E merkure, 11.09.2024, 02:21 AM (GMT+1)

Mendime

Koço Broka: Shqipëria ekonomike dhe debati për rritjen ekonomike

E shtune, 14.07.2012, 03:57 PM


Shqipëria ekonomike dhe debati për rritjen ekonomike

Nga Koço Broka

Duket, është duke u harruar lajmi për “hapjen e një debati për stimujt dhe masat  për nxitjen e rritjes ekonomike”. Kryeministri Sali Berisha do të deklaronte jo shumë kohë më parë: “…qeveria do të studiojë me shumë vëmendje dhe shumë shpejt do të hapë një debat shumë të gjerë me ju, me rrethet akademike, me specialistët e ekonomisë dhe të financave për të gjetur stimujt dhe masat e nxitjes së rritjes. Nuk ka diskutim që disiplina fiskale është jetike dhe prej saj nuk mund të hiqet dorë, por nuk ka diskutim që duhet bërë gjithçka duhet marrë çdo masë për të nxitur rritjen. ”

Tingulli i kësaj “këmbane”, do të përcillej dobët nga mediat, përjashtuar njërën prej tyre, që është e specializuar në çështje ekonomike. Në media të tjera, u eklipsua nga  një këmbanë tjetër, ajo e deklarimit të njëkohshëm të kryeministrit “për  uljen e barrës fiskale në vitin e ardhshëm”. Debati politik, si përherë, shkelmon atë për rritjen ekonomike. Në këtë situatë,  lind pyetja: a përbën ky deklarim një  brumë për lajm nga mediat tona, a përbën ai një ngacmim e shtysë për bizneset, rrethet akademike, specialistët e ekonomisë dhe financave dhe, pse jo, për mbarë qytetarët e Shqipërisë (dhe jo vetëm), apo është një deklarim që nuk meriton ndonjë vemendje të posaçme, sidomos  kur biznesit i jepet garanci për uljen e metejshme të barrës fiskale ?! (Ky deklarim, u bë ndërkohë që u vu në dukje  se kriza ekonomike financiare globale, nuk është një krizë  afatshkurtër, nuk është aftmesme por është një krizë afatgjatë.)

Për hir të së vërtetës, ritmet e  pritshme apo faktike  të rritjes ekonomike, e sidomos deklarimet e INSTAT, kanë patur njëlloj pasqyrimi në media; një pasqyrim të gjerë ka merituar tema e rritjes ekonomike në Shqipëri, në kushtet e krizës ekonomike financiare globale, duke e krahasuar me atë të vendeve të tjera, të rajonit, Europës apo mbarë botës. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për analizat dhe studimet për këto çështje e, sidomos, për rritjen e qëndrueshme ekonomike edhe në vendin tonë.

Që t’i kthehemi “lajmit”, nuk është vështirë të shihet se deklarimi për “hapjen e një debati për stimujt dhe masat për nxitjen e rritjes ekonomike” ka nuanca të tjera ose është diçka tjetër, të paktën nga fjalët në vetvete. Ai është formuluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të debatit të madh që zhvillohet sot në Europë, por dhe më gjërë, për raportet midis masave për konsolidimin fiskal dhe nxitjes së rritjes ekonomike, (sidomos pas zgjedhjeve në Francë dhe në Greqi) Eshtë e njohur se sidomos në Greqi, gjatë zgjedhjeve u shfaq qartë pakënaqësia popullore ndaj masave shtërnguese, ashpërsisë së masave për konsolidimin fiskal. Ndërsa në Francë, u hodh ideja (më pas do të triumfonte dhe me mbështetjen e votuesve) se përveç konsolidimit fiskal, prioritet duhet të marrin masat dhe stimujt për rritjen ekonomike.

