Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Jashtë rrugaçët nga Parlamenti

| E enjte, 12.07.2012, 06:44 PM |


Çdo ditë një temë

JASHTË RRUGAÇËT NGA PARLAMENTI I SHQIPËRISË

-Si mund të tolerojmë që fyhet një nënë shqiptare si « rrugaçe »

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

Një deputet i Parlamentit të Shqipërisë e ka fyer publikisht Prokuroren e Shqipërisë duke e quajtur « rrugaçe ».  Sikur të mos jetojmë në shekullin XXI, por në periudhën e inkuizicionit, kur gratë i digjnin në turra drush. Një deputet i parlamentit të Shqipërisë e ka fyer një grua shqiptare, nuk ka rëndësi se çfarë posti mban kjo grua. Një deputet i parlamentit të Shqipërisë e ka fyer një grua shqiptare, sikur  të ishte përfaqësues i primitivizmit dhe tribalizmit dhe jo i sovranit.

Diktatura komuniste i fyente, i poshtëronte, i vriste gratë, i dërgonte në kampe përqëndrimi, i depersonalizonte, i torturonte, i pushkatonte pa gjyq, i pushkatonte me fëmijë në bark, ndërsa një përfaqësues i popullit, në shekullin XXI, i një vendi që krenohet se e paska rrëzuar diktaturën, e fyen prokuroren e Shqipërisë si « rrugaçe »! Sikur të jetë përfaqësues i parlamentit të Enver Hoxhës dhe jo i një regjimi demokratik, sikur të jetë përfaqësues i parlamentit të Hugo Çavezit dhe jo i një vendi anëtar të NATO-s!

Fyerjen e deputetit të parlamentit të Shqipërisë e kishin botuar sot i gjithë shtypi i Tiranës, i kishin bërë jehonë  dhe mediat vizive të Shqipërisë, ndërsa nuk pamë asnjë burrë nga të ashtuquajturit opinionistë të Tiranës, që t’i kishte dalë në mbrojtje Ina Ramës!

Një përfaqësues i parlamentit, që i fyen gratë shqiptare, shpreh në mënyrën më eksplicite nivelin e mjerë që ka politika shqiptare, është dëshmi e gjallë e profilit të politikanit shqiptar, i cili është jashtë standarteve të një vendi demokratik.

Një shoqëri ku politikanët i fyejnë gratë, ndërsa elita theket në diell në plazhet dhe  vilat luksoze të blera si shërbëtore dhe puthadore e këtyre politikanëve, rrezikon të degradojë dhe degjenerojë sistemin, sepse lejon që një deputet i Parlamentit të Shqipërisë të denigrojë figurën e një nëne, e cila është e shenjtë dhe e paprekëshme!

Gruaja shqiptare është bija e Nënë Terezës, është trashëgimtarja e Mbretëreshës Teuta, është stërmbesa e Rozafës e cila u vetëflijua, sakrifikoi jetën e saj deri në sublimitet, duke kërkuar të vetmin « privilegj » që t’i lihej jashtë murimit gjiri për të mëkuar birin e saj, që ky të jetonte. Legjenda e Rozafës e kthen në mit gruan shqiptare, e bën shkakun dhe arsyen e ekzistencës të farës shqiptare. Flijimi i saj është akti më ekstrem që nuk lejon më të tolerohet asgjë kundër femrës shqiptare, nga askush.

Edhe në Kanun, i cili sot përmendet dendur, për të justifikuar aktet e degradimit të shoqërisë për shkak të mungesës të shtetit të së drejtës, femra është e paprekëshme.

Kur një deputet i Parlamentit tër Shqipërisë e fyen një grua « rrugaçe », merrni me mend se çfarë leksione të barbarisë jep për qytetarin e thjeshtë ! Kur një deputet i parlamentit të Shqipërisë e fyen prokuroren e Shqipërisë « rrugaçe », merrni me mend se çfarë leksioni antiqytetërues, antiemancipues, antidemokratik dhe antiligjor jep ky deputet për shoqërinë shqiptare.

Nuk e ka fajin Ina Rama që klasa politike shqiptare e ka lejuar degradimin e drejtësisë shqiptare. Nuk e ka fajin Ina Rama që Fehmi Avdiu dhe Arben Puto, njëri i inkriminuar dhe tjetri kuisling i regjimit totalitar, sot vazhdojnë e i japin popullit shqiptar leksione për drejtësinë! Fajin e ka politika!

Fajin e ka politika. E cila toleron dhe bën indiferentin kur një deputet i parlamentit të Shqipërisë e quan « rrugaçe » një grua shqiptare, e cila është bijë, motër, bashkëshorte, grua, femër shqiptare, është nënë!

Dhe mjerimi është se askush nga krahu i PD nuk do t’i dilte në mbrojtje Ina Ramës ! Deri këtu ka arritur niveli i konformizmit i politikës, deri këtu ka arritur paburrëria ! Duke përfshirë këtu edhe gratë e Parlamentit të Shqipërisë!

Por nëse ata e tolerojnë, ne shoqëria shqiptare nuk duhet ta  tolerojmë! Nuk ka gra rrugaçe! Nuk ka nëna rrugaçe! Nuk ka femra rrugaçe! Rrugaç është kushdo që fyen një grua! Edhe ai deputeti i Parlamenti i Shqipërisë që e fyeu një grua! I cili nuk meriton që të jetë përfaqësues i sovranit.

PS: Këtë opinion do ta përcjell në të gjitha gazetat kryesore të Tiranës, të shohim se cila prej tyre do ta botojë