E shtune, 27.04.2024, 09:34 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Marrëveshja e turpit vërtetoi Kosovën kondominium

E marte, 28.02.2012, 08:59 PM


Marrëveshja e turpit vërtetoi Kosovën kondominium

 

Nga Mr. Ardian Ramadani

 

Lajmi mori dhenë. U nënshkrua marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Kosova do të paraqitet jashtë vendit në dy mënyra të çuditshme, do t`i referohet rezolutës absurde dhe alogjike 1244 në njërën anë, e në tjetrën anë me denominimin KOSOVO (term sllav) do të jetë në linjë me deklaratën e GJND së për pavarësinë e Kosovës. Ja edhe teksti decid i marrëveshjes, Kosovo* do të jetë denominimi i vetëm që do të përdoret dhe fusnota do ta ketë këtë tekst: “Ky emërtim është pa paragjykimin për statusin, dhe në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 si dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Se çka nënkupton kjo marrëveshje nuk mund ta deshifrojë askush, po përmes kësaj marrëveshje njihet mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. Është e habitshme se si kryenegociatorja kontraverze Edita Tahiri pranoi të nënshkruajë këtë marrëveshje me aminin e padronit të saj kryeministrit kosovar, Hashim Thaçit, duke anashkaluar elementin bazë të një shteti për tu njohur ndërkombëtarisht, sovranitetin dhe duke pranuar fjollën e borës për këtë shtet. Me këtë marrëveshje cenohet sovraniteti i Kosovës edhe de jure. Ngase legjitimohet një rezolutë e bërë për një shtet që nuk ekziston më, për Jugosllavinë e vdekur. Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar i referohet një rezolute për një shtet që nuk ekziston, për një territor të një vendi i cili nuk është më i tillë çfarë ka qenë. Kësisoj me këtë veprim, pavarësia e Kosovës e humb kuptimin e saj, ngase teksti në fjalë i marrëveshjes është me ambiguitete dhe me anomali. Kjo marrëveshje vërteton atë që pata shkruar disa muaj më parë, shndërrimin e Kosovës në kondominium. Kondominiumi në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si term ku sovranitetin ndaj një territori e ushtrojnë dy apo më tepër shtete, respektivisht subjekte. Në Kosovë ushtron sovranitetin edhe Kosova edhe Serbia, e që të jetë kjo e çuditshme dhe shokuese, e njëjta legjitimohet nga qeveria e Thaçit.

Kjo marrëveshje e turpit e cila në fakt është antishqiptare, antishtetërore dhe anti Kosovë, sjell dyshime, ambiguitete dhe cenim të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Edhe pse klishetë drejtuar partive që kundërshtuan me të drejtë këtë marrëveshje, lëshuar nga ana e ambasadorit amerikan dhe sovranit mbret, Dellit, i cili me përzierjet e tija të njëpasnjëshme në punët më të ndjeshme të Kosovës, ka thyer edhe normat dhe funksionin e tij si diplomat, kanë qenë në vazhdën e asaj për të matur pulsin se sa qeveritarët shqiptarë të Kosovës janë stoik dhe të vendosur. Po kur shihet se po këta qeveritarë janë të prirur për koncesione pa kurrfarë përfitimi, po bile për humbje pse të insistohet ndryshe. E kemi rastin e Gjermanisë dhe deklaratave të shtetarëve të saj të cilat janë më pro sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, se sa qëndrimet e shtetarëve të Kosovës. Krejt kjo ngase shtetarët e Kosovës e kanë harruar kuptimin e sovranitetit dhe të shtetit. Nëse merremi me definicionin e shtetit do të shohim se shteti, apo ai që jo rrallë në mënyrë të vagët në komunikimin ndërkombëtar dhe kombëtar quhet edhe si vend, shumë shpesh vazhdon të perceptohet si një bazë territoriale e gjeografike, pra si një territor i veçantë i populluar dhe me kufij plotësisht të përcaktuar. Përderisa përpos kësaj, koncepti i shtetit ka edhe përmbajtjen politike që lidhet me qeverisjen e territorit dhe qytetarëve që banojnë aty, pra në atë territor. Kësisoj përpos territorit gjeografik e pushtetit qeverisës, aty bën pjesë edhe pushteti gjyqësor, që të gjitha këto së bashku përbëjnë sovranitetin e shtetit. Ndërkaq elementi thelbësor dhe kryesor i shtetit, sovraniteti është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm.

Me marrëveshjen e turpit të arritur sot, vërtetohet amullia, paqartësia dhe pranimi i shtetarëve të Kosovës si dhe shndërrimi i kësaj të fundit në kondominium, me legjitimim dhe bekim të vet qeveritarëve të saj, mirëpo tatëpjeta e kësaj qeverie ka marr hov dhe nuk do të ketë të ndalur. Qeveritarët e Kosovës nuk duan të shohin këtë realitet, ata bëhen se kinse janë duke u ngjitur majës së Olimpit të rrejshëm. Por, populli ju bën vezir, populli ju bën rezil. Keni harruar se zëri i popullit është zëri i Zotit, vox populi, vox dei. Andaj duhet hedhur poshtë kjo marrëveshje e turpit dhe duhet dënuar kondominiumin e legjitimuar nga shtetarët e Kosovës, nga vet populli, përmes protestave të paralajmëruara, si dhe në ditën e zgjedhjeve, që me gjasa do jenë të parakohshme, atëherë kur Edita Tahiri dhe qeveria e saj të presë shkrirjen e fjollës së saj (lexo: fjolla, fusnota të cilës do të duhet t`i referohet Kosova sipas marrëveshjes së arritur), por edhe të karrierës së vet personale.

 

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora