E marte, 16.04.2024, 10:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Vdekja e leximit dhe kainët e librit

E diele, 22.04.2012, 06:05 AM


Vdekja e leximit dhe kainët e librit

nga Gazeta Tema (Pro et kontra)
Nga Agron TUFA

Lexues dezertorë, lexues besnikë,

Gjithkush e ka dëgjuar me dhjetra herë e vazhdimisht refrenin: “Nuk ka lexues! Kanë ikur lexuesit! Sot nuk lexohet. Vërtet, pse nuk ka lexues sot? Dikur lexohej aq shumë…!”. Dhe qytetarët mbledhin supet. Ky opinion vazhdon të përsëritet në studiot televizive, në gazeta, në promovime dhe auditore. Interesante është se këtë konstatim, pyetje dhe gjoja pezm e riprodhojnë dy kategori: nostalgjikët e leximeve të djeshme, d.m.th., të viteve para nëntëdhjetë, dhe e dyta, pikërisht ata që kanë marrëdhënie sipërfaqësore me leximin. Në fakt, do mundohemi t’i marrim parsysh të dyja palët në shqetësimin permanent: “pse kanë dezertuar lexuesit” - përsa kjo na duket një dukuri thelbësisht sociologjike. Por më parë do sqaruar se botimet që ofronte tregu socialist vinin kryesisht nga dy shtëpi botuese – “Naim Frashëri” për botimet e letërsisë artistike dhe “8 Nëntori” – për botimet shkencore, ideologjike. Sado të ketë qenë kapaciteti botues i këtyre dy enteve, as që mund të mendohet me produktin e madh e të pakrahasueshëm që hedhin në tregun e librit rreth 60 shtepi botuese të mëdha e të vogla, pa llogaritur botimet në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Duhet të kemi gjithmonë parasysh se botimet në dekadat e diktaturës, mbushnin një hapësirë të shkretë kulturore e argëtuese dhe se leximi kishte shumë forma të përbindshme si akt i kulluar estetik privat. Nuk është një kohë e largët të kujtojmë se si imponoheshin këto lexime, sipas formave të detyrueshme në shkollë, gjimnaze, universitete, ndërmarrje e kooperativa.
Duke qenë se hapësira publike ishte e varfër në konkurencen e mjeteve të argëtimit, libri, si të thuash e zuri vendin më të privilegjuar dhe tok me këtë dukuri, propaganda për librin ka qenë terësej ideologjike, çka sillte një lloj recepienti të manipuluar ideologjikisht, një kategori monotipe lexuesish. Pra, destinacioni i dialogut të ngushtë, intim dhe ideal me librin, bartëte diçka të sëmurë e perverse, përsa çdo libër i botuar, duhej të kalonte një test ideologjik të cenzurës. Kësisoj u arrit që libri të shndërrohej mediumi kryesor në kulturën masive dhe njëkohësisht ky masivitet synonte indoktrinimin masiv. Më të rafinuarit në shije, sidomos intelektualë me një farë intuite leximore, e kanë pësuar jo rrallë herë në ethen pasionante për lexime të zgjedhura, jashtë kuadrit socrealist, çka na ka dhënë mjaft shembuj të përndjekjes e burgosjes së tyre për shkak të leximeve.
Ata që vënë kujën për lexuesit e munguar, duhet të kënë parasysh se pas viteve nëntëdhjetë, filloi të botohej një letërsi, së paku, me autorë shumë më seriozë, të ndaluar dhe se lexonjësi masiv, në këto kushte u gjet në bankrot kulturor për të zhvilluar një dialog me letërsinë e botuar. Nëse i shtojmë kësaj edhe kushtet e bumit teknologjik të mjeteve të informacionit (televizori me kanalet e shumta e antenat satelitore, konmpjuterin, internetin, mjetet audio-vizive etj), ky recepient masovik pasiv i socializmit, kaloi butë e pluskueshëm në përjetimin e këtyre zhanreve kulturore, duke mos ia patur takatin estetik e filozofik letërsisë, që përpos të tjerash, kushton dhe shtrenjtë në treg. Ajo pra, që këmbëngul të them, është se lexuesi masiv dezertoi, ashtu siç ishte – i sipërfaqshëm, i mësuar me limonada dhe klishe – dhe mbetën vetëm ata pak lexues të vërtetë e besnikë, që patën rrugën e padyshimtë të evolucionit, bashkë me letërsinë cilësore, apo me inkursionet e tyre leximore në gjuhë të huaja.
Problemi i lexuesit sot, është shumë më i koklavitur: ai parakupton një recepient të përgatitur estetikisht, që të mund të mbajë peshën e dialogut me autorin dhe të mund të realizojë urën e vështirë të komunikimit me të, duke qenë në një farë mase, bashkautor i asaj që lexon. Ndër faktorët që ndikojnë në numrin e paktë të lexuesve, është dhe shija e tyre e formuar nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, kushtet e tregut të librit që nuk i përgjigjen këtij lexuesi që ka mundur të mbijetojë nga maskarada epidemike e kohës së diktaturës. Këto kushte të tregut konsistojnë në botimin llahtarisht të madh të shtëpive botuese, kryesisht të përkthimeve skandaloze, pa patur as hallkat e filtrat minimale që garantojnë cilësinë e gjuhës së përkthimeve, përkthyes anonimë që s’dinë mirë shqipen (përkthime dystaban), përkthimet nga gjuha e dytë a e tretë, duke e bërë fare jo serioz efektin që pritet të shkaktojënë emrat e njohur.
Duke qenë se jemi në situatë atletike përkthimesh dhe mizëri anonime përkthyesish, lexuesi i rafinuar (se vetëm të tillët kanë mbetur) vazhdon ta humë besimin, duke iu afruar me mëdyshje ciltdo libër të përkthyer. Ndërkaq letërsia shqipe vazhdon të shkruhet e botohet po me atë peisazh rrëmmuje e kakofonie, pa patur filtrat e domosdoshëm të kritikës letrare, pa patur periodikët e saj që të kenë formuar një nivel të besueshëm artistik, dhe shpesh herë, edhe nëse ia arrijnë kësaj – ato janë përpjekje të vetmuara idealiste të ndoca oshënarëve, të etur për elitarizimin e letërsisë. Vazhdojnë të blihen e lexohen emra të dikurshëm, të cilët kanë krijuar dikur mitin dhe tash miti punon për ta. 
Një situatë shumë tragjike në lidhje me librin shqip, është edhe drama e moskomunikimit midis autorëve shqiptarë kendej dhe matanë kufijve. Shkrimtarët tanë në Mqedoni e Kosovë, ata që vazhdojnë të shkruajnë e botojnë rregullisht veprat e rëndësishme në këtë proces, nuk lexohen në shqipëri, thjesht për rregullat dhe dominimin e pandershëm të tregut të botuesve. Ndërsa librat e shkrimtarëve kosovarë dhe shkrimtarëve shqiptarë nga Maqedonia nuk gjenden në Shqipëri, ndodh e kundërta për librat që botohen në Shqipëri. Shteti shqiptar nuk ka mundur për 15 vjet ta zbusë këtë situatë të pandershme, jo vetëm me uljen e TVSH-së për librin, e cila është paradoksalisht më e larta në botë, por shteti shqiptar nuk është përpjekur të verë rregulla të ndershme loje dhe të regullojë një komunikim të botës së librit jashtë republikës me hapësirën letrare shqiptare në Ballkan. Të gjitha këto defekte në qarkullimin dhe dinamikën e librit në botën shqiptare, përbëjnë premisat për një njohje të cungët të letërsisë amtare, po aq sa edhe të huaj, çka shton në absurditet aktivitetin botues nga njëra anë, dhe mosbesimin dhe skepticizmin e thellë të lexuesit, i cili, me të drejtë, ka filluar të çorientohet, të tëhuajësohet dhe të zhgënjehet, pikërisht kur mundësitë janë më ideale se kurrë, për të ndërtuar një dialog cilësor me letërsinë. Në mungesë të kësaj, kanë zënë vend fenomene të neveritshme, të pandershme, dhe kësisoj, kanë zënë të shfaqen keqkuptime të thella me librin dhe letërsinë në tërësi. Janë shpikur teknologji private të reklamimit të librit, të cilat orientojnë tregun – një treg marrëzie – siç janë kompanitë e mdias televizive me librin e ndofarë zonje a zotëriu që punon në media. Ky orientim dhe propogandë epidemikë, puqet në thelb me masivizimin e qëllimshëm që bënte dikur diktatura komuniste për librin, duke mashtruar, si atëherë, si tani lexuesin. Dhe duke lexuar paçavuret e një lloj letërsie masovike/masive që hyn tek lexuesi ynë me dorëzaninë e medias, apo të ndonjë (k)akademiku, formëzohet një lexues fiktiv me përfytyrime vulgare për artin e shkruar, sikundërse kundërpolin tjetër, të lexuesve krejtësisht asketë, me shije të stërholluara që i ndan nje fije nga shkrimtarët e mirëfilltë.
