekuilibruar sipas komuniteteve  Libani ishte i qetë,. Në momentin kur njëri nga komunitetet   i kombinuar me ndërhyrjet nga jashtë predominoi, Libani është ai që shihet sot: i shkatërruar plotësisht. Pra, edhe në këtë rast unë nuk e mohoi laicizmin por mendoj se përfaqësuesit e zgjedhur nga Komunitetet fetare do të jenë shumë herë më të mirë se politikanët e ish-nomeklaturës së kuqe dhe  shumë herë më të mirë se  sahanlëpirësit e politikës shqiptare, të cilat janë me shumicë dhe nuk i kanë munguar Shqipërisë që nga 1912 e deri më sot.

Së fundmi ju i shmangeni dhe nënvlerësoni Zotin dhe besimtarët duke i quajtur ato njëlloj si Enveri si... pjesë e një të kaluare që nuk mund të kenë kurrfarë rëndësie në zhvillimin e një shteti apo të shoqërisë.... Gaboheni i nderuar Profesor. Nuk është e nevojshme t`ju them se  besimi tek Zoti është pikërisht besimi që mbajti  kombin gjalë dhe jo ateistët dhe ateizmi.

Fraza e Pashko Vasos se `.. feja e shqiptarit është shqiptarija,..` është një artificë, dhe nuk ka në fakt asgjë të vërtetë në traditën popullore. Më e sakta do të thuhej se shqiptarizmi nuk është fe, por toleranca fetare, qënia e një gjaku shqiptar,  e  ruajti kombin, gjuhën, traditën.

Dhe nëse e kemi fjalën tek tradita, pikërisht traditat e bukura të trevave shqiptare e kanë origjinën pikërisht nga traditat fetare të ndryshme sipas komuniteteve, por janw tradita qw çmohen dhe nga tw huajt sepse  respektojnë mikun, respektojnë nderin, respektojnë femrën madje respektojnë dhe armikun kur ai gjendet rastësisht nën juridiksionin e individit- dhe kjo ësht pikërisht  një nga perlat e moralit të lartë shqiptar që është bujar dhe tolerant me atë që e ka në dorë.

Le të shpresoj që Profesor Hulusi Hako të kuptojë atë që s`ka mundur ta kuptojë gjatë jetës së tij: besimi tek Zoti ka mbajtur Shqipërinë dhe shqiptarët gjallë dhe ashtu sic thotë kënga karakteristike korçare `Sa të rrojë gjithësia do të rrojë dhe Shqipëria`.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora