E merkure, 11.12.2024, 07:07 AM (GMT)

Kulturë

Gjon Kodra: Mendime rreth librit të ri: “Copëza historie kombëtare”

E merkure, 18.04.2012, 05:45 PM


Mendime rreth librit të ri: “Copëza historie kombëtare”

 

(New York, 2012), të studiuesit historian Gjon Frani Ivezaj

 

Nga Dr. Gjon Kodra

 

Në tërësi historia botërore dhe ajo shqiptare në veçanti ka patur në zhvillimin e saj shekullor, një zinxhir të gjatë trajtesash, interpretimesh dhe këndvështrime të larmishme, të cilat e kanë lidhur thelbin e saj me një numër të madh pikëpyetjesh për karakterin dhe natyrën e këtij zhvillimi. Nga ana e tjeër, është e arësyeshme që ngarkesën më të rëndësishme të interpretimit të tyre t’a mbajë fusha e mendimit analitik historik si një terren me specifikën e vet të përcaktuar, ku gërshetohen problemet e ndryshme të historiografisë, veprat e shkruara madhore dhe autorët e tyre.

Në lëmë të kërkimeve shkencore historike mund të vërehen librat e rinj nga autorë, që me punë këmbëngulëse e pa zhurmë, arrijnë të na japin veshtrime të reja të temave që ato rrokin me mendjen dhe pendën e palodhur. I tillë është edhe studiuesi Gjon Frani Ivezaj me librin e ri: “Copëza historie kombëtare” (New York, 2012)

Studiuesi Ivezaj i takon njerëzve që punojnë në heshtje plot pasion dhe këmbëngulje. Si bir kreshnik i trevave të pushkës, besës, bujarisë, urtësisë, atdhedashurisë Prof. Gjon Fran Ivezaj, është i etur për të nxjerrë në dritë të fshehtat e shekujve, duke u marrë në mënyrë intensive me kërkime shkencore në lëmin e historisë së Malësisë.

Ne shqiptarët ndihemi krenar për prejardhjen tonë Iliro-Pellasgiane, mbasi kemi qenë gjithmonë një popull paqësor, mbrojtës të mirë të vetvetës dhe kurrë nuk kemi sulmuar asnjë nga fqinjët tanë.

Në hyrje hulumtuesi flet me dashuri për paraardhësit tanë Ilirët si krenaria e jonë ndër shekuj. Ai shfleton faqet e lavdishme të popullit tone, duke sjellë figurën e madhe të Gjergj Gjon Kastrioti (1405-1468) si Atlet i Krishtit e Kryetrim i Arbërisë. Me shumë kënaqësi mund të lexohen shkrimet historike për At Frang Bardhi dijetar i shquar i tokës së Arbërit, At Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve, E Lumja Nënë Tereza simbol i mirësisë njerëzore, Smajl Martini Ivezaj i Grudës, Kryengritjen e Malësisë të vitit 1911 dhe fatosin e lirisë kryetrimi Dedë Gjon Luli, Zef Prela Ivezaj, Pretash Zeka Ulaj, Gjelosh Frangu Gjelaj, Baca Nikë Gjokaj, Baca Kurti Gjokaj të Grudës, Mat Hasani Ivezaj i Grudës, Gjeto Coku, Kapiten Gjelosh Luli, At Antoni Luli S.J. dhe kulmon me përshkrimin kushtuar heroit legjendar Prek Cali, që ishte dhe mbeti bir i tokës së trimave për liri etj.

Tashmë historia flet e do të riflasë sërisht në të ardhmen, se Malësia, ishte dhe mbeti një rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë. Ajo, ka qenë flamur frymëzimi i shqipëtarisë në shekuj, duke u dalluar gjithnjë para çdo stuhie të madhe apo të vogël të pushtuesve dhe e ka thënë me dinjitet malësori fjalën e saj me grykë të pushkës ashtu siç e kishte zakon dhe traditë brez mbas brezi.

Më 24 mars të vitit 1911, Turgut Pasha, komandanti i ekspeditës turke kundër kryengritësve malësorë, shpalli tradhtarë disa prej burrave më të nderuar të Malësisë së Madhe. Sikurse shumë kercënime e vrasje të tjera, që u bënë me autorësinë e pushtuesit, nuk i zbrapsen trimat, që të marrin pjesë në gëzimin shumë të pritur, krah për krah me Hot, Grudë Kastrat, Shkrel e Shalë në majën e Istikamit së Deçiqit, më 6 prill 1911, ku me urdhërin e trimit legjendar Dedë Gjon Luli, Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjetër Zefi ngriten flamurin kombëtar shqiptar., sikurse shkruan studiuesi bashkëkohor Dr. Don Nikë Ukgjini në monografinë kushtuar Kelmendit.

Malësorët në vitin 1911 dhe Dedë Gjon Luli u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe shpalosën platformen e tyre për liri.

Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj pushtuesit shumëshekullor turk.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar me urti, guxim dhe trimëri nga Dedë Gjon Luli, nuk ishte rastësi, por vijim normal i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve tanë dhe të gjithë popullit shqiptar për të jetuar të lirë në trojet e veta të trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre.

Duhet theksuar, se kur ekzistenca e Atdheut të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë dhe nga situatat politike të kohës, nën shembullin e heronjve iliro-arbërorë të kësaj toke, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjon Luli si fuqi shpirtërore dhe ushtarake e një populli që do të përballet me barbarët mizorë otoman.

Me pushkën e qëndresës dhe simbolin kombëtar flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit, se kjo tokë e larë ndër shekuj me gjak trimash iliro-arbëror ka zot, se kjo tokë ka bijt e vet malësorë të pastër shqiptarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora