Kulturë
Daniel Gazulli: Vjeshtë në Lebjanë
E diele, 15.04.2012, 03:20 PM
Daniel Gàzulli
Vjeshtë në
Lebjanë
– tregim -
Broz
Zhuba kishte kohë që nuk mblidhej në shtëpi para mesnate. Punët e shumta dikur,
tashti pse edhe ishte mësue ta kalonte darkën mes miqësh, kthehej sa me fjetë,
po të shoqën, Linën, nuk ndodhi ta gjente ndonjëherë në krevat. Ajo e priste,
shikonte televizor, a merrej me punë dore, por pa u kthye Brozi nuk shkonte
kurrë me fjetë.
Vitet e
para ajo e priste e marakosun. Nuk kishin dalë ende celularët, që të dëgjoheshin,
e ai merrte rrugë të largëta, mbrendë e jashtë shteti; dëgjohej përditë se këtë
e plaçkitën, atë e vranë, e me zemër të ngrime rrinte deri sa kthehej Brozi. Kishte
shumë punë, copë bahej, se nuk kishte lanë gja pa provue, taman ashtu si thuhej
në statutin i Shoqnisë së tij “Zhuba 1”, “çdo lloj veprimtarie të lejueme nga
ligji”.
Kishte
provue Brozi prej shitjes së miellit, tek një televizion lokal, që e hoq qafe
shumë shpejt, se i bani ma shumë anmiq se miq, prej shitjes së pllakava e të hidrosanitareve
për banjo, tek nafta për në Mal të Zi, kishte ba ortakì me dy grekë prej Janine
e me një italian prej Napoli.
Vetëm të djelash
nuk tundej prej shtëpie. Nuk dëgjonte as të shoqnonte të shoqën në Meshë. Kam
nevojë të pushoj, i thonte, lutu ti edhe për mue.
Mirëpo atë
të djelë Lina iu lut si asnjëherë: “Asht dita e emnit të djalit, asht Shën Françesku,
një djalë kemi të shkretën, nuk kemi njëzet, eja e të shkojmë t’i lutemi Zotit
të na i prihet e mbara në jetë”.
Desh, s’desh,
u detyrue të ngrihej e të shkonte me te. “Po pse, kështu do të vish, si del përditë
në punë, nuk do të veshish një kostum të mirë”? “Te Zoti shkohet sa ma thjeshtë”,
i tha ai me ironi dhe mori dy celularët e i futi në xhep, se, sadoqë e djelë,
nuk dihej kush mund t’i telefononte.
Linë Zhuba
nuk mungonte asnjë të djelë në Kishë. Vitet e para, kur u rihapën Kishat, ajo
shkonte me t’amën, po si vdiq ajo, pikërsiht ato ditë të zeza të marsit 1997, e
merrte rrugën vetëm, e rrallë herë edhe me ndonjë fqinje.
Te oborri
i Kishës gjetën priftin dhe një të huej.
- Mirë se
erdhe Broz! – i tha dom Alfonso entuziast – Sikur ta dije se po të kërkonim. Të
të njoh me bashkqytetarin tim: Zotni Sergio Di Lurio – i paraqiti ai një burrë në
moshë, mjaft i dobët e i veshun tepër trashë për atë fillim tetori.
Brozit se
ku ia kishte kapë veshi emnin e tij, po nuk po kujtohej ku e kur; sidoqoftë u
tregue i përzemërt me të. Ndoshta vetë Zoti, tha, më solli sot në Kishë. Ai
kishte kohë që i kishte humbë lidhjet me miqtë e tij italianë e secili ankohej
se nuk kishte qenë i sinqertë me shokun. Ndoshta ky do të ishte rast i mirë të kapej
me ndonjë tregti të leverdisëshme. Natyrisht, do të fliste pak, të shihte një herë
çfarë do t’i ofronte ai. Projektet e tij do t’ia bante të njohuna vetëm mbasi të
sigurohej se nuk ishte pemë pa kokrra, si kishin qenë shumë italianë të ardhun
me dy milionë lireta në xhep vite ma parë e hiqeshin si të ishin pronarë bankash.
- A nuk
zbresim e pijmë ndonjë kafe bashkë? Don Alfonson këtu e kemi gjithmonë, do të kemi
rast edhe për Meshë – i tha Di Lurio.
Brozit i
erdhi me plasë që nuk e kishte marrë makinën, po ja, kishte mendue, të shkrythte
pak kambët, kështuqë u detyruan e hynë tek bari i parë ma afër Kishës, që nuk
ishte si do të kishte dashtë ai.
- Ka vite
që nuk vij këtu, që më 1997. Atëherë kam humbë plot 400 milion lireta kapitale
e mallna. Ka qenë vit i mallkuem për të gjithë - vazhdoi Di Lurio.
Po, po, u
kujtua Brozi. Ky merrej me tregtim landë druni, panjë, arrë, qershi … Pat ndërtue
edhe një Kombinat diku afër Malit të Munellës. Po po, ky asht. Pat probleme atëherë.
Rrezikoi edhe ta vrisnin, nuk di si shpëtoi. Ortakun e tij shqiptar thonë se e
vrau dashnori i së shoqes, që u ba deputet mandej. Thonë, po një Zot e di.
Broz
Zhuba u betue se nuk do ta linte t’i shpëtonte nga dora lehtë. Po sot nuk i
duhet dhënë shumë kredi. Ta bisedoj me pader Mario Montanon njëherë, ai asht
afarist i lindun, kot ka veshë petkun e klerikut.
Edhe Di
Lurio nuk u hap shumë. Përsëriste shpesh se “ndoshta” do të rifillonte ndonjë veprimtari
në Shqipni. Shumë shpesh përsëriste “ndoshta”.
Di Lurio
shikoi orën, tha se “ndoshta” po përfundonte Mesha, e se nuk donte ta linte të kthehej
vetëm “zonja e zotni Zhubës”.
Dolën nga
bari dhe u kthyen në oborrin e Kishës.
- Po
shihemi mbasdreke – i tha Di Lurio dhe u përshëndetën.
*
Brozi
kishte vite që e kishte mbledhë veprimtarinë e Shoqnisë. Kishte heqë dorë nga çdo
lloj tregtie dhe tashti kishte vetëm një godinë të madhe dykatëshe buzë rrugës
nacionale, që të çonte nga Lebjana për në Tiranë. Në katin e parë kishte një repart
mobilerie me porosi dhe një bar tepër të madh për sa klientë ndaleshin aty e
pinin kafe. Në katin e dytë kishte një sallon të madh mobiljesh, nga dhomat e
gjumit, tek tryezat për zyra, nga guzhinat e gatëshme, tek poltrona e karrige të
thjeshta. Ishte i gjithi material kinez. Në fillim ia kishte hy me pak frikë asaj
pune, sidomos udhëtimet e para për në Pekin, po mandej, pak e nga pak, ishte mësue
dhe tashti dërgonte porosi tek agjenti i tij dhe nuk shkonte ma atje. Kishte
qenë plot shtatë herë dhe gjithmonë vetëm, se kurrë nuk desh t’i ngatrronte punët
e tij me të tjerët.
Ai e
priti të shoqën poshtë rrugës dhe nxitoi të bante disa telefonata. Porostiti të
ishte bari dritë e të mos mungonte asgja, të pastronin e sistemonin mirë mobilerinë,
se do të vinte një i huej “i randësishëm”.
Di Lurio
thuhej se nuk i kishte paret e veta, përfaqësonte një Ndërmarrje të madhe
mobiljesh në Pezaro, në Itali, një nga më të mëdhatë e më të njohunat në botë. Thuhej
se kishte treg në pesë kontinente ajo. Edhe miqtë me peshë i kishte. Në fillim,
më 1992, kishte ardhë herë me një deputet, herë me një ministër italian.
Nxori
leje për eksportim landë druni, të përpunueme e të papërpunueme, për ndërtimin
e Sharrës, apo të Kombinatit, si e quanin atje rrazë Munellës.
Brozi
porostiti edhe darkën “Te Marjana”, si i thonin restorantit në Rezervat të Gjuetisë,
gic të pjekur dhe prodhime deti si fillim, kurse venën e mori tek Kuvendi i
Murgeshave në Ballanë. U kishte ba sa e sa shërbime, ia kishin borxh një arkë venë
të mirë italiane. S’ka si vena e murgeshave, thonin ata që ishin njohës të mirë,
se ai për vete pëlqente një gotë raki.
Ndërsa po
pinte kafen mbas drekës me Linën, i telefonoi pader Mario Montanos.
- Pader,
nuk di a e ke marrë vesht. Këtu asht njëfarë Sergio Di Lurio.
Frati
qeshi.
- Ai nuk
asht “njëfarë Sergio di Lurio”, Broz. Asht kunati i Giovanni Falco, i Mobilerisë
“Falco”, nga më të mëdhatë në botë. Asht vëllaj i së shoqes dhe emisar i tij. E
gjen kudo në botë, në Brazil, në Finlandë, në Japoni. E quajnë ambasadori i “Falco-s”.
- Falemderit,
pader – i tha ai dhe u përshëndetën. Nuk e quejti të nevojëshme ta pyeste ma
shumë.
Si e
kishin lanë me fjalë, shkoi të merrte Di Lurion te Kisha. E priti don Alfonso. E
pyeti nëse e kishte numurin e tij të telefonit dhe kur mori vesht se edhe Brozi
e kishte, si kishte edhe don Alfonso numurin e celularit të tij, u uroj rrugë të
mbarë.
Makina
mori rrugën krysore, ate që të çonte drejt Tiranës, po mbas pesë minutash u
ndal para një godine dykatëshe, ende e pa sovatueme, gjithë atë hapsinë përpara
e anash, sa një gjysë fushe futbolli secila anë, lanë mbas dore.
Kur zbritën
prej makine, Brozi u ndal pak e iu drejtua Di Lurios:
- Ende
nuk kam pasë kohë të merrem me te, – i
tha ai tue i hedhë vështrimin tokës para godinës së Shoqnisë “Zhuba 1”, - po
projekti asht i bukur, ma ka skicue një arkitekt austriak.
- Në fillim
puna, – tha Di Lurio – mandej mjediset e bukura.