Shqiptarët s’janë lexues – shqiptarët janë shkrimtarë!
Më kutohet një rrëfim gjysmë-anektodë, të cilin ma ka rrëfyer në Moskë poetja Olga Sjedakova. Ja thelbi i tij: Në një nga turrnetë e shumta të leximit që organizonte propaganda sovjete – midis shkrimtarëve dhe lexuesve të ndonjë ndërmarrjeje, uzine, a regjioni, - një grupi shkrimtarësh moskovitë u ra të udhëtonin në Jakuti dhe të ndërtonin një dialog të ngrohtë me masat e lexonjësve jakutë. Kështu, salla e Lidhjes së shkrimtarëve të Jakutisë, në atë rast, qe plot. Prezantuan me bujë para lexonjësve Jevtushenkon, por lexuesi jakut nuk e njihte. Provuan me Voznjesenskijn, prapë jakutët s’e njihnin. Provuan me Samoillovin, jakutët – as atë. Atëherë shkrimtarët e shkretë filluan të pyesnin publikun: “Po Pasternakun, e njihni?”. – “Nuk rritet kjo erëz këtej nga ne” – u gjegj një nga salla. Nuk është bimë, i thanë, është poet. “Na ndejni, nuk e njohim”, thanë jakutët. “Po Bllokun, Mandelshtamin, Ahmatovën... po Cvjetajevën... Tarkovskijn...? I keni lexuar?” Atëherë u ngrit njëri: “Kush janë këto zonja e zotërinj të nderuar? Ne nuk kemi dëgjuar asgjë për ta!”. – “Po këta janë shkrimtarët më të dëgjuar të Rusisë”, briti i pataksur Jevtushenko. “A-ha! – e kapi fillin njeriu nga salla: “harruam t’ju bëjmë një gjë me dije, qysh në fillim, zotëri: jakutët nuk janë lexues, jakutët janë shkrimtarë!”. Kjo parantezë, na ndihmon për të kundruar situatën analogjike dhe statusin e shkrimtarit shqiptar. Sot, pothuajse të gjithë, në kushtet e një bumi pervers entesh botuese, gjithëcili e ka mundësinë të botojë një libër, mjaft që të ketë treqind deri në pesëqind lekë të reja në xhep. Tregëtia që bëhet me botuesin i ngjan një situate të rëndë e primitive të xhabazit apo të tregëtarit të rëndomtë në pazar: jep lekët dhe, pas një jave, je bërë me libër! Botojnë libra gjimnazistët, çupkat ende pa mbërritur periudhën e pubertetit. Dhe veç t’i shohësh si kapardisen kapedanët dhe amazonkat familjare. Babai s’lë derë redaksie televizive apo gazete pa shkelur, pihet kafja dhe kryefamiljari fut pa teklif dorën në xhep të nxjerrë qesen me pyetjen standarte: “Sa do? Ape gojën! Jam i vendosur të mos e lë m’bë udhë taletin e sime bije. Veç dua të ma qëndisësh mirë artikllin, t’ma kullandrisësh kronikën hakçe. Ja dhe fotografitë... “. Dhe bashkë me paratë, lë dhe një turrë fotosh të çupkës melankolike me mjekërr në pëllëmbë. Ai e di mirë si funksionon teknologjia e gazetave dhe e kamerave. Deri në promovimin e bujshëm ku poetët pleq, me sy të gapëruar nga rakia apo gojë të çapëlyer nga ndukja e ndonjë kofshe të pjekur, këpusin broçkulla e lëvdata për talenten e re. Tej në qoshk, e vetmuar, si një Serafim pikëllimplotë, ëndërron lavdinë e ardhshme poetesha e njomë, derisa një ditë, në pastë fat, do ta kuptojë terë këtë maskaradë prindërore dhe do t’i zvjerdhet dhe zelli vetëshprehës në vargje - derisa një ditë, në vend të parashikimeve hovordare të këtyre xhaxhove, do t’i mbetet një boshllëk i trishtueshëm në parzëm dhe Safoja e re, do të preferojë si gjithë vërsniket e saj të merret me ndonjë zbavitje më të fisme, ose në rastin më të mirë - të gjejë një të dashur, i cili t’ia zëvendësojë me sukses melankolinë e vargjeve.
