Mendime
Adil Fetahu: Duke lexuar tmerrin
E premte, 13.07.2012, 08:00 PM
DUKE LEXUAR TMERRIN
(Arben Kondi: TMERRI (roman), botoi ILAR, Tiranë, 2012, fq.270)
Nga Adil Fetahu
-Nuk them se e lexova me ëndje, sepse askush nuk i ka në ëndje tmerret, përveç atyre sadistëve e kriminelëve të cilët vet janë autorë të tmerrit që kryejnë-
Arben
Kondi është një intelektual e patriot i mirëfillt shqiptar nga krahina e Çamërisë,,
i cili tërë krijimtarinë e vet letrare, poetike e publiçistike ia ka kushtuar Çamërisë
dhe Kosovës. Ka botuar më se 20 vepra, ndërsa në panairin e sivjetshëm të librit
në Prishtinë u paraqit me botimin e tetë veprave të zgjedhura nga opusi i tij
letrar, si dhe me romanin më të ri
Tmerri, të sapobotuar para hapjes së Panairit.
Me Arben
Kondin jam takuar sa herë ka marrë pjesë në panairet e librit në Prishtinë. Edhe
sivjet (më 9 qershor) u takuam dhe, për të më bërë nderë, më ofroi me gjysmë çmimi
kompletin prej tetë veprave të zgjedhura. Me qenë se unë më herët i kisha blerë
e lexuar veprat e tjera, e mora vetëm romanin e sapobotuar – Tmerri. Dhe si rëndom,
gjatë pushimit në bregdet (në Mali i Robit) lexoj libra (romane, libra
profesionale ose historike, etj). Sivjet, ndër të parat e lexova romanin
Tmerri, dhe u binda se titulli ishte zgjedhur adekuat me përmbajtjen. Nuk them
se e lexova me ëndje, sepse askush nuk i ka në ëndje tmerret, përveç atyre sadistëve e kriminelëve të cilët vet
janë autorë të tmerrit që kryejnë.
Tmerrin që
përshkruan Arben Kondi në romanin e tij, në mos ia kaloftë, të paktën është në nivelin
e tmerrit që përshkruan Dante Aligeri për kalimin në rrathët e ferrit. Por,
derisa tmerret e Dantës janë pjellë e imagjinatës së tij, këto që përshkruan
Arben Kondi në romanin e tij janë reale, që i kanë vuajtur shqiptarët e Kosovës
nga forcat policore, ushtarake e paramilitare, madje edhe nga vet fqinjët civil
serbë.
Autori me
një mjeshtri të rrallë e me një stil të përshtatshëm tregon ngjarjet e tmerrshme të dhunës dhe
ekzekutimeve që iu kanë ndodhur shqiptarëve nëpër shtëpitë dhe oborret e veta,
në qendrat e grumbullimit, dhe në kolonat
kilometërshe të të dëbuarve nga Kosova, të cilët u detyruan të ikin në Shqipëri
e Maqedoni, e prej andej në të katër anët e botës! Qëllimisht e thash “iu kanë ndodhur”,
e nuk thash se i kanë përjetuar, sepse shumë prej tyre nuk i përjetuan, ngase u
masakruan dhe ekzekutuan e nuk i mbijetuan. Dhe këto tmerre janë ngjarje reale
që kanë ndodhur vetëm 13 vjet më parë, për të cilat sot mund të dëshmojnë qindra-mijëra
veta, të cilët i kanë përjetuar ose i kanë parë me sytë e vet. Realizmi i
tmerrit dhe “lirizmi letrar” i shkrimtarit marrin pamje të tmerrit çfarë nuk i
gjenë as te trillimet e Hiçkokut.
Për të ilustruar
mendësinë kriminale serbe të urrejtjes patologjike kundër shqiptarëve, autori që
nga fillimi tregon karakterin e një intelektuali serb (Zllatko Iviq, nga Nishi), i cili në Strasburg
kishte kryer studimet për historinë e mesjetës së Ballkanit, ku ishte njohur e më vonë ishte martuar e kthyer në Nish, me një kolege franceze (Natali
de For), specialiste për trashëgiminë kulturore e shpirtërore të popujve të Ballkanit.
Me të shpërthyer të luftës në Kosovë, veçmas me fillimin bombardimeve të NATO-s,
Zllatko shndërrohet nga një intelektual, në një nacional-shovenist antishqiptar
dhe antiperendimor. Ai ndërron
profesionin dhe bëhet ushtarak, ku shpejtë fiton grada të larta dhe inkuadrohet
në shtabin e krimeve.
Qysh natën
kur NATO filloi bombardimin e caqeve serbe, intelektuali i deridjeshëm serb
Zllatko Iviq u bë si i çakërdisur jo vetëm kundër Shqiptarëve, por edhe kundër
perëndimorëve: Klinton, Olbrajt, Bler, e madje sikur i thotë të shoqës franceze
“edhe Zhaku (Shiraku) yt”. Për ta krijuar ndjenjen e urrejtjes së gruas
franceze kundër Shqiptarëve, të cilët i konsideron shkaktarët dhe fajtorët
kryesorë për bombardimet, por edhe kundër liderëve perëndimorë të cilët kishin
urdhëruar e lejuar bombardimin, Zllatko i thotë gruas së tij (Natalie), ja shih
se si po digjet spitali (i Nishit) nga bombat e NATO-s, dhe se sa të sëmurë e fëmijë
do vdesin aty, ndonëse ishte bombarduar aeroporti dhe një qendër policore, e jo
spitali. Qysh atë natë acarohen raportet midis Zllatkos e Natalies, midis të cilëve
hendeku sa vinte e zgjërohej dhe thellohej. Zllatko qysh atë natë paraqitet në shtabin
e ushtrisë, dhe vëhët në dispozicion për luftë. Natalie, një intelektuale e mirëfilltë
franceze, e lutë të shoqin të ikin e shkojnë në Strasburg, për ta shpëtuar kokën
dhe djalin e tyre, por kjo ofertë e zemëron Zllatkon, sa që i thotë asaj ti ik
qysh tash po deshe, por djali (Ivi) është imi, dhe mos tento të bësh marri të ikësh
me djalin, sepse nuk do mundesh ngase je nën survejim të përhershëm. Pas dy ditëve,
Zllatko merr detyrën të transferohet në Prishtinë, në vorbullën e luftës kundër
Shqiptarëve në Kosovë. Kur ia komunikon të shoqes këtë transferim, ajo e kundërshton
ardhjen në Prishtinë, duke i thënë të shoqit se në Prishtinë do rrinte të shikonte
tmerret e luftës, ndërsa djali i tyre do luante me granatat e NATO-s, me
plumbat e UÇK-së, apo me revolën e të jatit. Për ta gjindosë të shoqën akoma më
tepër, i thotë se ty të gjejë punë dhe
si specialiste e fushës do të kesh rastin të shohësh e studiosh trashëgimin
kulturore e shpirtërore serbe në kishat dhe manastiret në Graçanicë, Pejë e Deçan.
Duke
ardhur rrugës prej Nishit deri në Prishtinë, shoferi (Millutin) i shpjegon zonjës
franceze se si të gjitha qytetet dhe fshatrat e rajonit të Toplicës, para njëqind
e sa vjetëve kanë qenë të zotëruara nga shqiptarët, por që ata i kanë përzënë prej
andej. Kështu do bëjmë tash edhe me Kosovën, dhe shqiptarët do i shkulim me rrënjë
e me degë. Kur arrijnë në Preshevë, Zllatko thotë se sapo ta kryejmë me Kosovën,
në radhë do të jetë Presheva me Luginën e saj, ashtu që të mos mbetet asnjë frymë
shqiptari në Kosovë as në Serbi, sepse ata të gjithë janë terroristë e kriminelë.
Francezja e gjorë, dinte shumë gjëra nga historia e Ballkanit dhe e Shqiptarëve,
por nuk kishte guxim as të kundërshtonte as mundësi të ndryshonte gjë. Fatkeqësia
e kishte futur në ingranazhin e nacional-shovenizmit serb. Kur hyjnë brenda
kufirit të Kosovës, sheh kolona njerëzish që ndiqën, torturohen, plaçkitën e
rrahen nga paramilitarët e ndytë serb. Vijnë e vendosën në Prishtinë, në një shtëpi
të rregulluar me shije dhe që kishte gjithçka që i nevojitej familjes. Familja
ishte e dy artistëve shqiptarë, të cilët kishin ikur apo ishin zhdukur. Në ballë
të Hotelit grand kishte vërejtur një tabelë të madhe me mbishkrimin: “Për qenët
dhe shqiptarët – ndalohet hyrja”. Aty hynin e dilnin vetëm ushtarë, policë e
paramilitarë serbë. Në lokalet e hotelit, të shkollës aty afër dhe në lokale të
tjera sillnin femra, i dhunonin, rrahnin, masakronin, vizatonin katër “S” serbe
në trupin e tyre, e shumë herë i vritnin.
Britma e tyre dëgjohej larg përreth.
Pas qëndrimit
disa javë në Prishtinë, Zllatko me familje shkon në Gjakovë, dhe vendoset në një
apartament në katin e shtatë të Hotelit “Pashtrik”. Në hotel hynin e dilnin vetëm
ushtarë e paramilitarë serbe, kurse nga civilët aty vinin kryetari i komunës,
drejtori i Radio-Gjakovës dhe njëfar gazetari Prentiq i “Vecernje novostit”, “Jedinstvos”
dhe gazetave tjera serbe. Natyrisht edhe ata ishin të veshur me uniforma
ushtarake. Në fqinjësi të apartamentit të Natalisë, ishte Svjetllana, bashkëshortja
e drejtorit të Radio-Gjakovës, të cilët gjithashtu kishin ardhur me detyrë nga
Nishi. Svjetllana ishte kroate, një grua
zemërmirë e cila e shoqëroi dhe
ndihmoi Natalinë gjatë tërë kohës së qëndrimit të saj në Gjakovë, madje
edhe ikjen e saj nga Hoteli, dhe bashkimin në kolonën e shqiptarëve që po iknin
për në Shqipëri.
Nga
ballkoni i dhomës së Hotelit, Natalia dhe Svjetllana shihnin krimet monstruoze
që kryenin paramilitarët serb nëpër shtëpitë, oborret, dyqanet dhe rrugët e
Gjakovës. Pas një aksioni të UÇK-së në afërsi të fshatit Meje, ku ishin vrarë disa
ushtarë serbë, në Gjakovë kishin ardhur shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Nebojsha
Pavkoviq dhe gjenerali Llazareviq. Atyre iu bashkua majori Zllatko, të cilët bënë
planin e hakmarrjes. Televizioni lokal në mbrëmje lajmëroi për vrasjen e ushtarëve
serbë dhe planin që kishin bërë Zllatko me udhëheqësit e tij, për t’u hakmarrë sipas
formulës hitleriane 100 : 1! Dhe pastaj dihet masakra e vërtetë që kanë bërë në
fshatin Meje.
Për ta
relaksuar nga atmosfera e zymtë e qëndrimit në Gjakovë, Zllatko aranzhon një vizitë
të Natalisë dhe Svjetllanës në Kishën e Deçanit. Gjatë rrugës ato shohin
masakrat që ishin bërë kundër popullsisë së Mejës. Shohin duke ngarkuar e
stivuar nëpër kamiona njërin mbi tjetrin kufoma e të vrarëve dhe masakruarëve,
sikur të ishin trupa drunjësh. E tronditur nga ajo pamje Natali e lutë shoferin
(Millutin) ta ndalë automobilin, del e vjell, për t’u çliruar paksa, por kur në
kopshtin e një shtëpie aty afër sheh të vrarë nja dhjetë të rinjë, e lëshojnë këmbët
dhe vetëm me ndihmen e Svjetllanës mezi hyn në automobil. Masakrën e Mejës
Natali e quan Srebrenica e Kosovës dhe krimi i fundshekullit, me të cilin serbët
ia kishin kaluar edhe Hitlerit.
Kur
arrijnë në kishën e Deçanit, aty i pret me mirësjellje At Sava, mik i ngushtë i
kriminelit Zllatko, dhe ky (Sava) fillimisht
e bombardon me propagandë politike serbe: “Mirësevini në djepin dhe në shpirtin
e Serbisë mëmë, ju takon të ndjeheni si në shtëpinë tuaj”! Meqë Zllatko e kishe
informuar At Savën, se Natalia ishte specialiste e trashëgimisë kulturore e shpirtërore
të Ballkanit, ky i thotë: ju e dini se këtë kishë e ka ndërtuar i madhërishmi
car Stefan Dushani, nga mesi i shekullit XIV, apo jo Natali? At Sava herë-herë i
flet edhe në frëngjishte. Natali vetëm buzëqeshë e nuk i përgjigjet popit,
sepse ajo e dinte se atë kishë dhe shumë
kisha tjera në Kosovë i kishin ndërtuar
shekuj më parë prelatët katolik shqiptarë, kurse Stefan Dushani vetëm e kishte
rindërtuar e mbindërtuar mbi themelet e kishës ekzistuese. Dhe si specialiste që
ishte, Natali e kishte vërejtur se porta e hyrjes shihte nga Perendimi e jo nga
Lindja. Edhe fasada dhe altari ishin të tipik romak, e jo bizantin. Kurse në afreskat
e vjetra dominonin veshjet kombëtare dhe plisat e bardhë. Për shkak të propagandës
së tij politike që po bënte me kishen, Natali atypëraty e humb respektin ndaj
At Savës dhe fjalëve që i kishte folur në frëngjisht, sepse shpirtin nuk e
kishte për frëngjishten. Për gjenocidin serb mbi shqiptarët At Sava nuk e tha
asnjë fjalë.
Me të kthyer
në Gjakovë, dëgjohen krisma pushkësh e automatikës. Paramilitarët kishin hyrë nëpër
shtëpi për të plaçkitur, dhunuar e vrarë. Ishte zhvilluar një përleshje e
armatosur midis UÇK-së dhe paramilitarëve, në të cilën kishte të vrarë nga të dy
anët.Ishte vrarë edhe një vullnetar francez i cili iu kishte bashkangjitur UÇK-së,
për të cilin Natali ishte krenare që bashkëkombësi i saj kishte luftuar për
kauzën e drejtë, të lirisë së shqiptarëve. Natali po shihte nga ballkoni i
hotelit një shqiptar të plagosur në oborrin e një shtëpie. Paramilitarët e
ekzekutojnë menjëherë dhe njëri prej tyre e nxjerr thikën nga këllëfi dhe ia
prenë kokën të vrarit, e po e godiste sikur të ishte top futbolli. Qëndrimi në Hotel
ishte bërë i padurueshëm. Natali bënte plane se si të ikte prej Hoteli e prej
Gjakove. Në një moment e sheh të shoqin Zllatko duke e dhunuar një vajze
shqiptare rreth pesëmbëdhjetë vjeçe, në një kthinë poshtë restorantit të Hotelit.
Nga ai moment vendosë definitivisht të ikë nga Hoteli, duke rrezikuar jetën e
vet dhe të djalit. Në realizimin e planit të ikjes, e ndihmon Svjetllana, duke
i sugjeruar që të merr rroba dhe ca ushqime për djalin, ta mbështjell me një batanije, dhe nëse e pyet ndokush nga rojat e Hotelit
ose rrugës, të thotë se djali ka temperaturë dhe se po e dërgon te mjeku. Prej çarçafit
të bardhë të shtratit, i bënë dy shami të bardha që t’i vejë në kokë kur t’i
bashkohet kolonës së shqiptarëve të mjerë që po iknin nga vendi i vet. Ikjen e
realizon një natë, në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur ushtarët dhe
paramilitarët strukeshin si minjtë nga frika, ndërsa i shoqi ishte në Beograd.
Peripetitë,
lodhjen, frikën, plaçkitjet, dhunën dhe krimet që sheh gjatë rrugës, janë pjesë
të tmerrit tjetër që përjeton bashkë me njerëzit e kolonës, ndërsa Natali e kishte edhe frikën se mos po
e zënin njerëzit e porositur prej të shoqit, të cilët po e kërkonin gjithkah. Janë
të shumta tmerret e tjera që kishte parë gjatë rrugëtimit të lodhshëm nëpër vapën
e majit dhe krimet e paramilitarëve. Ndër
të tjera, përshkruan një dramë rrënçethëse. Një grup i përzier ushtarë, policë e
më shumë paramilitarë i sillën kolonës si bishat gjahut. Tre mjekërrosha të ndyrë, pasi bisedojnë diçka midis vete, i
afrohen një femre të bukur e të re afër Natalies, e cila kishte një djalë përdore.
Kishte qenë mësuese në Pejë. Njeni nga
militarët ia prekë flokët dhe i thotë “më
pëlqen se qenke vërtetë yll, e do bëjmë çudira bashkë”, dhe e tërheqë nga
kolona. Gruaja e lëshoi dorën e fëmiut të vet. I shoqi, që bartte në çafë një tjetër
fëmi të vogël, me një shishe “biberon”, i thotë paramilitarit, kjo grua është ime
shoqe dhe nënë e këtyre dy fëmijëve. Atëherë, paramilitari më i vjetër i thotë,
nëse do të shpëtosh familjen, duhet të na jepni të gjitha paratë që keni. Burri
e nxjerrë kuletën për t’ua dhënë paratë që kishte, ndërsa paramilitari ia rrëmben
kuletën e fut në xhepin e vet dhe largohet. Ai më i riu i thotë burrit, kolegu
i mori paratë, unë po e marr gruan. Burri kacafytet me te dhe tenton për t’ia
marrë automatikun, e rrëxon përtokë, por tjetri i bie pas koke me çykë të automatikut
të vet, dhe të dy shprazin breshër plumbash mbi te. Djali dhe gruaja i bien përmbi
trupin e të vrarit, dhe të dy i ekzekutojnë. Fëmiun e vogël me “bebiron” në dorë
e merr një plak nga kolona, por paramilitarët ia rrëmbejnë, e gjuajnë mbi
kufomat e tjera dhe e godasin në kokë, e bashkë me te e vrasin edhe plakun,
pastaj urdhërojnë kolonën të vazhdojnë rrugën për në Shqipëri e të mos kthehen
më kurrë për ta parë Kosovën.
Skena e
tmerre të tilla që forcat serbe kanë kryer mbi shqiptarët janë të shumta dhe
reale.
Arben Kondi me mjeshtri i ndjesi risjell historinë e tmerrit të ndodhur para 13 vjetëve. Romani është i zorshëm për ta lexuar, sigurisht edhe më i zorshëm për ta shkruar, kurse ngjarjet e përshkruara janë të tmerrshme. Ai të mbanë të lidhur emocionalisht dhe nuk mund t’i shqitesh deri në fjalinë e fundit. Dhe është mirë që këtë roman ta lexojnë të gjithë, përveç atyre që i kanë përjetuar këto tmerre. Është mirë të përkthehet të paktën në anglisht e frëngjisht. Zëri i ngritur në këtë roman është i prekshëm, është edhe njerëzor (Natalia), por më shumë çnjerëzor – Zllatko me të gjithë kriminelët e tjerë të cilët kanë inspiruar, planifikuar, urdhëruar dhe ekzekutuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë. Romani është i përshtatshëm edhe për ekranizim.