- Asht
koha për një kafe – i tha Brozi dhe u drejtuen për nga bari.
- Po, po,
me kënaqësi.
Brozi e
dinte se italianëve nuk u pëlqente të rrinin shumë në bar, ashtu si banin
shqiptarët. Ata edhe bisedat e punës pëlqenin t’i banin ndërsa ecnin, ose nëpër
zyra, jo në bar, si ishte zakon këtu. Prandaj edhe sa pinë kafet, (sum e mir – tha
Di Lurio shqip) kaluen në repartin e mobilerisë. Di Lurio shikonte, prekte,
kalonte ma tej dhe nuk bante pyetje. Ndejen jo pak në mobileri, po me folë rrallë
herë e thanë ndonjë fjalë.
Mandej u
ngjitën në katin e dytë dhe po shikonin mobiljet që ishin në shitje. Të bukura,
tha Di Luria, shumë të bukura. Pak ma vonë ai tha se këtyne mobiljeve u mungon
fare pak për të qenë të shkelqyeshme.
Di Lurio
u ul në një poltronë pranë një tryeze mesi, e vogël, por e punueme me shije, kështuqë
edhe Brozit iu desh të ulej në poltronën tjetër, jo krejt përballë, pak skiç me
atë të Di Lurios.
- E di çfarë
u mungon këtyne mobiljeve, zotni Zhuba? Një rimeso e thjeshtë, shumë e thjeshtë,
por edhe poaq e bukur, që gjendet në Brazil me çmim të arsyeshëm dhe që mund të
ngjitet përsosmënisht mbi çdo lloj materiali, sepse tashma ka landë ngjitëse
kimike, që sikur i shkrijnë dy materialet njënin me tjetrin. Landa kineze mund
të punohet lehtë dhe bukur, po i mungon pikërisht ai shkelqim i nevojshëm i një
mobiljeje si motit e që të len përshtypjen e metalit të derdhun, si në Mesjetë.
Se atëherë edhe mobiljet i punonin si skulpturat, të gdhenduna e si të derdhuna.
Tashti ato janë shumë të kërkueme përsëri, janë në modë, si thuhet.
Brozi nuk
foli. Ai desh ta linte tjetrin ta çonte mendimin deri në fund, t’i fliste edhe
për çmimet, për diferencën në kosto, për tregjet.
- Asht ma
e vështirë ta bash solide një mobilje me material të tillë, kinez, si thoni ju,
se sa kur e përpunon me rimeso Brazili. Kostoja? Nuk asht ndonjë gja e madhe. Po
të arrihet të realizohet një sasi e konsiderueshme prodhimi, atëherë kostoja
rritet fare pak. Dhe tregje ka plot, jo vetëm në Shqipni, por edhe në të gjithë
vendet e Lindjes. Rusët, bie fjala, e pëlqejnë mjaft këte lloj mobilje. Natyrisht,
ato do të mbanin marken “Falco”, jo e kuptoni sa i randësishem do të ishte një emën
i tillë.
Ashtu si
ishte ulë papritë, ashtu edhe u ngrit. U ndal para një guzhine të plotë dhe
shikoi çmimin.
- Sa do të
ishte në Euro? – pyeti ai.
- Rreth 1600
– i tha Brozi.
- Mund të
më thoni, sa asht kostoja, nëse nuk ma merrni se po e teproj?
- Transporti
nga Kina nuk kushton pak – tha Brozi – Derdhjet që bajmë atje qarkullojnë ngadalë.
Fitimi nuk sigurohet te ky lloj mobiljesh. Mue më interesojnë ma shumë ato për
zyra dhe institucione të mëdha. Një gushinë e tillë? Ndoshta nuk jam i sigurtë,
po më kushton ndoshta edhe 1200 Euro.
Di Lurio
u mendua pak, ndoshta po bante kalkulime të reja.
- Le ta
zamë se do të shkonte 1400 Euro. Po të llogarisim edhe transportin, se në Lindje
asht mirë që mobiljet t’u dorëzohen gjithmonë në vend, do të shkonte 1560-1580
Euro. Një guzhinë e tillë në Moskë mund të shitet mbi 3000 euro. Natyrisht,
duhen zbritë jo më pak se 400 euro për nëpunësit e atjeshëm. Njëmijë euro fitim
neto do të ishte minimum. Në tregun rus mund të shiten edhe 10000-12000 në vit.
Kishin
kalue pa u kuptue ma se dy orë dhe kishte ardhë koha të shkonin “Te Marjana”.
*
Broz
Zhuba i tha të birit në telefon t’ia linte ndonjë shoku palestrën dhe të vinte
bashkë me të amën.
Rrallë herë e merrte Linën, joqë edhe ajo vetë nuk kishte
dëshirë të rrinte në shoqni të të shoqit, sepse, mbasi pinin pak, flisnin mbarë
e mbrapsht e kjo e bezdiste.
Kur
arrijtën “Te Marjana”, Lina disi u çlirue, se gjet aty edhe dom Alfonsin.
Kur sollën
gicin e pjekun, si filluen me thika e pirunj, dom Alfonsi i pari përdori duert
e atëherë filluen edhe të tjerët të përlyheshin me yndyrë derri.
Si
boshatisën shishet e para të venës dhe e kishin ngopë barkun mirë, biseda u
shtrue, se e mori fjalën Di Lurio, që kishte folë ma pak se të gjithë deri atëherë.
- Nuk do
të bajmë asnjë kontratë – iu drejtua ai Brozit – Si fillim, do të të sjell një makinë
me rimeso dhe ngjitës special nga magazinat tona, sidhe një mjeshtër që të mësojë
djemtë që punojnë me ty. Nuk duem asnjë shpërblim për mallin. Edhe specialistin
tonë do ta paguejmë na. Ti do të përballosh vetëm shpenzimet doganore e
problemet tjera me Autoritet Shqiptare.
- Ah, - foli
me antuziasem dom Alfonsi – atëherë na sonte po festojmë fillimin e një bashkpunimi
të randësishem në mes një afaristi të squet shqiptar dhe “Falco”-s! Dhe, i
dashun Sergio, i thoni Presidentit, se tek zotni Zhuba jo do të gjeni atë që ju
mungon ju: njeriun e guximshëm dhe të veprimit. Nuk mund të kishte një kombinim
ma të mirë.
- Atëherë,
mbasi edhe dom Alfonsi na e dha bekimin, - tha me gjysëm shakaje Brozi – le ta
ngremë gotën për fillimin e bashkpunimit tonë!
Ata thanë
të gjithë “Gëzuar!”, “Gëzuar”, sepse siç dukej, këtë urim shqiptar e dinte me
kohë edhe Di Lurio.
Kur u kthyen
në shtëpi, Brozi u drejtue të tijëve:
- Si
thoni, shkoi gjithçka mirë?
Lina po
shikonte çfarë do të thonte Çesku, që në vend të përgjigjes për pyetjen e të atit,
tha se ndoshta kishte pi diçka ma shumë se zakonisht e do të shkonte të finte.
*
Lina u
ngrit si gjithmonë e para që t’i piqte kafen Brozit, se kafen e një gotë raki,
ai i donte t’i pinte çdo mëngjes, ngadalë, pa u ngritë nga krevati. Të gjitha
ia bante hallall ajo, po të paktën të mos ia bante me tym duhani dhomën e
gjumit. Kurse ai, bashkë me kafen e gotën
e rakisë, pinte dy-tri cigare rresht deri sa ngrihej.
Atë ditë ishte
ngritë shpejt edhe Çesku. Ai nuk priti as të përshëndetej me të atin, po doli
ta pinte kafen përjashta, në bar, si bante tashma çdo mëngjes, me miqtë e tij.
Lina shkoi
e i tha Brozit se Çesku kishte dalë pa e përshëndetë të atin. Kjo nuk ndodhte
kurrë: po të dilte i pari Brozi, ai shkonte në dhomën e djalit dhe e përshëndeste para se të dilte,
le të ishte edhe gjashtë e mëngjesit; po të dilte i pari Çesku, si ndodhte të djelave,
ai nuk largohej asnjëherë pa shkue në dhomën e prindëve e të përshëndeste të atin,
që ishte ende në krevat e pinte kafe e raki. Po Brozi nuk pat kohë të reagonte
për çka i tha e shoqja, se i ra telefoni.
Lina
priti mos po reagonte i shoqi për sa i kishte thanë për Çeskun, por ai as e pat
mendjen aty, u ngrit nga krevati dhe shkoi në banjë.
Brozi e
dinte se italianët zgjohen pak më vonë se na, po atë ditë ishte gabue. Kur
arrijti te qela ku banonte dom Alfonsi, ai e gjet Di Lurion tek shëtiste, dhe
si i uruen njëni tjetrit mirëdita, Di Lurio i propozoi të ktheheshin edhe një herë
tek selia e “Zhuba 1”. Hipën të dy në makinën e Brozit dhe mbas pak minutash u
gjendën atje.
Di Lurio,
sa zbriti nga makina, iu suall rreth e rreth gjithë godinës, dhe kur u gjenden
përsëri tek dera e mobilerisë, pyeti Brozin:
- Ka shumë
vështirësi që të mund të nxirret leje për ndërtimin e të paktën dyfishin e
godinës egzistuese?
- Asnjë vështirësi.
Unë e kam pasë parasyshë edhe këte kur mora lejen e ndërtimit. Projekti i
miratuem asht pothuej për trefishin e kësaj sipërfaqeje, por u mjaftova me kaq,
sepse tashti për tashti nuk më duhej ma shumë e ndërkohë shpenzova jo pak t’i
blija një palestër të mirë djalit, që ishte në prag të mbarimit të studimeve,
sepse nuk due ta kem ortak në punën time.
Di Lurio
buzëqeshi.
*
Nuk
kishte kalue as një muej nga ajo e djelë e bekueme e ditës së Shën Fraçeskut,
kur makinat e para, katër tir të porsaardhë nga Pezaro, të paisun posaçërisht për
transportin e mobiljeve, u nisën nga Lebjana për në Bullgari ku do të ishte
edhe ndalesa e parë e prodhimeve të reja Zhuba – Falco, por që etiketue ishin
thjeshtë “Falco” – Pesaro – Made in Italy.