Në këto kushte, edhe në disa media shqiptare kanë filluar trajtesat lidhur me raportet: shtërngim fiskal apo masa për rritje ekonomike? Lehtësim fiskal, shtërngim fiskal apo shtim i shpenzimeve buxhetore? Pyetjet e mësipërme nuk janë thjesht  çështje për diskutim të shtruara edhe në ndonjë orë leksioni apo seminari në ekonomiks apo në ndonjë lëndë tjetër ekonomike, përmes të cilave synohet të aftësohen studentët në analizën ekonomike. Ato nuk mund të jenë thjesht vetëm një  jehonë e pasqyrim i debatit për  raportin midis rritjes ekonomike dhe konsolidimit fiskal, në Europë, Greqi apo gjetkë.  Edhe si të tilla, apo si reflektim i Konferencës së Rios +20 (që u mbajt në Brazil), do të ishin një dukuri mjaft pozitive. Por nuk mjafton kaq. Çështja është se ky debat lind e buron pashmangërisht drejtpërdrejt edhe nga realiteti  dhe  ecuria e ekonomisë shqiptare.

Rënia e ritmeve të  rritjes, tashmë është një realitet, që  konfirmohet nga të dhënat  për rritjen ekonomike në vitet e fundit 2009, 2010, 2011, krahasuar me vitet e parakrizës, por është pohuar  edhe nga drejtuesit e ekonomisë dhe fiskut. Spektri i këtij pranimi, ka rëndësinë e vet jo thjesht në rafshin politik, por sidomos në përcaktimin e saktë të përparësive për rikthimin e ritmeve të kohës së para krizës globale financiare. Por kjo edhe për një arsye të thjeshtë. Përgjigja ndaj pyetjes se çfarë duhet bërë në periudhë afatshkurtër, afatmesme, afatgjatë - nga këto apo ato institucione shqiptare - për rikthimin e ritmeve të rritjes, nuk po merr përgjigje të kënaqshme, qoftë për të frenuar rënien e ritmeve, e jo më pas për të rikthyer ritmet të larta të rritjes  së qëndrueshme ekonomike. Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me një nga ato çështje që janë të lehta për t’u përmendur, por të veshtira për t’u realizuar.

Nga këndvështrimi i agjentëve ekonomikë - biznesi, qeveria, konsumatorët - ajo është jo vetëm tepër e larmishme, por shpesh kontradiktore. Interesat e grupeve të ndryshme sociale po ballafaqohen si rrallë më parë. Jo të paktë janë ato grupe, që pavarësisht retorikës, janë të interesuar apo parapalqejnë ruajtjen e statukuosë. Kreditë e pakthyera të konsumatorve dhe bizesit, rriten e rriten, por ndërkohë po rriten edhe fitimet e bankave. Pra, shkurt, situata është komplekse. Ndërkohë, është shans për vendin tonë që sipas deklarimeve të  INSTAT, ritmi i rritjes së ritmit të rritjes ekonomike ka qënë deri tani pozitiv. Por megjithëse pozitiv, ritmi i rritjes ekonomike jo vetëm që është përgjysmuar, por ai ka qënë i tillë që nuk është shoqëruar me ndryshime të punësimit. (Të paktën ulja jo e vogël e “taksës” së punës, normës së kontributeve shoqërore, nuk u shoqërua me rritjen e premtuar të punësimit.) Ndërkohë ai është shoqëruar dhe po shoqërohet edhe nga një dukuri tjetër, nga rënia e ritmeve të rritjes të të ardhurave buxhetore e, sidomos, tatimore; këto, në terma reale ose i janë afruar zeros ose kanë qënë nën zero. Në këtë rafsh, nuk është i rastit deklarimi i Ministrit të Financave,  z. Bode : “Tranzicioni për vendet e rajonit tonë nuk ishte aq i dhimbshëm ekonomikisht, pasi baza e nisjes ishte shumë më e dhimbshme, por kriza aktuale dhe marrja e masave për kapërcimin e saj, realisht i ngjajnë “Luginës së Ferrit”. Thënë nga dikush tjetër, ky deklarim do të konsiderohej vetëm herezi(?!) Besoj se nuk mund të akuzohet Ministri i Financave se nuk i di vlerësimet e agjensisë Standard&Poors, për ekonominë shqiptare.

Le t’iu kthehemi të dhënave më të fundit për ecurinë e treguesve fiskalë. Ndërsa ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore në vitin 2011 ndaj vitit paraardhës ishte  1.8 %, ai i inflacionit mesatar vjetor (indeksit të çmimeve të konsumit) ishte 3.5 %. Pra, në terma reale ka patur rënie të të ardhurave buxhetore. Rritja ekonomike - në terma reale pozitive - po shoqërohet me rënie të të ardhurave buxhetore. Për më tepër, kjo nuk është dukuri e rastit. Gjatë muajit maj 2012, krahasuar me të njëjtin muaj, të  ardhurat  buxhetore ishin 51 milion lekë më pak (por kjo mund të jetë dukuri e rastit). Ndërsa si 5 mujor, shtesa ka qënë 2596 milion lekë ose me një rritje prej 2 %, krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, kur indeksi i çmimeve të konsumit është 1.34 %. Por edhe sikur indeksi i çmimeve të konsumit të ishte zero, në kushtet kur shtesa e kostos së shërbimit të borxhit (interesa+ripagesat)  gjatë pesëmujorit janar - maj 2012, ndaj së njëjtës periudhë, ka qënë 2729 milion lekë (1519+1210); kjo do të thotë se shtesa e të ardhurave nuk ka arritur të mbulojë dot as shtesën e shërbimit të borxhit. Por në se vitin e kaluar shtesa e kostos së shërbimit të borxhit, e programuar në buxhetet afatmesme apo një vjeçar nuk u realizua dhe ajo ra nga 8573 milion lekë i programuar, në vetëm 618 milion lekë, me sa duket nuk ka për të ndodhur këtë vit. Mos harrojmë që vetëm shtesa e kostos së shërbimit të borxhit pritet të jetë për këtë vit është 11046 milion lekë. Një fjalë e urtë thotë: “Borxh i harruar në kohë të shtërnguar.” Sfida që shtesa e të ardhurave buxhetore në Shqipëri, nuk mjafton të jetë pozitive në terma jo vetëm reale, por dhe nominale, por duhet të jetë e tillë sa që të barazojë dhe tejkalojë shpenzimet shtesë, për koston e shërbimit të borxhit, dhe mbulimin e shtesës së defiçitit të sigurimeve shoqërore shëndetësore, nuk është një sfidë reale për t’u zgjidhur.

Në kushtet kur shtesa e të ardhuravve buxhetore nuk mbulon shtesën e kostos së shërbimit të borxhit dhe shpenzimeve për defiçitin e sigurimeve shoqërore shëndetësore, për të realizuar konsolidimin fiskal, për të mos tejkaluar objektivat e defiçitit buxhetor dhe borxhit  publik (shih Ligjin juridik për këtë çështje) janë ulur pashmangërisht shpenzimet kapitale-investimet. (Megjithatë, personalisht jam i bindur se rruga Tiranë - Elbasan do të realizohet. Dhe kjo është shumë e mirëpritur për banorët e Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, Kolonjës.)

Për 5 mujorin e vitit 2012, gjithsesi investimet paraqiten 3938 milion lekë më pak se në të njëjtën periudhë ose -13.9 %. Kjo përbën një tjetër tipar të situatës fiskale-ekonomike në vendin tonë. Mjafton të mbahet parasysh se shpenzimet kapitale gjatë 5- mujorit të parë kanë qënë 24481 milion lekë, nga 36885 milionë lekë që kanë qënë ato në të njëjtën periudhë të vitit 2009; 25684 milionë lekë në vitin 2010 dhe 28419 milionë lekë të 2011. Dukuria e rënies se investimeve kapitale nuk po shfaqet vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat, e shprehur nëpërmjet rënies të treguesit të importit të makinerive, i cili gjatë periudhës katërmujore ishte më i ulët. Pra, dukuria e pakësimit të investimeve publike, po shoqëron si sektorin publik ashtu edhe atë privat; e gjitha kjo në një situatë kur IHD (Investimet e huaja direkte) janë rritur.

Pra, jemi në një situatë kur janë  ngushtuar ose ezauruar në përgjithësi hapësirat për stimujt fiskalë dhe për rritjen  sasiore të investimeve publike.  Në çdo rast, shtesa e këtyre të fundit mund të bëhet vetëm me borxh. Në këto rrethana, nuk mund të mos e dëgjosh pa vëmendje dhe ta lexosh me prudencë atë që deklaroi z.Bode, se nuk është koha për stimuj fiskalë, “pasi hapësirat i kemi të ngushta”. Fjala e plotë e tij, megjithëse u dëgjua nga një numër i shumtë mediash, nuk gjeti pasqyrim të plotë autentik gati askund. Mbase edhe kjo nuk përbën lajm(?!) Megjithatë, ky qëndrim i z. Bode të kujton (dhe konkurron) vetëm me një lajm tashmë  të harruar, atë të ditëve të para të tetorit 1996, kur u kthye nga SHBA.

Pra, siç del dhe nga të dhënat e buxhetit dhe ecurisë fiskale të biznesit gjatë viteve të fundit dhe  pesëmujorit, rezulton se nuk janë të mjaftueshme masat për konsolidimin fiskal, (që përgjithësisht janë realizuar këto dy tre vitet e fundit nga ana e qeverisë). Në kushtet e cënimit (rishikimi  në ulje për më se 3 vjet) të buxhetit të shtetit dhe ashpërsimit të këtyre treguesve (që me kalimin e kohës bëhet gjë e pashmangshme, në se nuk frenohet rënia e rritmeve të rritjes të të ardhurave buxhetore në terma nominalë,) rënia e ritmeve të rritjes ekonomike përbën  një nga sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare, që duhet zgjidhur. Kjo tregon se është bërë imperative përparësia e masave dhe stimujve të nxitjes së rritjes së qendrueshme ekonomike.

  këtë situatë, nuk mund të mos të kujtohet ajo që ka ndodhur  në gjysmën e dytë të vitit 2009, kur shtesa e të ardhurave buxhetore do të rezultonte gati zero ndaj së njëjtës periudhë të vitit 2008; deklarimi i 13 tetorit 2009 se në fakt “po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave. Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut, ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit. Si rezultat, gadishmëria juaj për të kredituar ekonominë me fonde, ka rënë. Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat. Ne mendojmë se kjo situatë kërkon veprime kundërciklike në nivel të përgjithshëm. Në praktikë, sektori bankar duhet të ushtrojë rolin që ka në nxitjen dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik, padyshim me kujdesin e nevojshëm. Ky sistem është gjeneratori dhe kontrollori i ekonomisë së tregut.” Por në kushtet e treguesve të mësipërm fiskalë dhe ekonomikë, ndërsa pritej dhe priten  konkluzione dhe rekomandime jo vetëm bindëse, por edhe praktike nga monitorimi dhe analiza e këtij rrethi vicioz, (kumtuar nga vetë BSH), shumëkush do të dëgjojë  qëndrimin e drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë mbi lidhjen e interesave, apo efektet praktike të masave të politikës monetare për t’iu kundërvënë këtij rrethi vicioz, se cila nga këto masa dhe stimuj funksionoi dhe cila jo? Sado e goditur të jetë barcoleta e Nastradinit, që u përpoq të mësonte kalin pa ngrënë, pavarësisht nga disa efekte pozitive indirekte të Konferencës së fundit të Bankës së Shqipërisë, ajo mund të konsiderohet e pamjaftueshme për të kontrolluar atë, “rrethin vicioz” dhe për të çuar kahun e tij në një spirale zhvillimi. Aq më tepër që, siç u tha më lart, rrethi vicioz po ndodh edhe në kushtet kur depozitat bankare në fund të tremujorit të parë të 2012, ndaj nivelit të tij në mars 2009, kanë pësuar një shtesë prej 280.2 miliard lekë, shumë më tepër se shtesa përkatëse e tyre në mars të vitit 2009  ndaj  marsit  të vitit vitit 2006, që ka qënë 161.3 miliard lekë. Krejt e kundërta ka ndodhur me kredinë ndërsa shtesa e tepricës së kredisë bankare (kumulative) për vitet e fundit; (është 133.6, milliard lekë, në periudhën paradhëse ka qënë 281.8 miliard lekë, (“pranë sofrës i pangrënë”).  Ky rreth vicioz dhe një rritje e të ardhurave buxhetore që nuk mundëson shtesën e kostos së shërbimit të borxhit dhe shtesës se defiçitit të sigurimeve shoqërore shëndetësore ndodh edhe në kushtet kur sipas Bankës së Shqipërisë, IHD, gjatë tremujorit të parë të këtij vitit janë më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe, në tërësi, gjithë vitet e fundit, shumë më të larta se në vitin 2006. Nëse në atë vit, investimet e huaja direkte ishin të rangut 250 milionë Euro, në vitin  2011 ato ishin 711.8 milion Euro.

Në këto kushte bëhet e qartë se për të frenuar këtë rreth vicioz, dhe për ta rikthyer në spirale zhvillimi, kërkohet  një debat real profesional. Kërkohen, me sa duket, masa dhe stimuj realë që të funksionojnë realisht për rritjen e qëndrueshme dhe me ritme relativisht të larta ekonomike, tej një duartrokitjeje apo konference që nuk e mundësojnë dot freninim e rrethit vicioz, (qofshin këto dhe duartrokitje të Konferencës Rio+20).  Reflektimi ndaj kësaj të fundit, natyrisht, është mjaft i dobishëm, por gjithsesi nuk duhet të shërbejë në asnjë rast si tymnajë për masat dhe stimujt reale për nxitjen e rritjes ekonomike. Shtimi i epitetit “të qëndrueshme” dhe ideve dhe rekomandimeve të Konference Rio+20, janë preludi më i mirë për hapjen e këtij debati edhe në vendin tonë.

Le t’i kthehemi edhe njëherë pyetjes: a përbën lajm deklarimi për hapjen e debatit për rritjen ekonomike?! Melvin Mencher tërheqin vemendjen se definicioni për lajmet ka dy elemente të rëndësishme. a) Lajm është informacioni për një devijim nga rrjedha e zakonshme e ngjarjeve, një ndërpreje nga diçka që pritet; b) Lajmi është një informacion që iu duhet njerëzve për të marrë vendime të rëndësishme për jetën.

Nisur nga ky këndvështrim, deklarata për hapjen e debatit për stimujt dhe masat për rritjen ekonomike përbën lajm jo thjesht se plotësohet edhe kushti i dytë (iu duhet njerëzve për të marrë vendime të rëndësishme për jetën), por se plotësohet dhe kushti i parë. Nëse rrjedha e zakonshme këto vitet e fundit ka qenë pa pritur shoshitjen e rrugëzgjidhjeve me shoshë të imët, pushteti shtetëror jo në pak raste ka vendosur për këtë ose atë masë dhe stimul ekonomik. Shosha në mjaft raste ka qënë jo e imët. Ndryshe nga kjo, këtë radhë po bëhet një “devijim” nga rrjedha e zakonshme, kërkohet shoshitje e më pas ndërmarrje e masave dhe stimujve ekonomike. Natyrisht, deklarata e mësipërme  është e vërtetë se nuk përmban negativitetin aq të preferuar nga shkruesit dhe përhapësit e lajmeve. Siç thotë John B Bogart, (autor i sentencës së njohur) “Kur qeni kafshon një njeri, nuk është lajm, sepse është diçka që ndodh shpesh. Por nëse një njeri kafshon qenin, atëhere është lajm.”

Çështja është se stimujt e masat që frenojnë rritjen ekonomike dhe ushqejnë evazionin dhe rënien e të ardhurave buxhetore, kanë qënë produkt i disa rrethanave jo të zakonshme, janë ndërmarrë pa debatin e një shoshitje me shoshë të imët, megjithëse janë bërë me bekimin e të huajve. Kështu ka ndodhur me disa nga masat dhe stimujt nga më kryesorët ekonomikë, sic janë ato për sigurimet shoqërore -shendetësore.

Tashmë po bëhet e qartë se me gjithë uljen e sigurimeve shoqërore me 18 pikë përqindje nga 45.9 % (4+9+5=18) në 27.9 %  nuk është bërë zgjedhje adekuate. Siç dihet, sigurimet shoqërore-shëndetësore u ulën me 4 pikë % në vitin 2002, në 9 pikë % në vitin 2006 dhe 5 pikë përqindje në vitin 2009, kur ato u rritën nga 25 pikë përqindje nga qershori 1993, në 45.9 pikë përqindje në mars 1995. Është e vërtetë se maxhoranca që ka dhënë kontributin më të madh në uljen e nivelit të kontributit të sigurimeve shoqërore shëndetësore, ka dhënë edhe kontributin më  të madh për rritjen e tyre. Kjo do të thotë se nuk mjafton krenaria për uljen e e tyre, jo vetëm se nga të njëjtët është bërë rritja e tyre, por edhe me gjithë uljen, rritja e barrës së buxhetit të shtetit për mbulimin e buxhetit të sigurimeve shoqërore nuk është përmirësuar. Është  mjaft e njohur se “barra” e buxhetit të shtetit për të mbuluar defiçitin e sigurimeve shoqerore-shëndetësore po rritet në mënyrë galopante dhe nga 28.4 miliard që ka qënë ajo në vitin 2008, ka arritur në 55.6 miliard lekë, me gjithë uljen e ritmeve të rritjes së pensioneve dhe pagave këto dy vitet e fundit. Sivjet kjo barrë parashikohet të jetë - pavarësisht rritjes të të ardhurave buxhetore - në 5 miliard lekë të tjera. Ja pse për t’iu kundërvënë rrethit vicioz që kufizon më tej investimet, rritjen ekonomike, bëhen imperative marrja e masave për nxitjen e rritjes ekonomike.  Por ndërsa reforma e pensioneve, si pjesa kryesore e sigurimeve shoqërore shëndetësore, është hedhur në treg, në fakt lajmet po bëjnë më dije se ajo zor se realizohet para zgjedhjeve të 2013. Ndërkohë, është e qartë  se këtu nuk kërkohet thjesht konsensus, midis forcave kryesore politike, por një konsesus që të realizohet nëpërmjet një dialogu konstruktiv të të gjithë aktorëve që janë në tavë, konsensus që të mundësojë dhe realizojë një zgjidhje efektive.  Ai nuk mund të realizohet jashtë një debati të lirë, konstruktiv, gjithëpërfshirës.

Ja pse, për gjykimin tim,  hapja e një debati për stimujt dhe masat për nxitjen e rritjes ekonomike përbën lajm. Megjithëse kryesorja eshte se çfarë rrugë (zgjidhje)  do të marrë raporti midis pushtetit të ideve dhe pushtetit shtetëror, a do të devijojë ai nga rrjedha e zakonshme e ngjarjeve apo jo, ka mjaft rëndësi edhe qëndrimi i medias. Këtu  nuk e kam  thjesht fjalën edhe  për qëndrimin e medias shqiptare ndaj definicionit të lajmit.Tashmë po bëhet e qartë se një pozicion jo i përshtatshëm i një modeleje apo një këngëtareje  “përbën lajm” për disa media. Foton e saj e gjen në shtyp sakaq. Kam parasysh fjalët e kryeredaktorit të revistës “US technology”, z. Kris Anderson:  “Jemi në një epokë të çuditshme, ku fjalët që vijojnë nga shekulli i kaluar e kanë humbur kuptimin aktual. E çfarë kuptim mund të ketë fjala “lajme”, kur shumica e tyre krijohet nga njerëz amatorë ? Unë nuk e përdor fjalën “media” apo “lajme”. Nuk mendoj se këto dy fjalë kanë ndonjë kuptim. Ato përcaktojnë publikimet e shekullit të kaluar. Sot ato përbëjnë pengesë. Po na zënë rrugën sikur të ishin karvanë.”

Megjithatë, pavarësisht nga çështja se a përbën lajm hapja dhe realizimi i një debati të lirë, konstruktiv, gjithëpërfshirës, për stimujt dhe masat për nxitjen e rritjes ekonomike, ndërmarrja sa më shpejt nga institucionet përkatëse, është bërë me imperative se kurrë. Këtu mediat kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora