E enjte, 03.10.2024, 02:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rroba e kuqe - Dom Ndre Zadeja – Në 67-vjetorin e pushkatimit

E shtune, 24.03.2012, 06:05 PM


RUBA E KUQE

- Dom Ndre Zadeja

Në 67-vjetorin e pushkatimit.

(Ripublikim i ndrequn dhe i plotësuem)

 

”Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”

Dom Ndre Zadeja para pushkatimit.

 

NGA DANIEL GÀZULLI

 

Sot ka edhe nga ata që thonë se nuk e njohin Flamurin Kombëtar, nuk ngrihem në kambë për Himnin e Shqipnisë. Ka pasë edhe më 1912 të tillë – ka pasë që donin përsëri gjysëmhanën e jo Shkabën tonë madhështore.

Po për fat të mirë ka pasë shumë e ma shumë, ka përsëri sot e do të ketë në jetë të jetëve, nga ata që kanë qenë e janë përsëri gati të flijohen për “Ruben e kuqe”, Flamurin tonë me shkabë.

 

*

Kanë grì Dom Ndrenë”! … Kanë grì Dom Ndrenë”! …” – kalonte gojë më gojë e vesh më vesh fjala kobzezë. “Kanë grì Dom Ndrenë”!

Ishte mëngjezi i 25 Marsit 1945.

Shkodra ishte tronditë nga themelet.

Kanë grì Dom Ndrenë! … Kanë grì legjendën e kufijve Prekë Calin! … Kanë grì katërmbëdhjetë burra te Muri i Gjakut në Rrëmaji”.

Shqiptarët po faronin shqiptarët, ata ma të mirtë. Po, shqiptarë ishin edhe ata që tërhiqnin çarkun e marrshinkave, por mbas tyne kishte qenë ma parë e gjithmonë një dorë serbi që kishte drejtue gishtin: “Të arrestohet … ! Të pushkatohet …!” Gjithmonë një dorë serbi dhe një verbënì komuniste, që mbasi kishte  përgjakë Jugun gjatë luftës tue vra bijtë e tij ma të mirë, tashti, të pangopun me gjak, ishin lëshue si bishat mbi Veriun: Ishin Brigadat e ndjekjes, komandantat katila, por mbi të gjitha ishin urdhnat që vinin nga Tirana, apo drejtpërdrejt nga Beogradi. I kanë lanë vetë dëshmitë në proçeset gjyqësore që i banë njeni tjetrit ndër vite, kur u hanin kryet shokëve, si hijenat.

Ja çfarë deklaron Koçi Xoxe në gjyq: “Kur ishim në Shkodër, në janar të vitit 1945, shokët Mehmet Shehu, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, etj., ishin në dijeni që për vrasjet pa gjyq e me gjyq, kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant. ...” (Arkivi M. Mbrendëshme, dosja nr. 1623).

Kanë grì Dom Ndre Zadenë që, para skuadrës së pushkatimit, u kishte thanë: “Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”.

Ajo piskamë e pëshpëritun me za të lehtë gojë më gojë e vesh më vesh, “Kanë grì Dom Ndrenë!”, më duket se vjen e mnershme edhe sot e kësaj dite, kur Tirana postkomuniste ban gjithçka me i lanë në harresë ata, Martirët e Kombit.

Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta qysh me 16 gusht 1944 gjatë Meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur iu drejtue besimtarëve:

Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s'keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin."

Nuk do t’ia harronin këto fjalë “komunistët klandestinë” që, qysh gjatë luftës, futeshin kudo lëshohej kushtrimi për tragjedinë që po e priste një popull mbarë.

Me të drejtë historianët vërejnë se nuk asht e lehtë të gjesh një figurë që të jetë vetëm bardh apo vetëm zi. Jam rrekë ndër vite me gjetë për Dom Ndreun: a kishte Ai ndonjë njollë? E sot, mbas shumë vite kërkimesh, mund të përsëris pa frikë se gaboj: Atdhetar i panjollë! Ai që, si pak kush, kishte plotësisht të drejtë të thonte para plutonit të pushkatimit: ”Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”

 

*

Dom Ndre Zadeja leu në Shkodër me 03 Nandor 1891. Shkollimin fillor e të mesëm i mbaroi në qytetin e tij. Në periudhën 1913-1916 studioi në Universitetin e Innsbruck-ut, ku ishin edhe Sirdani, Gàzulli e shumë meshtarë të ardhëshëm, që u dhanë me kohë posaçërisht mbas gjuhësisë, ashtu si do të studjonte atje ma vonë, po për gjuhësi, edhe i madhi Çabej.

