E enjte, 01.05.2025, 12:13 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Zogaj: Pavarësia në rikthim të pretektoratit ndërkombëtar

E shtune, 25.02.2012, 01:05 PM


PAVARËSIA NË RIKTHIM TË PRETKTORATIT  NDËRKOMBËTAR

 

Shkruan: Skënder Zogaj

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi , para disa ditësh i akuzoi publikisht si “injorantë,  disfatistë dhe mosnjohës të realitetit” të gjithë ata që kishin hetuar rrezikun që po i kanosej statusit të Kosovës, për të hequr dorë nga republika dhe për  t’iu rikthyer mbetjes nën përfaqësimin  e Rezolutës 1244. Kryeministri i shau  “injorantët” mirëpo, doli se ata kishin pasur shumë të drejtë, sepse Thaçi , i hëngri fjalët e veta dhe prapë publikisht, e pranoi përdhosjen brutale të pavarësisë së Kosovës, që pritet të ndodh, pasi që  Qeveria e Kosovës është pajtuar që Kosova në forumet rajonale të përfaqësohet me Rezolutën 1244, dhe me dy dokumente si fusnota: vlerësimin e GJND dhe  dokumentin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky është propozimi i modelit  më të ri që Kryeministri Hashim Thaçi e ka proklamuar të pranueshëm për daljen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Lajmi ka krijuar shqetësime të mëdha sepse, sipas komenteve të para të specialistëve të kësaj lëmie problemesh, fjala është për një formulim bizar,që, edhe më injoranti e sheh dhe e kupton se, fjala është për zbrapsje të fuqishme prapa të Republikës së Kosovës, e cila nga pavarësia e kthjelltë si loti, e shpallur legalisht dhe e funksionalizuar me institucione sipas standardeve më të avancuara demokratike, pas zhvillimit të mirëfilltë 4- vjeçar dhe pranueshmërisë ndërkombëtare prej afro 90 vendesh të botës, në çast,  pa asnjë arsye të qenësishme, hiqet dorë nga mëvetësia dhe vendi i rikthehet protektoratit ndërkombëtar! Kthesa është absolutisht fiktive dhe skajshmërisht destruktive, sepse, prek esencën e subjektivitetit shtetëror dhe asgjëson gjithë procesin e mundimshëm të shtet-formimit institucional të Kosovës, të mbështetur me legjislacion përkatës ligjor, që është  mirëfilltë i  kurorëzuar me Kushtetutën, që është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës u shpreh mospërfillëse e Kushtetutës së Kosovës, apo më saktë shkelëse e saj. Shembulli është eklatant sepse paraqet papërgjeshmërinë më të lartë të kontrabandimit politik në dëm të qenësisë shtetërore të vendit, që ndodh nga kreu i Qeverisë së vendit, që pa asnjë arsye, dhe jashtë çdo kompetence, kafshon pavarësinë  e vendit dhe, sikur struce e fut kryet nën çadrën e Rezolutës 1244.

Riformulimi i mënyrës së pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, Neni 18 i së cilës e përcakton qartë se, Ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare për territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; si dhe  anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizmat ndërkombëtare ..., i përkasin Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe, askujt tjetër!

Mirëpo, ndryshe mendon dhe vepron  Kryeministri Thaçi, i cili krejtësisht i shpërfillur doli dhe proklamoi deklaratën diletanteske: “Për ne nuk kanë qenë me rëndësi formulimet dhe simbolikat. Për ne është me rëndësi agjenda evropiane, përshpejtimi i pakos evropiane për Republikën e Kosovës”!

Cfarë është kjo? Si ka mundësi që kryeministri i një vendi  të rezonoj kaq zbehtë  “...nuk janë me rëndësi formulimet dhe simbolikat..., por është me rëndësi agjenda evropiane, përshpejtimi i pakos evropiane.”(?!)  Shtrohet pyetja: e si paska mundësi të mendohet kështu, kur dihet saktë se, përshpejtimi i pakos evropiane është i kushtëzuar katërcipërisht nga formulimet dhe simbolikat e qarta dhe të sakta të shtetësisë së Kosovës. Pa formulimet dhe simbolikat identifikuese shtetërore, kot ia mësyen arenës ndërkombëtare, sepse nuk hyn dot, ose nëse eventualisht hyn, trajtohesh sikur macja nën sofër!  Këtu qëndron problemi, që Serbia insiston të asgjësojë formulimet dhe simbolikat identifikuese të Kosovës, e vetëdijshme se, sa më shumë gunga që arrin t’i krijojë nëpër trup, aq më xhuxhe dhe e shëmtuar do të shfaqet Kosova nëpër forumet rajonale. Ky është synimi i Serbisë që Hashim Thaçi nuk e din ose që nuk do që ta dijë, sepse, iu kanë qorru sytë dhe po ia pin sorra ment.

Ndryshe nuk ka si të shpjegohet  fakti që në pikë të rrafshit, pas 4 vjet të pavarësisë së qëndrueshme shtetërore, pse u dashka që të riformulohet “statusi” i Kosovës, duke e këmbyer Kushtetutën e Republikës së Kosovës me Rezolutën 1244, të vitit 1999!  Duhet qenë tepër “injorant,  disfatist dhe mosnjohës i realitetit” për të mos e kuptuar se, me pranimin e formulimit të publikuar, për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, realisht është hequr dorë nga Pavarësia e Kosovës. Dokumenti i propozuar, le të dihet mirë se,  shtetësisë së Kosovës ia krijon tri gunga të mëdha afatgjate dhe kurrë krejtësisht të shërueshme.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx