Kulturë
Teuta Shala-Peli: Atdhetarizma e mërgatës shqiptare e përfshirë në tri monografi shkencore
E marte, 17.04.2012, 07:31 PM
ATDHETARIZMA E MËRGATËS SHQIPTARE E PËRFSHIRË NË TRI MONOGRAFI SHKENCORE
Prof.
Dr. Sabile Keçmezi-Basha “KOSOVA në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999)
II, Prishtinë
Nga MA. Teuta Shala-PELI
Autorja
Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, më 2009, kur kish botuar pjesën e parë të
monografisë “Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999)”, në një emision
televiziv kishte treguar se është kah punon me të madhe në ndriçimin e çështjes
shqiptare të trajtuar edhe më tej në shtypin e mërgatës shqiptare. Ndërsa në
parathënien e librit “KOSOVA në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) II”
ajo shkuan se: “ isha e vetëdijshme se për Kosovën dhe çështjen shqiptare kishin
shkruar edhe shumë e shumë gazeta të tjera në mërgatë. Futja e tyre në Kosovë
ishte proces ilegal, ndërsa në botën e qytetëruar ato ishin të lejueshme dhe
nuk kishin statusin e ilegalitetit. Gazetat që botoheshin jashtë vendit,
kryesisht nxirreshin nga mërgimtarët tanë, të cilët, nga dhuna e terrori dhe
nga sistemi i instaluar komunist, që ishte si në Kosovë po ashtu edhe në
Shqipëri, kishin qenë të shtrënguar të merrnin botën në sy, duke e lëshuar
vendin dhe duke u strehuar diku në shtetet perëndimore”.
Shqiptarët,
që ishin larguar nga atdheu i tyre, asnjëherë dhe për asnjë moment nuk i kishin
ndërprerë lidhjet me vendin nga kishin ardhur. Ata, në mërgim kishin krijuar
organizata politike dhe angazhoheshin që të vepronin për të mirën e atdheut,
ndonëse binin ndesh me sistemin totalitar të instaluar në vendin e tyre.
Prof.dr.
Keçmezi-Basha shpesh konstaton se organizatat politike, që ishin pagëzuar me
emra të ndryshëm, u formuan dhe vepronin: në Gjermani, në Austri, në Zvicër, në
Francë, porse nuk ngelin prapa as shqiptarët që ishin ngulitur në SHBA, si: në
Çikago, në Detroit, në Nju-Jork, në Uashington, po edhe në Kanada, në Australi
e në Turqi.
Ndikim të
pakontestueshëm në mërgatën shqiptare kishte atdhetari i njohur, Mithat
Frashëri, i cili, në vitin 1949, në Uashington, kishte formuar organizatën
atdhetare “Shqipënia e Lirë”, me organin e saj informativ “Qindresa shqiptare”.
Nën ndikimin e Mithat Frashërit, po ashtu, edhe në Francë u formua dhe veproi
organizata politike “Përpjekja Kosovare”, me organin e saj po me këtë emër,
“Përpjekja Kosovare”.
Organizimi
dhe veprimtaria atdhetare kishte vazhduar edhe te shqiptarët e Turqisë, në
kuadër të së cilës si organ kryesor botohej gazeta “Besa”.
Në librin
“KOSOVA në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999) II”, autorja me një analizë
të thukët shkencore, veçmas ndalet në dy gazeta që botoheshin në perëndim si
:”Lajmëtari i lirisë” dhe “Përpjekja kosovare”. Që janë botuar e para në
Gjermani e dyta në Parisë. Analizat dhe shtjellimin e përmbajtjes së librit autorja
kryesisht e bënë në mënyrë kronologjike, ndërsa për nga rëndësia, të gjitha
janë të njëllojta, ngaqë të gjitha kanë trajtuar tema nga jeta e përditshme e
shqiptarëve në Kosovë, duke analizuar veç e veç situatën politike, ekonomike,
arsimore, shëndetësore dhe varfërinë e tejskajshme, që kishte pllakosur Kosovën
dhe shqiptarët gjithandej trojeve etnike.
Bije në
sy se pjesa më e madhe e shkrimeve nuk janë të nënshkruar me emrat e vet
autorëve. Se autoret që shkruanin për këto gazeta, kryesisht jetonin në Kosovë,
dhe zbulimi i emrave të tyre, kuptohet, se kishte për pasojë ndëshkimin e tyre
me vite të shumta burgu. Ndërkaq, edhe autoret që jetonin në shtetet e
lartpërmendura, poashtu ishte fakti se në shkrimet me tema politike mungonte
emri i tyre, madje ato nuk kishin as pseudonime e as nistore të emrave e
mbiemrave. Autorja e shpjegon këtë dukuri se udbashët jugosllavë, po qe se
zbulonin emrin e autorit të ndonjë shkrimi që botohej në gazetë, ndërmerrnin
aksione dhe i ndëshkonin familjarët e tyre që ndodheshin në Kosovë apo diku
tjetër në ish-Jugosllavi. Andaj mërgimtarët kishin shumë kujdes që mos të vije
te ndonjë e keqe edhe më e madhe për të dashurit e tyre.
Në të
gjithë kapitujt, tematika që trajtohej në shtypin e mërgatës shqiptare, gjatë
tërë kohës sa u botua jashtë vendit, Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha konstaton se
ishte unike. Asnjëherë nuk u hetua ndonjë ndarje me kufij, siç ishin në të
vërtetë të ndara trojet tona etnike. Intensiteti i temave me përmbajtje
politike u shtua sidomos pas viteve të 80-ta të shekullit XX, kur edhe ndodhi
pranvera kosovare e vitit 1981. Fjala vjen, “Lajmëtari i lirisë” me të madhe
sjell në pah padrejtësitë e shumta që iu bëhen shqiptarëve edhe para vitit
1981. Po ashtu, në trajtimin e temave të tilla nuk ngelte mbrapa as gazeta
“Përpjekja Kosovare”, e cila në faqet e saj vazhdimisht kishte Kosovën dhe
padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve nga pushtetarët serbë.
Shtypi i
mërgatës shqiptare, që u botua jashtë kufijve etnikë shqiptarë, sikurse edhe
angazhimi i shumë anëtarëve të organizatave politike, patën rol të rëndësishëm
në edukimin patriotik të shqiptarëve kudo që ndodheshin, duke mbajtur ndezur
dashurinë e madhe për atdheun dhe fatin e tij. Edukoi rininë shqiptare me
ndjenjën e përgjegjësisë për realizimin e qëllimit suprem: që tokat shqiptare,
të cilat kishin ngelur nën okupimin jugosllav, të liroheshin një ditë dhe të
bashkoheshin me shtetin amë.
Duke
shfletuar dhe duke analizuar librin e autores së mirënjohur Prof.dr. Sabile
Keçmezi-Basha, mund të konstatojmë se brendia e shkrimeve, vlera e tyre dhe
roli i gazetave tek opinioni, është i kushtëzuar nga specifikat e kohës kur ato
u botuan. Gazetat në mërgim kryesisht filluan të botoheshin pas përfundimit të
Luftës së Dytë Botërore (1945), duke i vënë një theks të veçantë Kosovës së
robëruar nën pushtetin e Serbisë.
Duke
analizuar dhe duke verifikuar çdo të dhënë, duhet thënë se informatat që i
dispononin mërgimtarët tanë dhe ato që i botonin ishin shumë të sakta. Nga kjo
vërehej se veprimtaria e tyre për vendin dhe popullin që i takonin kishte një
vazhdimësi. Ata nuk i kishin ndërprerë lidhjet, madje kontaktet e tyre ishin
edhe më të fuqishme dhe vepronin në mënyrë të denjë me anëtarët e organizatave
ilegale që ishin aktive brenda kufijve të shtetit okupues.
Objekt
hulumtimi, studimi e analize të këtij libri, sikurse edhe të librit të parë,
janë të gjitha ato gazeta e revista për të cilat autorja kishte njohuri, e që u
botuan nga mërgimtarët tanë gjatë viteve 1945-1999. Në bazë të sasisë e
vëllimit të tyre, librin autorja e ka konceptuar dhe ndarë, duke vlerësuar veç
e veç çdo shkrim që ka të bëjë me Kosovën, e që është botuar në gazetat brenda
këtyre viteve.
Për çdo
pjesë të librit, autorja ka hulumtuar dhe ka siguruar të dhëna të bollshme për
organizatën si botues dhe organin që është botuar, në sa numra ka dalë, ku
është botuar dhe nga kush, cilët atdhetarë e kanë nxjerrë etj. Anën tematike
autorja e ka pasur kusht elementar për ta futur në monografi. Çdo gazete i
paraprin hyrja, analiza dhe përmbajtja e saj. Në vijim jep biografit e shkurtra
të disa personaliteteve të kohës, rrezikshmëria e informimit dhe sfidat e
shumta me të cilat janë ballafaquar organizatorët.
Në pjesën
më të madhe të monografisë, zë vend angazhimi i mërgatës shqiptare që çështja e
pazgjidhur e Kosovës të mos ngelte e panjohur për opinionin demokratik botëror.
Të gjitha këto, mërgimtarët tanë, nëpër mes librit na prezantohen, duke i
artikuluar dhe manifestuar nëpër mes
demarsheve, demonstratave, protestave, notave protestuese dhe duke ua dërguar
ato ambasadave të huaja, duke u shkruar liderëve botërorë që çështjen e Kosovës
dhe fatin e shqiptarëve ta trajtonin drejt dhe duke kërkuar ndërhyrjen e tyre
në shtetin jugosllav për të drejtën legjitime - për vetëvendosje.
Monografinë
“KOSOVA në shtypin e mërgatës shqiptare (1945-1999), II, Prof.dr. Sabile
Keçmezi-Basha e ka trajtuar në dy pjesë të saja:
Në pjesën
e parë: GAZETA “LAJMËTARI I LIRISË” DHE INFORMIMI I DENJË I ÇËSHTJES KOMBËTARE
NË MËRGATË, përfshin personalitetet e kohës, si Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën,
që njëherësh edhe ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të veprimtarisë ilegale dhe
bashkërisht nxorën gazetën “Lajmëtari i Lirisë” në katër numra. Kjo pjesë ka
gjithsej tre nënkapituj, që analizojnë shkrimet e gazetës veç e veç.
Në pjesën
e dytë të librit: PËRPJEKJET
Në fund
të librit pason aparatura shkencore e saj, si: BURIMET DHE LITERATURA, REZYMEJA,
Conclusion Albanian, TREGUESI I EMRAVE: Emrat e njerëzve, Emrat gjeografikë,
BURIMET DHE LITERATURA, FOTOGRAFI E FAKSIMILE dhe, krejt në fund, BIOGRAFIA E
AUTORES.
Shtypi i
mërgatës shqiptare ka rëndësi të veçantë, ngase materialet e botuara, e sidomos
ato të përkthyera në gjuhën angleze, kishin karakter më shumë se kombëtar, meqë
në një mënyrë bëhej përpjekje për sensibilizimin e opinionit të gjerë jo vetëm
shqiptar, por edhe atij të vendeve ku vepronin e punonin në shtetet me
demokraci të zhvilluara. Nëpërmjet shkrimeve të ndryshme bëheshin publike
qëllimet e mërgatës dhe historiku i riokupimit nga ana e ish-Jugosllavisë,
padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit liridashës, dhuna sistematike
shtetërore që ushtrohej ndaj tij si dhe masat gjenocidale që ndërmerreshin nga
ana e pushtetit të instaluar në Kosovë.
Shkencërisht
është vërtetuar se shtypi është një fushë e rëndësishme e veprimtarisë
intelektuale dhe politike e veprimtarëve atdhetarë. Lëvizjet kombëtare me një
vetëdije të lartë e kanë përdorur atë si transmetues të fuqishëm për të përçuar
te bashkëkombësit si dhe te të huajt kërkesën supreme për liri dhe pavarësi të
vendit, e cila nuk u shua deri më 1999.
Duhet
shtuar edhe këtë se një punë e tillë voluminoze, nuk kishte mundur të bëhej pa
hulumtime të thukta, pa literaturë relevante dhe pa gazetat në fjalë. Nga
leximi i vet veprës lexuesi i zakonshëm patjetër se do të vije në përfundim se
vetëm me një punë e angazhim të madh të autores siç e cek edhe ajo vet, kur
tregon se sa ka hulumtuar në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë, në Arkivin
Kombëtar të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si dhe një falënderim
të veçantë ruan dhe përcjell për atdhetarët: Mehmet Hajrizin, si dhe Emin
Fazlinë (Emil Kastriotin), që i kishin lanë në dispozicion tërë arkivat e tyre
privatë.