Kulturë
Demir Krasniqi: Këngë bullash nga Malësia e Gollakut
E enjte, 22.03.2012, 09:03 PM
Nga folklori ynë:
KËNGË BULLASH NGA MALËSIA E GOLLAKUT
Shkruan: Demir KRASNIQI
Këngët e bullave janë cikël i veçantë i lirikës popullore të grave në dasmat e Malësisë së Gollakut . Ato janë krijua spontanisht dhe janë këndua aty për aty , në bazë të momenteve dhe rrethanave të ndryshme , nëpër dasmat e ndryshme , nga ana e femrave (vajzave dhe grave ) të talentuara për krijimtari dhe të prirura për këndim.
I tërë ky bagazh i këngëve të secilit cikël të këngëve popullore dasmore , është krijuar dhe kultivuar nga femrat analfabete të cilat nuk kanë ditur as shkrim, as lexim , por që në brendinë e tyre fshihen vlera të larta artistike me dimensione gjithëpërfshirëse nga zakonet , traditat dhe trashëgimia jonë kulturore e kombëtare .
Në Malësinë e Gollakut , “Bulla” quhen gratë e qerres së nuses, apo krushkat , të cilat shkojnë së bashku me krushqit për rrugë deri te shtëpia e familjes së nuses për ta marrë nusen . Ndërsa “Bullan” quhet djali i ri i qerres së nuses , i cili shkon për ta marrë nusen bashkë me bullat e qerres .
Varësisht prej kushteve të udhëtimit dhe terreneve ku do të mirrej nusja , në kohërat kur nuk kishte rrugë të përshtatshme dhe nusja merrej me qerre të qejve , apo të kuajve – bulla nuk mund të shkonin shumë gra , por zakonisht shkonte një grua paksa më e moshuar (zakonisht halla e dhëndrit) , një nuse e re (qoftë ndonjë motër e dhëndrit , apo kunatë) dhe një djalë i ri 12- 13 vjeçarë . Gruaja e moshuar zgjidhej në mesin e grave me më përvojë e cila duhej të ishte e gjindshme dhe e mençur për t’i përballuar situatave të ndryshme . Nusja e re, apo bija e shtëpisë përzgjidhej për “bullë” me qëllim që t’i del në ndihmë gjatë rrugëtimit – nuses , por edhe ajo duhej të ishte e mençur dhe e gjindshme për t’i tejkaluar situatat e ndryshme gjatë rrugës dhe gjatë qëndrimit të tyre në familjen e nuses . Djali i ri (bullani) merrej në qerrën e nuses me qëllim që nusja me ardhjen e saj në familjen e burrit , të lind sa më shumë djemë !
Në kohërat moderne , kur u krijuan kushte më të mira, u ndërtuan rrugët dhe nuset filluan të merren me mjete të motorizuara : vetura, minibusa, autobusa ...raportet e shkuarjes së bullave ndryshuan rrënjësisht , nga se tani u krijuan kushte për të shkuar krushka (bulla) kush të duan dhe sa të duan .
Vlenë për t’u shpjeguar se këngë të bullave këndohen nga të dy anët e dasmës, si nga gratë e dasmës së djalit, po ashtu edhe nga gratë e dasmës së vajzës, apo përcjellëset e nuses .
Në vazhdim të këtij studimi , përveç që do t’iu sjellim një numër të konsiderueshëm të këngëve të bullave , do të mundohemi që t’i komentojmë secilën prej tyre veç e veç, me qëllim që t’ua sqarojmë se çfarë pasqyrojnë këngët e këtij cikli.
Kënga e parë me të cilën po fillojmë këtë studim – analizë, këndohet nga këngëtoret mikpritëse në familjen e vajzës e cila do të shkojë nuse . Pra, që nga momenti i hyrjes së bullave brenda shtëpisë së vajzës e cila do të merret për nuse , këngëtoret do të iu drejtohen bullave të qerres së nuses (mikeshave) përmes vargjeve të këngës e cila trajton familjen e vajzës si një familje zotërinjsh dhe shtëpinë e vajzës si një pallat të bardhë . Ato i këshillojnë bullat (mikeshat) që t’i heqin mantilat dhe të ndihen të lira sikur në shtpitë e tyre . Pastaj , do të vazhdojnë që t’i këndojnë bullat secilën me rend duke ua përshkruar edhe karakterin e tyre momental, siç janë momentet kur bullat flasin shumë, bullat që i kanë dhëmbët e shpeshë dhe rrinë vetëm duke qeshur ...etj. Në rastet kur bullat janë vonuar me ardhjen e tyre , këngëtoret do t’i këndojnë përmes satirës , se gjoja , ato janë vonuar gjatë rrugës duke ua harrnuar rrobat krushqëve . Pastaj nuk do ta lëshojnë lehtë edhe vjehrrën e nuses (Lules) , duke e satirizua atë si grua varfanjake me këmishë të harrnuar dhe gatesën e saj e cila i ka qitur pitet me thana e me dushk :
A PE DINI KU JINI HI
A pe dini ku jini hi ?
N’saraj t’bardhë te ni zotni!
Hiqni mantat – virrni n’çivija,
Rrini shlirë sikur te shpija!
Çilni dyer, çilni prezore –
Janë ardhë bullat llafatore!
Ori bulla, dhamtë e shpeshë –
Hije t’paska kah po keshë!
Çka kan bullat qi janë vanue?
Janë metë krushqit tu’ i harrnue!
Vjehrra e Lulës – kmishën me harrna,
I ka qitë pitet me thana!
Vjehrra e Lulës, ish metë vejushkë,
I ka qitë pitet me dushk!
Këngëtoret do t’i përcjellin bullat në çdo çast se si po silen, si po bisedojnë, ku po ulen dhe si po veprojnë . Kështu, për bullën e cila është ulur afër dollapit, do ta këndojnë se gjoja asaj i paska rënë sarillaku (verdhëza), kurse vajzën bullë e cila fryhet duke i ngritur vetullat përpjetë , do ta urojnë që ajo t’i hajë petullat me vëllaun e tyre , pra që të martohet me te :
ANI MORI BULLA TE DOLLAPI
Ani, mori bulla, te dollapi –
Ani, t’paska ra ty, sarillaki!
Ani, moj ti çikë, qi po i çon vetllat –
Ani, me vlla tem, ti i hangsh petllat!
Në rastet kur në mesin e bullava do të gjenden edhe ca vajza, atëherë ato do të lavdërohen si vajza të bukura me të cilat I paska hijeshua qerret . Po qe se motra e dhëndrit – bulla do të jetë e bukur , atëherë këngëtoret do ta këndojnë se po qe se edhe dhëndri është i bukur si e motra , nuk do të iu dhimbset shoqja që po e përcjellin për nuse ! Në rastet , kur nuses i është dërguar sasi e vogël ari , ato do t’ua bëjnë me dije bullave se përse ka qajtur motra e tyre qe tri dtë rresht, nga se po i sillet vetëm një lirë (dukat) nën fyt:
BOLL MIRË PASKI DITË
Boll mirë paski ditë, boll mirë paski punue –
Me kto vajza t’bukra, e paski hjeshue!
Si n’koftë djali, sikur motra –
Neve hiq, s’po na dhimet shoqja!
Ka kajtë Lula, qe tri ditë –
Qysh po i sillet lira nër fyt!
Në rastet kur bullat flasin shumë, ato do të satirizohen përmes këngës si llafatore të cilat mund të dëgjohen edhe në mal ku janë duke pritur dasmorët :
ÇILNI DYER,ÇILNI PREZORE
Çilni dyer, çilni prezore –
Janë ardhë bullat llafatore!
Folni bulla ma kadal –
Se po u niejnë krushqit në mal!
Në raste të rralla , përmes këngëve do të lavdërohen edhe qerret e nuses , të cilat i ka dërgua vjehrri i nuses , por edhe bullat e atyre qerreve të cilat përshkruhen si bulla të shpijanikut, të cilat kanë ardhur në shtëpinë e zotërinjve për të marrë nuse :
ÇILNI,ÇILNI DYERT E OBORRIT
Çilni, çilni dyert e oborrit –
Hinen kerret e Arif sokolit!
Hajde, hajde, kini ku me hi –
Në shpinë tonë ka gjinë zotni!
Dihen bullat e shpijanikit –
Ju kallxojnë lirat e fytit!
Në rastet , kur ndonjëra prej bullave të qerres duke hyrë në oborrin e familjes së nuses , habitet dhe e kthen kokën mbrapa , ajo do të satirizohet përmes këngës, se gjoja e ka harruar plafin të cilin e ka sjellë me veti për t’u ulur në te .Pastaj, këngëtoret përmes këngës satirike do ta pyesin njërën prej bullave se çka kanë pre për darsëm në shtëpinë e dhëndrit dhe po ato ia japin edhe përgjigjen se gjoja ata e kanë pre një zog gomari dhe një qen plak :
ÇKA E KTHEVE BULLË,KRYET PËRMAS
Çka e ktheve bullë, kryet përmas?
E harrove plafin e u bane gaz!
Ori bullë, dojmë me t’përbe –
Për kit darsum çka kini pre?
-E kem pre ni zog t’magarit,
Nuk i del as kangatarit!
Ori bullë, dojmë me t’përbe –
Për kit darsum çka kini pre?
-E kem pre soll ni qen-plak –
E kem zie me kazan n’kajmak!
Po qe se ndonjëra prej bullave nuk rrinë ulur e qetë, por që lëvizë shumë nga vendi, këngëtoret do ta krahasojnë me një pulë e cila kërkon furrigun për të çelur zogjë , kurse vajzën – bullë qafëbardhë do ta ndalin nuse për një djalë . Po qe se kanë ardhur shumë vajza – bulla , atëherë ato do të këndohen përmes satirës se gjoja do t’i ndalin nuse për djemtë e familjes së nuses :
ÇKA KA BULLA QI LIVRITË
Çka ka bulla, qi livritë?
Lypë furrigun me ja qitë!
Merre e qitja ni grusht kashtë,
Nashta i çelë nizetegjashtë!
Oj, ti çikë, qafën e bardhë,
Për ni djalë, po dojmë me t’nalë!
Krejt kto çika, çka janë ardhë –
Për djemë tonë, dojna me i nalë!
Për bullat të cilat nuk rrinë serioze dhe të qeta gjatë kohës sa presin për ta marrë nusen, këngëtoret nuk do të zgjedhin mjete , as figura për t’i thumbuar ato në mënyrat më banale, si që përshkruhet në shembullin vijues :
ÇKA KA BULLA QI PO LIVRITË
Çka ka dhija (bulla) qi po livritë?
Pe lypë Sjapin, me e përçitë!
Ky Ilazi – koxhabash,
Lakna e çaj – kaçanin përmas!
Çka ka bulla, shkelma qi çet?
Do t’ja shtimë ni shul nërmjet!
As vajzat të cilat do të shkojnë bulla për ta marrë nusen , nuk do të shpëtojnë lehtë pa u thumbua përmes këngëve satirike :
ÇKA KE LYPË ÇIKË N’KERR ME HI
Çka ke lypë, çikë, n’kerr me hi?
Pa u ba nuse, pa u ba bi!
Pa i ngjye faqet – hajmali!
Pa u ngjitë buzëve – kalemli?!
Qysh do që të rrinë dhe qysh do që të sillen bullat gjatë pritjes për marrjen e nuses , nuk do të shpëtojnë pa u thumbua përmes këngëve satirike . Kështu ndodhë edhe me bullën e cila rrinë ulur në një gju , me bullën që rrinë ulur gërmucë , me bullën e cila nuk e pi kafen dhe me bullën e cila nuk e pi çajin:
ÇKA PO RRIN BULLË NË NI GU
Çka po rrin, bullë, në ni gu –
Sikur sorra përmi hu?!
Çka po rrin, bulla, gërrmucë –
Sikur kudra, kur rrin galucë?!
Çka ka bulla, kafen s’pe pi –
Po i livritë sytë si rraspi!
Çka ka bulla, qi s’pe pin çajin –
E ka marrë malli me pa jaranin!
Në qendër të vëmendjes së këngëtoreve gjatë pritjes së bullave , do të jetë mendjemadhësia e tyre para mikpritëseve . Ja një shembull kur bullat i mbajnë faculetat te goja dhe ky gjest menjëherë do të bëhet objekt këngës . Por, nuk i harrojnë as thash e thëmet të cilat në vazhdimësi janë bërë në dëm të dhëndrit për të cilin propogandonin se është i zi. Këtë propogandim dhe shpifje , këngëtoret do ta arsyetojnë se njerëzit për t’u nxirë me qëllim shkojnë në det për t’u rrezitur :
ÇKA PO I MANI MINDILAT TE GOJA
Çka po i mani mindilat te goja –
A po kujtoni si jini zoja?!
Ka kajtë çika me mërzi –
Se i kan thanë – asht burri i zi!
N’koftë i zi, nuk asht dert –
Po shkojnë n’deti veç për çef!
Këngën vijuese , ua këndojnë bullave të kerrit të nuses , këngëtoret nga familja e djalit që do të martohet, duke i porositur ato që të mos e pinë çajin e gabelit, me çka aludojnë tek baba i nuses , gjatë pritjes së tyre , por ta marrin nusen dhe të ikin nga aty sa më shpejt :
HAJDI, HAJDI BULLAT E KERRIT
Hajdi, hajdi bullat e kerrit,
Mos i pini çajat e gabelit!
Mos i pini – leni në dollap,
Merrne Lulën, turr e vrap!
Lula e jonë, kujna i ke ga?
Vllavit tem, adeta!
Vllavit tem i paske ga –
Si me kan motër e vlla!
Këngëtoret të cilat këndojnë gjatë pritjes së bullave në shtëpinë e vajzës e cila do të shkojë nuse , nga mllefi që po ua marrin motrën dhe shoqën, në momentin kur vërejnë se dikush nga bullat është djersitur , do t’i thumbojnë përmes këngës satirike , duke i përshkruar ato si lypsare të stolive të huaja me të cilat kanë ardhur për ta marrë nusen . Kerrin e nuses e krahasojnë si koçak pulash, kurse bullat të cilat zbresin prej tij, krahasohen me çypa e kënata, me rrospia , me çupina dhe bullani do të krahasohet me ganxerr :
JENI NDJERSË JENI BA UJË
Jeni ndjersë, jeni ba ujë,
Tuj i lypë dukatët e hujë!
Kthene bigën prej sokakut –
Le t’zhdrypin pulat prej koçakut!
Koka kerri me kanata –
Koka mushë me çypa e knata!
Koka kerri me baskija –
Koka mushë plot me rraspija!
Koka kerri me pallzina –
Koka mushë plot me çupina!
Koka kerri për beter –
Plot çupina e ni ganxerr!
Edhe në këngën vijuese , do të thumbohet kerri i nuses, të cilin mezi e kanë goditur me gozhda (baskija) dhe të cilin e kanë mbushur plot me rrospia (lavire) , të cilat madje I krahasojnë edhe me kamariere (konobarica), gabelica dhe si femra të luajtura mendësh :
KOKA KERRI ME BASKIJA
Koka kerri me baskija –
Koka mushë plot me rraspija!
Koka kerri me do spica –
Koka mushë konobarica!
Koka kerri me gobele –
Koka mushë plot me gabele!
Koka kerri me kanata –
Kokan bullat t’hallakatta!
Në rastet kur për ta marrë nusen do të shkojnë më shumë bulla, këtë akt , këngëtoret e familjes së vajzës e cila shkon nuse , do ta këndojnë duke e hipërbolizuar edhe më shumë numrin e tyre dhe duke i ironizuar se ato nuk e paskan lënë askënd te shtëpia , përveç nënës dhe dhëndrit :
KOKI ARDHË NIZETETETË
Koki ardhë nizetetetë –
Kush te shpija nuk koka metë!
Koki ardhë nizetenandë –
Kan te shpija se paski lanë!
Kan te shpija se paski lanë,
Veç qatë dhanërr, me ni nanë!
Në disa raste , bullat e kerrit të nuses quhen edhe “jenxhike”. Në këngën vijuese, jenxhiket (bullat) do të këndohen si çobanka të lopëve , të cilat paska ardhur për ta marrë nusen pa i krehur flokët fare, nga se nuk paskan pasur krahër të flokëve, madje nuk i paskan larë as sytë e faqet :
KTO JENXHIKET TONA
Kto jenxhiket tona –
Kokan kan me lopë;
S’paskan pasun krahën,
T’shkretat me i krehë flokët!
Oj jenxhike, vajzë e re –
Sytë pa la e flokët pa krehë!
Në momentin kur kerri i nuses arrinë në oborrin e shtëpisë së dasmorit , dalja e bullave dhe zbritja e nuses prej kerrit , këndohet kështu :
KUR BJEN SHI QYSH DALIN LULAT
Kur bjen shi, qysh dalin lulat –
Qashtu dalin pej kerrit bullat!
Kur bjen shi,qysh del ylberi-
Qashtu zhdrypë nusja pej kerri!
Se si thumbohen të gjitha bullat e kerrit rend me rend përmes figurave dhe krahasimeve më satirike , do të mësoni në këngën vijuese , ku fillohet prej bullës më të vjetër , vajza me kurdel t’ mavihtë, babai i dhëndrit i cili përshkruhet si njeri koprrac , bullani i cili do të tregojë se çfarë shtaze kanë pre për dasmë, vajza me flokë si vllaça që shkon me rrugaça , fryerjen e saj me unazë të arit, e ironizojnë buzëqeshjen e saj … Ndërsa vajzën e veshur me fustan të gjatë do ta lavdërojnë dhe do të urojnë që ta marrin nuse dhe ta bëjnë kunatë , si që e urojnë edhe vajzën e veshur me dimi, që ta marrin nuse për kojshi :
OJ TI PLAKA ME NI DHAM
Oj ti plaka me ni dham –
Çka i ke veshë ato dimi najllan?
Po ja majshe ti vetit gjan’
As ni trohë hije s’po t’kan!
Oj ti çikë, me kurdel t’maviht –
Patëm me t’zanë shoqe,
Veç koke e ngridht’!
Miku i jonë i keq ish kan,
Veç dy here na ka kan,
Pike kafe me filxhan -
Ka dy banka na i ka lanë!
Na bullanin, dojmë me e përbe –
Për kit darsum çka kini pre?
-E kem pre, valla, ni tarak –
E hajnë vjehrrija kapak, kapak!
E kem pre, valla, ni viç –
Veç bab’s e nan’s s’ju del mish!
Oj ti çikë, me flokë si vllaça –
Qysh pe çon n’shkollë me rrugaça?
At’ unazë qi e paske vnue –
Ty ni djalë, ta paska çue!
Çka po keshë, oj ti çikë?
S’koke e mirë as ni pikë!
Oj ti çika me fistan t’gatë –
Ishalla t’marr ty, për kunatë!
Oj ti çika me dimi –
Ti ardhsh nuse n’kojshi t’mi!
Për t’i nënçmuar bullat sa më shumë dhe për t’ua qitur veten prej hujit, këngëtoret do t’ua përqeshin veshjet, shamijat, stolitë e arit të cilat gjoja se i kanë huazuar nga shitoret sa për ta mbaruar dasmën dhe ato do t’ua kthejnë shitësve po sa të mbarojnë dasma :
ME TESHA T’DUGAJËS – SA MIRË KOKI VESHË
Me tesha t’dugajës –
Sa mirë koki veshë!
Me shamija t’juve –
U knaqëm tu’ keshë!
Rueni, moj, janxhija –
Teshat mos me i zhytë;
Se ai dugajxhija,
Për to ka me u mytë!
Me dukat të huej –
Po dini me u fry;
Kur t’ja u ktheni t’zojave –
Nuk kqyrni me sy!
Bullat që iu bien në sy këngëtoreve se kanë veshur shumë rroba mbi trup me qëllim që të duken të trasha e të shëndosha , do të thumbohen kështu :
MIRË PE DINA QI S’ JE E TRASHË
Mirë pe dina, qi s’ je e trashë,
Blluzën me tel – e ke mushë me kashtë!
Mirë pe dina, qi s’ je e gjanë,
Dimijat “zherzhet”, i ke mushë me sanë!
Ja një rast kur një bullë ka të ngjitur dhëmbë të arit , por që ka shkuar në dasmë pa i larë dhëmbët fare, e poashtu ajo nuk është kujdesur për pastrimin e qimeve nëpër fytrë, se si do ta thumbojnë këngëtoret përmes këngës vijuese :
OJ TI BULLË DHAMTË SI DUKATI
Oj, ti bullë, dhamtë si dukati –
A t’i grryen burri me shati?!
Oj, janxhike, oj Kuqeshë,
Çka t’ ka ftyra, qi tu ka leshë?!
Mos mujtë burri, nukaç me t’ gjetë –
Le t’ i nukin me pincetë!
Ardhjen e kerrit të nuses në oborrin e shtëpisë së nuses, këngëtoret do ta satirizojnë si koçak të pulave nga i cili do të zbresin pulat, për të vazhduar më pastaj edhe me etiketimin e tyre si rrospija (lavire), si dhe zbritjen e bullanit të cilin e krahasojnë me një ganxerr (tas i ujit me të cilin e mbanin higjenën personale dikur nëpër fshatra ):
U NALË KERRI N’ FUN T’ SOKAKUT
U nalë kerri n’ fun t’ sokakut –
Zhdrypin pulat pej koçakut!
Po vjen kerri plot baskija –
Hypin – zhdrypin do rraspija!
Po vjen kerri plot pallzina –
Hypin – zhdrypin do çupina!
Mirë pe dina kush asht n’ kerr –
Dy çupina e ni ganxerr!
Në rastet kur bashkë me bulla , shkojnë edhe shumë çika për ta marrë nusen, kjo nga ana e mikeshave pritëse , konsiderohet si akt i besniklrisë dhe bujarisë nga ana e miqëve të cilët do ta marrin nusen. Por, menjëherë do të fillojnë thumbimet tjera kur ndënjëra prej vajzave – bulla do të del për të vallëzuar dhe atë do ta trajtojnë si vrapin e kalit rahavan ! Djalin (bullanin) do ta përqeshin për opingat e tij me sinxhima të cilat ia ka përpunua shkau e shkina ! Po ashtu, bullanit do t’ia përqeshin e pantollat e veshur , që sipas tyre , janë pantolla të dimrit ! Bullat gra , do t’i përqeshin si picullajka (mendjemëdha) të cilat ka frikë se mos po ua kafshojnë edhe gotat e çajit:
MIQËT E TANË KOKAN BESNIKA
Miqët e tanë, kokan besnika –
I paskan mushë kerret me çika!
Qito çika, mos me pas ardhë –
Se kishi ditë derën me dalë!
Oj ti çikë, çka po shkon rahavan?
Defi i jem po rrehë si tupan!
O ti djalë, çerapt me sinxhima –
T’i paska ble shkav’,
T’i ka marue shkina!
O bullan, i biri i trimit –
I paske veshë pantollt e dimnit!
Ori bulla, mos u picilloni –
Rueni bardakat, e mos i kafshoni!
Në këngën vijuese , në thumb të kritikës dhe të përqeshjeve do të jetë djali – bullan , të cilit ia përshkruajnë kapuçin si saç dhe se ai qenka i mirë për kovaç (farkatar) . Pastaj ia përshkruajnë kapuçin si haxhi dhe atë si surlaxhi . Më në fund i propozojnë që të blen një tupan dhe t’i zgjojë nga gjumi njerëzit gjatë muajit Ramazan :
MORE DJALË KAPUÇIN SI SAÇ
More djalë, kapuçin si saç,
Koke i mier për kovaç
More djalë,kapuçin si haxhi,
Koke i mier për surrlaxhi!
Koke i mier për tupan –
Me i çue gjinën për Ramazan!
Kënga për bullat nuk do të pushojë as gjatë kohës kur atyre iu shtrohet sofra për të ngrënë bukë . Kështu që bulla e cila i ka dhëmbët e rrallë, do të përshkruhet se e pangopur ! Bulla tjetër e veshur me pshellak , do të përshkruhet si e pangopur duke pirë çaj, e cila nuk di ta dallojë gotën e çelqit prej tasit të metalit ! Djali (bullani) i cili nga turpi shikon drejt tavanit, do të përshkruhet se i përshtatshëm për tupanxhi të Ramazanit ! Vajza e cila ka ardhur bullë, do të kritikohet përse ka ardhur bullë kaq e re dhe të cilën do ta ndalin për ta martuar me ndonjë djalë të ri :
MORI BULLA ME DHAMËT E RRALLË
Mori bulla, me dhamt e rrallë –
Me u ngi bukë e paske mallë!
Çoje bukën pak ma rrallë,
Se po t’plasë e bahesh përrallë!
Mori bulla me pshellak –
Çoje çajin ma ngapak,
Se bardaku nuk asht taz,
Po t’përrvlon e bahesh gaz!
More bullan, çka po kqyrë tavanit?
T’i biem shtagat e bjeri tupanit!
Koke i mirë për ni tupan –
Me na çue për Ramazan!
Çka ke lypë, çikë, n’kerr me hi –
Pa u ba nuse, pa u ba bi,
Pa i marue nja dy-tre thmi?
Dojmë me t’nalë për ni djal’ t’ri!
Ka edhe raste , kur bullat do të lavdërohen dhe këndohen për së mbari , siç është rasti i këngës vijuese , përmes së cilës bullat lavdërohen për vallëzimin e tyre të bukur :
MORI BULLA ZOTI U RUEJT
Mori, bulla, zoti u ruejt,
A po çohi pak me luejt?
Luej, moj bulla, shtatselvi,
Lum aj burr qi t’paska ty!
Luej, moj bulla, si çyçek,
Lumja shpija për nuse t’vet!
Nuk janë të rrallë familjarët të cilët në rastet kur do t’i përcjellin vajzat e tyre për nuse , do t’ua tërheqin vërejtjen grave dhe vajzave që do të këndojnë , që në asnjë mënyrë nuk do të guxojnë t’i shajnë e t’i ofendojnë bullat të cilat do të vijnë për ta marrë nusen :
MOS KUJTONI QI S’DINA ME SHA
Mos kujtoni qi s’dina me sha,
Po nuk po guxojna pej ma t’madhit vlla!
Mos kujtoni qi s’po dimë me nemë,
Po nuk po guxojna pej babës tem!
Në familjet e tilla , këngëtoret do t’i urojnë bullat dhe do t’i lusin përmes këngës që të zgjohen dhe të vallëzojnë , nga se po marrin nuse për vëlla, madje nuse të bukur si syret :
ORI BULLA N’ KOFSHI GZUE
Ori bulla, n’kofshi gzue –
Dy fërkemë me dalë me lue!
Dilni e lueni me sevda –
Se po merrni nuse për vlla!
Dilni e lueni me shyhret –
Se po merrni nuse syret!
Bullat të cilat janë sha gjatë qëndrimit dhe pritjes për marrjen e nuses , mllefin e tyre ndaj vajzave të cilat i kanë sha , do ta shprehin gjatë rrugës duke kënduar në kerrin e nuses , në mënyrë që nusja ta kuptojë se shoqet dhe motrat e veta , nuk ia kanë pritur mirë bullat :
ATO ÇIKA ÇKA NA KAN SHA
Ato çika , çka na kan sha –
Ato e marrshin ka ni shka!
Ato çika , çka na kan nemë –
Ato e marrshin ka ni qen!
Në rastet kur nuses nuk i çojnë stoli ari të mjaftueshme, këngëtoret përmes këngës do t’i thumbojnë ashpër bullat, për t’ua bërë me dije se diçka nuk është në rregull nga ana e familjes së dhëndrit :
KA KAJTË MOTRA QE TRI DITË
Ka kajtë motra qe tri dit’ –
Ja kini çue veç ni lirë n’shirit!
Ka kajtë motra, u nie te ara –
Qysh s’i kini pru tesha të bardha?!
Për ta shprehur mllefin ndaj të gjithë atyre të cilët vijnë për t’ua marrë motrën për nuse , e në veçanti ndaj bullave të kerrit të nuses , këngëtoret do t’i thumbojnë ashpër kerrin e nuses dhe bullat e kerrit . Kerri i nuses do të përshkruhet si kerr i presnjakut, kurse bullat e kerrit do të përshkruhen si gra të pa pastra , të cilat i kanë mbulua edhe morrat nëpër flokë :
E MOJ ÇILNI DYERT E SOKAKIT
E moj, çilni dyert e sokakit –
Qitu dihet kerri i presnjakit!
E moj, mori bullë, me flokë shoshorr,
E moj, n’maje t’krejës, po t’hecë ni morr!
E moj, çoje dorën, kape me gisht,
E moj, koka i madh, sa ni karrabisht!
E moj, rueje mirë, mos me u përgjakë,
E moj, çoja vjehrrës, t’a ziejn për darkë!
Në rastet kur dhëndri nuk e ka nënën e vet të gjallë, por për dasmën e tij do të kujdeset njerka , atëherë ajo do të thumbohet si grua cikrrimtare dhe e pa përshtatshme për mikeshë . Në vazhdim, do të thumbohet bulla e cila i ka të zëna flokët bistekë (gërshetë), të cilat ia krahasojnë me bishtin e miut , kurse vajzës – bullë, e cila i shtrinë këmbët derisa presin për ta marrë nusen , do ta thumbojnë si vajzë të pa shkollë e cila nuk e ka lexuar as një libër :
NJERKA E NUSËS – SYTË E VERDHË
Njerka e nusës – sytë e verdhë,
Shumë cikrrimet na i ka nxjerrë!
Oj ti bulla, përskej tpini –
Çka i ke lshue flokt si bisht mini?!
Ori bullë, oj e hollë,
A je kan naj herë në shkollë?
A e ke pasë naj libër n’dorë?
Mlidhi kamtë se u bane horë!
Përmes këngës vijuese , këngëtoret do t’i drejtohen djalit – bullan, për të mësuar se çfarë shtaze kanë pre për të bërë mishë për dasëm :
O BULLAN NË KMISHË TË RE
O, bullan në kmishë të re,
A m’kallxon çka kini pre?
Mos kallxofsh, na e dimë vet,
Ja ni macë, a ni edh!
Ja ni macë, ja ni edh,
Veçse vjehrrit nuk i del!
O,bullan, ty, po t’shtimë n’be –
Për kit darsum, çka kini pre?
-Paj, ni kingj edhe ni edh,
Veç Kadimes, nuk i del!
Djali – bullan , sërish do të thumbohet nga ana e këngëtoreve që në momentin kur ai koncentrohet me shikime drejt tavanit të dhomës ku janë duke u pritur, duke ia përshkruar se gjoja ai po shikon drejt tavanit me shpresë se do të gjejë mish të terur !
Bullat do të përshkruhen si gra të këqija që nuk është dashur të vijnë fare, kurse vajzat- bulla, do të përshkruhen si vajza të mira të cilat po i përgjojnë djemtë për birash të gardhit dhe ato nuk do t’i lëshojnë që të kthehen tek shtëpitë e tyre, por do t’i ndalin për nuse ! Baba i dhëndrit , do të mallkohet ashpër për faktin se ua mori për nuse vajzën më të mirë të shtëpisë :
O BULLAN,O HAJVAN
O,bullan, o hajvan,
Çka poj hapë sytë n’at tavan?
A mos ka mish për me ngranë?
Mori,bulla, pshellakt me vija,
Për çka s’kini nejt te shpija?
Po na kqyrin djemt për bira –
Kokan ardhë do çika t’mira!
Çika t’mira, shtatselvija,
S’do t’jau lshojmë me shkue te shpija!
O, Hamit, o i zoti i shpisë,
T’rafshin plumat e marrshalisë,
Qysh na e more t’mirën e shpisë?!
Në momentet e para të ardhjes së bullave në shtëpinë e vajzës e cila do të shkojë nuse, këngëtoret do t’iu urojnë mirëseardhje (hosh xholldën) në gjuhën turke, që ka mbetë si barbarizëm ende në shumë vende tona, ku pastaj do t’i pyesin se si e kanë kalua me ato gra të cilat i krahasojnë me pula! Edhe krushqit do t’i pyesin se si e kanë kalua me ata burra të cilët i krahasojnë me knojsi (gjela) të pulave ! Në fund i këshillojnë që të mos ngridhohen , por t’i ruajnë gotat e çajit e të mos i kafshojnë :
O HOSH XHOLLDËN MORI BULLA
O, hosh xholldën, mori bulla!
Qysh e kapërcyet me ato pula?
O, hosh xholldën,more krushqi!
Qysh e kapërcyet me ata knojsi?
Boll mirë koke ndrrue, oj bullë,
Boll mirë koke veshë;
Me ojat e tua –
U knaqëm tuj keshë!
Pini çajat e mos u ngridhoni,
Rueni mirë bardakat,
E mos na i kafshoni!
Përmes vargjeve të këngës vijuese , këngëtoret do t’i drejtohen kunatës së nuses – Azizes , të cilën do ta thumbojnë duke ia bërë me dije se nuk i kanë pru nuses rrueza të mjaftueshme dhe nuk i kanë pru këpuca, por të gjitha këto të shara do t’ia adresojnë babait të dhëndrit – Ramishit :
OJ AZIZE-HIJE T’PASKA BLLUZA
Oj Azize, hije t’paska blluza!
Qysh po t’doket, kunata pa rrueza?!
Oj Azize, ty të hangt hardhuca –
Qysh po t’doket, kunata pa kpuca?!
T’shamet tona,na i marrtë era –
E ja çoftë Ramishit, te dera!
Tani do të thumbohet njëra prej bullave të kerrit , e cila mbanë të veshur një fustan me toja, të cilin sipas këngëtoreve , ajo e paska huazuar dikun sa për të ardhur në dasmë ! Bulla tjetër e cila mbanë orën në dorë, do të thumbohet se gjoja , e paska vu orën para kohës së duhur, kurse bulla më e re e cila mbanë bylyzykë në duar, do të këndohet se i paska vu unazat ende pa hyrë në fazën e pubertetit (bylykut) :
OJ JANXHIKE FISTANIN ME TOJA
Oj janxhike – fistanin me toja,
Si t’shkojsh n’shpi – ta merr e zoja!
Oj janxhike, e mier si dukati –
E paske vnue orën para vakti!
Oj janxhike, duert me bylyzyk –
I paske vnue unazat – pa hi në bylyk!
Po qe se këngëtoret e njohin ndonjërën nga bullat me emër, atë herë asaj do t’i drejtohen drejtpërsëdrejti me emër përmes këngës, për ta pyetur se a e kanë lënë dikën nga gratë në shtëpi, nga se këtu kanë ardhur shumë bulla ! Po qe se bulla e quajtur Safete , do të shikojë ndonjë herë kah dritarja, ato do ta thumbojnë se gjoja ajo po shikon mos po e sheh diku ndonjë djalë të ri për ta zgjedhur :
OJ SAFETE XHAMPERIN ME VIJA
Oj Safete, xhamperin me vija –
A e lat, o naj kan te shpija?
Oj Safete, me krye n’prezore –
Cillin djalë, moj, ti na e zgjodhe?!
Shembulli më i mirë për të mësuar se si këngëtoret nuk zgjedhin mjete për t’i thumbuar dhe nënçmuar fatalisht bullat e kerrit të nuses , mund të shihet përmes vargjeve të këngës vijuese, ku vjehrra e nuses – nëna e dhëndrit përshkruhet se shoqja e derrit (vjehrrit) që është shumë koprrace dhe gatesat e saj për dasmën e djalit, do të shahen me fjalët më banale :
ORI BULLA, OJ BULLAT E KERRIT
Ori bulla, oj bullat e kerrit,
Çka ju çiti e shoqja e derrit?
Oj, ajo na e çiti ni tatli,
I dhifsha n’saç, i pshurrsha n’tepsi!
Kënga vijuese , na i përshkruan kërkesat e vajzës së fejuar për nevojat e çejzit të saj, të cilat asnjëherë nuk ia ka plotësuar vjehrri i saj nga koprracia dhe nga këto kërkesa , ai bëhej sikur do të bënte vetëvrasje :
KUR I LYPSHUMË JUMAK TË BARDHË
Kur i lypshumë jumakë të bardhë –
Bajke yrysh me ra n’bunar!
Kur i lypshumë lumakë të zi –
Bajke yrysh me ra n’kusi!
Kur i lypshumë jumakë t’kuq –
Bajke yrysh me ra në prush!
Në kohërat kur mungonte sapuni e deterxhenti për larje rrobash dhe pastrime higjenike, nuk ishte e rrallë paraqitja e morrave nëpër trupin e njerëzve . Këtë dukuri do t’ia përshkruajnë edhe një bulle prezente , për të vazhduar pastaj me thumbimin e bullave tjera siç është rasti me një bullë këmbëcullake e cila përshkruhet si grua e pamoralshme dhe vesi i saj që të tregojë publikisht se si është njoftua për herë të parë me burrin e saj :
OJ TI BULLA ME FLOKË SHOSHORR
Oj ti bulla, me flokë shoshorr –
N’maje t’kresë po t’hecë ni morr!
Oj ti bulla, kamëcullake-
T’i qittë burri, shtatë ortake!
Shtatë ortake, po m’dokën pak,
E teta, ju laftë me gjak!
Ori bullë, oj budallicë –
Qysh po kallxon, me burr qysh je begenisë?!
Po qe se në mesin e bullave do të gjendet ndonjë vajzë e bukur , ajo do të këndohet duke ia lavdëruar bukurinë e saj dhe duke iu vardisur se do ta marrin nuse për vëllaun e motrave të cilat janë duke kënduar :
OJ TI BULLË ÇERAPT E HOLLA
Oj ti bullë, çerapt e holla –
Vllavi i jem asht sikur molla!
Oj,ti bullë, me sytë e zi –
Vllavi i jem asht si zotni!
Oj ti bullë, vetllat përpjetë –
Vllavi i jem asht n’fakulltet!
Oj,ti bullë me dhamë të bardhë –
Vllavi i jem ty ka me t’marrë!
Zakonisht , gratë apo bullat të cilat nuk e ulin kokën , por shikojnë kah rruga (sokaku) , llogariten si gra të pamoralshme dhe ato do të thumbohen menjëherë përmes këngës . Bulla e varfër e cila nuk ka këpuca të mbathura , por ka opinga në këmbë , do të thumbohet duke e mëshiruar se po ta kishin ditur gjendjen e saj të varfër, do t’ ia kishin huazuar një palë këpuca sa për dasmë !
Në thumb të kritkës do të jenë më së shumti gratë – bullat të cilat fryhen nga mendjemadhësia se gjoja kanë këpuca të bukura , këpuca të bardha dhe shesin mendë me to :
OJ TI BULLË ME SY N’ SOKAK
Ori bullë me sy n’sokak –
Koke e mirë për ni plak!
Ori bullë, s’ke çue fjalë për ni letër –
Ni parë kundra, na t’i kishumë gjetën!
Ori bullë, s’ke çue fjalë për ni fletë –
Ni parë kunra, na t’i kishumë gjetë!
Ori bullë, mos pi çaj ty u ngridhue,
Veç bardakun mos me na e kafshue!
Oj ti bullë, kundrat me bojë,
Koke e meir me t’pshty n’gojë!
Oj ti bullë, kundrat e bardha,
Ti ka ble, ty, qaj budalla!
Gjatë shërbimit të bullave me pije të nxehta (kafe, apo çaj) , do të përcillet çdo lëvizje dhe sjellje e tyre – lëvizje këto që do të jenë frymëzime për t’ua përshtatur dhe kënduar këngët aty për aty :
OJ TI BULLË ÇKA ME T’KALLXUE
Oj ti bullë, drejt me m’kallxue –
Duert mi guj, pse i ke vnue?
Pse i ke vnue, duert mi guj –
T’paska hi shumë’ vetja n’huj!?
Pini kafet me ngridhi –
Ja u ka pjekë ni djalë i ri!
Pini kafet pa marak –
Ja u kan marue nër çardak!
Pini kafet, pa ves-vese,
Ja u ka pjekë ni djalë mese!
Në momentin kur bullat e kerrit do të zgjohen për të vallëzua në shtëpinë e nuses , ato do të këndohen përmes satirave të ndryshme , varësisht se si vallëzojnë , çfarë kanë të veshura dhe çfarë stilish bartin ato mbi trupin e tyre :
ORI BULLA – DIMITË JARGOVAN
Ori bulla – dimitë jargovan,
Po ç’po kcejshi “rahavan”!
Kqyrni, kqyrni kto bullat tona –
I kan vnue lirat, si kumona!
Kqyrni,kqyrni, bullat për seri –
I kan vnue rruezat si zingjirë kerri!
Qajo bulla, n’krye veni –
Qafën rrueza, si zingjirë qeni!
Në raste shumë të rralla , ndodhë që bullave t’iu këndohen edhe këngë lavdëruese për sjelljet, ndejet dhe mbajtjen e rendit nga ana e tyre :
ORI BULLA DHAMTË E SHPESHË
Ori bulla – dhamtë e shpeshë,
Hije t’paska, kur po keshë!
Ori bulla me kimet –
Hije t’paska, kah po flet!
Ori,bullë, na e hjeshove vendin –
Bash si zojë, po ja dijshe rendin!
Ori, bulla, me flokë t’gata –
Ju, për hajr, ju koftë kunata!
Gjatë shërbimeve të bullave me pije të nxehta (kafe e çaja) do të merr hov biseda dhe zhurma e madhe në mes tyre, por këngëtoret do t’ua tërheqin vërejtjen përmes këngës që të heshtin dhe ta dëgjojnë këngën e tyre , përmes së cilës satirizohet kafja dhe çaji të cilat ato i pijnë me një mendjemadhësi të tepruar :
ORI BULLA PEJ KRILEVE
Ori,bulla, pej Krileve,
Leni llafet e ngona neve!
Pini kafet hiç pa marak,
Se i ka pshurrë çaj qeni plak!
Pini çajat, hiç pa mërzi,
Se i ka pshurrë çaj djali i ri!
O, bullan, o çuran,
Çka i ke hapë sytë n’at tavan?
Në rastet kur bullave iu shtrohet drekë në shtëpinë e vajzës e cila do të merret për nuse , zakonisht bullat nga mendjemadhësia e hajnë ushqimin me shumë ojna, ose edhe nuk e hajnë fare . Këtë ves, këngëtoret do ta thumbojnë me motivin se gjoja ato nuk kanë ngrënë kurrë pite në shtëpitë e veta, ose mund të kenë ngrënë pite të gatuar nga mielli i tërrshërës :
ORI BULLA,OJ JANXHIJA
Ori bulla, oj janxhija –
Rrini shlirë, si me kan te shpija!
Mori bulla, kryet përpjetë –
A s’kini hangër kurrë pite me petë?!
-Unë kam pa, kam hangër pramë,
Pitës juve i vjen era tërrshanë!
Për bullat të cilat nuk rrijnë serioze gjatë kohës sa presin për ta marrë nusen, që i shtrijnë këmbët, që lëvizin shumë, këngëtoret do t’i trajtojnë si jo serioze dhe si ta pamoralshme, andaj edhe do t’i thumbojnë ashpër përmes këngëve :
ORI BULLA ÇKA PO I SHTRINI KAMTË
Ori bulla, çka po i shtrini kamtë?
A po i doni me ja u pru kërhantë?
Çka ka bulla, qi po livritë?
Lypë furrigun ma ja qitë!
Ori bulla, oj janxhija –
A pe dini qi jini jabanxhija?!
Për bullat mendjemëdha të cilat mundohen që të tregohen se janë shumë të bukura, këngëtoret do t’iu vardisen përmes këngëve që ato t’i marrin nuse për vëllezërit e tyre :
ORI BULLË ÇKA PO I ÇON VETLLAT
Ori bullë, çka po i çon vetllat?
Me vlla temin, i hangsh petllat!
Ori bullë, duert me kan –
Kallxo venin, ku t’kan dhanë?!
Oj ti çikë, qi lujte pak –
Për vlla tem, po m’jet marak!
Kudo që të ulen bullat dhe si do që të rrinë, nuk do t’iu shpëtojnë kritikave, thumbimeve dhe përqeshjeve përmes këngëve . Ato përshkruhen në vazhdimësi si mendje mëdha , si babagjyshe , si budallica dhe si të pamoralshme . Në thumb të kritikës për koprraci të tepruar , përveç vjehrrit të nuses, do të thumbohet edhe kunati i nuses (vëllai i dhëndërit) i cili ka ardhë shumë rrallë për t’i pru punë nuses dhe si dhuratë ia ka lënë vetëm dy banka (sikur sot 20 cent) me të cilat fëmijët blenin fletore:
ORI BULLË QI JE UNGJË TU XHAMI
Ori bullë, qi je ungjë tu xhami –
Çili sytë, se t’myti jerdami!
Çajo bullë, qi koka ungjë n’qysh –
Tek a ungjë, si me kan babgjysh!
Qito çika, mos me pas ardhë –
Ju, derën se kishi ditë me dalë!
Oj janxhi, me krye n’prezore –
Cillin djalë, ti, na e zgodhe?
Qe dy vjet, Lulen,e kemi dhanë –
Dy herë, kunati nuk i ka kan!
Ato dy herë, kur i ka kan –
Ka dy banka, ja ka lanë!
Ato dy banka i lajke n’prezore –
I marrshin thmija, i blejshin fletore!
Në mesin e kritikave dhe thumbimeve të shumëta, nga njëherë do të këndohen edhe këngë përmes të cilave do të lavdërohen bullat dhe do të lavdërohet motra, apo shoqja e cila do të shkojë nuse :
ORI ÇIKA PARA BAJRAKU
Ori çika, para bajraku –
E paski vnue telin, para vakti!
Oj janxhi – kamtë e gata,
Për hajr t’koftë, ty,kunata!
Oj ti çikë, n’xhamper me vija –
E lumja ti, çka po çon te shpija!
Oj ti çikë me flokë “shoshorr”-
I lumi baba, qi t’sheh n’oborr!
