E merkure, 11.12.2024, 03:23 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Dreka e lotëve në shtëpinë e poetit

E shtune, 21.04.2012, 10:54 AM


Në vend të reportazhit

Sejdi BERISHA:

DREKA E LOTËVE NË SHTËPINË E POETIT...!

Kishte shumë kohë që karakteri, shpirti dhe pozita e poetit tropojan më kishin intriguar për ta bërë një shkrim karakteristik, ashtu siç ishte vetë ky njeri, që ishte, siç thonë, pesëdhjetë kilogram së bashku me krevat! Por, assesi nuk mund t’ia zëja fillin as petën këtij shkrimi, derisa nuk i vdiq nëna, Ajnë. Por, as tash nuk kisha mundësi të takohem me poetin dhe ta shfrytëzoja si pretekst për t’ia filluar shkrimit, sepse, dimri, respektivisht, bora e kishte mbuluar “rrast” tërë krahinën e veriut dhe Rrafshin e Dukagjinit.

Ani. Mirë kishe bërë kjo befasi bore, e cila më dukej se ia kish zënë frymën tokës, çative të shtëpive, por pak edhe mendjes së njeriut! Dhe, kështu, gjatë kësaj kohe, vetëm sa “trashej zullumi” për shkrimin tim që do të vjen më vonë për poetin dhe krijuesin e çuditshëm dhe tërësisht të rebeluar ndaj jetës. Interesant, sa herë që takohem me te, sytë i ka plotë shkëlqim, gjë kjo e cila sikur thotë, por edhe thotë shumëçka, edhe pse poeti nuk e nxjerrë dot këtë shkëlqim për ta shndërruar në fjalë, në rrëfim historie apo në bisedë së paku të rëndomtë. Ndoshta, një gjë të tillë sikur nuk ia lejon etja e madhe shpirtërore për ta thënë të tërën dhe gjithmonë atë që mendon dhe që i vlon përbrenda.

Poeti e do fjalën dhe mendimin që qorton e nxjerrë flakë për realitetin

Por, ai nuk e do mendimin e zakonshëm, nuk e do fjalën e rëndomtë, por e do atë fjalën dhe mendimin që përkujton, qorton e nxjerrë flakë për realitetin,... për gjithçka; edhe për histori, edhe për letërsi, edhe për vargun, edhe për dhembjen, edhe për lumturinë. Më duket se është kështu, sepse, gjithnjë më bëhet se ai, të gjitha këto i mbështetë në modestinë e vet, në dukjen e thjeshtë,... i mbështetë në pesë krerë dele, me të cilat pedatet, “dëfrehet”, që me qumështin e tyre e ushqen familjen, me të cilat edhe jeton,... i mbështetë dhe e do edhe bregun, nëpër të cilin ëmbël hapërojnë këmbët deri tek oborri i shtëpisë së tij.

 

Ngrohtësia e shtëpisë që rrezaton jetë e lumturi

 

Tash, pasi e fillova këtë shkrim kështu, atëherë po përpiqem t’i bie deri në fund. Shkaku i vizitës poetit, ishte vdekja e nënës së tij. Nisëm nga qyteti im buzë Grykës piktoreske të Rugovës, kurse në Gjakovë më presin edhe dy miq, dy krijues me të cilët u nisëm për në Tropojë. Gjatë tërë rrugës bisedojmë për kulturën, e më shumë për letërsinë dhe për mundësitë e afirmimit të fjalës së shkruar kudo në trojet shqiptare. Me poetët gjakovarë, T. B. dhe M. K. bisedojmë edhe për vizitën e sotme që do t’ia bëjmë poetit A. O. në Krahinën e Tropojës. Por, unë asnjëherë nuk e heqja mendjes që te poeti të mos rrimë shumë, por vetëm për aq kohë derisa t’i shprehim ngushëllimet për vdekjen e nënës. Mendoja kështu, sepse, e dija “hujin” e tij se ai dot nuk na lëshon pa drekë, edhe pse ishte hera e parë që unë do t’ia shkelja pragun e shtëpisë.

Posa arritëm në B. C., morëm rrugën për në bregun mbi qytet, ku edhe banonte poeti. E kisha frikën se pakëz do të lodhem dhe do të djersitem deri atje nga përpjetëza bukur e madhe. Por, për fat të mirë kjo nuk ndodhi aq shumë. Ndoshta për shkak se gjatë rrugës, e shikoja atë pjesë të qytetit, atë shpat mahnitës, por që atje kishin ngelur gjurmët e kohës, që me siguri e kishin vështirësuar edhe zhvillimin dhe urbanizimin e tij. Dhe, kah nuk më shëtitnin mendtë; nëpër periudha kohërash e historish, në jetën e poetit, në shtëpinë e tij dhe natyrën përreth.

