| E enjte, 19.07.2012, 08:00 PM |
INDIVIDUALITETI KRIJUES DHE SHOQËRIA (2)
(Prezantimi i vlerave të veçuara muzikale)
Nga Remzi Limani
Pa dyshim se mjetet informative gjithandej hapësirave
mediale kanë një rol të veçantë dhe fuqi të pazëvendësueshme në sensibilizimin
e vlerave dhe ngjarjeve të shumta kulturore. Këtu bejnë pjesë mediumet e
shkruara dhe ato elektronike siç janë televizionet publike dhe ato private.
Mirëpo, edhe në këto hapësira informative e veçmas në hapësirat televizive me
fuqi marramendëse mediale - sikurse nuk bëhen selektimet e nevojshme për t`i
eliminuar antivlerat dhe shëmtitë e pështira nga ekranet publike, ku pa asnjë
kriter prezantohet shundi i cili pa pardon i servohet publikut të gjërë. Në
këtë rast, kur behet fjalë për prezantimet e vlerave të individëve meritorë,
menaxherët e mediave, në veçanti të atyre publike me ndikim dhe të cilat
jetojnë nga paratë e taksapaguesëve, kanë obligim parësor ndaj shikuesëve
parapagues, që në ekranet televizive t`i prezantojnë individët artistë të
edukuar dhe ata që kanë çka të japin nga krijimtaria e tyre e dëshmuar, e
pranueshme dhe e mirëpritur për auditorin e gjërë. Pra, nën thjerrëzën seleksionuese
nëpër të cilën duhet të fokusohen vlerat e veshura me njerëzoren dhe artistiken
- sikur nuk kalon askush dhe, në sytë e botës bëhen matrapazllëqet ndër më të
ndryshmet për t`i publikuar antivlerat e zhveshura gati pilikuri, ngase
individët e caktuar nuk kanë çka të japin përpos imazhit të lakuriqësisë së
tyre banale, që na ngjajnë në promocione publicitare për veshjet e brendshme...
Këto pamje të papranueshme për publikun
e në veçanti për atë familjar na bëjnë të mos ndihemi komod pranë ekraneve televizive
aq më tepër të atyre të cilat mbajnë epitetin e televizioneve kombëtare. Në
këtë kontekst, televizioni publik, duhet të mendoj për prodhimet televizive dhe
efktet e tyre ndikuese tek publiku. Pra, duhet të mendohet për raportin mes
shikuesit dhe mediave në cilësinë e vlerave dhe njerëzores. Tani, ky kujdes i
domosdoshëm sikurse është jashtë konturave të racionales pa i përfillur normat
mbi prodhimtarinë e vlerave efektive dhe të pranueshme. Kjo qasje iracionale
dhe sensibilizimi i së keqës dhe të shëmtuarës me të gjitha lakuriqësitë e
ekspozuara janë vlerësime të pa kriter dhe të pa kripura...
Koncepcioni tradicional, i cili edukatën e mirëfilltë e
sheh si vlerë kreativiteti të dalë nga normat e pranueshme të një klase të
veçuar shoqërore, vazhdon të mendoj me arsyen: se vlerat e njeriut të merituar
prodhojnë bashkëjetesë të vazhdueshme në mes shikuesit dhe mediave, të cilat
japin efekte të duhura edukative dhe emocione pozitive për auditorin.