Në këngën vijuese , do të thumbohen vajzat të cilat kanë ardhë bulla për ta marrë nusen . Ato do të trajtohen si vajza të pa pastra dhe të pa lara , të cilat nga papastrëtia duken se janë edhe të zeshkëta . Si të këtilla, ato mund të martohen vetëm me burra vejana , por jo me djem beqarë ! Pastaj do t’ua përqeshin edhe dhëmbët e pa larë, të cilët ua krahasojnë me shati për të nxjerrë kumpira (patate) . Bullat e kerrit të nuses do të krahasohen me rrospija (lavire), me zhaba dhe me gra të çmendura (hallajka ):
ORI ÇIKA ME DHAMË TË RRALLË
Ori çika, me dhamë të rrallë –
Çka kini lypë, ju,n’kerr me ardhë,
Pa ra n’rekë, me i la me zallë?!
T’ishi kan, ju, pak ma t’bardha –
Patum me ju nalë për do vejana!
Mos kujtoni qi jini t’mira –
I paski dhamt’ me nxjerrë kumpira!
Na i prutë kerret me baskija –
I paski mushë plot me rraspija!
Na i prutë kerret me taraba –
I paski mushë plot me zhaba!
Na i prutë kerret me kanata –
I paski mushë plot me hallajka!
Sipas traditave dhe zakoneve , bulla më e vjetër për nga mosha do të duhej që t’iu shpërndajë sheqera mysafireve të pranishme , por këngëtoret e mllefosura nga fakti se ato do t’ua marrin shoqën, motrën – nuk do t’ia pranojnë as sheqerin plakës të cilës i ka rënë një dhëmbë dhe atë do t’ia përshkruajnë se gjoja ia paska thye reja e vet duke I rënë me një shkëmb :
ORI PLAKA ME NI DHAM
Ori plaka me ni dham –
Nuk jem n’zor për shiqerin tan!
Ori plakë,ku e ke ni dhamë?
-Ma ka thye reja me shkam!
Në rastet kur ardhja e krushqëve dhe e bullave do të vonohet shumë, këngëtoret do t’i thumbojnë bullat përmes këngëve satirike, duke ua përkujtua se kanë mendua se do të vijnë me vetura (drama), bicikleta (vilispica), me flamur, kurse krushiqit kanë ardhë këmbë dhe bullat me qerre të drurit të cilat i kanë tërhequr buajt dhe buallicat , madje edhe lopët ! Madje, ata nuk kanë ardhur as me qerre, por me disa saja (zhagëza) të thjeshta dhe pak dasmorë , derisa mikpritësit ishin përgatitur për pritjen e 300 krushqëve (dasmorëve) . Një ardhje e tillë me pak dasmorë dhe me mjete primitive për ta marrë nusen , i adresohet vetëm atyre të cilët do të marrin nuse vejushka , ose miqve tahmaçarë (koprraca ):
PEJ SABAHIT KIMI PRITË TU LAMA
Pej sabahit kimi pritë tu lama,
Kimi kujtue qi vini me drama!
Pej sabahit kimi dalë n’ulica,
Kimi kujtue qi vini me vilispica!
Pej sabahit kimi pritë n’hajat,
Kimi kujtue qi vini me bajrak!
Pej sabahit kimi pritë n’fun t’katunit,
Ju na erdh’t me kerre pej drunit!
S’erdh’t me drama, as me vilispica,
Po erdh’t me bujë e me bollica!
S’erdh’t me kije, po erdh’t me lopë,
Me do saja zhag për tokë!
Me do saja me bollza t’rana,
Ju s’koki ba gati për allafranga!
Ja u lshuem venin për treqin vetë –
Ju s’tek jini krejt nizet vetë!
Çka kini kujtue kshtu, more budallë?
Ju, vejushkë s’jini tuj marrë!
Me kallabllak qi nuk jini ardhë –
Ja jini fukara, ja tahmaçarë!
Shërbimi me çaja nga ana e një nusje pedante, do të lavdërohet dhe bullat do t’i pinë çajat pa ves – vese , por bullat e kerrit gjatë rrugës për t’u kthyer në shtëpinë e dasmorit , do t’i mallkojnë ato vajza të cilat i kanë sha përmes këngëve të tyre :
PINI ÇAJAT HIQ PA MARAK
Pini çajat, hiq pa marak –
Ja u ka qitë Lulija, si bajrak!
Pini çajat hiq pa mërzi –
Ja u ka qitë ni shtatselvi!
Ato çika qi na kan sha –
Tana e marrshin ka ni shka!
Ato çika qi na shanë n’buk’ –
Tana e marrshin ka ni magjup!
Momenti i arritjes së kerrit të nuses në oborrin e familjes së vajzës e cila do të shkojë nuse , do të sulmohet ashpër përmes këngëve satirike, duke i përqeshur që të gjitha radhazi pamëshirshëm përmes figurave dhe krahasimeve më të ndryshme . Më të ashpra do të paraqiten në rastet kur këngëtoret do ta vërejnë ndonjërën nga bullat e cila nuk i ka larë dhëmbët fare , për të vazhduar pastaj me mallkime të ndryshme dhe me lutje që të zgjohen e të dalin sa më shpejtë nga shtëpia e tyre :
PO VINË KERRET KAH SOKAKU
Po vinë kerret kah sokaku –
Duelën pulat prej koçaku.
Hini çika – hini mretnesha –
Çonu n’kamë, ju, mori breshka!
Ori bulla me dukat –
Kqyrne kit Lulijen e piklavtë!
Oj ti bullë, kamtë si sorrë –
Rrudhi gujt se u bane horë!
Çka ka bulla qi po livritë –
Lypë furrigun me ja qitë!
Oj ti bullë,me dhamtë e rrallë –
S’je ra n’rekë me i la me zallë?!
Oj ti bullë qi i ke shtri kamtë –
Sa herë n’vjet ti po i lan dhamtë?!
S’po t’vejn marre prej dukati –
Tu kan mushë dhamt me i grrye me shati!
Bismilahi, kamën n’qylym –
Mori bulla,u çofshi gjytyrym!
Bismilahi,kamën n’dyshek –
Mori bulla u çofshi bosharet!
Bismilahi, u qitë kulaçi –
Çonu ma, ju hiftë fukaçi!
Oj ti bullë, çka je trashë?
I ke mushë dimitë me kashtë!
Ardhjen e qerreve të nuses , këngëtoret do ta përshkruajnë si qerre primitive të rregulluara me taraba dhe me gozhda (baskija), kurse bullat që do të vijnë me ato qerre do të përshkruhen si zhaba, si rraspija (lavire) , çupina dhe djalin – bullanin do ta krahasojnë me një ganxerr (tas të ujit prej llamarine i cili shërbente për higjenë personale) . Pastaj do të përqeshet një bullë të cilës nuk i rrinë as dimijat veshur , si dhe vjehrrin e nuses i cili nuk i kishte pru punë të mjaftueshme për çejz , motrës së tyre për t’u përgatitë si duhet për nuse :
PO VINË KERRET ME TARABA
Po vinë kerret me taraba –
Hypni, zhdrypni, mori zhaba!
Po vinë kerret me baskija –
Hypni, zhdrypni, mori rraspija!
Mirë pe dijna kush a n’kerr –
Dy çupina me ni ganxerr!
Oj, ti bullë, çka tek je trashë,
I paske mushë dimijat me kashtë!
Oj,ti bullë, çka je çaraveshë -
Tu kan deshë dimijat e sun poj veshë!?
Çka ka pru Selimi, t’diellum-t’dielle –
S’i dalke Xhemiles,ni mas sille!
Çka ka pru Selimi, t’martum-t’marte –
S’i dalke Xhemiles, ni masdarke!
Jo rrallë, ndodhë që ardhja e krushqëve dhe qerreve për marrjen e nuses , të shoqërohet me këngë mallkimi ndaj atyre të cilët do t’ua marrin motrën, apo shoqën për nuse :
PO VJEN KERRI KAH XHAMIJA
Po vjen kerri kah xhamija,
Qatyne t’parëve ju dekshin thmija!
Nusja e juej asht n’xhezenti –
Tuj fshi lotët me shami!
Pini çajat pa marak –
Nusja e juej asht si zambak!
Pini çajat pa mërzi –
Nusja e juej asht si hyri!
Zakoni i shpërndarjes së sheqerit për gratë dhe mysafiret e pranishme, nga ana e bullës më të vjetër, nga njëherë ndodhë që të lavdërohet dhe të falenderohet përmes uratave dhe falënderimeve :
QIT SHIQERIN ME TEREZI
Qit shiqerin me terezi –
Njefshumë mier për kit shpi!
Qit shiqerin me dërhem –
Njefshumë mier për kit ven!
Këngë satirike do t’i këndojnë nuses edhe bullat përgjatë rrugës deri sa të arrijnë tek shtëpia e dasmorit, në shenjë revolte dhe hakmarrjeje ndaj vajzave që i kanë sharë në shtëpinë e familjes së nuses . Në shembullin vijues, ato do t’ia këndojnë nuses të vëllanë se gjoja ia morën motrën me zor :
ORE VLLAVI I NUSES O MAJOR
Ore vllavi i nusës, o major –
Motrën tane, ta muerum me zor!
Ta muerum me zor, e s’ pate çka me ba,
Kur s’ kije çka banë, trus e mos ba za!
Kur krijohet përshtypja se bullat janë habitur dhe nuk po i bie ndër mend se duhet të çohen dhe të nisen për rrugë, këngëtoret do t’ua bëjnë me dije përmes këngës satirike, si vijon :
RRANG E DANG PO BAN LEGENI
Rrang e dang po ban legeni –
Çonu ma, he, u hiftë veremi!
Rrang e dang po ban tepsija-
Çonu ma, he, u hiftë terpija!
Rrang e dang po ban saçi –
Çonu ma, he, u hiftë fukaçi!
Në momentin kur do të hapen koferat e nuses për t’u parë çejzi dhe dhurata e saj, do të thumbohen familjarët e dhëndrrit , të cilët nuk i kanë pru nuses shumëçka , siç janë: ora e dorës, kollani dhe gjëra të tjera :
BISMILAHI U ÇEL SANDAKI
Bismilahi, u çel sandaki –
S’asht kollani, s’asht sahati?!
Për sahat, nuk e bajmë dert,
Se ja blenë baba i vet!
Për kollan, se kemi gajle,
Se ja blenë vllau me pare!
Prurjen e materialeve për punë të çejzit të nuses dhe parave për nevojat e saj, këngëtoret do ta minimizojnë deri në maksimum, për ta arsyetuar nusen se po të kishte më shumë harqe dhe më shumë para , do të bënte edhe më shumë çejz se sa që ka bërë :
PRUJSHIN PUNË ME NI CODILLË
Prujshin punë, me ni codillë –
E punojke motra, teri n’sillë!
Prujshin pare me ni tashnje –
E punojke motra, teri mas darke!
Në rastet kur vajza që do të shkojë nuse duket e re dhe e zajftë prej shëndeti, këngëtoret do t’ua këndojnë bullave këngën me të cilën mëtojnë që t’ua heqin dyshimin pse duket nusja e vogël dhe në hall:
KUR TI MUSHË LULA NIZET VJET
Kur t’i mushë Lula,nizet vjet -
S’e nxenë kmishë, as s’e nxenë jelek!
Kur t’i mushë Shaha,vjett e veta –
S’e nxenë kmisha, as xhaketa!
Kur t’i mushë Shaha, vjett taman –
S’e nxenë kmishë, s’e nxenë mitan!
Kur ta çelë Lulija,synin –
Tana shoqev’ ja u shton ymrin!
Kur ta leun Lulija,krahin –
Tana nusev’ ja u merr pahin!
Për faktin se për ta marrë nusen kanë ardhur një numër i vogël dasmorësh , këngëtoret do t’i drejtohen bullanit (djalit) për ta pyetur përmes këngës se sa krushqë në të vërtetë janë gjithësejtë, nga se mendojnë se djali është i ri dhe do të iu tregojë drejtë :
O TI DJALË N’ KAPUÇ T’ KUQ
O ti djalë, n’kapuç t’kuq –
Kallxo dogri, sa kini krushq’?
Kallxo dogri,se t’kena vetë,
Ja nizet, ja tridhetë!
Me rastin e përcjelljes së motrës – shoqës për nuse , këngëtoret do ta porosisin kunatën e nuses , që të kujdeset për nusen, ta ulin sa më shpeshë për të pushua dhe që t’ia dijë kimetin po deshi që t’ia ruaj pamjen dhe shëndetin :
OJ FATIME O SHYHRET
Oj Fatime, o shyhret –
Me kqyrë Hyrën, si me kan vetë!
Oj Fatime, o najllan –
Ungje shpesh e le t’pushon!
Hyrë, te na e dite lezetin,
Fata, duhet me ta ditë kimetin!
Me ta ruejt pamjen e shnetin,
Hijum-hije me ta shtrue dyshekin!
Në thumb të kritikës , në vazhdimësi do të jetë edhe vjehrri i nuses , i cili gjatë tërë kohës së çejzimit të nuses , është treguar tepër koprrac dhe nuk i ka pru nuses para të mjaftueshme për përgatitjen e çejzit tl saj :
SE KUR VIKE VJEHRRI
Se kur vike vjehrri –
Lulës me i pru pare;
I lejke dhetë banka,
Qatje në dritare!
I lejke n’dritare,
Her’ qatje te llama –
Shpejt i marrshin thmija,
E i blejshin bombana!
Her’ i lejke n’shtruem,
Her’ qatje te dera –
Shpejt i marrshin thmija,
I blejshin flipera!
Në familjet ku nuk do të praktikohej dhe nuk do të lejohej sharja e bullave , këngëtoret do t’ua bëjnë me dije bullave që të rrinë lirshëm dhe të mos frikësohen, nga se ato nuk e kanë zakon (adet) për të sha :
SE ME SHA S’IA KEM ADET
Ori bulla, ori janxhija,
Hiçni palltat – virrni n’baskija!
Hiçni palltat – virrni n’baskija,
Rrini shlirë si me kan te shpija!
Si me kan te shpija,ulun n’krevet,
Se me sha, na s’ia kemi adet!
Ulnu, bulla, kah dritarja –
Çehre t’bukur po ja u çet kremaja!
Mungesën e çejzit të mjaftueshëm të nuses , këngëtoret gjithëmonë do t’ia atribuojnë vjehrrit të saj koprrac, i cili nuk i ka pru harqe të mjaftueshme për punë, nga se po të kishte pasur harqe , nusja do të kishte punua edhe shumë çka tjetër nga çejzi :
SHKOJKE MUJ E ARDHKE JAVA
Shkojke muj e ardhke java –
Nejke Lula, badihava!
Me kan pasë Lula,çka me punue –
Hanë e diell i kish marue!
Në momentet e fundit të qëndresës së bullave në shtëpinë e vajzës e cila do të shkojë nuse , këngëtoret do t’i kurrajojnë bullat se po qe se është i bukur dhëndri sikur motra e tij dhe mbesa e tij, atëherë nuk do të iu dhimbset motra – shoqja të cilën po ua japin për nuse :
SI N’ KOFTË DHANDRRI SI E MOTRA
Si n’ koftë dhandrri, si e motra –
Neve hiq s’po na dhimet shoqja!
Si n’koftë dhandrri, si e mesa –
Neve hiq s’po na dhimet tezja!
Zgjodhëm kështu një tufë këngësh të bullave për të pasqyruar realitetin tonë të dikurshëm se çfarë është këndua në këtë cikël dhe si janë zhvilluar ceremonitë e pranim – dorëzimit të nuseve dikur në fshatrat e malësisë së Gollakut .
Këto këngë janë në interes të gjeneratave të reja dhe të studiuesve të folklorit tonë, nga se në ditët e sotme këto këngë nuk përdoren më dhe i takojnë kohërave të kaluara .
*****
Këngët i mblodhi , i shënoi dhe i analizoi : Demir KRASNIQI
Gjilan, më 21.03.2012.