Flas me miqtë që të mos rrimë gjatë. Dhe, pa një pa dy, të gjitha këto gjëra, çuditërisht m’u shndërruan në perandori shpirti e zemre, në ngrohtësi, që tërë trupin, tërë damarët e gjakut, në të njëjtën kohë m’i qonte peshë, m’i zemëronte dhe m’i ëmbëlsonte. Në oborrin e shtëpisë së poetit ka gurë, ka baltë, ka pjergull rrushi, ka edhe pak borë, që, të gjitha rrezatojnë dashuri, e që janë dëshmi e shpirtit të këtij njeriu të “çuditshëm” e me shumë elan e vullnet jete!

 

Gjurmë kohe që kanë ngelur e që shëmtojnë edhe pamjet e bukura të natyrës

Por, nuk mund ta kaloj përshkrimin deri aty kur iu afruam shtëpisë së tij. Nga qyteti, dukej se si shndriste diku atje në bregun krenar të këtij vendi me histori të latuar. Atje, sipër, dallonte shtëpia e poetit, sepse, vetvetiu rrezatonte madhërishëm! Zorshëm ecnin këmbët bregut të bukur por të sert nga pjerrtësia. Më duhet ta pranoj, djersët dhe frymëmarrja e shpeshtuar m’i sillnin ndërmend vitet dhe moshën që katralëmsh janë ngarkuar mbi supet e mia. Po ashtu, edhe ecja, të ju them të drejtën, më ishte ngarkuar me një mall e dhembje të tepruar, me një emocion të çuditshëm. Ndoshta, pse e parafytyroja shtëpinë e ngrohtësinë e poetit, të këtij burri të vogël me trup. Duke i shoshitur të gjitha këto, shoh se ai tani na kishte dalë për të na pritur disa dhjetëra metra larg shtëpisë. Edhe kjo ma rëndoi shpirtin, sepse ishte shenjë e respektit dhe e dëshirës për mirëseardhje.

Shtëpia që i ngjante vargut poetik, që i ngjante faqeve të historisë...

U takuam dhe u përshëndetem. Ia shtrëngova instinktivisht dorën, kurse ai më përqafoi duke me shikuar me ata sytë që i shkëlqenin e që ishin të mbështjellë me ujin kriptë, me lotin e tij, të cilin e fshin kinse për shkak të tymi të duhanit. Tash, në bebëzat e syve të tij m’u vizatua nëna tij, dhembja për prindin, por para se gjithash krenaria...!

Ecim tutje,... Vazhdojmë përpjetëzës deri tek shtëpia “kala” e poetit, e cila, me të vërtetë, sërish më duhet të them,, se ishte e ngrohtë dhe e dashur, mu sikurse gjiri i nënës, mu sikurse dashuria e saj! Në hyrje të oborrit, ndalem dhe shikoj nga afër shtëpinë, e cila, edhe ajo,... më besoni, i ngjante vargut, i ngjante poezisë,... por, i ngjante edhe faqeve të historisë.

 

Këtij bregu duhej ngjitur deri tek shtëpia e poetit

Të gjitha këto, në vetveten time ma detyronin mendimin e thellë për poetin dhe për jetën e tij, e që kjo mund të jetë, por, edhe është rrëfim interesant, kaptinë rrëqethëse mbase edhe tregim me vulën jo vetëm të një kohe dhe as të një periudhe...!

Posa iu afruam hyrjes së shtëpisë, na shoqëroi lehja e qenit, i cili me siguri në atë mënyrë, s’ka se si ndryshe, na dëshironte edhe ai mirëseardhjen dhe bujarinë e kësaj shtëpie, e cila, në pjesën e poshtme ishte e rrethuar me godina-gërmadha, që kishin ngelur pasqyrë e së kaluarës, e një rrugëtimi të zorshëm të kombit dhe të atdheut. Edhe kjo “panoramë” gjithkujt i lë mbresa por edhe provokon për t’iu koptisur shumë gjërave me përpjekje për të mësuar nga e kaluara, e për t’u angazhuar për ta bërë sa më të lumtur njeriun, tokën dhe atdheun, të cilët bashkë, kurrë nuk u lakuan...!

Bashkëshortja e poetit, me një ngrohtësi dhe buzëqeshje plot sinqeritet dhe gëzim e respekt, që kishim ardhur për ngushëllime poetit-bashkëshortit të saj, për nënën e tij, na tregon dhe na drejton për në korridorin e shtëpisë. Dhe, menjëherë, djathtas pastaj hymë në dhomën e ndenjes, e cila dukej e madhe,... alamet e madhe,... sa shpirti i poetit! Në te, tre kauçë dhe një tavolinë, që ishin të ndryshëm por që unanimisht rrezatonin madhështinë e bujarinë, por edhe tërë pothuaj historinë e jetës së këtij poeti, i cili rri “si zorra në prush” vetëm e vetëm për të na rehatuar dhe për të na pritur sa më mirë, sa më përzemërsisht.

Edhe në këtë rast, shpirti s’më lë të qetë, bile as të pyetemi normalisht me të zotin e shtëpisë, duke ma cokatur mendjen për gjithçka!... Sa keq kur njeriu është kaq i ndjeshëm...

Nuk ishin vetëm lot që bënin roje në bebëzat e syrit!

Nuk vonoi, dhe si me padurim na serviret tavolina për drekë. Në te shtrohen të gjitha të mirat, duke filluar nga buka misri e pjekur për merak dhe e zbutur në lëng djathi. Duke e “studiuar” këtë madhështi shpirti e bereqeti, blegërima e deleve ma provokoi mallin dhe me grishi për jetën e poetit. Tash, m’u kujtua edhe nëna ime, e cila dikur, po kështu e gatuante bukën dhe e shoqëronte me lëng djathi. Ç’të them?! Nëna ime ka më shumë se tri decenie që ka ndërruar jetë. Lotët më përziheshin dhe më qarkullonin nëpër tërë trupin tim tani të molisur, përziheshin me gjakun që kishte filluar të sertëllisej nëpër damarë. Pra, nuk ishin vetëm lot që bënin roje në bebëzat e syve.

Nuk vonoi dhe tryeza u mbush plot bereqete, që, në të njëjtën kohë më bënin të mburrem me poetin, por edhe ma shtonin një therje të pakuptimtë përbrenda vetvetes! Se ku më therte, nuk e di as vetë, sepse, ajo therje tani shëtiste gjithkah nëpër trup,... edhe jashtë trupit!

-Merrni, ju lutem!... Është mish pule nga shtëpia..., edhe pitja është gatuar me mazë shtëpie...!

Kjo ishte mirëseardhja e poetit për ne. Gjithnjë përpiqesha që gufimin e lotëve ta frenoj,... dhe sa herë që e shikoja poetin, më dukej se atij fytyra i bëhej all. Ndoshta kishte frikën se nuk ka kishte “sajgisë” ashtu sa e si duhet.

Nuk mungoi as rakia e shtëpisë, por as vëra, të cilat, të them të vërtetën na hapen një çikëz bisedën më alegro. Por, koha iku shpejtë, kështu që tani, shtëpinë e poetit e mora me vete, e futa në mendjen dhe shpirtin tim, për ta shijuar e shprushur më gjatë dhe ashtu si dua unë, për qejfin tim!

Tash, duke u përshëndetur, sërish kalojmë kah qeni, që prapë lehte duke na dëshiruar rrugë të mbarë, por, për t’u kthyer sërish. Ndërsa, pak më larg, në ahur, delet na përshëndesin me blegërimë. Sa zë të ëmbël që kishin. Ato, poeti i kishte sermi e pasuri!

Ikëm, por sërish poeti na shoqëron deri ke bregu i fundit. Përshëndetemi ngrohtësisht duke e ngushëlluar edhe njëherë për nënën Ajnë. Dhe, për lamtumirë, poeti me sy-bilur e të lagur ma shtrëngon dorën fortë. Përshëndetemi ngrohtësisht,... vëllazërisht, duke më ngelur shikimi kah shtëpia e tij, i cili duke u kthyer drejtë shtëpisë se vet, më dukej gjithnjë e më i madh,... e prekte qiellin,... Tash, edhe shtati i tij dukej i lart, si lis me rremba. Kaq deri këtu!

Tani, dua të them se jeta është “tradhtare”... Ky njeri më bezdis për të menduar më thellë për çdo gjë,... ky njeri i cili ka mbaruar tre fakultete, dhe tani “shoqërohet” me delet e veta që ia sigurojnë bulmetin e familjes, “shoqërohet me pulat e shtëpisë, por shoqërohet edhe me perlën e këndimit shpirtëror, me poezinë, e cila i krijon “telashe” shpirtit të tij për t’i kënduar jetës. Të gjitha këto, krejt normalisht, ia imponojnë ankthin e makthin, të cilat, nëse zbërthehen plotësisht, ato nxjerrin në shesh “arpallëkun” dhe të mirat e jetës, të cilat mund të rrumbullakohen si dramë e dhimbjes së madhe!

U ndamë nga poeti, me një krenari e me një mall për drekën që nuk harrohet kurrë, sepse, ajo ishte bujaria dhe çiltërsia e njeriut tonë, e poetit nga shkrepat buzë Valbonës dhe Shkëlzenit.

Tërë këtë, deri në këtë moment që po e bëj këtë shkrim, nuk e ka ditur askush, se për mua ishte dreka e lotëve në shtëpinë e poetit. Këtë drekë, dua t’ua lë tri fakulteteve që i ka mbaruar poeti dhe kohës, që ta shpjegojnë më mirë se unë, nëse munden...!

Rruga prej B. C. deri në Rrafsh të Dukagjinit m’i ngjante therrave dhe murrizave, që, kur isha i ri, duart m’u bënin gjak duke i larguar nga fushat e gjelbëruara këta drunj me gjemba...!



(Vota: 33 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora