Mendime
Dorian Koçi: Trashëgimia kulturore në ankand
E merkure, 22.02.2012, 05:05 PM
Trashëgimia kulturore në ankand
Nga Dorian Koçi
Para pak ditësh në fund të janarit, Instituti i Monumenteve të Kulturës shpalli vendimin dhe dëshirën më të re në kuadër të strategjisë së vet për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore, që mbartin monumentet e kulturës gjithandej nëpër Shqipëri. Ky vendim dhe dëshirë konsiston në faktin e dhënies me qira të rreth 40 monumenteve të kulturës në Shqipëri për 99 vjet, subjekteve private të cilat mund të investojnë për të ndërtuar në to, hotele apo restorante nën shembullin e Kalasë së Petrelës e Lëkurësit në Sarandë. Vendimi, si pritej, ka ndezur një debat të gjerë në media, por dhe mes specialistëve, të cilët janë ndarë në dy kampe për sa i përket dobisë së dhënies apo jo me qira të këtyre monumenteve. Shqipëria, nga Jugu në Veri, duke qenë nga trojet më të hershme të zhvillimit të civilizimit botëror dhe me një numër të konsiderueshëm të monumenteve të kulturës, rezulton të jetë e prekur dhe e interesuar e gjitha, për të pasur një platformë dhe strategji të drejtë për sa i përket kësaj dileme, që në dukje tingëllon shkencore, por që pas vendimit të qeverisë, do të materializohet shumë shpejt dhe në praktikë.
Instituti i Monumenteve të Kulturës këmbëngul se vendimin e ka marrë të bazuar në traditën dhe eksperiencën europiane, kryesisht të Austrisë, ku brenda kështjellave mesjetare mund të gjesh ndërtime të këtij lloji. Për më tepër, përfaqësuesit e Institutit shpjegojnë se mënyra më e mirë për të shpëtuar një monument nga degradimi është rivitalizimi i tij, me një funksion dhe rol të ri. Natyrisht në këtë përqasje të problemit, besoj se nuk ka asnjë kundërshtim, pasi është e vërtetë se monumentet, përveçse mirëmbajtjes së vazhdueshme, kërkojnë dhe funksionim dhe rol të ri në shërbim të komunitetit për të marrë jetë. Madje mirëmbajtja dhe shpenzimet e harxhuara për të mos u rrënuar mund të jetë dhe një arsye tjetër për t’u dhënë me qira, pasi dihet tashmë që financat e shtetit s’mund ta përballojnë këtë kosto të lartë, kurse biznesmenë të suksesshëm mund të afrojnë shumë gjëra në këtë drejtim. Këto arsye të trajtuara në këtë lloj mënyre sigurisht që tingëllojnë bindëse dhe në përgjithësi, pasi i ke dëgjuar, mendon se nuk ka vend më për diskutim. Mirëpo pavarësisht kësaj përqasjeje neoliberale të privatizimit të gjithçkaje dhe besimit në forcën dhe kreativitetin e privates në krahasim me shtetin, sërish me një sy shpejt mund të konstatosh se vendimit dhe projektit të Institutit të Monumenteve i mungojnë disa gjëra thelbësore për ta bërë të besueshëm.
Së pari, shembujt e sjellë si pozitivë, nuk konsistojnë në histori suksesi, pasi Kalaja e Lëkurësit sot me ndërtimet që janë bërë aty, është larg nga identiteti i saj i mëparshëm dhe sigurisht në këtë drejtim, fajin nuk e ka privati që ka investuar, por shteti që e ka pasur aftësinë kontrolluese shumë të ulët, duke lejuar të devijojë nga projekti origjinal. Kjo aftësi e ulët e shtetit është vërejtur edhe në sektorët e tjerë të jetës sonë publike, ku trotuare dhe hapësira publike janë zotëruar nga privatët dhe s’i janë rikthyer ende komunitetit. Ndaj në këtë kuptim, të pretendosh se do të rritet performanca e shtetit për të kontrolluar çdo detaj të qiradhënies së këtyre objekteve mund të jetë një iluzion, që mund të na kushtojë shtrenjtë, pasi pas ndërhyrjeve të mundshme të privatëve do të jetë shumë vonë dhe me shumë kosto për t’i rikthyer në origjinalitet. Për këtë arsye kërkohet që vendimi që Instituti ka marrë të jetë gjithëpërfshirës, duke pasur një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë institutet e tjera shkencore në Shqipëri si ai i Historisë, i Arkeologjisë, i Antropologjisë dhe deri tek impaktet që do të kenë në ambient ndërtime të tilla. Kjo do të thotë se hartohet një strategji e plotë, duke marrë parasysh faktorët historikë, kulturorë, etnografikë dhe të ambientit, gjë që e cila kërkon shumë më tepër kohë sesa një vendim i nxituar, për të pasur më vonë pasoja në kulturën tonë kombëtare. Së dyti, monumentet e kulturës që zgjidhen për të hyrë në këtë proces, po të shikohet më thellë në botë nuk janë monumente që përbëjnë palcën e identitetit kombëtar, por monumente të kulturës së dorës së dytë, që kërkohen të rivitalizohen si p.sh godina institucionale të shekujve të kaluar. Nuk mund të mendohet që në Itali, Koloseu t’u jepet me qira investitorëve privatë, për të ndërtuar hotele apo restorante në të, ashtu si po veprohet tashmë me Kalanë e Lezhës, që ende nuk është gërmuar nga arkeologët dhe larg qoftë me Amfiteatrin e Durrësit, Apoloninë apo dhe Butrintin nesër, pasi të gjitha këto monumente në Shqipëri, ashtu siç është përfaqësues Koloseu për Romën janë simbol të qyteteve përkatëse. Për më tepër, hapësira kohore e përzgjedhur në vendim, rreth 99 vjet, është një praktikë që më tepër se nxit sipërmarrjen e lirë, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në trashëgiminë tonë kulturore.
Trashëgimia kulturore mund të konsiderohet shpeshherë si një luks për realitetin shqiptar, ku mungojnë shumë gjëra të tjera thelbësore, por besoj se asnjëri nuk mund ta mohojë vlerën e saj të paçmuar në sendërtimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të një kombi. Askush në vitet ’30, kur u bënë punimet në Apoloni dhe Butrint mund t’i konsideronte si prioritete të Shqipërisë këto punime, por sot ato janë kthyer në ikona tërheqëse, që sjellin shumë vizitorë në Shqipëri sidomos gjatë sezonit turistik. Për më tepër, Shqipëria ka një thesar të vërtetë në këtë drejtim, pasi vendi ka qenë një kryeqendër e pothuajse të gjitha zhvillimeve kulturore që kanë kaluar në Ballkan. Lista e monumenteve të kulturës, që janë dhënë në shfrytëzim deri tani nga Veriu në Jug, mund të jetë e konsiderueshme, por Instituti i Monumenteve të Kulturës duhet fillimisht të tregojë sesi kanë qenë dhe ç’përfitim ka pasur nga investimet, për sa i përket restaurimeve dhe mirëmbajtjes së tyre dhe pastaj të dalë me një vendim që i jep të gjitha monumentet me qira. Pasi të jetë bërë ky bilanc dhe pastaj në bazë të këtyre të dhënave është hartuar një strategji e mirëfilltë, duke marrë parasysh të gjitha grupet e interesit mund të fillojë Instituti të vendosë për dhënien apo jo të tyre me qira. “Veprimet flasin më shumë se fjalët”, thotë një fjalë e urtë latine që e përkthyer në realitetin tonë, do të thotë që të rishikohen mirë shembujt ku monumentet e kulturës janë dhënë me qira investitorëve privatë dhe në bazë të tyre, të hartohet dhe strategjia gjithëpërfshirëse e menaxhimit të tyre.