Broz
Zhuba tashti kthehej edhe më rrallë në shtëpi. Kishte shkue edhe Çesku nja dy
herë atje të shikonte ç’bahej në mobilieri. Kishte shtangë nga ajo që kishte pa:
më një anë reparti plot, dymbëdhjetë mjeshtra që punonin shpatull me shpatull,
sa nuk kishe ku të lëvizje, më anë tjetër ata të “Jezerca” sh.p.k., që kishin
fillue me vrull ndërtimin e një reparti poaq të madh sa ai i pari dhe përshtatjen
e gjysmës së barit në mobileri. Atje tashti ishte një kantier i vërtetë. Si ndërtimin,
ashtu edhe punët në mobileri i drejtonin dy specialistë italianë.
Një mbasdreke
vonë, ai i telefonoi të atit.
- Ba, si
thue, hamë darkë bashkë sonte?
Brozi nuk
i ishte përgjegjë menjëherë. Mandej e pyeti thjeshtë:
- Ku?
- Ku të duesh
– i tha i biri.
Brozi e
dinte se të birit nuk i pëlqente në kënetë, “Te Marjana”, ku mblidhej ma shpesh
i ati me miqë, prandaj i tha:
- Mirë,
shihemi në tetë tek “Fazani”.
Si
mbyllen telefonin që të dy, Çesku u pendue. Kishte frikë se nuk do të mund t’i
thonte të atit atë që donte t’i thonte, që të mbyllte Palestrën e të vinte të punonte
edhe ai tek Mobileria. Askush nuk i kishte thanë nga vinin gjithë ato pare për
mallin që arrinte çdo dy ditë nga Italia, për makinat e reja që kishin arrijtë,
për përballimin e atij shpenzimi aq të madh në zgjanimin e godinës “Zhuba 1” aty
buzë rrugës nacionale.
E vonoi
pak nisjen, kështuqë të atin e gjeti me një gotë raki përpara, krejt në anë të restorant
“Fazani”.
Kamarjerja
erdhi menjëherë, sa arrijti Çesku. Porositën gati shpërfillës për ato që po kërkonin.
Kamarjerja
solli shumë shpejt një shishe birrë për Çeskun, ia mbushi ajo gotën përgjysëm,
dhe babë e bir i tokën pa thanë asnjë falë.
- Them ta
japim me qira Palestrën – foli mbas pak Çesku.
Brozi e
kishte kuptue mirë se biseda me të birin do të ishte e vështirë, por krejt të tjera
gjana i kishin shkue nëpër mend, prandaj edhe e pyeti menjëherë :
- Pse,
nuk të pëlqen të punosh aty?! Ti sikur e kishe me shumë pasion?
- Jo, nuk
asht se nuk më pëlqen. Por … due të punoj në Mobileri.
U shikuen
gjatë sy për sy.
- Çfarë mendon
se mund të bash aty? – e pyeti Brozi tue mendue se nuk do të ishte mirë ta kundërshtonte
menjëherë.
- Nuk e
di. Nuk e kam mendue. Po mendoj se duhet të jem i pranishem aty.
Fjalët e
fundit i kishte theksue në mënyrë të veçantë.
Brozi përsëri
nuk nxitoi të fliste. E kishte kuptue se nuk do ta kishte lehtë ta bante të hiqte
dorë nga kjo ide.
- Duhet
marrë edhe mendimi i “Falco” – tha ai. - Ata tashma kanë gjashtëdhjetëpërqindë të
kuotave të kapitalit.
- Si, si?!
– gati bërtiti djali – Gjashtëdhjetëpërqindë?! Dhe në shtëpinë tonë nuk di
njeri asgja?!
- Unë nuk
kam dashtë t’ju përzjej kurrë në punët e mia, prandaj nuk ua kam thanë. Mos
harro se ato i blenë gjashtëdhjetëpërqindë të kuotave me shtatë fishin e vlerës
së vërtetë. Na tashti kemi një shumë të mirë më një anë, për çdo rast …
- Na nuk
jemi të mitun, që të mos na merret mendimi!
Çesku u
ngrit dhe doli me rrembim. I ati thirri kamarjeren, po jo se nxitoi shumë. Nuk
donte ta arrinte.
*
Në krye të
javës, me kërkesën e Adminsitratorit, që ishte gjithësesi përsëri Broz Zhuba, u
mblodh Asamblea e Jashtëzakoshme e Shoqnisë «Zhuba 1». Asnjëni nga ortakët nuk
kishte dashtë të përfaqësohej me prokurë, prandaj kishte ardhë edhe Gianmauro
Falco vetë, pronar e President i «Falco» S.a. dhe aksioneri kryesor i Shoqnisë së
përbashkët italo-shqipatre «Zhuba 1». Në atë mbledhje kishin thirrë edhe Françesk
Zhubën, që u mat disa herë të mos shkonte. Që atë mbramje te “Fazani” ata i
ishin shmangë njëni tjetrin dhe nuk kishin shkëmbye ma një fjalë.
Edhe kësaj
herë Çesku nuk shkoi ndër të parët, joqë i gjet të gjithë aty. U befasue kur
mori vesht se njëni prej ortakëve ishte Dario Meloni, senatori, që kishte
arrijtë në Rinas me avion të posaçëm bashkë me Ginamauro Falcon. Si njëni edhe
tjetri e pritën ngrohtë e me shumë mirësjellje «djalin e zotit Zhuba».
Mbledhjen,
natyrisht, e hapi Brozi, si Administrator që kishte thirrë këte Asamblea të Jashtëzakonshem.
Mirëpo e ndërpreu i biri menjëherë.
- Më falni,
po së pari unë dua të di me ç’cilësi jam këtu? Nëse jam në cilësinë “e dajlit të
zotni Zhuba”, më lejoni të largohem pa fillue mbledhja.
Ndërhyni
dom Alfonso, që, sigurisht, aty ishte në cilësinë e përkthyesit.
- Mos u
nxito, Çesk – iu drejtue ai buzëgaz. – Ortakët janë marrë vesht paraprakisht nëpërmjet
korrispondencës e-mail, por edhe në biseda direkte, për një rishpërndarje të kuotave.
Në këte rishpërndarje do të kesh edhe ti pjesën tande, do me thane, do të jesh
edhe ti ortak.
Broz
Zhuba u verdh, megjithate desh të rimerrte fjalën, po përsëri e ndërpreu i biri:
- Unë do
t’Ju lutesha, dom Alfonso, të përktheni ato që thash dhe ato që do të them para
fillimit të protokolluem të kësaj mbledhje, meqë e keni pa me vend ta bani “në familje”,
pa praninë e noterit.
Dom
Alfonso përktheu për Melonin, Falcon dhe Di Lurion sa kishte thanë Françesku ma
parë, ashtu edhe fjalët e tij të fundit.
- Le ta dëgjojmë,
pse jo – foli mernjëherë Meloni - Të rijtë kanë shpesh herë ide shumë ma
interessante se na ma të vjetrit.
Broz
Zhuba e kishte ulë kryet dhe nuk shikonte asnjënin.
- Para se
të bahet rishpërndarja e kuotave, duhet të bahet rivlerësimi real i posedimit të
tyne. Kam dëgjue zotni Di Luria se keni ble me shtatë fishin e çmimit pjesën e
kuotave, që sot disponon pala italiane, nuk më intereson nga sa kuota secili. Kjo
nuk asht e vërtetë. Të dhanat e bilancit janë fiktive, si kudo në botë. Mbi të gjitha
nuk asht marrë parasyshë rivlerësimi real i truellit, që sot asht dymbëdhjetë herë
ma i madh nga sa asht ble më 1996. Nga përllogaritjet del se pala shqiptare
duhet të posedonte 72 përqindë të kuotave, jo 40 %. Nëse këto raporte duhet të rishikohen,
atëherë pala italiane duhet të blejë edhe 23 % të kuotave reale, të zbresë në 49
% të kuotave të kapitalit, kurse rishpërndamja
të bahet vetëm mbas këtyne rillogaritjeve. Më falni, po besoj se zotni Di Lurio
Ju ka thanë se edhe unë jam ekonomist, i porsadiplomuem vërtetë, por diçka marr
vesht.
Të pranishmit
kishin shtangë. Dom Alfonso përkthente mbas çdo fraze, pse edhe Françesku
fliste ngadalë, dhe ata, te tre, buzëqeshnin, po nuk ishte e vështirë të kuptoje
se kishin shtangë, sidomos i ati.
- Krejt
mirë, - foli Falco, - të thërrasim ekspertët tanë e të rishikojnë vlerat reale,
pastaj mblidhemi. Jo që unë do të kisha një propozim: përse të mos vinte zotni
Zhuba „junior“ në Itali, të diskutonte me ekspertët tanë e me këte rast të vizitonte
edhe Italinë?
- Ide e
shkëlqyeshme! – u nxitue të shprehej dom Alfonso italisht, sepse e dinte që as
Brozi, aq më pak Françesku, kishin nevojë për përkthim.
U ra
dakort në parim që kjo të ishte një seancë diskutimesh të lira dhe „shumë të përzemërta“,
si e përsëriti disa herë Meloni, e jo një Asamble e Jashtëzakonshme.
Në të vërtetë
ata që folën ishin ata të palës italiane, se Brozi nuk hapi gojë, kurse Çesku
mendoi të fliste sa më pak dhe vetëm kur të ishte e domosdoshme. Çfarë kishte për
të thanë ai e kishte thanë dhe nuk pranoi të vihej ma në diskutim veç se në nivel
ekspertësh, kot lodheshin ta drejtonin në hulli të tyne.
Mirëpo
ata kambëngulnin që bisedat të vazhdonin në Itali, dhe Çesku, ndoshta i shtymë nga
krenaria e të riut, tha më në fund:
- Në Itali?
Pse jo?!
Ata u
ndanë shpejt, se senator Meloni kishte
disa takime të randësishme në Tiranë, takime të nivelit të naltë, si tha ai, e
me të do të ishte edhe Gianmauro Falco.
Çesku nuk
u kthye gjithë ditën në shtëpi, por edhe kur erdh, mjaft vonë, i tha së amës se
kishte ngranë dhe shkoi të flinte. Ai nuk desh të diskutonte asgja me të atin.
Të nesërmën
në mëngjes u ngrit shumë heret dhe u tha prindëve, që i gjet të dy në guzhinë (atë
ditë Brozi nuk po e pinte kafen në krevat), se do të shkonte në Tiranë.
- Në Tiran?!
Përse?! – pyeti i shqetësuem Brozi.
- Kam një
takim me profesor Mentor Ohrin – tha dhe doli pa pritë pyetje të tjera.
Po Brozi
e mori me mend përse do ta takonte udhëhqesin e tij të diplomës. Edhe sikur të mos
kishte dalë ashtu me nxitim, nuk do t’i kishte ba pyetje të tjera.
*
Në Aeroportin
e Bolonjës e priste Di Lurio. Ishte me të edhe një djalë i ri. E quenin
Ferdinando, apo Nando, thjeshtë, Nando Maggione.
Ishin
marrë vesht me telefon se ai do të flinte në hotel dhe, sado që Di Luria nguli kambë
tue i thanë se “ç’kuptim ka të shkosh në hotel, kur ne kemi shtëpia me hektarë”;
ai zuni vend në një nga hotelet ma të bukur, aty buzë detit.
Nando e
ftoi të shkonin në diskotekë në Gabice e Çesku nuk kundërshtoi. Ishte kureshtar
të shihte një diskotekë të mirëfilltë, jo si ato kantinat në Tiranë.
Nuk
kishte kalue shumë dhe ai e kuptoi se po e tepronte. Si më erdhi kështu gjithë kjo
hare? – po mendonte. Mos … më kanë hedhë ndonjë drogë? … Jo, do ta kisha kuptue.
Ndoshta muzika, këto vajza të bukura e të harbueme, sidomos dy prej tyne, që nuk
iu ndanë, shoqe të Nandos, thonin.
Sidoqoftë,
ai në hotel u kthye, por të nesërmen në mëngjes. Nuk e mbante mend kur e kishte
kthye Nando dhe një mik i tij.
Çesku kërkoi
që, mundësisht, takimi me ekspertët kontabël të shtyhej për të nesërmen në mëngjes.
Ndjehej i
lodhun, jo në gjendje për punë, që kërkonte përqendrim dhe kthjelltësi mendjeje.
E vetmja
punë që bani, ishte të kontrollonte nëse i kishte në çantë shënimet dhe përllogaritjet
që kishte ba me profesor Mentorin.
Nando atë
mbasdreke e atë darkë foli pak, bante punën e shoferit dhe paguente kudo që shkonin,
por për ta trajtue e trajtonte me shumë respekt, taman në rolin e „bosit“. Dhe
kudo që shkonin do të gjenin vajza të bukura e ngacmuese, po Çesku nuk u hutue prej tyne, edhe pse ua kthente pa
u marakosë shumë për takt.
Në darkë ishte
i ftuem tek Falco, kështuqë erdhi dhe e takoi Di Lurio dhe u kujdes për çdo
detaj, deri për veshjen, për çorapët që nuk shkonin për një darkë të nivelit të
tillë, por që ai kishte marrë masa edhe për këte, për parfumin, se zonjat janë shumë
të ndjeshme ç’parfum përdor, sa e bezdisi Çeskun.
Di Lurio
u largua rreth orës shtatë të mbramjes dhe i tha se do të vinte Nando ta merrte
në 19:45.
I tha
Nandos të mos nxitonte, se ishin shpejt, edhe pse në të vërtetë ora ishte tetë pa
pesë minuta dhe po përshkonte nëpër mend çfarë do të bante e çfarë nuk do të bante.
Ndër ato që nuk do të bante ishte, sigurisht, të mos pinte, ose të pinte sa ma
pak.
Mbas tij
arrijti vetëm senator Meloni me të shoqen dhe të bijën.
Iu desh
shumë kohë të orientohej cili ishte ky e cili ai tjetri, se salla ishte plot,
pothuaj dyzet vetë, po ia kujtonte e shoqja e Gianmauro Falco, motra e Di
Lurios.
Pak nga
pak ata filluen të largoheshin, se kishte kalue mesnata. Pikërisht atëherë iu
afruen dy prej të ftuemëve, që nuk e kishte marrë vesht cilët ishin gjatë darkës.
Njëni
prej tyre, ai ma i riu, ndoshta dyzetvjeçar, i tha se do të shiheheshin përsëri
nesër dhe e falnderoi për materialin që u kishte dërgue me e-mail. I thanë se
ishte shumë i qartë, kështuqë nesër do të na duhet fare pak kohë për t’u marrë vesht.
Atëherë Çesku e kuptoi se ata ishin ekspertët e Shoqnisë „Falco“ dhe mbas pak
vendosi të largohej edhe ai, se donte të shkonte të pushonte.
*
Takimi,
ashtu si i kishin thanë ekspertët që një natë më parë, zgjati vërtetë fare pak.
Ata kishin përgatitë me kohë të gjitha tabelat e nevojëshme, kishin ba përllogaritjet,
e binden se vlera reale e kuotave që duhej të posedonte pala shqiptare ishte
realisht jo 72 %, por vetëm 63,87 %. Sa u përket blemjeve, transferimeve,
raporteve etj., ata i thanë se këto janë çashtje që u takojnë z. Falco dhe z. Zhuba
(nuk e cilësuen “segnor” apo “junior”, siç e kishin ba zakon t’i dallonin).
Në orën
trembëdhjetë Nando e dërgoi jashtë qytetit, në një vend shumë të bukur e të qetë,
ku e priste vetëm z. Falco.
U shtruen
të hanin drekë vetëm ata të dy, nuk ishte senatori, nuk ishte as Di Luria,
Nando jo jo; ai kishte zanë një tryzë bukur larg tyne.
Falco i
tha se ishte gati të blinte 14,87 % të aksioneve dhe se raporti në mes tre
ortakëve italianë dhe dy ortakëve shiptarë do të ishte 51 % me 49 %.
- Ortakëve
shqiptarë? – e pyeti Çesku.
- Po. Ortakëve
shqiptarë. Porsa bisedova me z. Zhuba në telefon dhe ai asht dakort të mbajë 24
% të kuotave për vete, 25 % do t’i keni Ju, 6 % Di Lurio, 5 % senator Meloni
dhe 40 % unë. Administrator, si u morem vesh me baben Tuej, do të jeni Ju.
Çesku nuk
dha asnjë mendim. Ai i telefonoi të atit në prani të z. Falco, folen, natyrisht
shqip, po ma mirë me thanë, foli Brozi, se Çesku vetëm ndonjë pyetje i bante. I
ati e mbylli bisedën se të gjitha këto i kishte bisedue me “bariun” dhe se këto
ishin edhe mendimet e tij.
Çesku e
dinte se “bariu” ishte padre Mario Montano.
Fliste
rrallë e tek Falco, kurse Çesku ishte tretë në mendime e nuk u jepte dot përgjigje
asnjënes nga mijra pyetjeve që i lindën.
Mori përsëri
të atin në telefon.
- Si ka
mundësi që edhe “bariu” të jetë i ktij mendimi?
- Ta them
kur të kthehesh. Vetëm kur të kthehesh.
Ai e
mbylli telefonin dhe filloi të fliste me të rrallë me Falcon për gjana të parandësishme.
Kur
erdhen kafet, Falco i tha:
- Tue qenë
se janë këtu ma shumë se ¾ e kuotave, si thoni, të bajmë Mbledhjen e Jashtëzakonshme
të Asamblesë, një mbledhje të shkurtë, sepse praktikisht do të kemi vendosë gjithçka
paraprakisht na të dy?
Çesku
tundi kryet në shenj mohimi.
- Më duhet
të kthehem ma parë në Shqipni. Mandej, mbas dy-tri ditësh, kthehem, e bajmë edhe
këtu mbledhjen, nëse ju nuk keni mundësi të vini. Por ma parë më duhet të kthehem
doemos në Shqipni.
*
Çesku i
kishte telefonue një shoku të tij të dilte e ta merrte në Aeroport, por kur
arrijti atje, gjeti të atin dhe pader Mario Montanon.
Hipen në makinë
dhe u nisen drejt Lebjanës.
Në timon
ishte Brozi. Pothuej se nuk e kishte pyetë për asgja të birin as në Aeroport,
as kur hipen në makinë.
E mori
fjalën pader Montano.
- Dëgjo, Çesk.
Ata kanë mbështetjen e Qevrisë shqipare dhe nuk kishin pse të pranonin asnjë kompromis.
Ligjërisht qendron kontrata e parë në mes Brozit dhe Di Lurios. Për fat që Di
Lurio ka përvojën e vitit 1997 dhe i trembej një shkatrrimi të mundshëm, ashtu
edhe ndonjë akti edhe ma të randë, përndrysh nuk do të kishin ba asnjë lëshim. Përqindjet
nuk kanë randësi. Fitimi Juej do të jetë disa herë ma i madh se ai që siguronte
Brozi deri më sot. E randësishme asht që ata pranuen që Administrator të jesh
ti. U zmbrapsën mbas kambguljes së Brozit, që i çuditi. Të takon ty tashti ta
hedhish vallën. E di se nuk do ta kesh të lehtë. Po Di Lurio të ka frikë, kjo
nuk asht pak.
- Ndoshta
po e teproj, pader Mario. Ju e dini në ç’nivele shtetnore do të kishin mbështetje
ata?
- Jo do të
kishin, Çesk. Ata kanë mbështetje në nivelet ma të nalta. Dikush “në nivelet ma
të nalta” mori si dhuratë 5 % të kuotava në një shoqni të Melonit në Turqi. Si
kompensim Meloni mori 5 % të kuotave në “Zhuba 1”, që asht sa trefishi i
kuotave që i dhuroi shtetarit tuej.
- Padre,
më falni për pafytyrësinë, ju do të pranonit ndonjë kuotë të kapitalit të shoqnisë
nga unë dhe baba?
- Unë erdha
me tjetër mision këtu, biri im. Desha të isha bariu i juej shpirtnor. Po nga një
herë më asht dashtë ta mbroj grigjën edhe nga ujqit e përtejdetit. Ky asht një rast.
Edhe kjo punë ban pjesë në misionin tim.
Kjo asht
kuota e kapitalit tim.