Në Shqipëri boton kush nuk priton, kush ka paratë e mjaftueshme: sponsorë kokëtulë apo prindër delirantë; botojnë nxënësit dhe studentët, prindërit dhe emigrantët; botojnë profesorët dhe veteranët, ish-të burgosurit dhe politikanët, gratë e divorcuara dhe prostitutat e rehabilituara. Në Shqipëri botojnë librat e tyre ish-prokurorët dhe ish-ministrat, ish-diplomatët dhe ish-bodiguardët, kuzhinierët, këpucarët, dadot, rrobaqepësit e diktatorit dhe familjes së tij; botojnë libra të afërmit e diktatorëve, kunatat dhe rejat, ish-oficerët dhe oficerët në lirim, spiunët e sigurimit të shtetit dhe agjentët e kompanive të sigurimit, tregëtarët e birrës dhe libra biznesmenësh që rrëfejnë se si ia kanë filluar zanatit, në fillim si qoftexhinj e që tash, kanë mësuar formulën e suksesit. Por më shumë se të gjithë, në Shqipëri botojnë barinjtë, katundarët dhe gazetarët. Bashkitë ose fondacionet për zhvillim në zonat rurale zëvendësojnë rolin e prindit për fëmijët e stadit parapubertant. Nuk ka mbetur familje, Derë e Madhe, trevë apo fshat që të mos ketë monografinë. Mandej vijnë promovimet e bujshme në qytete, porositen ligjërata profesorësh, historianësh, akademikësh. Vijon ceremonia e trishtë e perverse me këndellje, rrahje gjoksi e kacagjelime. Auditorë të këtyre skenave bëhen muzetë e kryeqytetit, bibliotekat kombëtare apo universitare, institutet apo fakultetet. Auditori i paralajmëruar mbushet me taborret e të ftuarve. Janë shembë krahinat për dere, pleq me qeleshe apo qylafë, pensionistë që u dridhet zëri i mallëngjyer, fashatarë që ngrihen nga fundi i sallës për të dalë në foltore, për t’i thënë dhe ata “nja dy fjalë”. Ata përshkojnë sallën me një ecje të pasigurtë, sikur çalojnë e priren shtrembër dhe mua më merr malli për ecjen e tyre natyrale, me drapër në dorë, kur drejtohen në arë për të korrë një krah hasëll për lopën. Rëndom del libri i një krahine, tempulli besimtarësh apo Dere të Madhe. Por merr valë, merr zjarr, merr sherr krahina fqinje: “Pse, vetëm ata na qenkëshin krye? Po ne? Pa dale, dale... se kemi dhe ne me ç‘ta çuditim botën...”. Gjenden lekët, porositet shkrimtari, që të kushtojë pak, zakonisht zgjidhet një format i bjerrur, gati ose krejtësisht i harruar i gazetarucit të shtypit të dikurshëm lokal. Bashkë me lekun, bashkë me fryerjen atë e pushton deliri dhe merr hak për harresën e pdrejtë: lëshohet si mizë blete, derë për derë, ku ka pleq në grahmat e fundit, përthyen fletorkën në gjunjë dhe kërren në letër gjithë broçkullat e një kujtesë të çalë. Libra shkruajnë ngado, libra shkruan çdokush, libra botohen tejpërtej atdheut tonë, madje në një shqipe që do t’ua kishin zili edhe kurset e para kundër analfabetizmit. Por rekordin e zënë, padyshim, gazetarët. Çdo gazetar, potencialisht është një shkrimtar. Edhe ata kanë librat e tyre. Varg e vistër. Madje vetëm ata duket sikur shkruajnë. Kush e ndal fushatën e tërbuar të librit të një gazetari? O, bravo solidaritetit! Librat e tyre reklamohen në faqet e gazetave, në vitrinat e librarive, në tele-ekrane, në promovime, në turrne leximore nga Prishtina deri Vlorë. Kështu që, i dashur shkrimtar, rishtar qofsh ti apo i vjetër – struku, struku, mos u ndje, mos e hap gojën se të bënë gazin e botës! Thua je shkrimtar? E kujt ia thua këtë? Kush të paska lexuar? Ku bie, mor zotni, ky farë libri yt? Në librari? Nuk është! Je dallash, or lum miku! Të njohin për fytyrë? Ke dalë ndonjëherë në “Klan”, Top Chanel”, “Vizion +”? Jo? Atëherë ti s’qenke shkrimtar, qenke mashtrues, paranojak, delirant... Paske botuar zotrote nja dy libra! Shihe gazetarin X, deputetin Y, këshillatrin Z, të cilët, jo dy e tre, por të përgjigjen me një karikator të tërë me libra!