Mungesa e kritereve në
përzgjedhjen e muzikës dhe këngëve të realizuara në kuptimin e plotë,
joprofesionalizmi dhe papërgjegjësitë e stafit menaxherial të cilët bëjnë
lejimin e programeve kulturore dhe, pa asnjë arsyetim (ngase nuk e kanë) na
servojnë individë të cilët nuk dinë çështë kënga dhe përbërja e saj. Shih për
këtë tekstet e “këngëve” të bastarduara deri në skajshmëri dhe paturpësi të
paparë!!! Pra, në ekranet publike na mungojnë emrat e individëve respektiv,
interpretuesëve të dëshmuar dhe të vijëzuar në pentagramin e artistëve të
veshur me kombëtaren dhe artistikën së bashku me muzikën profesionle dhe këngët
e tyre që flasin shqip. Andaj, qasja e prezantimit të vlerave autoritative dhe
sensibilizimi i tyre është primar dhe obligim ndaj individëve profesional dhe
qasje e drejtë në kuptimin e edukimit dhe vlerave muzikore të punuara nga
autorë shqiptarë – që na bën ta kuptojmë evoluimin e muzikës shqiptare deri në
baraspeshën estetike të muzikës me veçori dalluese dhe gjuhë universale
gjithandej botës së qytetëruar. Për këtë, duhet të bazohemi në të arriturat
dëshmuese të artistëve – individë të gjeneratave të ndryshme të cilët u
dëshmuan në cilësinë e interpretëve dhe instrumentalistëve të përkryer në
fushat e tyre. Andaj, me kënaqësi do t`i veçoja disa pre emrave respektiv të
cilët tashmë e qëmoti janë emra kuptimi në fushën e muzikës. Këtu do ta
përmendja tenorin magjiplotë, Kastriot
Tusha, zëri i të cilit gurron i kulluar në faqen e lavdishme të këngës
operistike në kuptimin e një këngëtari profesionist në fushën e interpretimit
edhe të këngës së lehtë, serenatës dhe këngës së mirëfilltë popullore – që e
bëjnë te denjë dhe të nderuar për cilësitë e larta artistike.
Këtu, pashmangshëm zë vend e
nderuara, Inva Mula, këngëtare
soprano shqiptare me një opus të gjërë dhe të lakmueshëm. Në konkurset
ndërkombëtare mori çmime të lavdishme siç janë: konkursi “George Enescu” në
Bukuresht. Pastaj fitoi konkursin ”Butterfly” në Barcelona, çmimin në
Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ka bashkëpunuar me tenorë të
famshëm në operën e Bastille-s në Paris, Bruksel, në Mynih dhe në Oslo. Ka
marrë pjesë në operën Medee të Luigi Cherubini-t në Francë. Pastaj rikthehet në
operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i peste” i
jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën "The Diva
Dance". Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizet-it në Paris. Në vitin
2001 ishte e zënë në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit
“Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në
“La Scara” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon. Luajti gjithashtu
disa herë, La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange,
Trieste dhe Toronto si dhe në Norine-n e parë në L'elisir d'amore në Toulouse
të Francës etj.
Kurse sopranja, Shpresa Gashi është një pasqyrim i
edukuar prej një artisteje të veçuar në panoramën kulturore. Zëri e saj i
adhuruar, me një timbër sa të veçantë po aq edhe melodik e karakterizon
personalitetin e saj artistik. Kjo këngëtare në vazhdimësi e kultivon, e
zhvillon dhe e pasqyron trashëgiminë e këngës duke e begatuar dhe duke e
ruajtur baraspeshën estetike për artin e këngës shqipe.
Po ashtu, vend meritor në
gjerdanin e muzikës profesionale zë vend, Vikena
Kamenica, mexosopranoja e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo artiste
tashmë e angazhuar dhe e lavdishme në fushën e këndimit, përpos këngës
operistike ajo ka aftësi të madhe të krijoj atmosferë festive edhe në
interpretimin e këngës së lehtë dhe të asaj të shoqëruar me muzikën e xhazit
modern.
Violinistja e famshme, Sihana Badivuku - Hoxha, e cila duke hyrë thellë në botën e saj prej një interprete virtuoze, ajo i përjeton jo vetëm lëvizjet e gishtërinjve dhe harkun në violinë. por edhe ato të krihëve të fluturës, harkun e vetullave, rrahjen e qerpikëve dhe kafshimin e buzëve. Pra, e tëra hyn në funksion të botës magjepse nëpërmjrt tingujve muzikor të interpretuar me mjeshtëri të përkryer.
Pianistja, Dhurata Lazo – Bejleri, edhepse i studio dhe i luan kompozitoret më të njohur të muzikës klasike, ajo me interesim të madh nxjerrë në pah bukurinë e timbrit shqip me të gjitha efektet e dukshme poetike. Në këtë kuptim, pianistja jonë Dhurata, në formatin e saj artistik me kohë e zuri frymën e bukur shqipe, duke bashkëpunuar me kompozitorët tanë siç janë: Çesk Zadeja, Fehim Ibrahimi, Tonin Arapi, Kozma Laro, Pëllumb Vorpsi, Nikolla Zariqi, Albert Paparisto dhe të tjerë për t`i dëshmuar para botës vlerat tona edhe në fushën e muzikës artistike. Kjo qasje e pianistes sonë dhe kontributi i saj në sensibilizimin e vlerave kombëtare në fushën e muzikës shqipe të punuar nga autorë shqiptarë, e bënë evoluimin e muzikës shqiptare deri në baraspeshën estetike të muzikës si gjuhë universale gjithandej botës sonë. Andaj, kontributi i artistes sonë në hapësirat koncertale në disa qytete të Italisë, Francë, Gjermani, USA, Luksenburg dhe në hapësira tjera - vë në pah vlerat e padiskutueshme në fushën e interpretimit individual.