Shugurohet meshtar me datë 26 Prill 1916. Ceremonia e rastit u mbajt në Kishën simbol të Shkodrës, aty në kambë të Rozafës së lashtë. Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohun nga populli ma thjeshtë, Zoja e Shkodrës.

Jo se Ai nuk la gjurmë në fushë të meshtarisë; përkundrazi. Ai ishte një ndër oratorët ma të mirë të kohës, e pikërisht oratorisë së tij, që mbahej në gojë prej të gjithëve, do t’i shihte sherrin me 16 Gusht 1944. Përktheu e shkroi edhe verpa origjinale fetare. Prej viteve ’20 e këndej, sot e kësaj dite, besimtarët katolikë luten në vargje të mrekullueshme, të thjeshta e të ambla: pak kush e di se ato lutje-poetike janë të Dom Ndreut.

Por Ai do të hynte në botën kulturore të Shkodrës e të Shqipnisë mbarë veçanarisht si autor i melodramave të para shqiptare, veprave skenike të muzikueme po prej Tij, a në bashkpunim me e Dom Mikel Koliqin, tash së voni, Kardinal Koliqi. Ai shpërtheu me një energji të paimagjineushme në shumë fusha, pse përveç veprave skenike, themeloi e drejtoi bandën muzikore “Bogdani”, botoi artikuj me vlerë në fushë të pedagogjisë, ashtu edhe poezi nga ma të bukurat, sa qysh atëherë u quejt “poeti i ambëlsisë”.

Veprat e Tij kishin taban thellësisht kombtar e në shërbim të nevojave jetike të Atdheut në ata vite. Melodrama “Ora e Shqipnisë” (1919 – vu në skenë në 1920), përveç se mbetet vepra e parë skenike e muzikueme, në kushtet e pushtimit të vendit nga fuqi të ndryshme, por sidomos të pushtimit të Vlonës, u kthye në një himn atdhetaria e proteste. Kur u vu në skenë për herë të parë në Sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian, e protagonsitët këndonin:

 

“Adrijes m’thuej krenare,

Vlona asht tokë Shqiptare” –

 

spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme: “Rroftë Vlona Shqiptare! Rroftë Vlona jonë!”

Suksesi i melodramës, jo vetëm në Shkodër e Tiranë, po veçanarisht në Vlonë, ndezi edhe ma shumë shpirtnat e trazuem të shqiptarëve, që nuk po gjenin paqë as mbas përfundimit të Luftës së Madhe.

Ndërsa jeta e Tij ishte pothuej e heshtun, meshtar diku në një trevë gati të harrueme, në Mal të Jushit, në Bogën e largët, në Shkrel e së fundi në Sheldi, ajo njëherësh ishte e mbushun me prodhimtari artistike kryekëput në shërbim të kombit. Vihen në skenë me radhë melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” kurse “Shpella e Bogdanit” mbet dorëshkrim. Veç poezive aq të ndjeme e një pasunije të tanë në fushën e lutjeve, që na ka lanë, botohen ndër fletore të kohës studime në lamë të edukimit, të folklorit, të psikologjisë e traditave veçanarisht ndër zona pak të prekuna nga kultura orientale, si ishin Alpet tona, ashtu edhe disa polemika, aty edhe me korifejt e kohës.

Asht thanë, e me të drejtë, se Dom Ndreu i ndej larg jetës politike. Kjo vlen vetëm sa i përket vështrimit praktik të saj, por gjithë vepra e Tij rrihte pikërisht në shëndetësimin kombtar në konflikt të mbrendshëm me rrymat postosmane, që fatkeqësisht “lulëzonin” në trojet tona tue gjetë humus të përshtatshëm tek një qeverisje me mendësi shpesh herë edhe ma regresive se “lidhjet e tyne shpirtnore”, Turqia e Ataturkut, që me guxim po shkëputej nga errësina mesjetare.

Edhe marëdhanjet e Tij shoqnore ishin të kufizueme. Kishte ruejtë një rreth të ngushtë miqësh qysh të kohës së studimeve në Austri, si Dom Aleksandër Sirdani, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lazer Shantoja e pak të tjerë.

Kështu, i afrohej messhekullit të jetës, deri sa një ditë ...

 

*

Ishte 8 prilli i vitit 1939. Besimtarët në Sheldi kishin mbushë Kishën si kurrë ndonjëherë.

Një ditë ma parë Italia fashiste kishte pushtue Atdheun tonë.

Kishin mbushë Kishën sepse Ai, po, diçka do të thonte. Ishte e pamundun që Ai të mos thonte diçka në një ditë të zezë si ajo për të gjithë ata që e quenin veten Shqiptarë.

Zani ishte kumbues, edhe pse dukej sikur fliste me vete, ma shumë se me besimtarët vetullkapërthyem.

“E shoh se jeni të pikëlluem. Sot asht ditë zije për ne Shqiptarët. Italia fashiste e pushtoi Atdheun tonë, Shqipninë!”

Besimtarët prisnin që Ai të vazhdonte, të vazhdonte, të vazhdonte, e të shfrente zemrën e plagueme, si të plagueme ishin gjithë zemrat e tyne.

Por jo, Dom Ndreu kishte ulë kryet, dhe një heshtje që dridhëte zemrat, kishte ra në gjithë Kishën.

Mbas pak u dëgjue frymëmarrja e Tij e thellë, një ofshamë, që sikur vinte prej thellësive të shekujve; Ai ngriti kryet ngadalë dhe besimtarët panë t’i rridhnin dy pila lot.

Një fjalë ma shumë do të kishte qenë e tepërt!

 

*

E kujtojnë bashkëkohësit e dëshmojnë se Ai dinte me falë si pakkush. E predikonte faljen kudo nëpër shqiptarë, për fat të keq, jo rrallë në mëni e deri të gatshëm për gjakmarrje barbare.

Por kishte edhe Ai një pikë “të dobët”, nëse mund të quhet kështu. Jo, t’i prekje Atdheun, Kombin, Dom Ndre Zadeja nuk ngurronte “të xhvishte shpatën” e të hynte në dyluftim me fyesin. Një betejë që do të mbetët në histori asht ajo me priftin italian, bukëshkalin At Fulvio Cordignano, që guxoi e përfoli ligsht Kombin tonë. Ai, që për 35 vjet kishte njohë e himnizue mikpritjen shqiptare, kur ia desht puna, sa për interesa të politikës së kohës, pushtuesëve fashistë, aq edhe të fqinjëve tanë të pangopun, sllavëve, pse e dëshmoi haptas tendencën e tij prosllave, pat paturpsinë e volli vner kundër historisë e bujarisë sonë.

Natyrisht, durimi “i tepruem”, si e quen Zadeja, kishte kapërcye çdo kufi:

 

Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja 
durés’ shqiptare, ti qi vuen pa zâ,  
e brén pa u ndî, e kjân pa ankim, .....

 

Pse nuk kishte si të durohej “përjargja” e Cordignano-s, që donte me “zhigatë fytyren” tonë iliro shiptare:

 

Perjârgë a pênda e jote, Cordignano!
Me dâng’ të zez’ ti ja zhigate ftyrën 
vedit e né. Por nuk jan’ dokrrat tua 
qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin! 

Sepse:

 

Harrohet 
e s’harrohet çdo dhûn’ mbi tok’, por ndéri 
për komb asht shêjt, si shêjt asht gjaku i dêrdhun 
për Atmë e Fé.

Letra-poemë drejtue meshtarit italian, simbas disa studjuesëve, asht një ndër dy-tri letrat ma të famëshme polemike, nëse mund të quhet polemikë mbrojtja e nderit të Atdheut. Ajo asht një poemë e mirëfilltë historike e filozofike, estetikisht ndër ma të bukurat në gjuhën shqipe, që në llojin e saj konsiderohet një perlë edhe në letërsinë botnore, e që do të trondiste mjediset kulturore e politike të kohës: Nuk tërhiqej jo, Dom Ndre Zadeja, kur fjala ishte me mbrojtë nderin e Shqiptarisë!

 

*

Reja e zezë me ideologji të kuqe, që Dom Ndre Zadeja kishte paralajmrue me 16 gusht 1944, u zbraz gjamshëm mbi shqiptarë. Veçanarisht ajo u zbraz me gjithë egërsinë e shëmtimin e saj mbi klerin katolik, tue fillue qysh në mes të janarit 1945 me arrestimin e At Dioniz Makës e të At Gegë Lumës.

Pak ditë ma vonë, me 26 janar 1945, do të arrestohej në Sheldi Dom Lazër Shantoja, që ishte strehue tek Kolë Sheldija, një mik i veti, që u arrestue edhe ai, bashkë me Shantojën.

Të ndalemi  pak, për një homazh të merituem, tek ky martir pothuej i harruem prej të gjithëve.

Kolë Sheldija e kishte pasë emnin Nuri, një jetim kolonjar. I vetëm, i mbetun në mëshirë të fatit ma barbar, endej nga një cep i Shqipnisë në tjetrin, qysh fëmijë, në kërkim të një kafshate bukë. E strehoi Dom Lazër Shantoja, me të cilin jetoi shtatëmbëdhjetë vjet. Ma vonë, në vitin 1937, kolonjari i mirë u kthye në besimin katolik, edhe pse do të martohej me një vajzë vendase, prej Sheldije. Me atë rast mori emnin Kolë e mbiemnin Sheldija.

Mbas tri ditësh i bahet gjyqi. Vendimi: Dënim me vdekje. Motivi: Kishte strehue Dom Lazër Shantojën.

O Zot! Si mund të pushkatohet njeriu i mirë Nuri Kolonjari – Kolë Sheldija pse kishte strehue në shtëpi bamirësin e tij?!

Po tragjedia e tij nuk mbaron këtu.

E pushkatojnë me 02 shkurt 1945. Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Ushtarake në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “...I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”.

Gjykata e Naltë Ushtarake në Tiranë, me shkresë nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës, se kishte marrë në shqyrtim aktet e të pandehunit Kolë Sheldija, i cili ishte dënue me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945.

Pushkatimi i tij miratohet 26 ditë mbas egzekutimit!

Jo, ka çaste kur nuk mundesh me thanë “Zot, fali, se nuk dijnë çka bajnë"!

Në paqë t’u preftë shpirti, Kolë a Nuri qofsh, ty kolonjar i mirë, që të moren jetën pse ishe NJERI!

Po me 2 shkurt 1945, atë ditë që kishin pushkatue Kolën e shkretë, në Sheldi aksioni i grumbullimit të armëve fillon me pushkatimin e fshatarit “të pabindur” Tomë Marku. Ndërsa Dom Ndre Zadeja, i thirrun edhe Ai në atë mbledhje, afrohet t’i bajë shartet e fundit viktimës, forcat e ndjekjes i venë hekurat në duer.

Kalvari i Tij kujtohej kështu nga Kardinal Koliqi, që kishte qenë në burg me Të në ato pak ditë para pushkatimit: “Nuk besoj të ketë provue kush torturat që i banë Dom Ndre Zadejës”.

Po torturat do të ishin të pakursyeme për 30 vjet e ma rresht, aq sa, vetë prokurori Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koçi Xoxes, shprehet: “Arti i vërtetë i torturimeve ia kalonte atyre të nazifashistëve”.

 

*

Ka një vendim të Gjykatës Ushtarake të Korpusit të Armatës III me qendër në Shkodër sikur me datë 16.02.1945 të jetë mbajtë edhe gjyqi i Dom Ndre Zadejës, por shumëkush asht i mendimit se ai asht falls, i hartuem ma vonë, ashtu si edhe vendimi i Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë datë 28.02.1945, që dënojnë Dom Ndre Zadejën me vdekje, me pushkatim. Bashkëkohës e studjues janë të mendimi se atij nuk iu zhvillue kurrë një gjyq, deri sa …

Mëngjezin e 25 marsit 1945, ende natë, një kamion i zhurmshëm dilte prej Burgut të Madh e përshkonte mes për mes qytetin drejt Murit të Gjakut, mbas Vorrezave të Rrëmajit.

Në atë kamion, atë prag agimi të kobshëm, ishin 14 burra: e në mes tyne Dom Ndre Zadeja, kreshniku i maleve Prek Cali, sidhe Luigj Kastrati, Ndok Bardhoku, Ndrekë  Loka, Arif Hyseni, Dedë Lulash Smajli, Gjok Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Daka, Maliq Bajrami, Gjokë Voci, Pjetër Gjedashi.

Le t’iu kujtojmë emnat të gjithëve me nderim.

Vrasësit u treguen “të mëshirshëm”. Mbasi i pushkatuen të katërmbëdhjetë atdhetarët aty mbështetë tek Muri i Gjakut, lejuen që t’ia merrnini trupin vetëm Don Ndreut e ta varrosnin mbranda Vorreve të Rrëmajit. Dom Tomë Lacaj, që ishte thirrë për shërbesat e fundit, e mori në sup, e krejtësisht i përgjakun edhe ai, e çoi mbrenda Vorrezave, ku e prisnin punëtori i vorrezave dhe seminaristi Mark Çuni, ky pionier i demokracisë, që do të pushkatohej po aty në nandor 1946. Si e vendosën në një arkivol të përgatitun me shpejtësi prej marangozit Tomë Pici, Mark Çuni nxori prej krahnorit Flamurin Kombtar (“Ruben e kuqe“) dhe ia vuni përspër. Vorrimin e shoqnuen krisma marrshinkash që vazhdonin të “këndonin” për fitoren mbi “armiqtë”, sa zgjuen të shokuem popullin e Shkodrës mbarë.

Terrori sa kishte fillue.

Kështu u sos një jetë e panjollë, ajo e Bilbilit të Shkodrës, Dom Ndre Zadeja, që, tue perifrazue At Fishtën, i drejtohemi:

 

“T’janë sosë fjalët e ambla e plot urtì,

E ai za t’asht këputë, i cili binte n’zemër

Si kumbë lire e tingllueshme, që prej s’largu

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme”

 

Po Dom Ndreu do të vazhdojë t’i ligjërojë Kombit të tij.

 

*

Në shkrime e studime për martirët, që u mbytën nën mëninë komuniste në vitet ’40-70, kam ndeshë shpesh cilësorin “i pafajshëm”.

Po Dom Ndre Zadeja, a ishte i pafajshëm?

Jo, Ai ishte fajtor!

Fajtor, se e desht Shqipninë deri në flijim, e me dashtë ashtu Atdheun, pat thanë Fishta në vdekje të Fatosit të Kombit Avni Rrustemi: “Fatzeza, moj Shqipni! Po ishte faj me të dashtë ty!”

Fajtor, pse nuk u pajtue kurrë me xhahilët që mbajtën nën zap Shqipninë kur ajo kishte aq shumë nevojë për liri të vërtetë e përparim!

Fajtor, sepse qau e shau kur fashizmi shkeli tokën arbnore!

Fajtor, sepse nuk dijti me falë ata që i fyen kombin!

Fajtor, se paralajmroi ardhjen e kolerës së kuqe sllavo-komuniste  qysh në verë 1942 e të gjitha rrjedhojat e tij tragjike!

Fajtor, se të deshti ty si pak kush, Flamur Kuq e Zi!

Ai ishte fajtor e fajtor mbet: Kush kujtohet për Martirët në këtë Vend?!

Po do të vijë, po, do të vijë një ditë e Ai do të marrë pafajsinë e shejtë të ATDHETARIT e të MESHTARIT, që i ban nder flijimi!

 

Këshillime:

At Konrad Gjolaj : Çinarët, 1996

Fejzi Gushta : Tri sfidat e Dom Ndre Zadesë

Fritz Radovani : Një monument nën dhé, 2004

Lec Zadeja : Dom Ndre Zadeja, 1994

Dr. Pjeter Pepa : Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, 2007



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora