Përjetësi » Kripa
Poezi nga Reshat Kripa
E diele, 01.07.2012, 05:42 PM
Reshat Kripa
COPËZA JETE
Me të jetës hap, eci i menduar,
Rreth e rrotull vetes, vështroj i trishtuar,
Botën tonë të madhe, mbushur halle plot,
Medet s’jam në gjendje, ta përmirësoj dot.
FRYMËZIMI IM
Në një ditë të bukur vere, tek qëndroja i menduar,
Ëndrrat e mia të zjarrta, nëpër mendje rrotulluar,
Ëndërroja që të shkruaja, të botoja poezi,
Plot tregime dhe novela, për liri, për dashuri.
Porse koha ish mizore, ish e zymtë, ziliqare,
Ëndrrën time djaloshare, seç e dogji, shembi fare.
Ato poezi që shkrova, nuk më la t’i publikoja,
Bashkë me to dhe tregimet, në kujtesë t’i regjistroja
Dhe tani që rri menduar, këto shkrime sjell ndër mend.
Për çudi s’i kam harruar, i ndjej gjallë përnjimend,
Ato rreshta, ato këngë, ndezën fantazinë time,
Me pasionin e pashoq, mbushur plot me frymëzime
Frymëzimi im i parë, frymëzim, ah, në rini,
Ëndrrën time përtëriti, vallë ju duket çudi?
S’jam shkrimtar e s’jam poet, dhe as që dua t’ia di
Shkruaj për ato që ndiej, për liri, për dashuri!
Vlorë, dhjetor 1990
QYTETIT TIM
Atje lart në Qafë të Topit,
Hedh vështrimin mbi qytet,
Sytë më lagen prej lotit,
Zemër vrarë oh, medet!
Ç’ke moj zemër që vajton?
Pse më rri e pezmatuar?
Vlora ime më kujton,
Atë kohën e kaluar.
Më kujton fëmininë time,
Frymëzime dhe pasion
Plot me brenga, hidhërime,
Shpirtin po ma torturon.
Pse këto mendime vallë,
Zemrën time e pushtuan?
Unë për ty sot kam një mall,
Vlora ime adhuruar
S’të ndërroj me asnjë tjetër
O qyteti im i rrallë.
O vendlindja ime vjetër,
Jeta më duket përrallë.
Si parajsë je, o Vlorë,
Si parajsë je ndërtuar,
Ku ullinjtë rreth kurorë,
Perëndit t’i kanë dhuruar!
Vlorë, prill 1992
KONFUZ?
Mendja ime çoroditur,
Zemra ime e habitur,
Shqetësuar po mendon,
Flakë e zjarr përvëlon.
Po përse do pyesni vallë,
Të ka zënë ty ky hall?
Më ka zënë miqt’e mi,
Për të shtenjtën Shqipëri!
Që dhe sot mbeti pa zot,
Nëpër vaj e nëpër lot
Nëpër lot e nëpër vaj,
Askërkush nuk mund ta qajë.
Zemra ime e lënduar,
Po vajton e pikëlluar,
Ca përpiqen ta ndërtojnë,
Ca të tjerë ta shkatërrojnë.
Po kur fjalën do ta gjejnë,
Po kur fjalën do ta mbajnë,
Të mos ketë më mëri,
Të mendojnë për Shqipëri?
Oh, kjo pyetje bërë thjeshtë,
Më le pa besim e shpresë,
Pa besim dhe pa drejtim,
E ardhmja e vendit tim!
Tiranë, korrik 2003
DUA!
Dua detin, dua malet,
Dua fushat, dua pyjet,
Dua lumin, dua zallet,
Dua diellin, dua yjet!
Dua dhe të zbehtën hënë,
Dua edhe gjithësinë,
Mbi të gjitha hije rëndë,
Dua shumë Shqipërinë!
Ndonëse është sakatosur,
Për mua mbetet e bukur,
Leqendisur e plagosur,
Atje ndiej veten të lumtur.
Veten të lumtur e ndiej,
Sepse ky është vendi im,
Në çdo kënd të tij unë gjej,
Paqen edhe dashurinë.
Këtu kam miq edhe shokë,
Edhe truallin ku kam lerë,
S’dua të jetoj në botë,
Dua këtu ku kam nderë!
Tiranë, korrik 2007
KËRKOJ
Kërkoj në qiell dhe në dhe,
Kërkoj në diell dhe në yje,
Kërkoj dhe lart përmbi re,
Kërkoj poshtë nëpër pyje.
Kërkoj dhe ku nuk kërkoj?
Në çdo cep në këtë botë,
Fusha male i përshkoj,
Që të gjej një vend pa lotë.
Jam i lodhur, i trishtuar,
Nga brengat e kësaj jete,
Jetën shkoj duke menduar,
Duke bredhur nëpër dete!
Kërkoj dhe pak dashuri,
Por atë nuk e gjej dot,
Nuk gjej dot pak mirësi,
Kërkoj dhe kërkoj më kot.
Botë, moj botë barbare!
Ti bari dhe ti o bujk,
Qytetarë dhe fshatarë,
Njeriu për njerin ujk.
Andaj sot unë po mendohem,
Që më kot të mos kërkoj,
Të mos lodhem, përgjërohem
Për atë që dëshëroj.
Tiranë, gusht 2007
DUA TË FLUTUROJ!
Dua shumë të fluturoj, lart në qiellin pa kufi,
Të kap Hënën, të kap Marsin, universin pa kufi,
Drejt Venerës, Jupiterit dhe planeteve të tjerë,
Të zbuloj krejt gjithësinë, hapësirën plot me vlerë.
Kjo nuk është veçse një ëndërr, veç një ëndërr e rinisë,
Si ato lodrat me kuklla, ndezin fantazin fëmisë,
Dhe tani që jam i plakur, tani që nuk kam fuqi,
Sërish unë ëndërroj, sikur jam prapë djalë i ri.
Nga kjo botë jam çuditur, hallakatur dhe venitur ,
Zemra nuk gjen qetësi, mendja ime e lajthitur,
Ndaj dua të fluturojë, fluturojë pa pushim,
Dhe ta mbyllë jetën time, atje lart në fluturim.
Atje lart unë le të mbetem, gjithmonë duke fluturuar,
Larg nga brengat edhe hallet, në zemrën time trazuar,
Atje në qiellin e kaltër, atje ku dielli ndrin,
Dua që të mbetem unë, përjetësisht fluturim!
Tiranë, gusht 2000
PABESIA
Unë të kisha ty si mik,
Të besova ndershmërinë,
Pse më tradhtove, i lig?
Shkatërrove miqësinë.
Ku ke besën? Ku ke nderin?
I braktise pa mëshirë,
Në vend tyre zgjodhe terrin,
zhyte shpirtin n’errësirë.
Lolo tash je katandisur,
Nuk ke më as miq, as shokë,
Të gjithë të kanë braktisur,
Pse rëndon ti më mbi tokë?
Nuk e di a ke më zemër,
Nuk e di a ke ndërgjegje,
Që të zgjojë te ty një sedër,
Që të japësh një përgjigje
Pse më dole i pabesë,
Kur te ty kisha besuar,
Kur te ty kisha shumë shpresë,
Të jetonim të nderuar?
Eshtë e ulët pabesia,
Paskëtaj do të rrosh kot,
Tradhëtinë njerëzia
E dënon kudo në botë.
Tiranë, shtator 2008
DHIMBJE
Vargu im një pikë loti,
Që kullon nga zemra ime,
Jeta ime kot së koti,
Brenga, dhimbje dhe mjerime.
Dashurova plot pasion,
Me zjarr zemre përvëluar,
Shpirti im sot po kërkon,
Lumturinë e ëndërruar.
Seç luftova për liri,
Desha jetë më të bukur,
Të mos ketë robëri,
Desha të jetoj i lumtur.
Porse rruga ish mbuluar,
Plot me hithrra edhe gjëmba,
Mos e prek, është e ndaluar,
Mos e lyp si ta ka ënda!
Ndaj dhe vargu im i ngratë,
Ropanisur, sëkëlldisur,
Mbeti në rrugën e gjatë,
Kur akoma s’kishte nisur.
Dhe kështu vargjet e mia,
Lulëzuar në rini,
Prisnin të lindte liria,
Të shpërthenin përsëri
.
Tash ajo po lulëzon,
Në çdo skaj për bukuri,
Zemra ime belbëzon,
Për liri, për dashuri!
Tiranë, nëntor 2010