Po kush i lexon vallë? Ka dhe momente të tilla kthjellimi kur bëhet dhe kjo pyetje. Tash për tash, librat në botën shqiptare, kanë zëvendësuar dhe janë një variant i suksesshëm i kartëvizitave. Në vend që të shkëmbejnë kartvizita, shqiparët shkëmbejnë librat e tyre. Të cilët askush s’i lexon. E pse t’i lexojnë? Shqiptarët preferojnë të shkruajnë. Shqiptarët s’janë lexues, shqiptarët janë shkrimtarë!
Botuesit shqiptarë ose kainët e librit
Realiteti i librit në Shqipëri ka mbërritur në formën më të egër e më vulgare të vetëvrasjes. Pavarësisht klounadës së përshkruar në blejtë e mësipërm, ne do të mundohemi të qartësojmë edhe një herë se si botohet libri tek ne, çfarë botohet dhe kujt i drejtohet ky produkt shtëpish të pafundme botuese.
Duhet pasë gjithmonë parasysh se libri, që nga shkrimi e gjer në botimin dhe shpërndarjen e tij, paraqet në vetvete një Institut, brenda të cilit realizohen disa rrafshe, në thelb sociologjike. Por nuk është vendi të shkrehemi në analiza e meditime të holla, përvrç faktit konkret të marrëdhënieve autor-botues-lexues. Aktiviteti i deritashëm i botimeve private, e ka konfirmuar përfundimisht se në raportet midis këtyre tre instancave ka ndodhur një katastrofë e pafalshme. Libri, që nga momenti i krijimit, deri në treg, bën një trajektore të mjerueshme, ku gjithmonë i humbur dhe i diskriminuar del autori. Vetë botuesit shqiptarë, me përjashtime tepër të rralla, sikundër kanë mundur ta tradhëtojnë veten botuesit në çaste nervozizmi, kanë thjesh neverin ose “i zë libri”. Shpesh shtëpitë botuese i shohim si aktivitete anësore firmash ndërtimi apo biznesmenësh, të cilët, nëpërmjet aktivitetit botues kryejnë ritualin e vjetër të pastrimit të parave. Shumica tjetër e botuesve tanë, janë mësuar me nuhatjen e gjahut nëpër fondacione apo sponsorë shtëterorë e privatë, të brendshëm e të huaj, andaj edhe librat e botuar, si për nga tematika, ashtu dhe për nga cilësia, bartin cenet e kësaj ndërmarrjeje filantropike. Një pjesë tjetër e bisnesit të botuesve tanë, ka shpikur miksitete dhe eklektizma aq të ndërlikuara, sa libri si vlerë, libri në vetvete as që u intereson, përveçse kur autorët u qasen me lekë në dorë. Para se të na kërkojnë të drejtat e tyre, ligjet, TVSH-të e librit, turrmës së këtyre kainëve do të ishte me vend t’u thuhej: “Sa autorë shqiptarë keni bërë të njohur ju? Sa ia keni ofruar lexuesit, me ç‘mënyrë?”. Ndërsa dihet: botuesit qarraviten përditë, ankohen se shteti nuk bën asgjë për ta, thonë se janë drejt falimentimit, se biznesi i tyre është krejt pa fitim, ndërsa nga ana tjetër, nuk kemi parë të mbyllet një shtëpi botuese, po përkundrazi, ato veçse shtohen, veçse prodhojnë një lëtyrë për të t’u dhimbsur letra.
