Kulturë
Intervistë me shkrimtaren e re për fëmijë, Alketa Dervishaj
E enjte, 12.04.2012, 12:15 PM
Pasioni
im, bota e të vegjëlve
Nga Albert
ZHOLI
Alketa Dervishaj
ka mbaruar Fakultetin për Gjuhë-letërsi. Aktualisht punon mësuese në profilin e
saj. Pasionet e saj janë arsimi dhe krijimtaria për fëmijë, të cilat kanë ecur
gjithmonë paralel me njëra-tjetrën. Ka botuar 3 vëllime me përralla për fëmijë,
“Princesha Kaltrinë”, botuar më 2007-n, “Mbretëria e trëndafilave”, më 2009 dhe
“Çadrat fluturuese”, më 2011. Aktualisht ka në dorë librin e katërt. Me qenë se
librat e mi kanë arritur të shiten në mënyrë të shpejtë, mendoj se kanë
ngjallur kureshtjen dhe janë pëlqyer nga lexuesit e vegjël.
Çfarë ju shtyu të merreni me letërsi për fëmijë?
Që e vogël, diku nga klasa e pestë, shkruaja
përrallëza ose tregime për
fëmijë. Të gjithë fëmijët i duan përrallat, por unë i imagjinoja dhe i krijoja
ashtu si doja unë. Gjeja një fillim sipas dëshirës sime, zgjidhja personazhet
që më pëlqenin dhe pastaj i jepja një fund, i cili më bënte mua shumë të
lumtur. Vit pas viti krijimet shtoheshin, gjithashtu, pjekuria, cilësia
artistike dhe fabula e tyre bëhej më interesante. Edhe pas shkollimit të lartë, duke mos e lënë pas dore
pasionet e vegjëlisë, krahas
punës time si mësuese, dëshira për krijimtari
letrare u bë më e fuqishme. Dhe kështu këto vitet e fundit shkrova dhe botova
librin tim të parë dhe pas tij dhe dy të tjerë.
Ç’mendim keni për letërsinë për fëmijë në vite?
Letërsia për fëmijë në ditët e sotme është shumë pak e lëvruar nga
shkrimtarët e rinj. Më shumë shkruajnë e botojnë shkrimtarët e traditës. Veprat
e tyre edhe sot janë të pëlqyeshme. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se shumica e
tyre janë ribotuar pas viteve ‘90. Dhe lexohen ende me kënaqësi nga fëmijët dhe
në ditët e sotme. Letërsia për fëmijë e kohës socialiste, përjashto disa raste
politizimi, përcjell mesazhe me vlera edukative, mbështetur fuqimisht edhe në
traditën e krijimtarisë popullore. Kjo letërsi ka emra të mëdhenj dhe personzhe
të paharrueshëm që e bëjnë atë aktuale edhe për kohën e sotme demokratike. Me
të janë rritur dhe edukuar breza të tërë fëmijësh dhe të rinjsh.
Po sot si ecën letërsia për fëmijë?
Ka prurje të reja. Ka masivizim. Vetë fakti që sot kemi dhjetëra shtëpi
botuese, është një arritje pozitive. Liria e të shkruarit ka nxitur krijuesit
të botojnë mjaft vepra për fëmijë, që, në shumicën e rasteve, kanë vlera
cilësore. Por, ta themi hapur, për mendimin tim letërsia e sotme për fëmijë
ende çapitet, përpëlitet. Në disa raste ka ngelur akoma në të njëjtën linjë
krijimesh pa shumë risi. Ndërkohë që vetë jeta e fëmijëve sot ka ndryshuar.
Krijimet duhet të jetë në avantazh me kohën në të cilën ata jetojnë. Të jenë sa
më pranë jetës reale. Teknologjia ka ecur aq shumë, saqë krijimtaria për fëmijë
nuk mund të jetë e njëjtë me atë të prindërve të tyre. Ndryshon koha,
ndryshojnë brezat, ndryshojnë kërkesat, duhet të ndryshojë dhe mënyra e të
krijuarit për fëmijë. Dhe kush mund ta bëjë më mirë këtë sesa autorët e rinj?! Natyrisht, edhe
shkrimtarët e brezit të mesëm, apo dhe më të vjetër, janë të aftë dhe të
mirëpritur me krijime që mbajnë vulën e kohës që jetojmë. Dhe të tillë shembuj
ka..
A ndihmohet nga instancat dhe shoqata, letërsia për fëmijë?
Shpesh kemi dëgjuar shprehjet: “Fëmijët janë drita e syve”, “Janë e ardhja
e kombit” etj.. Por pikërisht për këtë të ardhme të kombit, sidomos në
letërsinë për fëmijë, institucionet përkatëse u përgjigjen shumë pak ose aspak
kërkesave të shkrimtarëve, duke ditur që libri është ushqimi më i mirë i trurit
dhe një nxitës i fuqishëm i imagjinatës së fëmijëve. Në pozicionin tim si
shkrimtare e re për fëmijë, mbështetja nuk ka ekzistuar. Nuk e kam gjetur
vehten as në ndonjë konkurs të letërsisë për fëmijë, as në panairin e librit,
dhe as të listuar emrin e ndonjë prej librave të mi në leximet jashtëklase. Për
mos folur për shtypjen e librave, të cilën e bëj personalisht. Por ne kemi një shoqatë të
shkrimtarëve për fëmijë e të rinj. Ajo, po, i ka ndihmuar shkrimtarët e rinj.
Unë, për shembull, jam e ftuar në çdo promovim apo diskutim libri, kohët e
fundit u diskutua në një takim të veçantë me shkrimtarët për fëmijë krijimtaria
ime letrare, veçanërisht vëllimi i fundit me përralla “Çadrat fluturuese”.
Kryesia e shoqatës më mban afër, më nxit e më ndihmon në krijimtarinë për
fëmijë.
Tregtimi i librave për fëmijë, si shkon, si mund të bëhet më mirë?
Siç e thashë më lartë, letërsia për fëmijë është shumë pak e lëvruar nga
shkrimtarët e rinj. Shkrimtarët e vjetër, po i quaj kështu për arsye kohe në
krijimtari dhe jo për arsye moshe, e kanë gjetur mënyrën dhe rrugën e duhur për
të shkuar në duart e lexuesit të vogël. Ata që duhet të përballen me
vështirësitë e shpërndarjes së librave janë autorët e rinj. Një mënyrë të cilën
e praktikoj unë, e detyruar nga rrethanat dhe nga dëshira që krijimtaria të
shkojë në duart e vogëlushëve, është
vetmenaxhimi i librit. Libri për fëmijë ka mjaft interes, është i kërkuar dhe i
shitur. Letërsia për fëmijë, duhet të kishte të paktën disa kritere bazë. 1. Të
kishte revista letrare për fëmijë, të përshtatshme
për prezantimin e krijimtarisë së autorëve. 2. Një konkurs i përvitshëm i
letërsinë për fëmijë, autorët ta gjenin vehten përpara një jurie, e cila do të
ishte një nxitje më tepër në krijimtarinë e tyre. 3.Të zhvillohej Panairi
Kombëtar i Letërsisë për Fëmijë, ku të merrnin pjesë vetëm autorët që lëvrojnë
këtë letërsi.
Propagandimi, gazetat, televizionet dhe letërsia për fëmijë
Unë, zakonisht, përdor
një shprehje: “Shfaqu që të dukesh.“ Propaganda është shumë e rëndësishme,
sidomos në fushën e artit. Nëpërmjet medias dhe gazetave, autori dhe
krijimtaria e tij shkojnë më pranë lexuesit dhe prezantohen denjësisht, ashtu
si duhet të prezantohet artisti dhe arti që buron prej tij.. Por unë mendoj,
(dhe ky nuk është vetëm mendimi im) se më tepër duhet të bëhet propagandimi i
librit për fëmijë edhe në gazeta e televizione. Sikur edhe rubrika të veçanta
javore të çelen për këtë problem, do të jetë një ndihmë e çmuar, sepse mund të
rrihen mendime për rritjen e cilësisë së letërsisë për fëmijë. Librat e mi
tashmë janë në duart e vogëlushëve, në këtë mënyrë më japin besim e forca
në krijimtarinë time. A ka
kënaqësi më të madhe se kjo? A ka propagandues më të mirë dhe më të mëdhenj se
vetë vogëlushët?
Ç’mendojnë lexuesit për librat e botuar?
E kam të
vështirë të jap një përgjigje të saktë. Me fëmijët që kam pasur rastin të
bashkëbisedoj, kam marrë përshtypje të mira. Edhe nga mësues të veçantë,
gjithashtu. Kjo ka më shumë rëndësi për mua. Por, siç theksova dhe më lartë,
librat e mi janë shitur, kanë gjetur treg, edhe pse unë i shpërndaj vetë nëpër librari
apo kioska. Më lodh kjo punë, por s’gjej rrugë tjetër. Edhe kritika letrare,
ndonjë botim në gazetë, apo vlerësim në biseda televizive, diskutimet për
librat e mi me shkrimtarë, kanë qenë vlerësuese. Kjo më kënaq dhe më nxit të
vazhdoj më me ngulm krijimtarinë letrare për fëmijë, sidomos në gjininë e
përrallës, së cilës, tashmë, sikur ia kam marrë dorën.