Mendime
Ardian Ramadani: Kur ministresha nuk ngopet me dënimet ndaj shqiptarëve të pafajshëm
E diele, 04.03.2012, 08:01 PM
Kur ministresha nuk ngopet me dënimet ndaj shqiptarëve të pafajshëm
Nga Ardian Ramadani
Javën që kaloi patëm rastin të shohim interpelancën e kërkuar nga ana e deputetëve të partisë opozitare shqiptare, PDSH së, ndaj ministreshës së punëve të brendshme të këtij shteti, Gordana Jankullovskës. Interpelanca kishte të bënte në lidhje me marrëveshjen e këtij shteti me shtetin e Serbisë për patrullime të përbashkëta të policive të këtyre dy shteteve. Kjo edhe nuk më shashtrisi aq shumë, ngase duke e parë kursin politik të kësaj qeverie, nuk do të ishte çudi nëse që nesër do të shpallej Maqedonia pjesë e shtetit serb, ndërsa ne shqiptarëve të na gjejë ashtu siç na gjen çdoherë, të përgjumur, të fjetur, në letargji dhe në hibernacion. Interpelanca dhe reagimet e deputetëve shqiptarë ishin me vend, po ja që reagimet e njëpasnjëshme në mënyrë serike hasnin në vesh të shurdhër si nga ana e ministreshës poashtu edhe nga ana e zyrtarëve të tjerë qeveritarë, po bile edhe nga vet kryeministri.
Kësisoj, tani qytetarët e këtij vendi të brishtë, “nuk do të kenë” më problem, do të jenë më të “sigurtë”, ngase policia serbe, e cila hiç më larg se para një dekade vriste e masakronte shqiptarë, do të “na ruajë” aq shumë sa që do të ndihemi më të sigurtë se kurrnjëherë më parë. Edhe atë kjo polici do të patrullojë dhe “sigurojë” në dy qytetet me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Strugë. Thuaja se nuk ka Maqedonia shtet tjetër fqinj, thuaja se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë polici, si dhe me to nuk duhet të nënshkruhet një marrëveshje e njejtë, edhe pse popullata shqiptare në këtë shtet është shumicë decizive dhe faktor, e për këto dy shtete nuk vlen marrëveshja e emërtuar “sipas agjendave europiane”.
Nuk më çuditi as mua, por besoj edhe as auditorin e gjerë takimi i ministrit të mbrojtjes, Fatmir Besimi, javë më parë, i cili i dalur nga partia që pretendon trashëgiminë e kryengritjes së vitit 2001, bëri ca skandale me radhë, duke filluar përuljen para “branitellëve”, mburrjen me “skopjankën” Nënën Terezë, me fjalimet e tij në gjuhën maqedonase, si dhe skandali i fundit, takimi me gjeneralin kriminel serb, shefin e shtatmadhorisë serbe, Lubisha Dikoviqin, për të cilin vet Natasha Kandiq, drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, thotë dhe jep dëshmi se ka qenë pjesëmarrës direkt në krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, gjatë luftës. Është e vetmja serbe, së bashku me Çedomir Jovanoviqin, kryetarin e partisë liberale serbe, që kërkojnë EPIFANINË, ballafaqimin me të vërtetën, dhe që bëjnë thirrje për katarsën serbe dhe denacifikimin serb. Bile, bile janë më të zëshëm se edhe disa shtetarë dhe qeveritarë në Kosovë dhe këtu ke ne, të cilëve i`u mungon solipsizmi, aftësia për të perceptuar mënyrën tjetër për botën, mënyrën reale dhe objektive, si dhe të cilët i ka kapur demenca e frikshme, e nuk kujtohen në asgjë, e duke mos u kujtuar në asgjë, bëjnë koncesione në dëm të çështjes kombëtare shqiptare.
Por, ajo që më shqetësoi pa masë mua, ishte deklarata e ministreshës së punëve të brendshme maqedonase, Gordana Jankullovskës, e cila gjatë pyetjeve të deputetit shqiptarë të partisë opozitare PDSH së, z. Orhan Ibrahimit, në lidhje me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për bashkëfshatarin tonë Rexhail Qerimin dhe dy persona të tjerë, për gjoja vrasje të policit të njëisë speciale ALFA, me përkatësi etnike shqiptare, krim ky që kurrë nuk u zbardh si duhet, sepse ishte i ngarkuar dhe i ngjyrosur politikisht, gjatë fjalimit të saj pra, u shpreh se nuk i vinte keq fare që i ishte shqiptuar dënimi këtyre shqiptarëve me burgim të përjetshëm, e bile sipas saj ndoshta ky ishte edhe dënim i butë, sepse duhej dënim edhe më i rëndë, edhe më drakonik. Hajde e mos u shqetëso. Pra, dënimi më i rëndë, mund të jetë vrasja. E, ec e mos shkruaj e mos reago.
Ndërsa në lidhje me këtë rast kam shkruar për të satën herë unë, mandej kemi deklaratën e vet prindit të viktimës, i cili thotë se personat të cilëve iu është shqiptuar dënimi nuk janë vrasësit e djalit, respektivisht policit, mandej janë një mori pikash që të shpiejnë në konstatimin se ndaj Rexhail Qerimit dhe të tjerëve është kryer një proces i pastër i montuar, e tëra kjo duke u mbështetur në këto fakte : e para, gjatë vrasjes së policit ka pasur kamera sigurie, kur janë kërkuar kamerët e sigurisë, respektivisht inçizimet ato nuk janë ekspozuar si argumente në gjykatë, gjatë gjykimit, e dyta, personat dënohen pa argumente fare, ngase po të lexosh aktgjykimin të vjen për të qeshur dhe për të qarë për drejtësinë gjysmake këtu, pa kurrfarë argumentesh, e treta për të njëjtin rast, pra për vrasjen e policit, janë bastisur me dhjetëra familje shqiptare, thuaja se në këtë krim kanë marrë pjesë gjysma e një fshati, si dhe argumenti tjetër, fill pas vrasjes së policit të njësisë speciale, arrestohet Rexhail Qerimi dhe disa të tjerë, e pas 5 ose 6 orësh lirohen, për tu arrestuar më vonë pas ca javësh, dhe për t`u dënuar me burgim të përjetshëm. E ministresha, nuk është e kënaqur me shqiptimin e dënimit, ngase nuk çan kokën se një familje shqiptare nuk ka më të dashurin e saj afër vetes, ngase nuk brengoset që një fshat i tërë dhe një komunë ndan dhembjen dhe mllefin për padrejtësinë e organeve të këtij shteti që merr në qafë njerëz pa pikë faji. Por, ministreshës nuk i bëhet vonë, as për Rexhail Qerimin e as për 130 pjesëtarët e kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as për 13 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri shqiptar, e as partia shqiptare në pushtet. O tempora, o mores. Pse ky kuietizëm, pse kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo heshtje vrastare…… ky servilizëm.
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)