Për flautisten, Venera Mehmetagaj – Kajtazi, flet
virtuoziteti i lojës së saj, ku me dhjetë gishtërinjtë e artë e cepin e buzëve
qershi, pa vështirësi zotëron katërmbëdhjetë vrimat e flautit të saj. Ky është
një vlerësim poetik ashtu sikurse edhe tingujt e këtij instrumenti parajsor, të
dashur, sensibël e të ndjeshëm duke i potencuar aftësitë e saja të interpretimin
profesional që pa dyshim e radhisin në figurat e çmuara që e begatojnë kulturën
tonë muzikore.
Pianistja respektive, Lejla Haxhiu – Pula, e cila me të
drejtë shquhet në fushën e interpretimit pianistik, dhuntinë e saj artistike,
paraqitjet e shumta skenike dhe qëndrueshmërinë permanente në zhvillimin e
muzikës artistike na bëjnë ta kuptojmë personalitetin e saj të veçuar. Pra, ajo
mbetet në funksion të talentit dhe të edukimit permanent në frymën e botës së
veçantë muzikale.
Tani, me kënaqësi dhe
konsideratë të veçantë do ta vijëzoj violinistin, Shkëlzen Doli, i cili tashmë është i veshur me petkun e merituar
dhe epitetin e një artisti të merituar dhe të vlerësuar nga njerëzit kompetentë
të fushës së interpretimit artistik. Puna e tij shumëvjeçare dhe sukseset e
merenduara e bën që ky artist të jetë edhe anëtarë i Filarmonisë së Vienës –
një nga filarmonitë më të njohura nga skena ndërkombëtare e muzikës serioze për
çka na bën të mburremi me të.
Këtu do t`i përmendim edhe
disa emra të veçuar të gjeneratës së vjetër, asaj të mesme dhe të sotmës siç
janë: Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Anita Take, Sabri Fejzullahu, Eli Fara,
Sanije Matoshi, Bashkim Paçuku, Ardit Gjebrea, Eda Zari, Manjolla Nallbani,
Alban Skenderaj, Flaka Krelani, Teuta kurti, Redon Makashi, Yllka Kuqi, Rona
Nishliu, Linda Halimi dhe të tjerë të merituar në cilësinë e vlerave si
pasqyrime të së vjetrës e cila vazhdon të shkëlej edhe në ditët e sotme, dhe
një avangarde të re këngëtarësh, gjithmonë në vijën e vlerave, të së vërtetës
dhe të bukurës artistike, nga e cila duhet të mësohen të tjerët – nëse mendojnë
të gjinden në mesin e të merituarve – ngase, brenda natës dhe me një rresht
tekst të pakuptim nuk mund të arrihet askund. Pra, me emrat e veuçar më lart
dhe të tjerëve me vlera dhe cilësi prej këngëtarësh të mirëfilltë, lirisht mund
të themi se ne posedojmë vlara për t`u lavdëruar me to. Andaj, vlerat e
dëshmuara nuk guxojmë t`i baraspeshojmë me antivlerat e një kohe dhe çasti
paradoksal.
Së këndejmi, në kërkim të frymës artistike dhe vlerave muzikore do t`i veçoja edhe tre grupe muziktarësh – për mua të merituar, të cilët na prezantohen me muzikën e kultivuar në mes rokut e xhazit dhe asaj tradicionale të përpunuar siç janë grupet: “Troja”, “Asgjë sikur dielli” dhe “Etno klasik”. Dy grupet e para na prezantohen me projektet e tyre serioze, të fisnikruara me tekste të mirëfillta nga të cilat nxjerrin në pah klithmat e kohës së bashku me realitetin e hidhur të interpretuar në suaza të një kënge ngushëllimi, si çlirim emocional dhe domosdoshmëri e momentit dhe e kohës sonë. Kurse grupi i tretë, me mjeshtëri nxjerrë dhe përpunon margaritarët e kohës së shkëlqyer, duke bërë inkorporimin e muzikës shqiptare, të asaj popullore, të këngës së lehtë dhe të asaj qytetare – ku në disa ekzekutime vërehej edhe melosi popullor i draditës nga popuj tjerë, qëllimisht të trajtuara si melos me vlera tingëllore. Këtu inkorporohen edhe vlerat e muzikës serioze e kompozitorëve klasik të njohur gjithandej botës muzikale. Ky gërshetim i bukur në mes këngës popullore dhe asaj artistike, në mes tradicionales dhe modernes, gjithnjë me një aranzhman ndryshe nga e përditshmja, të përpunuara dhe të përformuara në frymën e xhazit, na japin një miks të përkryer dhe të lakmueshëm. Sa për ilustrim do t`i përmendi disa nga këngët e njohura dhe të përpunuara nga grup muziktarësh respektiv. Pra, është kënaqësi e veçantë t`i dëgjosh këngët e përpunuara siç janë: “Baresha”, “Kur hana del”. “Karmen”, Vivaldi`s “Spring”, “Liqeni i mjellmave”, “Vallja hungareze”, “Oda e gëzimit” dhe të tjera...
Andaj, kënga jonë u ngjiz dhe
u krijua nga rrënjet e veta, të një etnosi më të vjetrin në Gadishullin
Ballkanik, me respekt të veçantë ndaj kulturës kombëtare si produkt i saj me
prioritet nacional në zhvillimin e muzikës shqiptare në konturat e një formati
të veçuar artistik. Në këtë kuptim, kënga jonë me zë qiellor, e një fryme dhe
specifike ndryshe nga të tjerët dhe e veçantë në kuptimin kulturës tradicionale
dhe të interpretimit individul duhet të mbesin vlera me të njejtin shkëlqim,
duke i qëndruar besnik vlerave kombëtare pa u nënshtruar lakmive dhe rrebesheve
të kohërave, të cilat patën dhe kanë tendencën e ngulfatjes kulturore të një
populli, i cili me shumë sakrifica e ruajti dhe e kultivoi këngën që rrjedh
shqip. Prandaj, nuk e kuptoj: se si surrogatet, improvizimet, tekstet e palara
të mbushura përplot lapërdhi, muzika e kamufluar me tingëllimën sllave dhe atë
orientale – pa fije turpi prezantohen nëpër ekranet televizive?!? Këto dukuri
neveritëse të huazuara nga kulturat e popujve të rajonot dhe më gjërë – vijnë
si produkte të djallit dhe nëntoka e zezë komerciale e cila nëpërmjet
matrapazëve të kohës së të marrëve na servohen edhe nëpër ekranet tona
televizive. Për këtë, me frymë imediate duhet kërkuar nga njerëzit kompetent që
në mënyrë selektive të nxjerrin vlerat e mirëfillta dhe antivlerat t`i largojnë
nga skena. Kështu, auditori do t`i kuptoj qartazi vlerat e vërteta dhe do të
vetëdijesohet me kohën për ta identifikuar vetveten me vlerat e kulturës
nacionale.
Për situatat e krijuara të
kohës aktuale, ndikimet negative dhe shëmtitë verbuese duhet kanalizuar në
rrjedhen e ujërave të zeza dhe të mbyllen në pusetat e tyre përgjithmonë,
sepse, tani më shumë se kurrë kemi nevojë për koncepcione të reja të të
menduarit ndryshe nga e sotmja banale...
Prandaj, para se gjithash, është e nevojshme të kristalizohen rrënjët tona nëpër shtjellat e historisë sonë, peshën e barrës së kohës dhe definicionon e qartë të shoqërisë në pushtet. Pra, duhet bërë një ndërhyrje kirurgjikale kundër verbërisë dhe shabllonizmit të një kallëpi dhe terrinës politike të krijuar me tendencë rrugëtimi nëpër zbehtësinë e hënës në të sosur... Andaj, shoqëria në pushtet duhet t`i tërheq përdet e mykyra nga xhamat e tymt, përterj të cilëve shtrihen horizontet me visore parajsore drejt Kopshteve të Edenit, të krijuara nga Perëndia për dëshirën dhe gëzimin e krijesave të tij më të dashura të quajtur njerëz.