Si ka mundësi që për një periudhë 15 vjeçare, këta dhjetra botues të mos mund të nxjerrin asnjë shkrimtar të lexuar shqiptar? Çfarë ndodh me autorin shqiptar? Nëse lëmë mënjanë letërsinë e huaj, e cila botohet më së shumti, atëherë për të duhet thënë shkurtimisht se kemi të bëjmë me përkthime shpesh të vjedhura ose të ribotuara. Është paradoksale të them se në cilësinë e pedagogut të letërsisë në Universitet, më shumë i porosis studentët e mi të mos i blejnë shkrimtarët e huaj që botohen sot, sa sa të krijojnë një keqkuptim fatal, për shkak të përkthyesve krejtësisht injorantë dhe me shqipe të llahtarshme.
E kam thënë edhe në shkrime të tjera të kësaj natyre se shtëpitë tona botuese funksionojnë si shtëpi të rëndomta civile, në strukturë, mendësi, angazhim, çka, ashiqare, nuk mund të pajtohen në një strehë të këtillë, profesionalizmi dhe shpërndarja e vlerave të librit. E kam thënë se personaliteti i botuesve tanë, dihet se bart reminishencat e zanateve nga vijnë. Si rrjedhim, asgjë e fisme, asgjë e pastër, asgjë e ndershme nuk, dhe s’mund të pritet prej tyre. Megjithatë, ne na shqetëson deskriminimi i autorit shqiptar, mënyra e pacipë si veprohet me të. Është irrituese të dëgjosh kainët e librit tek flasin me hipokrizi për gjoja përkrahjen që po i bëjnë ata letërsisë shqipe, e më përveçmas, autorit shqiptar. Në ndonjë rast demonstrativ, kur kanë interes, është e vërtetë, butuesit i afrohen shkrimtarit shqiptar, si fjala vjen, Fatos Kongolit a ndonjë tjetri. Por duhet theksuar se famën e tij, njohjen e vet, Kongoli a ndonjë tjetër e ka projektuar fort në Europë dhe prapë, mendoj se shumë pak është bërë për ta. Në të vërtetë, mizëria e botuesve tanë ka vepruar me autorin shqiptar sipas një shablloni që e dimë përmendësh. Rëndom autori ynë, edhe kur pranohet të botohet, përballet me një fenomen absurd: i jepen pesë kopje, sa për ta hequr qafe dhe ky i gjorë, duhet të jetë tepër i lumtur, në ndodhtë t’i shohë librat e tij, së paku në njërën prej librarive të Tiranës. Ky është maksimumi që bëjnë botuesit për shkrimtarin shqiptar. Sepse tirazhi që përfolej tek 500 kopje, as që bëhet ndonjëherë realitet dhe botuesit, bëjnë edhe një veprim tjetër absurd: nuk e shpërndajnë librin nëpër librari, me pretkstin e stërnjohur: “Librashitësit nuk pranojnë autorë shqiptarë, ndërsa ne, nuk i lëmë librat në librari, nëse nuk na i paguan në dorë librashitësi”. Kështu që autori ynë është viktimë e atij qarku vicioz, të cilin e kanë shpikur bashkë botuesit dhe tregëtarët e librit. Ndërkaq, libri rri stok në magazinat e botuesve, pa e njohur librarinë dhe jashtë çdo shansi për ta blerë ndokush. Është e habitshme se si e mendojnë fatin e shitjes së librit botuesit tanë, kur vetë e mbajnë në shtatë dryna. Është pak a shumë si me atë macen që donin ta dëbonin nga dhoma, duke mbyllur paraprakisht edhe derën dhe dritaret. Nga do të dalë macja?
Keqardhja është e madhe ngase në këto 15 vjetë mund të ishte bërë shumë për autorët shqiptarë, të cilët janë, aq sa janë, por të cilëve u është prerë komunikimi i tyre me lexuesin. Këtë situatë tragjike, akoma më hidhur ka filluar ta ndjejë letërsia shqipe. Sepse asaj i fshihen autorët e suksesshëm nga tregu dhe vendin e tyre e zë mishmashi laragan i lloj-lloj produkti botues kaotik e të rastësishëm. A mund të flitet vallë për shkallë vlerash? Për një hierarki autorësh shqiptarë? Për formacionet e reja të letërsisë dhe autorëve të rinj shqiptarë? Si mund të arrihet kjo? Me modelin kainëve të librit? Kjo situatë ka penguar jo vetëm konstituimin e letërsisë shqipe, por edhe të filtrave të saj, si recensionet, kritika apo studimet letrare për librat, të cilat de jure janë, por de fakto nuk do t’i gjesh kurrkund.
Modeli i botimeve “Max”, ose dritë në fund të tunelit
Forma më e merituar e ndëshkimit në tregun psikotropik të botuesve shqiptarë, do të ishte konkurrenca e ndershme dhe e zgjuar, e cila do t’i kushtonte vëmendje të veçantë palës më të diskriminuar në trinomin autor-botues-lexues, - autorit - duke sjellë kësodore edhe modernizmin e gjithë sistemit në atë çka më sipër e quajtëm “Instituti i Librit”. Duke vënë në qendër të vëmendjes autorin shqiptar (natyrisht, atë që e meriton këtë respekt), ne do të shohim se sa është e vërtetë situata që na servirin botonjësit tanë. Sepse, përderisa autori shqiptar është i vetmi që nuk është provuar në lojë (ose është hedhur në një lojë të pandershmë, në të cilën ai, jo vetëm nuk ka fituar asnjë qindarkë, por, akoma më keq, nuk ka komunikuar me asnjë lexues), atëherë është me vend ta provojmë dhe të ndjekim rregullat e qarta të lojës.
Për fat të mirë, gjendja e autorit shqiptar, veçanërisht e atyre shkrimtarëve të rinj që po konfirmohen fuqishëm në një letërsi të ndershme, nuk është panorama që na servirin botuesit tanë, të tipit “librashitësit nuk i pranojnë librat e autorëve shqiptarë...!”. Për fat të mirë, këtë pretendim e ka hedhur poshtë vërtetueshëm modeli i botimeve “Max”, një kolanë botimesh simpatike që shpërndahen bashkë me gazetën “Shekulli”. E kam ndjekur me mjaft interes dhe ndjenjë të thellë admirimi suksesin e librave të kësaj kolane në treg dhe sidomos, suksesin e dy shkrimtarëve të talentuar shqiptarë të brezit 90-të – Virion Graçin me romanin “Zonja pa emër” dhe Romeo Çollakun me romanin “Ar dhe fosfor”. Janë dy romane të mrekullueshme në të gjitha parametrat artistikë që i ofrohen lexuesit me një çmim të lirë (gjysma e çmimit që shesin botuesit tanë nëpër librari) dhe numri i madh i shitjes së tyre (afro tre mijë kopje deri tani), flet qartë se autorë shqiptarë ka, porse ka patur qasje të pasinqerta e të pandershme ndaj tyre.
Nëse modeli i botimeve “Max”, do mund të arrijë që të zhbllokojë perspektivën e letërsisë shqipe, të vendosë në vend dinjitetin e shkrimtarit shqiptar dhe vetvetiu – të lexuesit shqiptar, atëherë vërtet që do të kemi një çlirim nga “rrethi i ngallmuar” dhe domethënia e këtij projekti është vetë ‘zemra’ e një misioni kulturor. Përmbushja e një mision të tillë është gjëja më e vështirë në katastrofën e sotme të librit, por jo e pamundur, sikundërse dhe shpërblimi i lexuesit dhe i komunikimit ka për të qenë i madh: situata dhe klima letrare në kulturën shqiptare, rivendosja e lidhjeve me leximin, aq shumë të mungura, aq shumë të përdhunuar nga pseudobotuesit ose kainët e librit.

 

Për ribotim-Kadri Mani

/etnike@gmail.com/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora