E hene, 07.10.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (III)

E enjte, 12.04.2012, 07:19 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

II. NËNFUSHAT SEMANTIKE SIPAS TIPAVE

asnjanësve në shqipen letrare

 

Nënfushat semantike të asnjanësve sipas tipave u cekën paksa edhe më përpara, por këtu do të trajtohen më në hollësi, duke i vënë në dukje veçoritë dalluese dhe afruese të tyre sipas asnjanësve të tipave përkatës: atyre të trashëguar si emra të mirëfilltë, asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar dhe asnjanësve prejpjesorë të paranyjëzuar. Pra në këtë krye kemi të bëjmë pikërisht me ndarjen e asnjanësve sipas nënfushave semantike që mbulojnë, ose që priren të mbulojnë. Është e vërtetë se kur është fjala te tiparet afruese, kemi parasysh nënfushën që mbulojnë dy tipat e asnjanësve të paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët).

 

A.     Asnjanësit e trashëguar si emra të

mirëfilltë (të paparanyjëzuar)

 

S’do mend se sipas logjikës, siç është cekur edhe më përpara, që në zanafillë emrat asnjanës në gjuhën shqipe lindën për të emërtuar koncepte të gjë-sendeve konkrete, por jo për nocione frymorësh me gjini të përcaktuara, madje si duket atyre nuk u shkoi fort mbarë as për emërtime të nocioneve abstrakte, ngase nuk na kanë lënë trashëgim shumë emra të tillë abstraktë, po kryesisht konkretë, por megjithatë nuk jemi krejtësisht pa ta, ngase ndonjë rast i vetmuar ka arritur si gjurmë, deri në ditët tona, por, me sa pamë, shumica e rasteve të tilla nga kjo nënfushë semantike më tepër janë huazimet latine, siç p.sh.: faj-të, mend-të, gjyq e ndonjë tjetër. Kjo që thamë mund të vërtetohet edhe nga shembujt, edhe pse të paktë që i ndeshëm të regjistruar në Fjalorin e shqipes së sotme (2002), prej kah mund të nxirret përfundimi se me emrat e asnjanësve të mirëfilltë të trashëguar të paparanyjëzuar, mbuloheshin koncepte që emërtonin dhe vazhdojnë të emërtojnë gjë-sende konkrete, por jo të specifikuara sipas ndonjë modeli sipas ndonjë nënfushe të qartë semantike, ndonëse zakonisht emërtoheshin lëndë ose objekte konkrete të panumërueshme ose edhe koncepte që nuk janë aq të thjeshta. Konkretisht, edhe pse në Fjalorin në fjalë (2002) janë shënuar vetëm 6 shembuj asnjanësish primitivë, në bazë të nënfushës semantike që mbulojnë, mund t’i ndajmë në këto dy nëngrupe:

a) emra me të cilët emërtohej një sasi lënde kryesisht e papërcaktuar ose “lëndë e pandashme në ekzemplarë”, siç e thotë prof Sh. Demiraj (Shih: Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, f. 184.), por që ishte lëndë e lidhur ngushtë me jetën e atëhershme të shqipfolësve, si p.sh. dhjamë-t (dhjamë-i dhjamëra-t) ujë-t (ujë-i ujëra-t), lesh-të (lesh-i leshra-t) si dhe

b) emërtime të tjera, gjithsesi jo aq të thjeshta, që emërtonin dhe emërtojnë edhe sot pjesë të trupit, si është krye-t, nocion ky që ka të bëjë me kokën) dhe ballë-t që e shënojnë për ilustrim studiuesit tanë si dhe veshë-t, sy-të, krah-të që përmenden në burime të caktuara, gjithashtu, si asnjanës.

U tha pak më sipër se asnjanësit e parmë (emrat e mirëfilltë asnjanës të paparanyjëzuar), të cilët kohësisht janë krijuar më përpara atyre të paranyjëzuarve që kemi sot ishin në përdorim në numër relativisht të madh, por në shqipen e sotme letrare, siç u pa nga pasqyra e paraqitur më parë, numri i tyre del shumë i reduktuar ose gjithnjë e më i reduktuar. Gjithsej 5 shembuj të parmë e ndeshëm në FSHS (2002), mirëpo sipas studiuesve të gramatikës historike të shqipes (Sh. Demiraj, E. Çabej, I. Ajeti, B. Bokshi, K. Topalli etj.) numri i asnjanësve të mirëfilltë në përdorim si emra të parmë, d.m.th. pa nyjën e përparme, ishte shumë më i madh, Kështu në shqipen e dokumentuar sillen aty afër a mbi 70 shembuj, ndër të cilët janë edhe këta që ne, duke e pasur si kriter fundoren e temës përkatëse të njëjësit të  pashquar, po i ndajmë në tri nëngrupe:

- me –ë fundore: anë-t, ballë-t, brumë-t, djathë-t, drithë-t, dyllë-t, dhjamë-t, gjalmë-t,  mjaltë-t,  ujë-t etj,

-  me temë në bashkëtingëllore: ar-të, bar-të, faj-të, gjak-të, kos-të, krah-të, qull-të, lesh-të, mal-të, miell-të, mish-të,  petk-ët, rrush-të, tul-të, vesh-të, shtrat-ët etj.

-  me temë në zanore zakonisht të theksuar ose në diftong:  krye-t, bri-të, gji-të, sy-të, dru-të, pastaj: zë, gjë, hi, fre e ndonjë tjetër.

Prof, Kolec Topalli, duke u bazuarn në  shembujt e dëshmuar që dalin në shkrimet e autorëve tanë të vjetër, ku, siç thotë ai, kjo gjini shfaqej shumë me e fuqishme se në ditët tona, arrin në përfundimin se në këtë gjini ishin përfshirë nënfushat semantike, si:

1)      emra lëndësh, si: ujë, gjalpë, gjak, drithë,  elb,  grurë, vaj, mish, djathë, dyllë, kos, kripë, lesh, rush, qumësht, plehë, li, hi, dru, ar, frujt, hekur, bar, dru, dhallë, qull - gjithsej 26 shembuj,

2)     emra të pjesëve të trupit, si: ballë, sy, tru, krye, gji, bark, prehënë, tul, vesh –

gjithsej  9 shembuj;

3)     emra sendesh, si: rrjetë, fre, gjalmë, petëk,  shenj, shtrat – gjithsej  6 shembuj;

4)     emra vendesh, si: va, vorr, krua,  kopësht – gjithsej 4 shembuj;

5)     emra abstraktë, si emër, dëm, faj, vjetë, muaj, gjyq, kumët, peng, anë, mend, tëtym, vaj – gjithsej  12 shembuj;

6)     emra të formuar nga mbiemra, si të madhtë, të bardhëtë, të keqtë, të gjanëtë – gjithsej  4 shembuj dhe

7)     emra të formuar nga mbiemra prejpjesorë, si: të dalëtë, të ngrënëtë, të shpërblenëtë etj. – gjithsej 3 shembuj

Pra, siç po shihet autori në këto 7 grupe ka përfshirë 64 emra, prej tyre 57 shembuj asnjanësish të mirëfilltë të paparanyjëzuar dhe 7 shembuj asnjanësish të paranyjëzuar  (4 prejmbiemërorë dhe 3 prejpjesorë). Të vihet re, gjë na tërheq vëmendjen,  se vetëm për grupin e fundit të asnjanësve prejpjesorë e shënon treguesin etj., i cili sot për sot është grupi më aktiv dhe prodhimtar i  asnjanësve në gjuhën shqipe.

Siç mund të shihet identifikimi i të gjithë emrave asnjanës bëhet me nyjën e mbrapme– t(ë), në emëroren e njëjësi të shquar,  mjet ky sintaksor identifikueas kundrejt nyjës, -i, -u të gjinisë mashkullore dhe –a, -ja të gjinisë femërore, ndërsa  për dy pikat e tipat e fundit identifikimi i asnjanësit del edhe me nyjën e përparme të, mirëpo për këta dy tipa do të bëjmë fjalë në nëntitujt vijues.

Lexuesi i vëmendshëm mund të ketë vërejtur se autori në grupin përkatës nuk e shënon, me të drejtë shembullin paskryet, por mbase rastësisht nuk e shënon as emrin dhjamë-t që ne e volëm nga burimi normativ përkatës. Sidoqoftë, edhe kjo tabelë-paraqitje e autorit vërteton se sigurisht numri i tyre, mund të ketë qenë edhe më i madh se 63-shi ose 70-shi i përmendur, ndoshta e kalonte 100-shin e më shumë, ku ta dimë, kur kemi parasysh sugjerimin e bazuar se edhe mjaft emra, gjithsesi, jofrymorë, metaforikë e metonimikë si dhe ambigjenët, që në zanafillë, thuhet se ishin asnjanës. S’do mend se asnjanësit e mirëfilltë, emra të paparanyjëzuar, jo vetëm atëherë, por edhe tashti, ende janë mjaft aktivë vetëm në disa të folme dhe vetëm te brezi i vjetër i folësve të atyre trevave. Është e vërtetë, se nga folësit e brezit të ri, sigurisht të ndikuar nga gjuha e shkollës dhe e administratës, më drejt, nën ndikimin e gjuhës së sotme letrare, asnjanësit e këtij tipi po përdoren gjithnjë e më rrallë e numerikisht më pak, por njëherazi, mund të thuhet se dukuria e shkrirjes po ndihmohet, përveç institucionalisht me gjuhën letrare, në njëfarë mënyre edhe nga vetë struktura e kuptimësisë, ngase për hir të konkretizimit, koncepti përkatës në ndjenjën e folësve, po del më i qartë me emrat mashkullorë a femërorë (njëjës e shumës) se me asnjanësit që mbulonin, si me thënë, jo krejt tërësinë e nocionit të gjë-sendit përkatës, por vetëm një pjesë të tij ose një pjesë të sasisë së lëndës përkatëse. Krahaso: njata a këta djathë ose këta (njëkëta) ujë me njëjësin ky djathë, ky ujë, në njërën anë, ose shumësin me këta a këto djathna me këta a këto ujna ose ujëra, në anën tjetër. Pra, me tregues që përcaktojnë profilime lakime ose kategori të tjera të përbashkëta që nuk i ka, po thuaj, të gjalla, sot për sot, asnjanësi përkatës.

Është çështja se koncepti i papërcaktueshmërisë në ndjenjën e folësve po shkrihet në dobi të konkretizimit të shprehur, me tregues gramatikorë, njëherë sipas mënyrës polisemantike e pastaj po natyralizohet në trajtën e njëjësit të gjinisë mashkullore ose të shumësit të gjinisë formale përkatëse aktive femërore në disa raste, me prapashtesën –ra/-na.

Me thënë të drejtën, po të shikohet më në hollësi koncepti i tillë i asnjanësit edhe pse nuk mbulohet tërësisht në ndonjë rast, pjesa e pambuluar sipas nënvetëdijes a ndjenjës së ligjëruesit nuk kërkon patjetër mbulesë të diferencuar nga ekzistuesja e gjinisë mashkullore. Me fjalë të tjera, në stilin neutral, arsyeja për ta ruajtur trajtën e veçantë asnjanëse për shumicën folëse po del gjithnjë e më tepër si diçka jo aq e domosdoshme.

Prof. Kolec Topalli si ndryshim a si shkak ndikimi që ka prekur paradigmat e  emrave të gjinisë asnjanëse  përmend këto dy dukuri:

e para, kur atëbotë ekzistonin si emra të gjinisë asnjanëse dhe emra të gjinisë tjetër mashkullore e femërore që shprehnin të njëjtin nocion, d.m.th. objekte të panumërueshme, si p.sh. në njërën anë: ujë-t, gjak-të, grurë-t, mjaltë-t etj, e në anën tjetër: mel-i, tërshanë-a (tërshërë-a), avull-i, gjellë-a etj. - andaj, sipas tij “nuk kishte kuptim që një grup emrash të tillë, që shprehin lëndë të panumërueshme, të formojnë një gjini të veçantë, kurse një grup tjetër të bëjë pjesë në gjini të tjera dhe

e dyta, mungesa e paradigmave rasore të tjera të veçanta të asnjanësve, pra veç emërores e kallëzores dhe jo edhe në rasa të tjera dhe kjo vetëm në trajtën e shquar,  prandaj mbetej të zëvendësohej (vetëm një element formal mbase jo aq i domosdoshëm), pra mbetej të zëvendësohej vetëm nyja shquese e gjinisë asnjanëse -të, e cila mbetej të përballej me nyjat konkurrente të gjinive të tjera.

Ndërkaq, si dukuri që e kanë favorizuar çintegrimin e gjinisë asnjanëse dhe shkrirjen e saj në gjinitë e tjera, sipas tij janë:

1) fundoret e njëjta mish, lesh, elb, vaj ndaj gjysh, qelb, përkatësisht drithë, dyllë, djathë, emënë ndaj gjumë, lumë, gjarpënë etj.;

2) në rasat e zhdrejta gjinia asnjanëse ishte integruar prej kohësh, përgjithësisht në gjininë mashkullore  dhe

3)  edhe fakti se dallimi i emrave asnjanës nga gjinitë e tjera ka karakter sintaksor, pasi dallimi i tyre bëhet vetëm me nyjën shquese ose  nga përemrat dëftorë, pronorë etj  si tregues të veçantë të implikuar në këtë gjini.

Për të gjitha këto përfundon autori, “gjinia asnjanëse sot paraqitet me karakter reliktor, ngase emrat e tillë kanë kaluar në dy gjinitë e tjera, por kryesisht në gjininë mashkullore, ku janë integruar”. (Shih Seminari 26/1, Prishtinë 2007 f. 212--213.)

Sidoqoftë, ne pa i kontestuar mendimet e prof. Topallit, që vlejnë vetëm për asnjanësit e tipit të parë,  megjithatë, po shtojmë edhe këtë se në disa raste edhe te kjo dukuri që duket se është në proces e sipër të tkurrjes a mbase të zhdukjes përfundimtare(!), paraqiten disa përjashtime.

Me fjalë të tjera, mendojmë se varësisht nga konteksti, mund dhe duhet të frenohet subjektivisht dukuria e tillë rrëgjuese, në njërën anë, por edhe mund të përshpejtohet shuarja e trajtave përkatëse, në anën tjetër. Kjo varet, mendojmë ne, nga qëndrimi i faktorëve kompetentë (standardologëve) tanë ose nga vlerësimi objektiv kritik që duhet t’i bëhet çështjes. Gjithsesi, që është edhe fakt kryesor, ky proces varet nga vetë shqipfolësit, përkatësisht vetë krijuesit letrarë ose ligjëruesit me identitet të formuar gjuhësor. S’do mend, çështja duhet të vështrohet, duke e pasur për bazë interesin më të lartë thelbësor strukturor e më gjerë të sistemit emëror në kuadër të mbarëvajtjes së përgjithshme të sistemit të tërësishëm ligjërimor të gjuhës shqipe. Të jemi edhe më të qart, në raste të tilla duhet vepruar me kujdes, gjithnjë duke e pasur parasysh interesin që del nga pasqyrimi i dukurisë së caktuar në vend të caktuar dhe në situatë të caktuar. Duhet bërë, pra, vlerësimin sipas nevojës, çka duhet të ruhet apo të mos ruhet më tutje si pasuri e trashëguar që është dhe që ka ndërlidhshmëri gjithsesi me asnjanësit.

Na merr mendja se këtu është vendi të theksohet mendimi i Migena Ballës, e cila po për asnjanësit e këtij tipi, pasi thekson se:

“... për rrethanën, sidoqoftë, të folmet (e qytetit të Vlorës) nuk janë  kudo uniforme as në bjerrjen as në ruajtjen a gjallimin e kësaj dukurie  shprehet me këto fjalë:

“Ndërkaq nuk mund të mos vëmë re se, se gjinia asnjanëse, edhe pse tashmë në rrudhje e sipër, ka edhe disa funksione me vlerë stilistike, për hir të të cilave, mendojmë se do të vijojë të ketë përdorim e vlerë shprehëse, si në gjuhën e shkruar, ashtu edhe në  dialekte”.   (Shih: Seminari 26/1, Prishtinë 2007 f. 293.)

 

Pra, duhet të kihet parasysh fakti, nga standardologët tanë, që jo vetëm të shpëtohen disa raste të dobishme ose të domosdoshme për gjuhën letrare të tipit të asnjanësve të mirëfilltë (emërorë) të paparanyjëzuar, siç janë frazeologjizmat e trashëguar, por edhe të kultivohen shprehje të veçanta sidomos në situata gjegjëse, të krijuara, qoftë nga gjuha e popullit, qoftë nga krijuesit e caktuar letrarë. Në të vërtetë, ndonjë rast efektiv i kësaj natyre do të ceket, paksa prej nesh, në kreun e fundit të këtij punimi. Po, këtë rast, po shtojmë një të dhënë me shumë rëndësi. Vetëm mbi bazë të emrit ujë-tFjalorin Mehmet Elezit janë regjistruar mbi 80 frazeologjizma mjaft cilësorë, ndërsa  mbi bazë të emrit krye-t mbi 100 të tillë.

Karakteristikë e këtij tipi asnjanësish, siç u cek, është se aktualisht nocioni i emrit përkatës shpjegohet po me të njëjtin emër, por të konvertuar në gjininë mashkullore.  P.sh. :

Fjala mish-të shpjegohet se kemi të bëjmë me gjininë asnjanëse të emrit  mish-i (njëjës) ose me mishra-t  a mishna-t (shumës).

Pra, kjo veçori dallohet më qartë kur të krahasohet, siç u pa, me trajtën përkatëse korresponduese të grupit leksiko-gramatikor të emrave të lëndës të gjinisë mashkullore njëjës, ku tash sa kohë po shkojnë duke u shkrirë funksionalisht treguesit e emrit asnjanës të këtij tipi. dhe që të dyja trajtat mbi të njëjtin rrënjor normativisht janë të pranuara. Sidoqoftë, asnjanësit e këtij tipi nuk na duket se kanë perspektivë prodhimtarie. Prandaj  ndonëse zgjon interes, sipas mendimit tonë, shembulli qallë-t, sinonim për syzat (FGjSh 2006, f. 867) ai nuk motivon dhe nuk mund ta dimë sa do të ketë jetëgjatësi faktike në ligjërimin tonë aktiv aktualisht.

Si përfundim, asnjanësi i tipit të parë, edhe pse nuk ka ndërtim analitik, po sintetik ka pësuar dhe po pëson çintegrim, sepse nuk e ka të specifikuar nënfushën e veçantë semantike, ngase për të njëjtat nënfusha semantike konkurrojnë tashti me sukses edhe disa tipa a nëntipa emrash të gjinive të tjera aktive gramatikore, sidomos të gjinisë mashkullore, andaj thjeshtëzimi i tillë evolutiv në gjuhën tonë  parimisht del i drejtë.

 

 

B.. Asnjanëzimi i mbiemrave të paranyjëzuar

 

Para se të analizojmë emërzimin e mbiemrave të paranyjëzuar po e shfaqim mendimin tonë për një rast të shënuar në FGjSh 2006 si asnjanës: të papunët (Aty f. 747), i cili sqarohet me zbërthimin kuptimor: papunësi (të qenët i papunë), shembull ky të cilin e konsiderojmë të diskutueshëm. Pra e konsiderojmë të diskutueshme këtë trajtë për këto dy arsye:

së pari, për mendimin tonë nuk ka mbështetje prejardhjesore, as mbiemërore as prejpjesore, ndonëse është fjalë e paranyjëzuar dhe

së dyti, si antonim nuk është fort i qëlluar, ngase për të shprehur një nocion abstrakt në raportin antonimik: punësi / papunësi, përkatësisht të punësuarit / të papunët, më motivueshëm do të dilte antonimi të papunësuarit, d.m.th.: të punësuarit/të papunësuarit, jo të papunët, sepse emri të papunët (i papuni frymor), përkon me antonimin mepunët (!), ai që është me punë, d.m.th. i zënë me punë (i punësuar) ose të qenët i zënë me punë (si dukuri). Krahaso: është pa punë, është me punë (sukurse punë a e drejtë me rrugë  ose punë a e drejtë pa rrugë)..

Ndërkaq nëse mendohet të papunët si emër abstrakt, me të cilin shprehet një dukuri shoqërore papunësia, atëherë duhet vlerësuar se një koncept i tillë del i nevojshëm apo jo të shprehet në atë mënyrë?!

Sidoqoftë duke e lënë shembullin e tillë të diskutueshëm, ngase emrin e tillë nuk mund ta krahasojmë as me shembullin të pangrënët, që del nga paralelja e kundërt të ngrënët, kurse shembulli ynë nuk e ka një paralelizëm të tillë, nuk është as prejmbiemëror as prejpjesor, megjithatë, shpreh gjendje, andaj shembullin në fjalë mund ta quajmë si përftim kontekstual a si një fjalë të shpifur spontanisht, e ku ta dimë. Pra duke e lënë këtë çështje të hapur, tashti po i kthehemi shtjellimit të temës sonë sipas titullit të shënuar.

Asnjanësit prejmbiemërorë të paranyjëzuar në tabelë-paraqitjen e prof. K. Topallit e ndeshëm vetëm me katër shembuj pa treguesin etj. ndërsa në FShS 2002 i ndeshim të regjistruar 34 shembuj, gjë që tregon rritjen e një numri të tillë.

Sido që të jetë ne këta 34 shembuj sipas nënfushës semantike që mbulojnë, i merenduam në dy grupe: së pari, ata që shprehin një cilësi, dhe së dyti, ata, me të cilët tregohet një gjendje ose një të qenë.

 

a) Prejmbiemërorët me kuptimësi cilësie

 

Me kuptimësi të qartë cilësie në burimin në fjalë, të regjistruar, i ndeshim këta shembuj:

bardhë-t (bardhësi), të butë-t (butësi), të egër-it (egërsi), të ëmbël-it (ëmbëlsi), të fortë-t (fortësi), të ftohtë-t (ftohtësi), të keq-të (për/keqësi!), të kuq-të (kuqëlim), të lartë-t (lartësi), të lehtë-t (lehtësi), të hollë-t (hollësi), të mbarë-t (mbarësi), të mirë-t (mirësi a mirëni), të ngrohët-it (ngrohtësi), të thatë-t (thatësi), të verdhë-t (verdhësi), të zbehtë-t (zbehtësi), të zi-të (zi-a, zymtësi),) – gjithsej  18 shembuj.

 

Në të vërtetë, në burimin në fjalë sqarimi i asnjanësve të caktuar nuk del parësorisht për të gjithë shembujt me kuptimësinë, sipas barasvlerësve sinonimikë përkatës, siç i shënuam ne në kllapa, por vetëm për shumicën e tyre. Por me gjithë kuptimet polisemantike të ndryshme që i shoqërojnë shembujt, madje edhe me emra konkretë, kuptimi strumbullar i asnjanësit ose bërthama kuptimore nuk largohet nga kuptimi i përgjithshëm i ngjyresës përkatëse semantike, çështje kjo për të cilën do të ndalemi më në hollësi, pasi  t’i përmendim edhe shembujt e grupit tjetër.

 

 

b) Prejmbiemërorët me kuptimësi gjendjeje a të qeni

 

Si asnjanës mbi bazë mbiemërorësh jocilësorë (a të ndonjë sifoljori!), me të cilët shprehet një kuptimësi jo e qartë cilësie po e ndërthurur me një dozë paksa më të theksuar gjendjeje a të qeni (ndjenjë, kohë) drejtpërdrejt ose në mënyrë të fytyruar i cilësuam disa shembuj, të cilët i ndeshim në numër jo aq të konsiderueshëm në Fjalorin në fjalë. I quajtëm rrëshqitazi edhe sifoljorë (!), sepse në koncept, ashtu si vetë varianti prejfoljor i emrit përkatës edhe me ta shprehet një të qenë a gjendje ose një ndryshim i gjendjes. Edhe këta po i shënojmë duke i shoqëruar në kllapa me sinonimet e mundshme përkatëse,  si p.sh.:

 

të gjallët (n/gjallje, gjallëri), të lagët-it (lagështirë), të lig-të (ligësi, ligështim), të madh-të (madhështi), të mugët-it (mugëtirë), të ndotë-t (ndotshmëri!), të ndytë-t (ndytësi/rë), të nxehtë-t (nxehtësi, zjarrmi), të majmë-t (majmëri), të pështirë-t (pështirësi, neveri), të fikët-it (fikje, humbje e vetëdijes), të rëndë-t (rëndesë, rëndë-a, sëmundje), të pakët-it (m/pakje!), të ri-të (rini-a), të tepërt-it (tepri-a), të vështirët (vështirësim – gjithsej 16 raste.

 

Ç’është e vërteta, ndonjë shembull që ne e cilësuam sifoljor ose jocilësor, nuk ka veçori aq të prera dallimi me cilësorët e mirëfilltë, në njërën anë dhe me asnjanësit prejpjesorë, në anën tjetër, por ne e pagëzuam kështu për hir të veçorisë kuptimore që shprehin aktualisht shembujt e caktuar, sepse sipas këtij kriteri, nocioni i shprehur më tepër i takon nënfushës së asnjanësve prejmbiemërorë se atyre prejpjesorë ose në raste edhe atyre prejndajfoljorë. Krahaso raportin semantik: të lagëtit (nga i lagët-i, ndaj të lagurit (lagur me lagë) ose të nxehtët (nga nxehtë i nxehtë-i) ndaj të nxehurit (nxehur me nxehë).

 

Prandaj në vazhdim po përpiqemi të sqarojmë se cili është a duhet të konsiderohet si kuptim strumbullar i përzgjedhur ose i parapëlqyer i asnjanësit prejmbiemëror të cilësisë dhe cili i prejpjesorit jocilësor, sepse sipas përkufizimeve përkatëse në Fjalorin në fjalë kjo çështje nuk del e qartë.

Në burimin në fjalë, siç do të duhej, nuk respektohet kriteri që kuptimi i parë strumbullar të jetë ai i nocionit abstrakt dhe si i tillë ky kuptim duhet të zërë vendin e parë të radhës e pastaj të vijnë kuptimet e tjera polisemantike që mund t’i ketë emri i caktuar. Aty (në Fjalor) jepet në mjaft raste si kuptim i parë në radhë nocioni i një gjë-sendi konkret që bie ndesh me destinimin historik burimor, por edhe të sotëm motivues të asnjanësit prejmbiemëror që iniciohet drejtpërdrejt nga tema e qartë fjalëformuese. Siç dihet emri i tillë, që e ka motivimin, ose që duhet ta kishte, qoftë në një koncept cilësie (pika a), qoftë në një koncept gjendjeje a të qeni (pika b), në radhë të parë, kuptimisht duhet me e shprehë nocionin që i takon fushës së abstraksionit. Këtë çështje po e qartësojmë sadokudo më në hollësi më poshtë.

 

1.      Rreth kuptimit strumbullar të asnjanësit prejmbiemëror

 

Të vihet re se sinonimet e shënuara në kllapa për shembujt e paranyjëzuar, qoftë nga hartuesit e Fjalorit në fjalë, qoftë edhe prej nesh, dallojnë qartë semantikisht nga nocioni parësor që kanë sot asnjanësit e mirëfilltë prejmbiemërorë, por megjithatë, ne, formën e tillë e konsideruam si  barasvlerësin më të qëlluar semantik, më të përafërt me realitetin e sotëm, Këtë që sapo e thamë, për ta kuptuar më mirë, po përpiqemi ta shpjegojmë më poshtë, duke e ilustruar me ndonjë shembull konkret. Siç dihet, b.f., fillimisht formimi i asnjanësit të tipit të bardhët, të kuqtë e të ngjashëm është motivuar nga tema e qartë fjalëformuese e mbiemrit përkatës (asnjanës: të bardhët ose (i) bardhë, të kuqtë  ose (i) kuq etj. dhe mbi këtë bazë është bërë emërzimi për të shprehur konceptin përkatës në fushën e abstraksionit, por që ndërlidhej domosdo metaforikisht a drejtpërdrejt me konceptin e cilësisë nga tema prodhuese motivuese. Pra, nga fjalë-emri  të bardhët do të shprehej një kuptimësi, qoftë drejtpërdrejtë me ngjyrën e bardhë, qoftë tërthorazi, siç u cek, me një kuptimësi metaforike simbolike një dukuri përkatëse. Kështu mbase fillimisht mund të shpjegohej prejardhja e të gjitha emërzimeve nga mbiemrat e paranyjëzuar.

Na është e ditur se po ato cilësi të emrit që shprehin mbiemrat e thjeshtë të mirëfilltë, siç janë:

a) madhësia e forma, tipi i madh, i gjerë, i lartë etj,

b) ngjyra: i bardhë, i kuq, i verdhë etj. si dhe

c) vetia fizike e shpirtërore, si  i butë, i fortë, i njomë, i bukur, i ëmbël etj. (Shih K. Topalli, vepra e cit. f. 32.)j

po ato dalin të mishëruara edhe tek asnjanësit prejmbiemërorë, pra të emërzuar mbi të njëjtën bazë.

Këtë fakt, që sa e zumë në gojë, po e theksojmë në mënyrë të veçantë për arsye se në FShS (2002) nuk është vepruar kështu në mjaft raste. Ndodh, jo rrallë që aty si kuptim i parë ose si veçori karakteristike e motivuar me dalë jo kuptimësia e një madhësie, e një ngjyre a e një vetie fizike, po një kuptimësi tjetër, pra jo ajo që ndërlidhet me temën fjalëformuese. P.sh. aty në vend se të shënohet parësorisht karakteristika prejmbiemërore që ka të bëjë me cilësinë përkatëse, qoftë edhe simbolike me nocion abstrak, del emërtimi i një gjë-sendi konkret, si b.f. kuptimi i parë për konceptin të bardhët në vend bardhësi del krem-zbardhimi, për të kuqtë  - (laps) buzëkuqi, për të hollët del ije (pjesë e trupit), për të lartët  del vend, ndërsa për të verdhët, të zbehtët del verdhëza (sëmundje, si shenjë pasojë), për të lehtët, të rëndët, të hollët, të fikët, del shpjegimi: alivani, alivanosje (d.m.th. sëmundje), të ftohtët ka barasvlerësin plevit (sëmundje dhe, po ashtu, trajtat: të pështirët,  të vështirët, të pështjellët, të ndotët, shpjegohen me krupë, neveri (sëmundje), duke u larguar kështu nga kuptimi fillestar abstrakt që i takon edhe sot natyrës së mbiemrit përkatës ose edhe emrit cilësor me prapashtesën –si.

Ne, nuk kontestojmë të vërtetën se me rastin kur janë vjelë emrat e tillë, madje edhe në gjendjen e sotme me ta diku-diku ndodh të shprehet koncepti i sipërcekur përkatës, por tërheqim vërejtjen e ngulmojmë që këto koncepte asnjanësi duhet a mund t’i ketë si koncepte të dorës së dytë a të tretë, dhe jemi të sigurt se, b.f., trajtat e emrave të tillë në konkurrencë lojale me emërtimet e zyrtarizuara, sidomos për gjë-sende konkrete ose të sëmundjeve, në ballafaqim me emërtimet zyrtare të sëmundjeve, do ta humbin atë konkurrencë, nëse deri tani nuk e kanë humbur, prandaj në fjalorët e tipit normativë shpjegues standard, patjetër së pari në radhë, duhet të shënohet kuptimi strumbullar që ndërlidhet me konceptin përkatës të abstraksionit të lartë që shpreh asnjanësi sipas motivimit që e jep tema e qartë fjalëformuese e pastaj mund a duhen shënuar edhe kuptime vargore  polisemantike që ende mund t’i shprehë emri i tillë i gjinisë asnjanëse.

Po ritheksojmë faktin se kur është fjala te shembujt që i jep prof. A. Zymberi, lidhur me mbiemrat e emërzuar mbi bazë pjesoreje të shkurtë kalbë me kalbë (ti klalbët të kalbëtit) ose ndrydhë me ndrydhë ( i ndrydhët të ndrydhtit), siç ishin rastet te mbemrit  të kalbëtit (pjesa e kalbët e mollës), të ndrydhëtit (pjesa e ndrydhët e këmbës) etj. ku nuk ka sinonim alternativ me barasvlerësi të plotë zëvendësimi, emërtimet e tilla, duhet të legalizohen në përdorim normal. Pra asnjanësit e tillë që dalin të nevojshëm për mbulimin e koncepteve të veçanta për gjëra me cilësi konkretizimi duhet të vlerësohen si të pranueshëm në shqipen standarde, por, gjithsesi të shënjohen, si raste të veçanta për nënfushën semantike që mbulojnë.

 

a)    Rreth sinonimisë së asnjanësve prejmbiemërorë të cilësisë

 

Siç mund të shihet nga pasqyra e shembujve të grupimit të parë, të gjithë barasvlerësit sinonimikë të asnjanësve prejmbiemërorë të cilësisë, ndonëse nuk shprehin plotësisht të njëjtin koncept, dalin me prapashtesën –si, përveç dy rasteve: zi-a për të zi-të dhe kuqëlimi për të kuqtë. Që sinonimet e caktuara nuk e shprehin të njëjtin koncept kemi si provë faktin se të gjithë asnjanësit cilësorë mund të zbërthehen me treguesin sintagmor: të qenët a me qenë + mbiemri (njëjës mashkullor). Letrarishtja e sotme rekomandon zbërthimin: të jesh + mbiemri përkatës, por ne na duket sadopak më natyrshëm me dalë zbërthimi me asnjanës ose me paskajoren e mirëfilltë + mbiemri përkatës se me formën e lidhores (veta e dytë njëjës).  Andaj pritet me të drejtë rehabilitimi i trajtave të paskajores së mirëfilltë në standard, siç është kërkuar. Krahaso: të mirët, d.m.th, me qenë ose të qenët i mirë; të bardhët – me qenë ose të qenët i bardhë, e kështu me radhë, ndërsa sinonimi në kllapa zbërthehet me paskajoren e foljes ndihmëse: me pasë: me pasë + emri përkatës, ndërkaq letrarishtja e sotme rekomandon të kesh + emri përkatës (trajtë e lidhores veta e dytë njëjës). Pra me mirësi kuptohet me pasë sjellje a cilësi të mira ose me qenë i pajisur me të mira. Gjithashtu me emrin bardhësi kuptohet figurativisht se duhet me pasë (d.m.th., jo vetëm të kesh ti) veçori të larta ogurbardha morale e të tjera, por me kuptim përgjithësues që vlen për të gjitha vetat njëjës e shumës, përgjithësim ky që shprehet natyrshëm me trajtën e paskajores me pasë.

Këtë që sapo u përpoqëm ta shprehim rreth asnjanësit në raport me sinonimet përkatëse, po e ilustrojmë me këtë dialog të mundshëm:

 

-Këtë të mirë ta kthefsha me të mirë dhe me të mira.

-E mira është kat-kat, more vëlla, Ajo shihet më së miri jo me sytë e ballit po me sytë e mendjes.

-Sidoqoftë, me mirësi  fitohet e këndellet  më lehtë  edhe çdo zemër e thyer!...

 

Pra, kemi vërejtur se të gjithë asnjanësit mund të zbërthehen kështu, si u tha më lartë dhe njëherazi konstatojmë se mund të ketë ndërkëmbime në nuanca, ashtu siç mund të ketë edhe dallime në këtë tresh a katërsh sinonimik: të mirët – asnjanës – koncept i përgjithshëm abstrakt, e mira, po emër abstrakt, femëror i paranyjëzuar, me të cilin gjithsesi paraqitet një veprim a ide e konceptuar, si të thuash e konstruktuar me ndonjë element konkretizimi, siç është treguesi kat-kat, ndërsa me mirësi, po emër abstrakt i gjinisë femërore, i prejardhur me prapashtesën –si, me të cilin paraqitet se shprehet diçka edhe më konkrete nga shembulli i mësipërm po i kësaj gjinie, si me thënë, shprehet sadokudo materializimi i vetë idesë së konceptuar ose rezultati i procesit përkatës si rrjedhojë e punës së mirë, d.m.th. e së mirës, nocion ky që ende qëndron në fushën e abstraksionit, po duket se del e pajisur me elemente të konkretizimit relativ.

Fundja këtë dhuratë që ia jep copë në dorë a llokum në gojë gjuhës sonë I lumi Zot, të breruar atavikisht edhe me hyjnizim magjik, duhet ta njohim më mirë, ta shfrytëzojmë që të gjithë ne shqipfolësit dhe ta trashëgojmë ogurbardhësisht e jo ta anashkalojmë, ta rrudhim ose edhe ta zhdukim subjektivisht. Këtu nuk e kemi fjalën për stilin administrativ sa për stile të tjera. Sido që të jetë, ky është një fakt që tregon se kuptimi i formave të asnjanësit prejmbiemërorë në raport me barasvlerësit sinonimikë (sidomos me emrat e prejardhur), ndryshon jo vetëm për nga forma e gjinia, por edhe për nga brendia, nga përmbajtja ndërlidhur me nënfushën semantike që mbulon e së këtejmi ndryshon edhe nga mënyra e zbërthimit semantik. Në këtë kontekst, këtu mund të hetohet një çështje me shumë rëndësi. Ndërsa koncepti i asnjanësit mbetet në fushën e abstraksionit, ai i emrave të prejardhur me –si etj. tregon procesin e formësuar, mjaft të ravijëzuar po në fushën e abstraksionit, por të pajisur shkallë-shkallë me elemente semantike gjithnjë e më afër konkretizimit.

Prandaj në asnjë rast sinonimet e tilla nuk duhen konsideruar si plotësisht identike ose që mund të zëvendësohen për të shprehur të njëjtin nocion në fusha të caktuara të dijes e të veprimtarisë. Këtë fakt po e ritheksojmë në mënyrë të veçantë sepse disa gjuhëtarë e krijues letrarë, madje edhe ndonjë përkthyes i pa përvojë të duhur, pa të drejtë, asnjanësit prejmbiemërorë cilësorë po i zëvendësojnë me emrat përkatës të prejardhur, kryesisht me prapashtesën –si ose edhe me ndonjë tjetër, pa e vrarë mendjen  se me një veprim të tillë subjektivist po e dëmtojnë shumë mozaikun e të shprehurit të tërësishëm të gjuhës shqipe.

 

b) Rreth sinonimisë së asnjanësve prejmbiemërorë jocilësorë

 

Siç mund të shihet nga shembujt e mësipërm, nën b), asnjanësit jocilësorë që shprehin një gjendje a të qenë, dalin me sinonimi mjaft heterogjene, prandaj edhe veçoritë dalluese të tyre janë edhe më të dukshme dhe më të ndërlikuara seç dilnin tek asnjanësit prejmbiemërorë cilësorë. Siç mund të shihet, në 16 rastet nga pasqyra e nëngrupit të mësipërm dalin së paku njëmbëdhjetë (11) forma sinonimesh me prapashtesa a fundorë të ndryshëm. P.sh.

 

1) më  -im: ligështim (të ligtë);

2) më –irë: lagështirë (të lagëtit), mugëtirë (të mugëtit), ndyrësirë (të ndytët);

3) më –je: n/gjallje (të gjallët),  m/pakje (të pakëtit);

4) më –si: nxehtësi (të nxehtët), pështirësi (të pështirët), vështirësi (të vështirët);

5) më –i: tepri (prejndajfoljor i të tepërtit), zjarrmi (të nxehtët),

6) më –ni: rini  (të ritë);

7) –shmëri: ndotshmëri (të ndotët), ngjashmëri (të ngjarët);

8) më -shti: madhështi (të madhtë);

9) më –ri: gjallëri (të gjallët), majmëri (të majmët);

10) me zero-mbaresë: rëndë-a, (të rëndët);

11) dy raste janë sqaruar me barasvlerës sinonimikë njëfjalësh mbi tjetër temë neveri (të pështirët) dhe zjarrmi (të nxehtët) dhe dy raste me togfjalësha: humbje e vetëdije (të fikëtit) dhe ngjashmëri rasti (të ngjarët).

 

Gjithashtu vërejmë se për dallim nga shembujt nga pika a) që trajtat e asnjanësit zbërtheheshin kryesisht me togun: të qenët ose me qenë + mbiemri përkatës cilësor, shembujt e këtij grupimi (pika b) zakonisht zbërthehen me ndihmësen tjetër të foljes kam: me pasë a të kesh + ndajfolja ose emri përkatës. P.sh. të lagëtit tregon si me pasë lagështi(rë), të ligtë  - me pasë ligshti(m), të gjallët – me pasë gjallëri a n/gjallje ose të qenët gjallë a me qenë gjallë (jo me qenë i gjallë) etj. Po ashtu edhe barasvlerësit në kllapa zbërthehen por më foljen me pasë: me pasë ose të kesh + asnjanësin përkatës në trajtën e pashquar. P.sh.: lagështirë, do të thotë me pasë të lagësht, majmëri – me pasë të majmë, zjarrmi – me pasë të nxehtë (ngritje temperature), e kështu me radhë.

 

2. Sqarime të tjera rreth kuptimësisë së prejmbiemërorëve

 

Me sa u tha, secili asnjanës shpreh një koncept abstrakt të përgjithësuar cilësie, gjendjeje a të qeni, që assesi nuk parakupton, sot për sot, se semantika e tillë domosdo ka të bëjë, qoftë me vetë zhvillimin e procesit, qoftë me rezultatin e atij procesi, prandaj  duhen dalluar kuptimet a nuancat kuptimore të asnjanësve ndaj barasvlerësve të tjerë, ngase sinonimet përkatëse të caktuara dalin të specifikuara për nënfushën me elemente gjithnjë e më konkrete të nocionit, qoftë të procesit të veprimit, qoftë të rezultatit konkret të atij veprimi dhe kështu nuk e rrezikojnë fare konceptin e asnjanësit përkatës. Në të vërtetë, asnjanësi prejmbiemëror ndalet në perceptimin e vetë konceptit, si me thënë, e mban ravijëzimin e atij nocioni në nivelin më të lartë të abstraksionit, skajin e sipërm të synit të antenës a të litarit kabllor shprehjesor, por pa e shkëputur plotësisht konceptin për tërë shtrirjen e tij. Së këtejmi del se, sot për sot, me gjykue drejt mund të thuhet me gojën plot se emrat sinonimikë të prejardhur të paparanyjëzuar e të tjerë nuk e rrezikojnë fare nënfushën që mbulon asnjanësi përkatës i paranyjëzuar, i cili me u shprehë me fjalë të tjera specifikimin e vet e ka të karakterizuar tek shkalla më e lartë e abstraksionit morfosemantik të fjalës.

 

Sidoqoftë, për ta bërë edhe më të qartë të vërtetën se koncepti i asnjanësit të paranyjëzuar prejmbiemërorë cilësorë dhe ai i atyre jocilësorë (sifoljorë) ka natyrë tjetër nga asnjanësit e parmë dhe emrat e tjerë të prejardhur me prapashtesat përkatëse e të tjerë, po japim skemën me nga një shembull karakteristik, nga të dyja grupimet e prejmbiemërorëve, me të ashtuquajturit barasvlerës sinonimikë, për të identifikuar kështu edhe më mirë nënfushën semantike të nocionit të asnjanësit përkatës, sipas këtyre rubrikave:

 

1)      emri i nyjshëm si temë motivuese fjalëformuese,

2)     asnjanësi prejmbiemëror (emër abstrakt),

3)     emri femëror i paranyjëzuar (abstrakt),

4)     emri i përgjithshëm mashkullor i njeriut  i paranyjëzuar (konkret).

 

Skema ndërsinonimike e prejmbiemërorëve

----------------------------------------------------------------------------------------------------------        1                         2                    3                               4                  _______           5            .

1)  i mirë-i        të mirët          e mira/të mirat    mirësia/mirësitë         i miri /të mirët

2) i madh -i     të madhtë        e madhja           madhëria/madhëritë    i madhi/ të mëdhenjtë

 

 

3. Shembuj ilustrues fjalisor në përputhje me

skemën e mësipërme

 

Po i ilustrojmë shembuj nga skema me fjalitë e mundshme të konstruktuara, sipas dy grupimeve të  asnjanësit prejmbiemëror:

 

a)    Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi cilësie:

 

/Të mirët shprehet me punë e me zemër. E mira nuk harrohet. Mirësia të fisnikëron. I miri dallohet me punë./

1) mirët (tipari i së mirës, i mirësisë shpirtërore): emër asnjanës,vetëm, njëjës,  me kuptimësi të një abstraksioni të lartë.

2)  E mira  (puna e mirë, emër abstrakt, i paranyjëzuar, njëjës, gjinia femërore) Të mirat  (punët e mira): emër abstrakt shumës  gjinia femërore). Të dyja trajtat njëjës e shumës shprehin kuptimësi që lidhet në njëfarë mënyre  me  punën e mirë të konkretizuar a paksa edhe me rezultatin asaj pune, të atij veprimi.

3) Mirësia (sjellja e mirë), emër abstrakt, emër i prejardhur, njëjës gjinia femërore. Mirësitë (sjelljet a veprat e mira), emër abstrakt, shumës, gjinia femërore, Të dy trajtat njëjës e shumës shprehin kuptimësi të konkretizuar nga rezultati i sjelljes a i veprimit përkatës.

4) I miri (njeriu  i mirë): emër frymor njeriu (mbiemër i emërzuar), njëjës, gjinia mashkullore. Të mirët (njerëzit e mirë): emër abstrakt njeriu, shumës, gjinia mashkullore.  Edhe I miri dhe Të mirët lidhet kuptimisht me një konkretizim edhe më të dukshëm,  d.m.th. me njeriun a njerëzit konkretë, të pajisur me cilësinë përkatëse.

 

b) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi

jocilësore (gjendje a të qeni)

 

/Të madhtë qëndron në virtytet e larta të njeriut. E madhja qëndron në vlerat e larta morale.  Madhëria e njeriut shihet nga veprat e kryera. I madhi ka përgjegjësi më të madhe se i vogli.Të mëdhenjtë kanë përgjegjësi më të madhe se të vegjlit./

 

1)Të madhtë (asnjanës, abstrakt, vetëm njëjës) kuptimi  qëndron në dukurinë që ka të bëjë me virtytet e larta të njeriut.

2) E madhja (femëror i paranyjëzuar, abstrakt, kryesisht vetëm njëjës), kuptimi qëndron në vepra  të larta të ravijëzuara morale.

3) Madhëria  (femëror, abstrakt, i prejardhur me prapashtesim, njëjës kryesisht), kuptimi qëndron  në veprat pozitive pothuajse të kryera.

4) I madhi /Të mëdhenjtë (emër i përgjithshëm njeriu, njëjës e shumës), kuptimi qëndron në përgjegjësinë e njeriut sipas pozitës që zë në shoqëri.

 

*     *     *

Nga  shembujt e dy pikave  të mësipërm, a) dhe b), mund të nxjerrim disa konstatime, ndër të cilat ne po i veçojmë këto dy, ngase vlejnë për të gjithë shembujt e tipit të njëjtë:

Së pari, ndërlidhja semantike asnjanës/femërorja e paranyjëzuar kanë afërsi kuptimore më të madhe se me sinonimet e tjera, por megjithatë ndryshojnë, jo vetëm për nga gjinia, a forma, por edhe për nga përmbajtja.

Së dyti, ndërlidhja  formale e josemantike e asnjanësit me shumësin e emrit mashkullor të paranyjëzuar si te shembulli të mirët ndaj të mirët (i miri), andaj  një homonimi e tillë nuk duhet të na hutojë.

Në të vërtetë, edhe pse konstatimet e mësipërme dalin të qëndrueshme, megjithatë ne e shohim të arsyeshme që në këtë kontekst  të vazhdohet edhe më me sforcimin ose me modifikimin e mëtejshëm të disa koncepteve të shprehura më përpara lidhur me disa probleme që janë të ndërlidhura me këtë çështje.

 

4. Vazhdim i sqarimeve  në raportin asnjanësi

prejmbiemërorë / barasvlerësit sinonimikë

 

Gjatë këtij vazhdimi të sqarimeve do të ndalemi në tri pika:

 

së pari përsërisim me qëllim sforcimin e faktit se të gjitha sinonimet e lartpërmendura bashkëjetojnë në ligjërimin tonë standard, andaj duhen dalluar më mirë specifika e nënfushave përkatëse semantike që mbulojnë,

së dyti, japim arsyetimin pse shembujt janë dhënë prej nesh vetëm në gjininë mashkullore dhe jo edhe në atë femërore dhe

së treti, jepen edhe shembuj ku disa prirje ende janë në fazën e formëzimit..

 

1)  Specifikimi i nënfushave semantike kusht

i bashkëjetesës sinonimike

 

Semantikisht asnjanësi të mirët ose të madhtë, siç u pa, kanë njëfarë afrie formale sa i përket paranyjëzimit, por kanë edhe afri kuptimore me femërorët sinonimikë: e mira të mirat, ose e madhe e madhja,  përkatësisht me trajtat: mirësi-a, mirësi-të ose madhëri-a (madhorja a madhështorja) madhëritë (madhështitë), por femërorja si në njëjës si në shumës, siç u tha, tregon një gjendje si të themi të kryer, ndërsa asnjanësi, në krahasim me nocionet e tilla, ndalet vetëm te koncepti i pakonkretizuar me një shtrirje të lehtë gjithëpërfshirëse për tërë nocionin, d.m.th. ndalet në temën e perceptuar, prej nga mund të nënkuptohet e vërteta se asnjanësi fillimisht do të ketë pasur shtrirje më të gjerë kuptimësie se që e ka sot. Prandaj identifikimi kuptimor në mes të këtyre dy trajtave që përmendet nga  prof. Sh. Demiraj e të tjerë, gjoja se:

 

“format e  gjinisë asnjanëse të mbiemrave të nyjshëm që ishin më të përshtatshëm për të shprehur nocione abstrakte më vonë kur gjinia  asnjanëse u dobësua në ndërgjegjen popullore, atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar u zëvendësuan  pak nga pak ose me format e gjegjëse të gjinisë femërore ose me emra të prejardhur prapashtesorë”, (Shih: Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, f. 157.)

 

qëndron i saktë vetëm pjesërisht, d.m.th., vlen vetëm rreth të shprehurit të nocioneve në fushën abstrakte, por jo tërësisht edhe rreth zëvendësimit, ngase asnjanësit prejmbiemërorë, siç u provua dhe u sprovua prej nesh, siç e tregon realiteti i sotëm, u zëvendësuan vetëm për një pjesë të nocionit të fushës së abstraksionit që (ndoshta) e mbulonin, por jo tani, pasi aty momentalisht kanë hise edhe emra të tjerë që e kanë fituar nënfushën përkatëse në luftën e konkurrencës, por megjithatë asnjanësit nuk u zëvendësuan krejtësisht dhe assesi nuk u zhdukën, por u pozicionuan, duke akumuluar forcat, në një nënfushë tjetër po të asaj fushe të gjerë, duke kaluar, siç po ceket disa herë, në specifikim për të shprehur shkallën më të lartë konceptore të abstraksionit apo të dukurisë përkatëse.

 

2) Gjinia mashkullore si trajtë përfaqësuese e emërtimit

të njerëzve  sipas gjendjes a veprimtarisë së tyre

 

Asnjanësin e njëjësit të emërores, në njërën anë me trajtën e gjinisë mashkullore në shumës, në anën tjetër: të mirët // të mirët, i lidh vetëm forma e njëjtë shkrimore, por nuk i lidh kurrfarë nënfushe semantike, sepse me shumësin e mashkullores tregohet diçka konkretizuese, që ka të bëjë me njerëz të pajisur me cilësinë e mirësisë e jo me konceptin gjegjës si veçori e abstraksionit të lartë të nocionit që e shpreh asnjanësi.

Dihet edhe ky fakt se emrat e përgjithshëm të njerëzve me prejardhje mbiemërore (shembulli 4) në gjuhën tonë dalin zakonisht në gjininë mashkullore, e cila konsiderohet si trajtë përfaqësuese, prandaj edhe ne i shënuam shembujt vetëm në këtë gjini. Kjo është arsyeja e parë. Ekziston edhe një arsye tjetër se po të shënohej edhe trajta përkatëse në gjininë femërore, jo vetëm do të bëhej një punë pa nevojë, por do të ndërlikohej çështja. Themi do të ndërlikohej, sepse format e emërtimit të njerëzve sipas gjendjes a veprimtarisë së tyre, të emrave mbi bazë mbiemërore të gjinisë femërore dalin formalisht identikë si homoforma me prejmbiemërorët abstraktë të gjinisë femërore. Krahaso emrin abstrakt të gjinisë gramatikore e mira (vepër) të mirat (vepra), në njërën anë, me emërzimin e mbiemrave cilësorë si emërtime të gjinisë femërore natyrore: e mira të mirat  (e mira vajzë të mirat vajza), në anën tjetër.

 

Pra, kjo është arsyeja pse tek emrat e njerëzve (frymorëve) si trajtë përfaqësuese merret normalisht gjinia mashkullore dhe që kontekstualisht vetëkuptohet se femërorëzimi bëhet shumë lehtë me mjetet femërorizuese dhe me një veprim të tillë i iket ndërlikimit të panevojshëm formal të çështjes që ndërlidhet me trajta homoforme të emërtimeve në fjalë, të cilat, siç e pamë,  janë identike si në njëjës ashtu edhe në shumës, në drejtshkrim e në drejtshqiptim. Dallimin e bën vetëm konteksti.

 

3) Rreth zhvillimit të strukturës sinonimike

të prejmbiemërorëve

 

Shpjegimet që u dhanë për shembujt të mirët dhe të madhtë në parim vlejnë pothuajse për të gjithë shembujt mbiemërorë cilësorë e jocilësorë, por jo të gjithë shembujt mbi bazë mbiemërore aktualisht kanë zhvillim të njëjtë për nga struktura, siç del nga burimi përkatës. Po japim edhe disa shembuj sipas këtyre rubrikave:

1. mbiemri i mirëfilltë,

2.  asnjanësi

3.  emri femëror abstrakt i paranyjëzuar dhe

4.  emri me prapashtesim:

---------------------------------------------------------------------------------------

1                         2                           3                             4

i bukur            të bukurit              e bukura                bukur/i-a,

i mirë              të mirët                  e mira                 mirë/si-a,

i gjallë            të gjallët                      -           gjallë/ri-a a gjall/ni-a,

i bardhë          të bardhët               e bardha             bardhe/ni-a,

i dëlirë              dëlirët                         -                    dëlirë/ti-a

i dëlirshëm        të dëlirshmit               -                     dëlirshmë/ri-a

i rritshëm         të rritshmit                                       rritshmë/ri-a;

i marrë               të marrët                e marra             marrë/zi-a.

 

Edhe nga këta shembuj, mund të nxjerrim, veç tjerash edhe këto përfundime:

1. Emrat femërorë abstraktë me paranyjëzim (ndonëse nuk mohohet mundësia), hë për hë, nuk dalin të zhvilluar në të gjitha rastet, madje ndodh që ende përdoren  vetëm në numrin njëjës.

2. Emrat abstraktë të prejardhur mbi bazë të kuptimësisë mbiemërore (cilësorë e jocilësorë), përveç me  –si, formohen edhe me prapashtesat: -i, -ri/-ni, -ti,  -shmëri, -zi, siç  shihet nga shembujt e mësipërm.

Dhe ç’është e vërteta, edhe këta shembuj asnjanësish zbërthehen normalisht me ndihmën e  paskajores  me qenë ose të asnjanësit të qenët + mbiemri përkatës.

Pra, me të bukurit  kuptohet me qenë ose të qenët i bukur, ndërsa me bukuri, kuptohet me pasë cilësi a tipare të të bukurit (me pasë bukuri) Sigurisht diçka më konkrete shprehet kur thuhet me pasë bukuri se me pasë të bukur, sepse të bukurit (si emër asnjanës) qëndron më në thellësi të shpirtit si koncept i abstraksionit të lartë se vetë fjala bukuri bukuria, e cila, si me thënë, edhe shihet edhe preket, me fjalë të tjera, konkretizohet.

Ky zbërthim vlen për të gjithë shembujt.

 

Sqarim: Shfrytëzojmë rastin të rrëfehemi paksa pse gjatë zbërthimit po e përdorim

paskajoren me qenë ose me pasë krahas trajtës së asnjanësit të qenët ose  trajtave  të jesh  ose të kesh  + trajtën përkatëse të emrit ose të mbiemrit. Veç arsyeve të tjera që  janë përmendur në tjetër vend këtu po theksojmë se për një veprim të tillë kemi parasysh faktin se edhe prof. Androkli Kostallari e pati futur në përdorim trajtën e paskajores me pasë në kontekst të ngjashëm. Ai duke u ballafaquar me kuptimësinë e mbiemrave të përbërë të tipit hundëshkabë shpjegon se këto kompozita ”zbërthehen me anë të foljes me pasë, përkatësisht me pasë ose që e ka hundën si të shkabës” (Shih: Studime mbi leksikun...I, Tiranë 1972, f. 146).

 

Sidoqoftë, edhe nga këta shembuj kuptohet se asnjanësit e nyjshëm prejmbiemërorë të përftuar më herët se emrat e sipërshënuar sinonimikë me prapashtesat përkatëse me –i fundore variantesh të ndryshme e të tjerë, arritën të mbesin në përdorim normal për veçori të caktuara të abstraksionit, për të mbuluar kështu nuanca cilësie, gjendjeje a të qeni, që dallojnë dukshëm semantikisht nga sinonimet përkatëse që, siç u tha, lindën më vonë, edhe pse edhe këto përftime dalin si emra abstraktë, po janë specifikuar për nënrrafshe te tjera kuptimësie.

Nga sa u tha më lartë, duhet me u mbajtë mend se edhe sot e kësaj dite, si më herët edhe tashti e në vijimësi, po të shikohet hollë e hollë, nga format e reja, nuk rrezikohet fare qëndrueshmëria e përdorimit të asnjanësve prejmbiemërorë, sepse asnjanësit e tillë dalin të specifikuar vetëm për konceptin e cilësisë, të gjendjes a të qenit të caktuar që nuk mbulohet plotësisht me asnjë sinonim tjetër, prandaj konstatimin  e prof. Sh. Demirajt në versionin tjetër, po të ngjashëm, siç u cek  më sipër, se

 

në një fazë të caktuar (pas emrave prejpjesorë me ë) procesi i

mbiemrave të nyjshëm erdhi e u bë një nga mjetet kryesore për

pasurimin e klasës së emrave me njësi të reja leksikore Në krye të herës për këtë qëllim emërzoheshin kryesisht format e gjinisë asnjanëse të mbiemrave të nyjshëm që ishin më të përshtatshëm për të shprehur nocione abstrakte Po më vonë kur gjinia asnjanëse u dobësua në ndërgjegjen popullore, atëherë emrat asnjanës të paranyjëzuar erdhën e u zëvendësuan  pak nga pak ose me format gjegjëse të gjinisë femërore ose me emra të prejardhur prapashtesorë”,  (Vepra e cituar f. 157.)

 

ne e quajmë të drejtë, gjithashtu, vetëm pjesërisht, sepse pjesën rreth zëvendësimit e marrim me rezervë, ngase asnjanësit prejmbiemërorë, siç u provua më sipër, nuk u zëvendësuan, por u specifikuan po në kuadër të fushës përkatëse të abstraksionit, duke e ndarë atë fushë trizash sinonimisht, qoftë me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mirë e mira, të mira të mirat, qoftë me emrat e prejardhur, tipi mirësi mirësitë, me të cilët bashkëjetojnë në harmoni relative, ashtu ngjashëm sikurse bashkëjetojnë me sinonimet përkatëse edhe asnjanësit e paranyjëzuar mbi bazë pjesoreje, siç do të shohim në vijim.

 

C. Asnjanëzimi  mbi bazë pjesoreje

 

1)     Grupimi i asnjanësve prejpjesorë  sipas  profilit të

                             nënfushës semantike

 

 Edhe asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar me të cilët shprehet një koncept veprimi, mbi bazë të tipit të trajtës së pjesores, sipas profilit të nënfushës semantike që mbulojnë, i ndajmë në katër grupe:

a) mbi temë me –ë fundore: të bërë-t (bërje), të gdhirë-t (agim), të dalë-t (dalje), të dhënë-t (dhënie), të hyrë-t (hyrje), të larët I (larje), të larët II (pagesë), të marrët (marrje), të ngrënë-t (ngrënie), të ngjarët (ngjarje), të pangrënët (pangrënie), të parë-t I (shikim, pamje), të parët II (pasi, parëti), të pëgërë-t (pëgërje!), të prerë-t (prerje!), të pështjellë-t (pështjellje), të qenë-t (qenie), të qarë-t (qarje), të sharë-t (sharje), të vjelë-t (vjelje), të vjellë-t (vjellje) – gjithsej 21 shembuj.

b) mbi bazë të një bashkëtingëlloreje në temë, me –ur fundor: të ecur-i (ecje), të errurit (errësim), të folurit (e folur-a, gjuha), të ftohuri-t (ftohje), të lehurit (lehje), të ngrysurit ((ngrysje, errësim), të ngjeshur-it (ngjeshje), të nuhatur-it (nuhatje), të njohur-it (njohje), të prekur-it (prekje), të qeshurit (qeshje), të sosur-it (sosje, sosë-a!), të shprehur-it (shprehje), të tekur-it (tekë-a, veprim i rastit) – gjithsej 14 raste;

c) vetëm një rast mbi bazë të fundores –ier/ët: të përzier-ët;

ç) mbi bazë të fundores –uar, të pjesores së foljeve më –Oj dhe –UAJ: të dëgjuar-it (dëgjim, dëgjesë), të menduar-it (mendim), të paguarit (pagim, pagesë), të qëlluarit (e qëlluar-a, qëlluarje, veprim rasti), të rruar-it (rrojë), të shkruar-it (shkrim, shkresë, shkruarje) – gjithsej  7 raste, 4 nga foljet më –oj dhe 3 nga foljet më -uaj.

 Gjithsej, në këto katër grupe mbi temë pjesoreje, janë përfshirë 42 shembuj. Bien në sy disa çështje të diskutueshme, ndër të cilat këtë rast po i veçojmë tri:

 

 Së pari, përmendim rastin e vetëm nga pika c) me mbaresën –ë/t, shembulli: të përzierët, trajtë kjo që ndeshet edhe në Fjalorin rusisht –shqip (Moskë 1954). Mbetet të shihet, dhe këtë e kanë në dorë standardologët tanë se a do të përthithë kjo mënyrë ndërtimi edhe shembuj të tjerë nga foljet me –ier, yer dhe uar, apo jo?

Së dyti, pikërisht për tipin më prodhimtar dhe aktiv të foljeve  -o/j, janë dhënë vetëm katër shembuj dëgjoj (të dëgjuar-it), mendoj (të menduar-it), mësoj (të mësuarit) dhe qëlloj (të qëlluar-it), numër ky i pothuaj i barazuar mbase rastësisht, por pa të drejtë, me foljet më –uaj: paguaj (të paguarit), rruaj (të rruarit) dhe shkruaj (të shkruarit) që është tip joprodhimtar.

Së treti, po përmendim edhe shembullin e vetëm të pangrënët, me parashtesën  PA- që emri ose mbiemri e këtë rast asnjanësi shpreh mungesë ose mendim të kundërt. Përveç asnjanësit të papunët, të cilën e diskutuam më përpara në FGJSH 2006 ndeshim mbi 70 shembuj të emrave të paranyjëzuar me këtë parashtesë, ndërsa në Fjalorin e M. Elezit, përveç rastit të papunët, ndeshim edhe këta asnjanës: të paatillë-t, të pacaktuem-it,të pafjetur-it, të pakrruar-it, të pamujtun-it, të pamaturit, të pazjarmë-t(!), të patrazuesh/ëm-it, të cilët nuk na zgjojnë vetëm kërshërinë, por na japin për të kuptuar se edhe në këtë mënyrë asnjanësit kanë derë të hapur të pakufizuar shumimi.

Sidoqoftë, nga pasqyra e asnjanësve prejpjesorë të sipërcekur, siç po shihet, edhe nëse i shikojmë shembujt si trajta përfaqësuese, përsëri përfaqësimi i tyre nuk del i denjë për të gjitha grupet e prejfoljorëve. Është e vërtetë e pamohueshme se në jetën tonë ligjërimore numri i tyre është shumë më i madh. Për foljet më –Oj, si me thënë, numri i tyre (i prejpjesorëve) del i pakufizuar, ngase nga çdo folje (pjesore) mund të formohet pothuaj normalisht asnjanësi përkatës, prandaj pikërisht për këtë tip asnjanësisht dhe përhapjen e tyre në kohë-hapësirë, do të ndalemi paksa më gjatë në  krerët vijues të këtij punimi, por edhe këtu në këtë krye, tashti fill, s’do të anashkalohet kjo temë pa u shprehur ndonjë konstatim, ngase këtë po na imponon vetë natyra e lëndës  që po trajtohet.

 

2) Disa nga karakteristikat e veçanta të asnjanësve

                         prejpjesorë

           

            Domosdo, siç mund të shihet nga grupimi  i mësipërm i shembujve lypsen cekur, së paku, disa nga karakteristikat themelore të këtij tipi asnjanësish:

 

            1. Në grupin e shembujve mbi bazë të foljeve më –ë fundore, siç mund të shihet, janë përfshirë disa raste a nëngrupe foljesh: vokalike, të parregullta, apofonike e të tjera, të cilat sa i përket tipizimit të modelit trajtëformues e fjalëformues nuk përkojnë njëri me tjetrin, madje në këtë kontekst dalin edhe mjaft raste problemore edhe në raportin letrarishte / dialekt, të cilat ndikojnë edhe në formimin e asnjanësve mbi këtë bazë, çështje këto që kërkojnë sqarim si në aspektin normativ, ashtu edhe në atë dialektor, prandaj shembujt e paraqitur në pasqyrën e mësipërme, nuk mund të themi me plotgojë se mund të cilësohen si trajta përfaqësuese për emërtimin përkatës të asnjanësve të krejt atij grupi a nëngrupi përkatës.      

            2. Vlen të theksohet gjithashtu se përveç rastit pagesë për të larët (e borxhit) dhe pamje për të parët I (shikimi) dhe të parët II (pasi-a) të gjithë shembujt e tjerë sinonimikë në kllapa, ndaj asnjanësve përkatës, janë emra të veprimit me prapashtesën –JE: bërje, dalje, dhënie, hyrje, marrje, ngrënie, ngjarje, pëgërje, përzierje, prerje,  pështjellje, qenie, qarje, sharje, vjelje, vjellje si edhe përzierje.

3. Edhe në grupin e asnjanësve mbi bazë të foljeve me bashkëtingëllore, përkatësisht me fundoren –ur (geg. –un) në pjesore, nuk dalin probleme të theksuara lidhur me përftimin e asnjanësve, nëse çështja shikohet nga këndi i  formimit të modelit fjalëformues, por edhe këtu, veç raportit ndërdialektor del edhe raporti emër i nyjshëm ndaj emrit të prejardhur më –je, ngase dalin ndryshime pikërisht rreth temës përkatëse emërformuese (temë e pjesores së zgjeruar / temë e pjesores së shkurtër), e cila (kjo e fundit) shërben si temë prodhuese. Krahaso: (me) qeshë - të qeshët ndaj me qeshun/qeshur – të qeshurit), (me) folë – të folët  ndaj (me) folun/folur - të folurit etj., megjithatë shembujt e shënuar mund të konsiderohen të mjaftueshëm si trajta përfaqësuese të modelit për formimin e asnjanësve mbi bazën e pjesores së letrarishtes, ndërsa ato me -je mbi bazë të pjesores së shkurtër (mbi bazë të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes).

4. Ia vlen të theksohen rastet e veçanta sinonimike të shënuara në kllapa si: e folur-a (emër nyjshëm femëror) për të folurit dhe dy emrat prejpjesorë pandajshtesorë: sosë-a për të sosurit dhe tekë-a për të tekurit.

5. Edhe për grupin e foljeve më -Oj dhe -UAj  mund të jepen vërejtje specifike. Kështu, ndërsa për foljet më –uaj tri trajtat e shënuara të paguarit (paguaj), të rruarit (rruaj) dhe të shkruarit (shkruaj), si trajta përfaqësuese mjaftojnë për nëntipin a nëngrupin e foljeve të tilla, për foljet më –O/j, tipi më prodhimtar i foljeve të gjuhës shqipe, që sipas rregullit prejpjesori i prejardhur i veprimit merr prapashtesën –IM ose -ESË, katër trajtat e shënuara në atë burim (të dëgjuarit,  të menduarit , të mësuarit dhe të qëlluarit) nuk mjaftojnë as për së afërmi të merren si trajta përfaqësuese për modelin përkatës emërformues mbi këtë bazë, nëse nuk jepen e sqarime e interpretime plotësuese të nevojshme edhe më bindëse, sidomos për këto dy çështje:

E para, nëse mendohet se këto trajta asnjanësish  mbi bazë të foljeve më –Oj: mësoj të mësuarit, dëgjoj të dëgjuarit, mendoj të menduarit dhe qëlloj të qëlluarit, janë aktive në shqipen letrare e të tjerat jo, gabimi është i pafalshëm, ngase bie ndesh me realitetin, sepse mbi këtë bazë, siç u tha më sipër, prodhimtaria del e pakufizuar.

E dyta, nëse mendohet a dikujt i shkon ndërmend se koncepti i asnjanësve si b.f. të shkruarit del i zëvendësuar plotësisht me prejpjesoren sinonimikë më im (shkr-im shkrim) a –esë (shkr-esë shkresë) ose të shkëlqyerit me shkëlqim a shkëlqesë ose me –je shkruar-je shkëlqyerje e ndonjë trajtë tjetër, gabohet edhe më rëndë, ngase bie ndesh po ashtu me realitetin, sepse nocioni i asnjanësit mbi këtë bazë del me nënfushë të veçantë dalluese të përcaktuar semantikisht që ndryshon nga nënfusha që mbulojnë prejpjesorët e prejardhur veprues me prapashtesën –IM ose -JE, e ndonjë tjetër, siç do të argumentohet  në krerët vijues të këtij punimi.           

            6. Rasti të përzierët (përzierje) a do të përthithë apo jo, edhe shembuj të tjerë nga foljet me –ier ose -yer si zier të zierët, lyer të lyerët , kryer të kryerët,  etj, mbetet çështje e hapur. 

            7. Po e theksojmë në fund si pikë të veçantë faktin, ndonëse duket si përsëritje  se lidhur me foljet më –oj ashtu edhe -uaj, ia vlen të vihet në pah e vërteta se emrat sinonimikë, po mbi temë të njëjtë fjalëformuese, të shënuar në kllapa, veç atyre më –IM dalin edhe me prapashtesa a mënyra të tjera, si: për të rruarit del rrojë-a, për të qëlluarit, dalin dy trajta: e qëlluar-a dhe qëlluarje (jo qëllim);  për të dëgjuarit del dëgjesë, për të paguarit: pagesë, ndërsa për të shkruarit veç trajtës shkrim, dalin edhe: shkresë, shkruarje, veçori kjo që do të trajtohet më gjerësisht në  krerët vijues..

 

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora