E enjte, 01.05.2025, 06:57 AM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Rexhaj: Bashkimi kombëtar nuk arrihet me parulla folklorike

E shtune, 18.02.2012, 05:59 PM


BASHKIMI KOMBËTAR NUK ARRIHET ME PARULLA FOLKLORIKE

 

Një popull që mëton tardhmen e ndritur duhet të punojë më shumë sesa të flasë shumë...

 

Nga Xhevat Rexhaj

 

Bashkimi i sotëm i  shqiptarëve është demokracia liberale evropiane. Një demokraci pluraliste me institucione liri-mbrojtëse, të pavarura dhe pushtete të ndara. Dhe ky sistem politik nuk ka nevojë për bashkim të shpejt , por për konsensus të të gjithëve neve shqiptarëve. Në këtë rast shteti, apo  qëllimi i përbashkët, është si puna e dritës diellore që formësohet me kontributin e të gjithë spektrit të ngjyrave politike me vizione tqarta.

 

Gjermania punoi, u zhvillua në të gjitha sferat jetësore, u bë fuqi  ekonomike dhe demokratike europiane dhe botërore, dhe kur iu ofrua rasti e   ribashkoi Gjermanin, shkurt e bleu ngase ishte përgatitur 45 vite me radh.

 

Ndersa ne shqiptarët mjerishtë  ende nuk prodhojmë miell të mjaftueshem për magjet tona e në anen tjeter kerkojmë bashkimin apo ribashkimin kombëtarë! Athua mos po ia bëjmë vetem qejfin vetes?

 

Në kohën kur shtetet shqiptare, njëri i formuar zyrtarisht para 100 vjetësh dhe tjetri formuar me 1990-91 dhe i zyrtarizuar me njohjen nderkombëtare me 2008, ende nuk janë në gjendje që me mjete dhe burime vetanake ta mbajnë me bukë popullatën, ku nuk ka ekonomi të zhvilluar, demokracia dhe shoqëria në pergjithësi ende janë në perpelitje me dukuri negative të së kaluares, mirëqenja sociale dhe punësia janë larg normales dhe të duhures, pra thjeshtë ka aq shumë mangësi në perpelitjen tonë sa duhen edhe dekada që të mund të ngjitemi shkallëve të nji zhvillimi më të madhë në të gjitha sferat e jetes.  Megjithatë edhe pse keto fakte dhe deshmi janë të prekshme dhe të pashme  ne kemi disa njerëz  që i thonë vetes liderë e çka jo tjeter, dhe grupacione  që për momentin merren me tema të planeteve tjera të cilat ende nuk i ka zbuluar as Amerika.  Jetojmë në kohën kur ende jemi dy shtete me kufij të pacaktuar,  ku një numër i madh i shqiptarëve jetojnë edhe në shtetet  tjera fqinje, dhe një numër shumë i madh i shqiptarëve  në mërgim, jetojmë në kohën kur ne ende jemi të pastabilizuar në shumë fusha jetësore dhe shtetërore për të funksionuar si shtete të forta dhe të demokratizuara, jetojmë në rrethana të vështira ku plot gojën e kemi shtet dhe kombëtarizëm e gati të gjitha veprimet i kemi bajraktareske dhe të përçudnuara. Jemi mbase populli i vetëm,  në Evropë po se po, por edhe më larg fatkeqësisht ku vështirë komunikojmë njëri me tjetrin në mënyrë të qytetëruar,  qoftë si individë, si grupe apo edhe si parti politike, apo edhe institucione. Fatkeqësisht kemi veti të epokës mesjetare, shajmë lehtë, degradojmë figurat tona kombëtare lehtë dhe pa fakte, shpesh ngrisim liderë të rrejshem dhe të dobet në bazë të folklorizmave të rrejshem patriotik të tyre , shantazhojmë lehtë njëri tjetrin dhe i kemi dy fjalë mbase më të përdorurat në përditshmërinë tonë, që tek qytetërimet e tjera zor se i gjen: tradhtar dhe shpiun?! , dhe mjerishtë si shoqëri ende merremi me pasojat e jo me zgjidhjen e nyjeve tona që na e rendojnë barren në trupin tonë .

 

Nga njëra anë dëshirojmë të jemi pjesë e Evropës së civilizuar dhe të superzhvilluar ekonomikisht , me shoqëri të demokratizuar, me sundim të ligjit, me pasterti të figurave politike, me  sigurime dhe sherbime të duhura  sociale e    mira të tjera,  ndersa në tjetrën anë jemi po ata që e shajmë Evropën për të pamirat tona, sepse  nuk na kanë ndihmuar me kohë se do ishim në të gjitha trojet të bashkuar ( keshtu themi ne me nguti) , e pa na shkuar mendja se ne sigurisht që me shekuj do ishim të bashkuar sikur të mos i kishim kapriciozitetet tona dhe të metat tona që na përcollën me shekuj, e kjo më së shumti ndoshta ishte edhe si pasojë e sundimit të gjatë barbar turko-sulltanez, e më vonë atij serbosllav. Të jemi më realistë, i huaji nuk mund të të ndihmojë, nëse ti nuk e ndihmon veten ose së paku të mundohesh. Jo, këtë ne fatkeqësisht nuk e bëjmë as sot e kësaj dite. Të shikojmë shtetin tonë Shqipërinë, po të mos ishte perëndimi në vitin 1997 Shqipëria do të zhbëhej, Shqipëria nga vetë shqiptaret do të plandosej fare për toke, do të ndodhte tragjedia kombëtare me gabimet dhe ndërsdkamcat e vetë shqiptarëve, e njëjta gjë ndodhë edhe sot kur shteti përgatitet për në të hyrë në Evropë, për të mirën e lëvizjesë së lirë të shqiptarëve dhe mirëqenien e tyre, për të fituar peshen e vetë në politiken europiane, për të pasur një mirëqenje më të mirë shqiptaret e Shqipërisë, por jo kjo rrugë pengohet ende,  ngase  kemi  ende falangën komuniste e cila është e gatshme që ta rrenojë për së dyti atdheun e vet, janë të gatshem që vetem për hirë se në krye shteti gjindet nji “ Malok” ta plagosin shtetin dhe ta pengojnë ecjen drejtë Evropës e me këtë i bejnë argat armikut tonë shekullor Serbisë që ajo të futet para Shqipërisë në EU dhe pastaj ne shqiptarët  i biem kavallit?! A ka më marri dhe më tragjedi se kjo çfarë po ndodh me shqiptarët ? e këtej ka të tillë që mashtrojnë një shtresë të popullatës me parullat se do ta bejmë bashkimin e trojeve etnike e pa patur asnjë adut të mirëfilltë për kete qeshtje!. Kemi edhe rastin e Kosovës kur Amerika me aleatët u desh të intervenojnë me luftë ndaj ish mikut të dikurshëm të Evropës, Serbisë, dhe ta çlirojë Kosovën e ta finalizojë pavarësinë e saj. Pra nuk është bardh e zi, është realiteti dhe vullneti i vet një populli që të eci përpara dhe të kërkojë ndihmë nga aleatët kur ka nevojë për të, por jo të kerkojmë ndihmë edhe për detyrat shtëpiake që duhet të zgjidhen vetë nga shteti dhe qytetarët. Në Shqipëri,  në vitin 1997  u vranë mes vete  me mijëra shqiptarë, e njëjta gjë do të ndodhte edhe në Kosovën e pasluftës po mos të ishin ushtarët e Natos, -pra të Amerikës, këtë duhet ta pranojmë edhe nëse na dhemb,  ngase gjërat diheshin dhe dihen sot e kësaj dite se inatet tona dhe marrëzit tona na u kanë hakmarr gjithnji. Pra të jemi pak real e jo bukëpërmbysët, ta manifestojmë dashurinë deri në kufij të caktuar ndaj atyre që na bënë sot të lumtur (pa i mohuar kurrë sakrificat dhe veprimet tona shekullore ngase  ishim ne shqiptaret vetë që kurrë nuk pranuam pushtuesit ,por  mjerisht nuk dijshim të shfrytzonim rastet historike sikur asaj kohe pas perfundimit të LDBsë kur paria komuniste enveriane shiti interesat kombtare për internacionalen socio-komuniste), dhe të lirë.

 

Nëse dëshirojmë të jemi kërthiza e botës (që nuk mund dhe nuk do jemi kurrë, se bota është me plot kërthiza), atëhere së pari duhet të jemi kërthizë për vete, duhet të duam shtetin, duhet të punojmë për shtetin e jo të bëjmë pallavra se duhet të bashkohemi menjëhere në një shtet se kemi të drejtë se jemi të gjithë shqiptarë e çka jo tjetër, e në praktikë nuk bëjmë asgjë për këtë ideal që, sigurisht se  dikur do të arrihet, por së pari ne duhet të forcohemi në  aspektin ekonomik, politik dhe ushtarak, të kemi nji shoqëri të fortë demokratike ku do të sundoi ligji dhe rendi, ku ne do ta respektojmë dhe do ti paguajmë tatimet shtetit,  kur nuk do të kemi qeveritarë hajna dhe të kriminalizuar, kur populli , pra qytetaria nuk do të mendoi se si të ikin nga tatimet duke u arsyetuar se po vjedh pushteti andaj do vjedhim edhe neve , si dhe shumë gjëra të tjera të domosdoshme që të funkcionojmë si shtete demokratike, e athere lirshem mund të punojmë dhe realizojmë bashkimin kombëtarë me vepra e jo me llafe tkota turbo-patriotike të rrejshme.

 

Atëhere kur ne shqiptarët, pra  të dy shtetet tona  të kenë një zhvillim të madh ekonomik, të kenë infrastrukturë të fortë të të gjitha fushave jetësore, të jemi të njohur në botë me prodhime tona, me sport, me turizëm me kulturë dhe me mirëqenie të përgjithshme, e  atëhere do të bëhemi së bashku, ngase realiteti në terren do ta mundësojë këtë hap të realizueshëm me mençuri. Si të bëhemi bashkë kur ne shqiptarët nuk kemi fabrika as të biçikletave, shteti ynë nuk e ka asnjë aeroplan së paku udhëtarësh, nuk kemi rrymë të mjaftuar, nuk kemi as përgjegjësi ndaj të tashmës e lëre më të ardhmës, nuk kemi ende vetëdije të dashurisë ndaj shtetit, për hesape personale e hajmë dhe e shkatërrojmë shtetin, ky është realitet i dhimbshëm i yni.

 

E duam bashkimin e nuk mendojmë se nuk jemi Gjermani, e duam bashkimin e nga ana tjeter partitë politike dhe liderët e ndryshëm me pasë mundësi ia marrin jeten njëri tjetrit, e duam bashkimin e për ideologji të ndryshme i përdhunosim figurat tona më të ndritshme kombëtare që punuan dhe vepruan tërë jetë e tyre për bashkimin kombëtar, e duam bashkimin e ende merremi me idetë e armiqëve të kombit, leninizmit-stalinizmit-titizmit e enverizmit. Jo, me ide të tilla vetëm se  do zhytemi edhe më shumë   në humnerë, nga e cila   mjerishtë  ende nuk po mund të dalim !.

 

Që ta bëjmë bashkimin si një vizion për të ardhmën duhet të bëhet shumë, qytetarët shqiptarë kudo në trojet e tyre do të bashkohen atëhere kur të vetdijësohemi të gjithë dhe të jemi syçelë për të ardhmën, atëhere kur emrave të mëdhenj të historisë shqiptare dhe asaj botërore pos emrave të mëdhenj të kombit tonë që terë jeten ia kushtuan shqiptarisë të i bashkohen edhe emra të rinjë me ide perparimtare, të bazuara në realen e sotme ku teknologjia dhe shkenca, shkollimi dhe edukimi, mirëqenja dhe dashuria e vertet për shtetin të jenë referencat e tyre kryesore. Që dikur të realizojmë bashkimin kombtarë së pari duhet të forcojmë dy shtetet tona, të jemi prezent dhe të denjë në forumet nderkombtare, të ruajmë dhe çmojmë vlerat tona të mirëfillta, të marrim mësime nga demokracitë e mëdha perëndimore, të respektojmë tonen por mos ta hudhim të miren e të huajve. Bashkimi kombtarë kurren e kurres nuk vie me parulla proletare,  por  ai  vie si rezultat i punës së menqur dhe krijimit të miqësive me të fortit dhe të mëdhenjet e botës, shumicen i kemi me neve, na i la  Heroi i shqiptarisë Gjergj Kastrioti, Presidenti i Kosoves Ibrahim Rugova,  Nana Tereze, Adem Jashari, të cilët  e kanë  hapur shtegun së bashku me mijëra figura dhe Heronjë të shqiptarisë që një ditë të jemi bashkë, por të jemi edhe të dashur në mes veti ngase të jemi bashkë e të përqar athere më mirë  të presim ende!.

 

Bashkimin e bënë vizioni i qartë dhe arsimimi i një kombi, fuqia ekonomike dhe demokracia e brendshme, kur ti kemi këto premisa të gatshme  e të realizuar në terren dhe në kokat tona, atëhere do jemi të bashkuar gjithsesi.



(Vota: 6 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx