E enjte, 01.05.2025, 01:28 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Deshperimi i Edi Rames dhe ''rilindja'' e partise Socialiste

E merkure, 22.02.2012, 08:58 PM


DESHPËRIMI I EDI RAMËS DHE “RILINDJA” E PARTISË SOCIALISTE

 

Fragment nga libri Udha e Kombit (pro dhe kunder)

 

NGA REXHEP SHAHU

 

Duke folë me disa studentë nga Kosova, për Udhën e Kombit, dhe mundimet deri në përfundimin e saj, Berisha u shpreh se Rama bënte pjesë në lobin e njerëzve që s’donin që të ndërtohej kjo udhë. “Zoti Rama, të paktën, me qindra herë është ngritur kundër saj dhe unë dua t’ju them se Rruga e Kombit është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare dhe së pari, nga jashtë Shqipërisë, të huaj, së dyti, ka pasur mbështetje edhe brenda vendit. Përse u kundërshtua? Përse kishte një armiqësi të madhe ndaj saj? Eksponentë me një formim politik arkaik e konsideronin Rrugën e Kombit, së pari, si një rrugë që do bashkonte shqiptarët dhe sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të bashkoheshin. Këta individë e grupe mendonin se Rruga e Kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit. Pikëpamja jonë dhe e vërteta është se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e saj. Por nuk mund ta pengonin, sepse ajo ishte një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është një vend sovran dhe vendimet e mëdha i merr vetë, në mënyrën më të qartë”. Më tej Berisha shtoi: “A ka të drejtë zoti Rama të rishqyrtojë qëndrimin e tij? Po, ka të drejtë. Çdo njeri ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet e veta, errare humanum est - të gabosh njerëzore është, por të pretendosh se nuk ke qenë kundër rrugës, në një mënyrë akuzon veten tënde, sepse shqiptarët kanë një memorie të kthjellët. Ne jemi komb me memorie, si çdo komb tjetër”.

Si të pavërteta, i cilësoi në Twitter, Edi Rama, fjalët e Berishës, të cilin e akuzoi se Rrugën Durrës-Kukës-Morinë, e ka kthyer në një biznes.

“U informova për çka Saliu (Saliu, pasi ka filluar të bindë veten Rama se bën për kryeministër …), ka shprehur në prani të studentëve kosovarë. E sfidoj të provojë me ndonjë dokument, nëse ne kemi qenë kundër Rrugës së Kombit, unë apo cilido nga përfaqësuesit e PS të jetë shprehur kundër Rrugës së Kombit (pesë intervista apo deklarime televizive të tijat dhe të deputetëve të tij pa fjalimet kundër edhe në parlament, nuk janë dokumente?? Kush është dokument për Ramën?). Ndërkohë që i rithem, turp, turp, turp që me Rrugën e Kombit keni bërë një biznes fitimprurës, duke përdorur taksat e atyre shqiptarëve që kanë kontribuar për ndërtimin e saj”.

Si fjalë grash te kroi i katundit janë këto fjalë.

Fjala dhe deklarata më e fortë e kryeministrit Berisha për udhën, është vetë Udha e ndërtuar e Kombit, e cila, ndokujt që mund të jetë vendas a i huaj, jo kritik por cinik, i duket edhe stoli patriotike me apo pa dëborë, pasi e konsiderojnë si rrugë vetëm për shkëmbim domatesh, patatesh, specash e kastravecash dhe i harrojnë njerzit, njerzit. I ngushëllojmë të gjithë ata që ju duket e shumë e madhe kjo udhë, që ju duket shumë e gjërë. Por shpejt do të ndodhë ashtu si me bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit” të Tiranës, që kur e ndërtoi mbreti Zog, u dukej i madh dhe i panevojshëm mendjeve të vogla të kohës. Udha e Kombit është ndërtuar për të mos u ribërë më, është ndërtuar sot për Shqipërinë e neserme. Ngushëllime apo ndjesë gjithë atyre që nuk janë dakort.

Fjalët e Ramës ngjajnë me përralla. Ai vetë u jep fuqi të pallogaritshme dyshimi, mosbesimi e tallje fjalëve të tij. Njerzia i thonë ja ujku, ai thotë po gjurmët, gjurmët ku janë.

Ai e di mirë se çfarë kanë thënë për këtë udhë zëdhënësit e tij deputetët socialistë Arben Isaraj, Fatmir Toçi, Erion Braçe etj etj., çfarë kanë thënë e shkruar gazetarët – zëdhënësa të tij. Shumica e të thënave të tyre janë në këtë libër dhe në kujtesën e shqiptarëve. Rama, sa kohë zgjati ndërtimi i Udhës së Kombit, refuzoi të takonte qoftë edhe për kortezi disa nga mijëra shqiptarët e të huajt që punuan për ndërtimin e saj e t’u thoshte puna e mbarë.

Ai thjeshtë duhet t’u përgjigjet atyre që thotë Berisha e jo të bëjë lojra fjalësh e të mos përgjërohet që t’i besojmë se ai e ka mirë dhe Berisha keq.

Simpatizantë të z. Rama më kanë akuzuar padrejtësisht për hesape përsonale me Edi Ramën. S’kam asgjë me qyetarin Edi Rama, piktorin a publicistin, si vëzhgues aq i imtë, rrëfyes aq i hollë në ato histori pa urrejtje, arrogant e propotent për tu pasë zili, ndaj servilave që i sillen si pordha nëpër brekë. Ndryshon puna me Edi Ramën kryetar të  Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e konsideroj si vlerë kombëtare shqiptare.

Po, e di, nuk jam anëtar e as simpatizant i kësaj partie dhe nuk duhet të merrem me të, nuk duhet të shqetësohem për punët e asaj partie. Jo. Nuk mund të hesht si qytetar për mungesën konstante të dashurisë për Kosovën që ka kjo forcë politike shqiptare dhe që vazhdon në traditën e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë me mosdashje të Kosovës, duke “kënaqur” kështu fqinjët e shqiptarëve. As në dokumentet e saj politikë nuk e konsideron Kosovën. Shihni programin e fundit politik të 2011 të PS ku veç një gjysmë fjalie ka për Kosovën. “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. Kaq. Tamam në traditën e nënës parti. Por nëna parti dhe Enveri të paktën derdhnin lumë fjalësh e përgjërimesh për Kosovën në stinët e acarimeve me serbët. PS është ose e paqartë, ose nuk e llogarit askund e aspak Kosovën. Mungesat e qartësisë që ka kjo forcë politike shqiptare për të ardhmen e vendit në raport me gjithë teritorin shqiptar brenda e jashtë kufirit administrativ të vendit, më duket si jo normale.

Askush nuk duhet të ketë dilemë se PS nuk është trashëgimtarja e Partisë Komuniste Shqiptare, parti inernacionaliste. Ajo parti, iu delegua nga Ramiz Alia, në kongresin e saj të 10, Fatos Nanos për ta drejtuar. Nuk u shpërnda si parti që të mblidhej pastaj një komision nismëtarësh dhe të themelonin Partinë Socialiste. Jo, ajo ndërroi vetëm emrin nga PPSH në PSSH. Nuk ndërroi as gazetën e saj si organ të saj zyrtar. Nuk ndërroi asgjë, vetëm thjeshtë pranoi ekonominë e tregut të lirë në programin e saj. Ka të njëjtin organizim, është parti celulash, nuk është parti elektorale.

Duke besuar në ato fillime të Edi Ramës se ai do të jetë “jashtë serie” në Partinë Socialiste dhe do të ndikojë me “rrumpallësinë” e vet në shtribalizimin real të PS, në detoskëzimin real dhe të domosdoshëm të saj (jo për t’u tallë shkodranisht një çupëlinë), për ta bërë këtë forcë politike pasuri të të gjithë trevave të vendit dhe duke parë se ai vazhdon pas kaq e kaq kohësh të jetë i pazoti, me dashje, dua të them, për këtë gjë, unë ndjehem i shqetësuar. Jo për Edi Ramën, natyrisht, por për kryetarin aktual të PS, që kam besuar se do t’ia heqë kësaj partie mallkimin si parti anti Kosovë, anti gege, si parti të zonës së parë operative, Vlorë – Tepelenë – Gjirokastër, si parti që dikur dërgonte vajza, gra dhe lopë në veri të vendit për ta zhvilluar e civilizuar veriun, dhe këndonte përditë Radio Tirana atë këngën “…dhameee, dhameee, dhameee dhameee, lopeee, lopeee, lopeee, lopeee…”, derisa një kuadër nga të Veriut iu ankua Enverit duke i thënë, le t’i marrin aman këto lopët me gjithë viça se na e sollën në majë të hundës me atë këngën e lopëve…

Edi Ramës i ra për hise të drejtojë PS në kohën kur u ndërtua Udha e Kombit si vepra më e madhe infrastrukturore në vend dhe vepra më e madhe në raport me interesat kombëtare të këtij kombi, bash në pjesën apo në ashtin e kombit shqiptar, siç e kanë përcaktuar me kohë studiuesit më seriozë. Dhe ai refuzoi ta dojë, ta pranojë, ta urojë a falenderojë, në pamundësi ta ndalonte ndërtimin e saj. U lodh shumë ta përllomte, ta baltoste me anë të njerzve që i sillen nëpër këmbë, shumica prej tute e pakica prej dashurie interesash. Kjo do të jetë për shumë kohë mëkat që do ta ndjekë PS, faturë që e ka të vështirë ta shlyejë, qoftë në opozitë e qoftë në pushtet.

Nga gjithë zhvillimet në vend që kanë ndodhë në dy dekadat e fundit rreth kësaj udhe, apo pro dhe kundër kësaj udhe, Rama e ka të pamundur të bëjë udhëdashësin apo dashnorin e saj. Ai del ose krejt i painformuar me çfarë është thënë kundër kësaj udhe nga vartësit e tij, ose don të na bëjë qorra në mes të ditës të gjithëve. Edhe në fjalinë e mësipërme ai vazhdon të akuzojë, vazhdon të përrallisë për taksat. Thotë e sfidoj Berishën që t’ia provojë se Rama ka qenë kundër. Ndërkohë janë shumë deshmi që thonë se Rama me një çetë kanë qenë kundër udhës së Kosovës. Dhe nuk bëhet fjalë për kohën e Skënderbeut.

Unë e besoj se Ramës nuk i pëlqen vetja e tij në rastin në fjalë dhe ato gjëra që nuk i pëlqejnë tek vetja e tij ua vesh të tjerëve, ato gjëra që nuk i don në veten e tij i kritikon tek të tjerët. Aty ku e sulmon kundërshtarin ai është vetë brenda rropullisë, rrumpallëhane vetë. E ka quajtë rrumpallë kundërshtarin, kur e trembte sjellja rrumpallë e vetja.

Rama merr vesh nga ekonomia dhe nga punët kryesore të vendit aq sa marr vesh unë nga piktura. I iku zëri për taksën progresive. Shkoi dhe në Vjenë dhe mbajti leksion për këtë taksë dhe kundërshton taksën e sheshtë që aplikon Shqipëria. Thashë me vete, meqë Austria përkrah mendjen e Ramës, le ta zbatojë programin politik të tij dhe taksën progresive që kërkon me ngulm ai. Ndërkohë Amerika na këshillon që e keni mirë taksën e sheshtë. Amerika, duam apo s’duam unë dhe z. Rama, është lider në botë edhe në ekonomi.

Revista prestigjioze “Forbs” këshillon gjithë eurozonën që të aplikojë si të vetmen rrugë shpëtimi taksën e sheshtë si Shqipëria dhe Bullgaria. Sipas z. Rama, nuk duhet marrë në konsideratë as këshilla e “Forbs”.

Rama e quan qeverisjen e Berishës si regjim pushtuesish. Regjimi i tij ia nxori në dritë  fytyrën bashkisë së Tiranës në 11 vite, por synon t’ia japë edhe Shqipërisë fytyrën e bashkisë. Meqë është regjim pushtuesish qeverisja e Berishës, pushtuesi duhet urryer dhe duhet larguar me dhunë nga pushteti, mendoi z. Rama në janar 2011. Dhe plasi dhuna kundër shtetit me 21 janar e dirigjuar nga PS. Ilustrohet kjo urrejtje kundër regjimit të Berishës edhe me komente pseudonimsash apo sigurimsash, me emra anonimësh si “patrioti”, “atdhetari”, “shqiptari i vërtetë”, në një gazetë që e don Ramën, tek komentohej për 21 janarin: “Në mos kini armë, gjeni, ia rrëmbeni atij  qeni…”. Duket të tillë do ta sjellë regjimin e tij Rama, pasi nuk beson se regjimi mund të ndërrohet me vota.

Je lider politik, z. Rama dhe sillu si i tillë, jo si publicist. Ma ler mua të jem publicist, të jem poet e të bëj metafora, bashkë me zëdhënësit e tu legalë e ilegalë, me rrobegjelbërit zallherristë, bashkë me Xha – Xha-in e gjithë xhaxhallarët që të këshillojnë.

E quan të ndotur, të pistë, më saktë, bërllok, mjedisin politik e social të vendit. Por harron se është kontribues i madh, shumë i madh i shtimit të bërllokut. Kthehuni dhe lexoni apo degjoni gjithe fjalime-hartimet e Rames ku shndrijnë metaforat, hipërbolat, antitezat, dhe do te shihni, prekni e do të ndjeni se aty ka urrejtje pa cak, mllef pa fund, neveri të gjallë kundër një pjese shqiptarësh. Ka fjalor të frikshëm dhe ndot mjedisin edhe me frikë, kërcënon me frikë njerzit. Shan Berishën për thirrma e çjerrje zëri. Por ulërimat e veta të frikshme nuk mundet me i dëgjue vetë. I pati thënë gazetares prostitute semafori. Kundërshtari politik i tij Berisha, i mblodhi të gjithë gazetarët. Edhe gazetarët kundërshtarë të tij.

Rama mbron kërmat e së kaluarës komuniste, mbron varrin e Enverit, faraonit,  piramidën, mbron Enverin. Merret me të mëdhenjtë, siç i mendon ai, për t’u bërë i madh. Iu turr dikur Ramiz Alisë, tani e mbroi dhe nderoi. Berisha e fajësoi Ramizin për masakrën e Tivarit. Rama nxit e ysht patriotizëm lokal dhe mbyll sy e veshë kur thonë padrejtësisht se babai i kombit është Ismail Qemali. Kur ai, esëll, pa politikë, besoj, e din mirë se nuk është babai i këtij kombi Ismail Qemali. Pasi ky komb ka dalë nga luftrat dhe ekziston falë luftrave dhe kryengritjeve të mëdha shqiptare të kohës dhe jo, kurrë jo, në sajë të diplomacisë. Akti i pavarësisë, i ngritjes së flamurit në atë skaj Shqipërie u mbështet nga armët dhe luftëtarët. E vetmja ushtri në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë ishte ajo e Isa Buletinit, thotë i biri i Petro Nini Luarasit, Skënder Luarasi, që nuk e kishte të blerë patriotizmin…

Politika e re e Ramës, (oh sa herë na është shfaqur me këtë term!!), edhe në kuadër të Rilindjes shqiptare të PS (tani PS ka dalë me një togfjalësh të ri Rilindja Shqiptare…) sillet rreth dhunës që e provoi dhe nuk e solli në pushtet. E provoi se sa më shumë dhunë, aq më larg pushteti. Nuk harrohen kollaj thirrjet e tij “O sot o kurrë” për të ardhë në pushtet. E përsëritur disa herë që nga zgjedhjet e 2009. PS do të vijë domosdoshmërisht një ditë në pushtet, me ose pa Edi  Ramën, sepse jemi në një sistem pluralizmi, në një “regjim” pluralist ku vota vendos dhe PS është pasuri e këtij vendi, pasuri e shumë shqiptarëve e jo e individëve të caktuar.

Rilindja shqiptare e PS (sa keq më vjen që Rama korkonozet dhe e përllom Rilindjen Shqiptare të rilindasve të mëdhenj shqiptarë…), besoj nuk do të ketë imazhin fantastik të Ramës me sakicë në krah e në dorë duke pre shtylla a drurë. Besoj rilindja shqiptare e PS nuk do të vijojë të përbuzë shqiptarë por do të bashkojë shqiptarë, do të dojë shqiptarë, do të flasë për punën, do të edukojë punën, do të pohojë vlerat e këtij vendi.

I rrëmbyer në projektet dhe punët që gjithësesi rezultuan të dështuara, pasi asnjë projekt politik nuk iu realizua, as projektet me fjalë e as ato të dhunshmet me hunj a bishta kazmash e lopatash kundër policëve të shtetit, sikur policët shqiptarë të ishin armiqtë më të urryer të shqiptarëve – projekt për t’i thënë Berishës se kam forcë e fuqi të të godas edhe me dhunë revolucionare në demonstratë (herë e quajti protestë e herë demonstratë 21 janarin 2011), projekt, protestë ose demonstratë (meqë e quan vetë të tillë), që e organizoi vetë, që e lajmëroi dhe paralajmëroi vetë,  që e ftoi vetë ai me zë e me figurë, jo si përgjimet e mashtrimet përverse të Dritan Priftit që kishin vetëm figurën por jo zërin, e dëshmuar në Gjykatën e Lartë të vendit me rezultatin 5 me 0, dhe gjyqtarët herë i quan heronj e herë bandita, Rama bashkë me Ngjelën, Gjinushin (që donin ta bënin Tunizi këtë vend dhe të kopjonin protestat e vendeve arabe) dhe të tjerë, na paralajmëroi edhe se do të ketë kufoma në 21 janar, që do t’i delte populli socialist nga kontrolli, pasi e kishte thirrur për ta nxjerrë nga kontrolli, duke besuar se është dikushi e diçka, ndaloi, si një makinë që befas i soset karburanti, të bëhet dikush a diçka.

Ka dalë në skenë thirrja për një Rilindje shqiptare, kështu e quan programin e vet politik PS. Rilindje shqiptare por pa Kosovën, pa pjesët shqiptare të kombit jashtë shtetit shqiptar. Pse, a e tillë ka qenë Rilindja e rilindasve tanë të mëdhenj, falë të cilëve jetoi ky komb e nuk u zhbë. Për Kosovën e ka thënë Rama gjysmë fjalie : “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. Do ta thotë e do ta shtojë mbase edhe gjysmën tjetër të fjalisë dhe do të jetë të paktën një fjali e plotë dashuria e PS për Kosovën në programin politik e qeverisës të PS. Për pjesët e tjera të kombit jashtë shtetit të presim e të shohim. Se ndoshta del ndonjë rilindas tjetër, socialist, dhe bie poshtë Pashko Vasa me atë thënien e famshme të tij “Feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe del mbase që, feja e shqiptarit të jetë partia socialiste. Siç e bëri Enveri komunizmin fe për shqiptarët dhe vetën zot të shqiptarëve. Ose siç thoshte Ramizi në fund të pushtetit të vet në 1990 “Shqipëria – Partia” dhe pati urdhëruar që të shkruhej kudo kjo parullë.

Rilindja shqiptare e PS nuk bëhet me të dëshpëruar si Edi Rama. Ai dëshpërohet dhe vetëm deshpërohet. Edhe në Vjenë thotë se Berisha turpëroi kombin. Berisha jep shifra të rritjes ekonomike. Rama turfullon. Po kur thotë FMN se rritja është 9.8 përqind? Unë nuk di shifra shumë, por dimë të gjithë se buxheti i këtij shteti është dyfishuar që nga viti 2005. Berisha, sipas Ramës, e ka gabim, por Rama nuk ia thotë se e ke gabim. Ai kritikon te Berisha ato gabime që ka Rama vetë. Shprehja, më thuaj me kë rri të të them se cili je, tek Rama funksionon e tillë: më shaj që të të them se cili je. Çdo nismë e pozitës politike aktuale kritikohet nga Rama. S’e don ligjin e mbetjeve, ligj i lavdëruar edhe nga Bashkimi Europian, ta heqë kur të vijë në pushtet. Unë dhe shumë si unë mbase nuk jemi dakort ta heqë, por ai ka të drejtë, nëse ka shumicën, ta heqë, ta bëjë ndryshe. Politika, e kanë thënë të mençurit, është art i të mundshmes. Ai e din se Berisha e ka mirë. Por Rama deshpërohet pikërisht pse Berisha e ka mirë. Kam shumë droje se me këtë dëshpërim Rama po përgatit edhe humbjen e radhës, që i bie të jetë e treta për PS në zgjedhje politike nacionale. Berisha për shumë gjëra ia ka lënë topin në këmbë Ramës. Po, i thotë, bëje ti se unë ta pranoj, siç ia pranoi ndërhyrjet në kushtetutë dhe në ligjin zgjedhor.

Duke folë mbase më shumë si poet tani, mendoj e besoj se do të vijë një ditë dhe një numër i madh i emigrantëve shqiptarë do të kthehen në atdhe. Unë besoj ende se s’do të shuhen e treten kaq shumë shqiptarë sa kemi sot në emigracion ekonomik. Sepse ky vend do të bëhet një ditë edhe “për inat të shqiptarëve”, siç ka thënë Fishta. Pasi vendi ynë nuk është Palestina e Ballkanit por është Izraeli i Ballkanit dhe unë e besoj dhe e shpresoj se një ditë do të vijnë edhe jo shqiptarët të punojnë këtu, siç edhe ka ndodhur në historinë e këtij vendi dhe sot kemi jo shqiptarë të konvertuar në shqiptarë… Do të vijnë një ditë aq emigrantë sa mund të kthehen. Do të jenë të formuar, të mësuar, të kualifikuar. Rama mendon vetëm për votat e tyre, por nuk don realisht që ata të vijnë, të kthehen, nuk mendon si t’u krijojë mundësi të nxiten ata që të kthehen. Si do të vijnë emigrantët. Çfarë u ofron. Pa ardhur si do të votojnë? Por nëse emigrantët do të votojnë, ata dinë dhe do të kërkojnë llogari për votën që të japin.

Sa jemi te emigrantët, unë do t’i bëja thirrje sejcilit prej tyre, të mos dërgojnë më euro, stërlina apo dollarë në atdhe. Le të kenë rënie remitancat, të bëhen zero. Le të ndikojnë emigrantët shqiptarë që në Shqipëri të luftohet papunësia, dembelizmi që është bërë sëmundje kronike. Ky do të ishte një kontribut kombëtar i emigrantëve shqiptarë. Të gjithë e dimë se me sa mundim e stërmundim e nxjerrin lekun emigrantët në vende të huaja, ku trajtohen si të huaj, shihen si të huaj, bëjnë punë që nuk i bëjnë në të shumtën e rasteve vendasit. U dërgojnë lekë familjeve këtu. Lekë djerse e shpesh lekë gjaku. Dhe familjet e tyre këtu në atdhe, në shumicë rrinë e presin. Trashen. Blejnë telefona të shtrenjtë për internet, karta telefoni e gjëra lluksi. Blejnë makina me lekë emigrantësh, “me i shetitë” ndonjëherë prindërit… Bëjnë edhe thonj. Pinë edhe ndonjë gotë apo ndonjë birrë te “Blloku” përnatë. Shkojnë, me lekë emigrantësh, edhe në palestra për me mbajtë trupin në formë… Hedhin në dasma lekë me shumicë kur janë në valle, lekë të dërguara nga emigrantët mbi të cilat hidhet valle dhe shkilen nga takat e këpucëve të grave e burrave me fodullëk që të neverit. Lekë që emigranti shqiptar i nxjerr me pikën e zorit duke punuar si skllav nga 16 orë në ditë bashkë me udhëtimin vajtje- ardhje për punë. Eh sa lekë për qejf, për pordhë, shpenzohen në Shqipëri! Sikur ta dinin emigrantët këtë gjë…

Nuk është ky vend krejt në pamundësi punësimi, por është i mbushur me dembelë. Plot kafenetë, plot rrugët ditë natë. Plot makina që enden kot para gjimnazeve, fakulteteve dhe nuk dihet nga del ai lek për të blerë karburant. Nga del gjithë ky lek për të ndenjur njerzia në kafe gjithë kohën. Dembelë që kultivoi komunizmi duke i mësuar të gjithë të bënin sikur punonin e shteti të bënte sikur i paguante. Dembelë që i kultivoi edhe 20 vjetshi i pluralizmit kur në shumicë njerzit janë bërë lypsarë, lypin ndihma, presin ndihma dhe nuk dinë gjë tjetër veçse bëjnë fëmijë. Le të provojnë, njerzit që rrinë në Shqipëri dhe që kërkojnë punë vetëm nëpër zyra dhe mundësisht nëpër ministrira, që të punojnë e të lodhen aq sa gjysma e punës që bëjnë emigrantët dhe të lodhen sa gjysma e lodhjes së tyre. Për atë që don të punojë, punë ka në Shqipëri. Por duhet të lodhesh sa gjysma e lodhjes së një emigranti që të gjesh punën dhe të punosh. Është mashtrim i Ramës shifra një milionë të papunë. Vetëm nëse liston tek të papunët emigrantët, nxënësit e shkollave dhe pensionistët e vendit.

Njerzit janë mësuar që as borën nga dera e shtëpisë deri tek vatha e lopës të mos e pastrojnë vetë dhe të thërrasin shtetin. Njerzit janë mësuar që edhe borën në derë të spitalit, t’ua heqë shteti. Edhe borën në çatitë e shtëpive t’ua heqë shteti dhe t’ua kujtojë kryeministri se duhet hequr ajo borë. Të gjithëve u duket sikur jetojnë në hotele dhe janë bujtës të përkohshëm në shtëpitë e tyre. Papërgjegjshmëria për veten e tyre, për familjet e fëmijët e tyre është në shkallë të lartë.

Edhe mashtrimi e abuzimi është në përfeksion. Ka zyrtarë e qytetarë që luten të ketë kriza, të ketë borë, të ketë përmbytje sepse këto janë raste fatlume për biznes, për përfitime ndihmash pa hesap. Përveç gadishmërisë për ndihmë spitalore me helikopterë, përpjekjes për të mbajtur rrjetin elektrik, shteti nuk duhet të rëndojë kurrizin e qytetarëve e të merret me dërgim ndihmash për njerëz që rrinë kot, luajnë bilardo e pine raki.

Dihet se në male bie borë në dimër dhe tradita ka qenë që ushqimet e dimrit për familjen e bagëtinë njerzit i mblidhnin para dimrit. Kush ndjen përgjegjësi. Kush nuk ndjen, le të shkërputhë. Duhet thënë njëherë stop, s’ka ndihma se jemi bërë si popull gabel duke lypë. Duhet thënë e qartësuar se nuk ka punë shteti pse bjen borë qoftë edhe dy apo tre metër (sa u gënjye edhe sivjet publiku me shifrën 2 metër borë). Se bora bjen në vendin e vet dhe në vendin e vet ajo nuk shkakton krizë. Po të kishte rënë dy metër borë në Tiranë dhe të rrinte dy javë, mbase do të kishte shkaktuar probleme sepse nuk është e zakontë të bjerë kaq në Tiranë. Por ajo ra në vendin e vet dhe atje njerzit dinë të jetojnë me të. Hallexhinjtë e vërtetë, kurrë, në asnjë lloj krize nuk bëjnë alarm, nuk ulërasin e nuk bërtasin. Mashtruesit dhe sekserët e ndihmave, tregtarët, shpërndarësit, përfituesit e padrejtë, janë ato që bërtasin.

A ra borë në Kosovë e në Maqedoni? Ra dhe shumë. Po si nuk u shëmtuan ekranet televizive të tyre me qytetarë që lynin bukë. Nuk janë më të pasur e më të kamur fshatarët në zonat e thella të Kosovës e të Maqedonisë se sa fshatarët tanë. Por edhe qeveritë në ato vende nuk bien pre e përgjerimeve të spekullatorëve e të biznesmenëve të ndihmave, siç ndodh shpesh tek ne, që abuzohet me ndjeshmërinë qytetare të shtetarëve tanë. Pasi tek ne ndihmat janë politikë katundi, janë votë…

U bë zakon prej dy dekadash të mbajnë sytë e mendjen tek emigrantët lypsarët që rrinë kot në atdhe se nuk duan të punojnë. Pa punë nuk ka bukë. Kjo u duhet mësuar shqiptarëve. Duhet edhe ne si komb ta shtërngojmë rrypin njëherë. Të bëjmë edhe ne si gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Të numërojmë kokrrat e patateve. Edhe shteti duhet të dijë se si shpërndahen ndihmat. Ndihmat shpërndahen duke shkuar në lagje, duke mbledhë njerzit dhe duke ju thënë, kush nuk ka bukë, të ngreje dorën. Në sy të njëri-tjetrit nuk gënjën askush. Ndryshe, shpërndarësit e ndihmave, nuk rrinë dot pa ngjyer edhe vetë… Por jo të marrin ndihma ata që ecin me BMV- X-5.

Emigrantët Rama i don me i rjepë dhe me i mbushë me urrejtje për pushtetin këtu. I don edhe me u shitë “Kurbanin”, ushqimin shpirtëror që u përzien barkun, me i nda në të majtë e të djathtë, i don që të mbushen e të shprazin urrejtje ndaj të djathtëve. Kështu nuk besoj se vjen në pushtet. Por dhe në ardhtë, do të rrëzohet e do të bjerë nga pushteti sepse po mbështetet në urrjetje, në ndarje të vëllezërve në të majtë e të djathtë. Dhe sërish do të mbetet gjel i vetem majë plehut duke kakarisë, siç nuk ka patur kurrë pula rreth vetës. Sikur me e pasë ndjekë me kamera z. Rama gjithandej ku ka shkuar e ku ka folur dhe të mos kontrollonte, redaktonte, shkurtonte, të hiqte vetë fjalët që ka hedhë në publik, ashtu siç ai i hedh në mjedise ku nuk lejon kamerat e gazetarët, jam krejt krejt i sigurtë se z. Rama do t’ia kishte lënë shëndetin politikës.

Rama nuk ka folë kurrë për punësimin në këtë vend, për mundësinë e krijimit të vendeve të punës përmes ngritjes së industrisë. Ka erë pa lekë në këtë vend, ka ujë, ka diell pa lekë. A fitohet me këto. Berisha thotë po, fitohet energji. Rama bën ironi. Sepse nuk e di se fitohet. Nuk e din se po të ndalohet importimi i ujit të pijshëm, ka plot mënyra se si, do të hapeshin mijëra vende pune, sepse me ujin jemi jo kollaj të konkurueshëm në tregje dhe një shishe uji importi nuk do të shitej dy herë më shtrenjtë se një shishe qumështi.

Rama stigmatizon dy projektet e mëdha të qeverisë aktuale, shtimin e sipërfaqeve me arrorë dhe ullinj, që janë projekte të vonuara, por që më në fund po zhvillohen. Pse është kundër tyre z. Rama. Sepse ai duke mos marrë vesh fare nga ekonomia, nuk e din se investimi në këto dy projekte është me shumë vlerë kombëtare. Pastaj, kurrë Rama nuk tha se çfarë do të bëjë ai vetë kur të jetë në pushtet, kur, si, çfarë, pse, për sa kohë. Apo ullinjtë, arrat e lajthitë e Ramës bëjnë kokrra brenda vitit apo brenda muajit.

Rama duhet të flasë për punën dhe të na bindë. Të thotë se nuk do të ketë më fermer shqiptar që nuk paguan taksën e tokës edhe kaq sa është sot ajo taksë. Të mos e bëjë taksën sa e ka patur për fshatarin partia e tij në vitet 1945 – 1960 që e pati lëshuar në gjunjë fshatarin shqiptar, por duhet të merret taksë toke. Kush nuk e paguan, t’i merret toka dhe t’i jepet atij që e punon. Kur qeveria aktuale e kërkon dhe bën një gjë të tillë, Rama mbush fulqitë me britma. Pse nuk nxit pagimin e taksave. Cila do të jetë fytyra europiane e fshatarit apo fermerit shqiptar.

Teksa jemi këtu tek fshatarët e fermerët, kujtojmë se Rama ka bërë gjënë më të mirë para pak vitesh kur e “shëtiti” apo “shkeli” fshatin shqiptar. E solli në ekranet dhe gazetat e Tiranës fshatin shqiptar. E kam vlerësuar si gjë shumë pozitive. Por ai atëhere filloi dhe nxori enciklika. (Enciklika thonë se nxjerr vetëm Papa….). Enciklikë edhe për bujqësinë nxori Rama. Duke mos thënë asgjë përveç faktit se Rama pa fshatra të shumtë të vendit. Duke mos dhënë e ofruar zgjidhje për problemet e fshatit shqiptar, duke mos e rrokur dot Shqipërinë rurale, duke mos e marrë seriozisht atë Shqipëri të cilës Rama vetëm votat ia don e ajo votat nuk ia dha. Sepse Rama nuk u bë dot i besueshëm për fshatarin shqiptar. Megjithatë në monologun e tij para fshatit shqiptar ai solli nga një kronikë për çdo vizitë të tij. Kronikë që natyrisht e bënte vetë dhe nuk i lejonte gazetarët që ta ndiqnin nga ai shkonte. Erdhi në media zëri i Ramës para fermerëve, por nuk erdhi kurrë zëri i fermerëve para Ramës. Sepse Rama nuk guxonte të luante me rrezikun, të lejonte gjithë kamerat ta ndiqnin, siç rrezikon Berisha kudo që shkon jashtë Tiranës që lejon ta shoqërojnë dhjetra kamera televizive.

Është shumë dëshpëruese që na pakësohet popullsia. Çfarë ofron z. Rama që shqiptarët të ankorohen në Shqipëri. Ky do të ishte alarm për opozitën shqiptare.

Deshpërimi i z. Rama nuk ka cak, nuk njeh kufinj. Ndoshta i ikën deshpërimi po të mbështetet tek enveristët. I bashkon edhe urrejtja kundër mbretit, kundër atij “hamshori” siç e cilëson z. Rama tek “Kurbani” i tij. Enver Hoxha thoshte me gojën e dhëndrit të tij, Bahri Omarit, të vdesë “maloku i mutit”, për mbretin Ahmet Zogu, në librin e tij “Vite të Rinisë”. Pra Rama e quan mbretin Zog, “hamshor” nga Mati, Enveri e quante “maloku i mutit”. Ja ku bashkohen mirë Rama me enveristët. Mbreti Zog ishte krejt i kundërt me z. Rama, i cili din vetëm të bëjë hartime herë me stil e fjalor nolian e herë me stil e fjalor të një ish politikani të lartë francez. Mbreti Zog, miletin e bëri popull, anarkinë e bëri rregull, principatat i bëri mbretëri, synoi dhe shpalli haptas bashkimin e Shqipërisë, pasi u shpall mbret i gjithë shqiptarëve.

Z. Rama dhe PS në të cilën ai është drejtues i radhës, ka vend dhe hapsirë me e shënue emrin në historinë e këtij vendi. Thamë diku më sipër se Shqipëria nuk është Palestina e Ballkanit por Izraeli i Ballkanit. Ta bëje z. Rama të tillë Shqipërinë. Por jo me fjalime dhe libra mllefi, por me projekte konkrete, të besueshme. Dhe nuk ka nevojë sot me u hallakatë e lodhë shumë. Vizionari u shkon në rrënjë shkaqeve të së keqës dhe e zhduk në rrënjë. Nëna e gjithë të keqiave, edhe e krimit “alarmant” që e zmadhon dhe hipërbolizon z. Rama, është papunësia. (Z. Rama kujton e mendon se nuk ka vrasje e krime nëpër botë për larje apo qërim hesapesh mes bandave rivale mafioze. Z. Rama mendon se Shqipëria ka e duhet të ketë imunitet nga krimi. Është e pamundur të ketë imunitet Shqipëria sepse është shoqëri e hapur. Ajo që duhet të alarmojë z. Rama është që shteti të mos jetë vrasësi as nxitësi as shtytësi, por të jetë mbrojtësi, zbuluesi dhe dënuesi i krimit). Punësoji shqiptarët z. Rama. Ke thënë se do punësosh 300 mijë. Si? E ke përgojue Berishën se pati thënë se do të punësonte sa gjysma e atyre që do të punësosh ti. Si do t’i punësosh? Duke i vënë njerzit të shohin telenovela meksikane a turke, (sa fyerje e rëndë e tallje ndaj shqiptarëve!!), apo duke lexuar “Kurbanin” tënd ?!!

Z. Rama nuk ka asnjë qartësi për Rilindje shqiptare. Vetëm sa po përdoret e shpërdorohet termi Rilindje. Shumë larg misionit dhe programit të Rilindjes së rilindasve shqiptarë. Sepse nuk flet për punën.

Krejt fjalimet e përpjekjet janë për të marrë pushtetin njëherë e pastaj ju tregoj se çfarë do të bëj, se çfarë di të bëj, si ta bëj e kur do ta bëj. Unë di ta zhduk krimin, deklaron Rama. (Sikur i ka nën komandë kriminelët dhe i urdhëron sa herë t’i teket). Por duhet ta votoni njëherë PS dhe pastaj unë ju tregoj se si zhduket krimi.

Qytetarët e thjeshtë natyrisht dyshojnë, janë me të drejtë dyshues e mosbesues. Si mund të zhduket krimi kur nuk eleminon shkaqet që i krijojnë potencialisht mundësi njeriut për të hyrë në udhën e krimit. Si nuk foli e nuk po flet, tash sa vite që reciton kundër “regjimit” të Berishës, që e akuzon mjerisht rëndë vetëm me fjalë fyese, për shtimin e prodhimit në vend, për shtimin e bizneseve prodhuese, për shtimin e ndërmarrjeve private prodhuese, për mbështetje për biznese të tilla dhe jo për biznese shërbimi. Por duhet ditur më parë se çfarë prodhon ky vend. Makina jo, traktorë jo.

Atëhere pse të mos shfrytëzohen të gjitha arat, kodrat, brinjat, përrenjtë, shtretërit e lumenjve, hapsira të pafundme djerra dikur toka të reja të Enverit për ti mbjellë me ato lloj bimësh apo drufrutorësh që përshtaten. Është mundësi e pallogaritshme dhe një fitim shumë i madh afatgjatë. Kjo qeveria aktuale i ka nisë dy projekte të mëdha, ullinjtë dhe arrorët. Rama dhe PS nuk i mbështet dy projektet më të mëdha dhe që janë më të domosdoshmet në këtë vend : shtimin e numrit të ullinjve dhe mbjelljejn e arrorëve. Nuk i mbështet edhe sepse i ka nisë Berisha, sepse Rama nuk e pranon një gjë të tillë, nuk din të thotë kurrë se kjo apo ajo gjë është bërë mirë, por edhe se nuk ua din rëndësinë, nuk arrin ai dhe PS t’ua dinë rëndësinë që kanë këto dy projekte. Sepse nuk mbështetet tek njerzit e ditur të PS. Ndryshe ai vetëm do t’i bënte presion qeverisë të rriste fondet e subvencioneve për fermerët deri në pesë apo dhjetë herë dhe natyrisht edhe fermeri shqiptar që ka dy dekada që nuk e voton PS, do ta shihte ndryshe PS. Mbase do të ngjallte besim për të. Megjithëse fermeri nuk harron kollaj se nafta që jepej si subvencion për të, shkonte si tollona e para kesh për pushtetarët e PS dhe për të blerë ndonjë votë për PS kur këmbehej tolloni i naftës së subvencionuar me dy shishe birrë në kafenë e fshatit.

Nuk ka  mbete në këtë vend ndonjë zgjidhje e vështirë për tu bërë. Rrugët që kërkuan shumë fonde, u bënë. Shumë më pak fonde duan portet e vendit, që janë miniera më e madhe dhe e pashterrshme për këtë popull. Por edhe ato duan forcë e fuqi që të bëhen. Duan vullnet të madh politik dhe atdhedashuri të panegocueshme siç pati Berisha kur bëri Udhën e Kombit, megjithë kundërshtitë e Ramës dhe të lobeve të ndryshme. Gjithë çfarë ka mbetur pa bërë nuk don shumë fonde. Në këtë vend ka mbetë kjo: ta duash këtë vend shumë, t’i duash të gjithë njerzit, ta ndash pushtetin sa më drejt, të mos urresh askënd dhe t’u krijosh mundësi njerzve për punë. Ekonomi socialiste nuk bën dot më sepse nuk ta lëshojnë më shqiptarët pronën private nga duart. Atëhere ndihmoje privatin sa të mundesh. Dhe të vetmen mundësi sot ky vend ka të mbjellë pemë, drufrutorë, ullinj, arrorë. Me një kilogram arra blen dhjetë – pesëmbëdhjetë kilogram grurë. Edhe gruri të mbillet aty ku e ka vendin, por në një botë të hapur frika për bukën nuk lejohet të rrijë mbi kokat e shqiptarëve. Mbështet financiarisht fermerin shqiptar dhe ke punësuar më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. Por po të japësh mbështetje për tokën dhe për mbjelljet e drufrutorëve, dije se ke punësuar gjysmën e banorëve të qyteteve të vendit të cilët jetojnë në qytete por kanë tokat djerra nëpër fshatrat e tyre nga kanë ardhë. Duke qenë e vogël Shqipëria, gjithë qytetarët – fshatarë shkojnë dhe i mbjellin tokat e tyre. Franca ka simbol të saj lopën. Dhe pasanikët e Parisit kanë ferma. Edhe pasanikët e Tiranës e të Durrësit u kthehen fermëzave të tyre po i mbështete me subvencione. Edhe të papunët në qytete të mëdha, nuk do të kenë nevojë të shkojnë të mbledhin ullinj apo fruta në Itali, Greqi apo Maqedoni, por mund të shkojnë nëpër zonat e ndryshme të Shqipërisë të punojnë, të kujdesen për pemtoret që ka mundësi t’i ketë kjo copë Shqipërie që kemi, dhe në sajë të rrugëve që u bënë nga qeveria aktuale, nga çdo vend i Shqipërisë kthehet çdo punëtor në darkë në shtëpinë e tij. Jepi  mundësi çdo njeriu që ka tokë edhe në fshatin më të thellë e të “humbur” të vendit që të mbjellë drufrutorë, arra, lajthia. Se kështu njerzit do ta duan tokën e tyre, arën e tyre, do ta punojnë, do ta shohin, ta ruajnë, do të fitojnë prej mallit e pasurisë së tyre dhe nuk do të enden udhëve të vendit apo të botës, por dhe nuk do të bëhen mish për top për ca euro të flliqta me dalë në demonstrata si ajo e 21 janarit 2011.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx