Kulturë
Flasin “Artist i Popullit”, Robert Ndrenika dhe regjisori Spiro Duni
E premte, 23.03.2012, 08:39 PM
“Doktor Shuster” një dramë që përcjell realitetin shqiptar
“Doktor Shuster” nga Dushan Kovaçeviç
regjisor Spiro Duni
interpretojnë
ROBERT NDRENIKA
ARTAN IMAMI
HOLTA GIXHARI
FLAURA KURETA
MIR SINA
Piktore dhe grimiere: Bebeka Alla
Nga Albert ZHOLI
“Doktor Shuster” është një komedi trishtuese, që përmes karaktereve të saj qendrorë, kryesisht sklerotikë (vëlla e motër), përcjell tipare të kohës së saj. Të veçuar këta njerëz janë sa përfaqësues të një kategorie morali që nuk ekziston më, po aq edhe tipa që mbështesin një mentalitet të ri, të bazuar mbi dhunën dhe kriminalitetin.
Doktori është një mjek i diplomuar në Vjenë, një kirurg i shkëlqyer, i aftë në profesion, por në të njëjtën kohë ai zotëron një tjetër mjeshtëri. Jeton me të bijën që ka vendosur të martohet, pasi me të janë dashuruar një këngëtar opere si dhe një funksionar policie, që i shtyrë nga i vëllai (memec) një kriminel, implikohet edhe vetë në veprimet e tyre për t’i ndihmuar ata. Dy linjat e dashurisë, vëlla- motër (doktori me të motrën Divna) dhe tjetra, ndryshojnë pasi e dyta është ngritur mbi vepra të krimit. Drama zbulon thellësitë e skajshme të marrëdhënieve njerëzore në terrenin e krimit, të ndërvarura nga ndikimi i mafies, sikurse edhe paraqet jetën dhe mospërmbushjen e ëndrrave të personazheve kryesorë. U ndodha në provat gjenerale të kësaj drame dhe u impresionova me lojën e aktorëve dhe pas saj zhvillova këtë bisedë:
Robert Ndrenika
Kur ju besua roli i Doktor Shusterit, pranuat menjëherë?
Me këtë dramë kam rënë në kontakt para disa vitesh që kur e ka përkthyer aktori i mirënjohur Timo Flloko. Pra, kishte disa vite që kjo dramë ishte para syve të mi. Kur ma dha Timua e lexova menjëherë pastaj e rilexova disa herë. Roli i doktorit më tërhoqi shumë. Ishte një rol me të gjitha plotësimet e mundshme, që mund të ketë një personazh kryesor drame. E them këtë pasi, tek ky personazh ka elementë sa dramatikë po aq dhe komik. Dhe të jenë brenda personazhit të dy këta elementë nuk është gjë e lehtë. Kjo dramë vjen nga një dramaturg me emër, ku ndihet më së miri pena e një dramaturgu me peshë dhe mjaft i spikatur. Por jo vetëm roli doktorit, por të gjitha personazhet janë të skalitur në këtë vepër. Ata janë harmonizuar dhe plotësojnë njëri -tjetrin. Që atëherë unë jetoja me rolin e doktorit dhe pritej një kohë e artë që të vihej në skenë. Dhe kjo kohë e artë erdhi. Ishte pikërisht regjisori i talentuar Spiro Duni, i cili ma afroi rolin. E pranova me dëshirë të madhe, pasi kisha një periudhë që isha shkëputur nga teatri. Me thënë të drejtën tek doktori është një pjesë e jetës sime, por dhe një pjesë e të gjithë intelektualëve në ish- vendet komuniste pas përmbysjes së komunizmit.
Do të thoni se, kjo dramë ka gjëra të përbashkëta me realitetin shqiptar?
Mendoj se është shumë afër këtij realiteti, madje ndonjëherë të shkon ndërmend se këtë dramë mund ta ketë shkruar një autor shqiptar. Kjo mos të duket e pabesueshme. Ju e patë vetë shfaqjen dhe besoj se e ndjetë këtë realitet në të gjitha dimensionet jetësore. Shumë intelektualë shqiptarë e kanë ndjerë nga afër apo e kanë vuajtur mospërfilljen e shtetit, dhimbjen e fukarallëkut, apo nënvleftësimin, ku mafia mundohet të depërtojë në jetën e qetë të njerëzve të ndershëm.
Ku qëndron merita e aktorit në këtë personazh?
Tek ajo që unë jam munduar që ta afroj personazhin në realitetin shqiptar. Pra, të bëj atë që spektatori të kuptojë apo të mendojë se doktori i dramës Shuster mund të jetë edhe një doktor shqiptar që është në moshë të thyer apo është në pension. Jam munduar të jap shumë nga vetja ime në këtë rol. Por dihet që fjalën e fundit e thotë spektatori. Pra, në këtë dramë vlon jeta me të mirat dhe të këqijat e saj,sa ndonjëherë, njeriu ndodhet para të papriturave dhe s’di të gjejë rrugën e duhur në jetë, pasi askush se di se çfarë fshihet pas një bamirësie, apo një buzëqeshje false.
Si është punuar me këtë dramë?
Është punuar në grup dhe me përgjegjësi. Kemi ndihmuar njeri -tjetrin dhe mund të them se, ja kemi arritur qëllimit.
Cili është mendimi juaj për shkollën shqiptare të aktrimit?
Shkolla jonë e Stanislavskit është një shkollë plot ngjyrë që ka nxjerrë nga auditorët e saj aktorë shumë të mirë. Unë dua të rendis shumë prej tyre, por për korrektesë them janë shumë. Edhe sot, kjo shkollë megjithë mungesat po nxjerr aktorë të përgatitur.
A ndihet i vlerësuar sot aktori shqiptar?
A ndihet. Hëm!..S’di ç’të them, por dua të përmend se artistët janë memoria e gjallë e një kombi, janë ndërgjegjja e tij. Në Evropë në radhë të parë shkohet me art. Arti i bashkon kombet dhe nxjerr në pah thesaret e kulturës së një kombi të një populli. Mendoj se duhet bërë më shumë për ta.
Si do ta përcaktonit rolin e doktor Shuster?
Një rol që më ka bërë për vete dhe jo vetëm si një rol më tepër në fondin tim, por si një rol me karakteristika që hyn në rolet më të mira të mia. Më vjen mirë që doktori në këtë pjesë jam unë dhe mund të krenohem me një rol të bukur më tepër në jetën time artistike.
Artisti sot, është mes halleve të atyre halleve që ka dhe populli në tërësi?
Aktorët janë pjesë e këtij populli që jo vetëm çojnë në skenë problemet e kohës, por kanë të njëjtat probleme. Veç kësaj, një aktor n.q.s ndahet nga jeta e popullit kthehet në një aktor pa jetë, shterpëzon.
Spiro Duni (regjisor)
Cila ishte shtysa që e vutë këtë dramë në skenë?
Kjo dramë më ka rënë në dorë para një viti. Ishte miku im dhe aktori i talentuar që ma bëri presente. Pra, Flloko e kishte përkthyer nga origjinali këtë dramë dhe kur e lexova u befasova. Menjëherë i thashë Fllokos se, n.q.s do të vë në skenë një dramë do të jetë pikërisht “Doktor Shuster”. Kjo për arsye se drama më rrëmbeu. Pas “Shtrigat e Salemit”, kjo është drama e parë që vë në skenë pasi pashë një dramaturg të shkëlqyer një përkthim të shkëlqyer ndaj vendosa të çoj në skenë këtë vepër. Kjo ishte shtysa e parë ndërsa e dyta ishte problematika që ngre kjo dramë kaq e komplikuar, por dhe kaq e bukur. Në dukje kjo dramë duket e lehtë, delikate, me njerës të sklerorizuar, gjysmë aluçinant, por aty ka shumë metaforë dhe ishin këto metafora, që më dhanë një ndjenjë të veçantë për ta realizuar. P.sh, sa bukur është realizuar nga autori ky mjek që në vitet postkomuniste është katandisur si një leckë, i hedhur në rrugë nga spitali që ka punuar shumë vite. Ky njeri thotë me një metaforë të fuqishme: “Ku është kjo luftë vallë?”, pra, lufta për mbijetesë dhe zhvlerësim të vlerës dhe përballë vë Vjenën një kryeqytet që kudo merr përmasa krahasuese, një kryeqytet, ku vlerat e njeriut respektohen dhe marrin notat e duhura. Ndryshe ndodh në Europën Lindore postkomuniste, atë që shohim tek nënat, baballarët, vëllezërit tanë, tek vetja jonë, ku njeriu, vlerat e individit nëpërkëmben. Plus tjetra, që më rrëmbeu në këtë dramë është ajo që ngjet dhe në Shqipëri, në shumë raste komandën e bën krimi. Kjo vepër sa është e një autori serb po kaq është e një realiteti shqiptar.
A e patët të vështirë zgjedhjen e aktorëve?
Regjisori është si një trajner që do të gjejë lojtarët më të mirë. Pra, kush do të jetë regjisori i brendshëm i ndeshjes (këtu i dramës). Fati e deshi që Robert Ndrenika, i cili e njihte veprën e pranoi me kënaqësi dhe me dashamirësi rolin. Ai më tha që më rri mirë ky personazh, më pëlqen. Ishte një kostum i prerë enkas për të ky personazh. Ky ishte sensacioni i parë për mua. Është hera e katër, që unë bashkëpunoj me Ndrenikën dhe unë i dua dhe i vlerësoj shumë ikonat e aktrimit shqiptar dhe për fatin tonë të keq kemi pak tani. Mendoj dhe, unë gjej rastin që sa herë ka role delikate gjej mundësinë t’i vetësoj këto ikona sa të jenë gjallë. Pas Ndrenikës aktorët e tjerë ishin pak më të lehtë për të ndërtuar një ekip solid. Roli i Divnës ishte pak i veçantë që aktorja Flaura Kureta e realizoi shumë mirë duke pasur parasysh se u mundova të nxjerrë një tjetër personazh nga ai i autorit të veprës, pasi Divna jeton dy realitete në përkushtimin e saj ndaj vëllait dhe Divna tjetër që ende dashuron burrin e vdekur. Pra, dy Divna me ndjesi të ndryshme. Por edhe roli i këngëtarit operistik nuk është i lehtë, pasi është një rol sa me humor, por që gjendet në situata të vështira.
Është e vështirë sot të jesh regjisor?
Është shumë e vështirë. Shpesh u them miqve të ngushtë se dua të rri në Dhërmi, në vendin e origjinës, të fle aty, të jetoj aty, të mbjell domate me nënën time, por pastaj them se ofiçina e regjisorit është vetëm në Tiranë. Pra, duhet të vish në këtë ofiçinë që të bësh atë që ke në mëndje dhe brenda kësaj ofiçine duhet të punosh gjithë jetën me të mirat dhe me të këqijat e saj. Regjisura është gjeja më e shtrenjtë që kam në jetë dhe për vështirësitë nuk dua të flas më gjatë (loton).