E diele, 28.04.2024, 03:56 PM (GMT+1)

Mendime

Baki Ymeri: Invazioni sllav në Ballkan sipas një autori rumun

E merkure, 29.02.2012, 08:56 PM


Invazioni sllav në Ballkan sipas një autori rumun

 

Kur vdes një rumun në Luginë të Timokut (që shtrihet tejmatanë Kosovës dhe Toplicës e Nishit), që të mbrohet nga serbët edhe në botën tjetër, në arkivol, pranë kufomës i venë një shkop druri.

 

Nga Baki Ymeri

 

Rumania këto ditë e blokon Serbinë për integrim në BE. Ky është një lajm i gëzuar për rumunët e diskriminuar të Luginës së Timokut dhe sivëllezërit e tyre shqiptarë në Kosovë. Sintagmën vëllezër apo kushërinj të një gjaku nuk mund ta mohojë asnjë diletant rumun apo shqiptar, sepse këtë e kanë vulosur dy dijetarë të famshëm të këtij vendi, Bogdan P. Hashdeu (1901) dhe Nicolae Iorga (1938). Bashkëprëkimet gjuhësore rumuno-shqiptare paraqesin një mrekulli të historisë. Dhe kjo vërehet praktikisht,  dhe teoretikisht. Përveç do mjeranëve tanë që i konsiderojnë rumunët si “jevgjitër”, apo disa kuajve rumunë që i konsiderojnë shqiptarët si “myslimanë dhe terroristë”, kushdo që vjen në Rumani, pasi kalon nëpër Bullgari apo Serbi, konstaton se ka ardhur në folenë e shqipeve, ku gjen një popull me pamje identike, një popull të urtë e të butë, që përdor qindra fjalë shqipe (bukuri, buzë, qafë, gushë, gardh, kodër, katund, vatër etj.), kuzhinës duke i thënë më shqip se shqiptarët: bukëtërie, apo bukëpjekësit: bukëtar, librarisë: librarie, etj. Cili është mendimi i ish ministrit dhe historianit rumun, Dr. Nicolae Lupu për invazionin sllav në Ballkan, një invazion i kobshëm që e prishi fqinjësinë e lashtë trako-ilire, respektivisht rumuno-shqiptare?

Në bazë të librit të tij “Origjina e Rumunëve” (Originea Românilor, Bukuresht, 1941), në kuadrin e kapitullit Sllavët, kuptojmë se “influenca dhe tragjedia e madhe mbi gjuhën dhe ekzistencën e vetë këtyre popujve, kanë ushtruar, siç ishte edhe e natyrshme, fqinjët, pra, armiqtë e tyre të përhershëm e të fuqishëm: sllavët dhe arienët. Që nga lashtësia, permes fqinjësisë dhe jetës së përbashkët, një e treta e fjalorit tonë është sllavizuar, së bashku me një pjesë të madhe të toponomisë. Përveç këtij ndikimi të motshëm linguistik, ata kanë ushtruar, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte, një influence politike shumë të dëmshme.” Dhe më tej: “Në shek. E VI-të pas Krishtit, Serbët me vëllezërit e tyre Kroatë, Sllovenë etj., kanë vërshuar në drejtim të Romës, së pari, dhe në shekullin e ardhshëm, kah Bizanci. Masa e invadatorëve nuk mund të ishte e madhe. Rrethanat e shtrirjes së kullotave ua përkufizonin numrin, për rreth njëmijë. Ata e merrnin udhëheqjen, por nuk mund ta asgjësonin masën e civilizuar, që u jepte ushqim (ngase ishin agrikultorë), duke ua dhënë madje edhe taksat, edhe ushtarët.”

Për atë, sipas këtij historiani rumun, masa Trako-Ilire mbetej ashtu siç e patën gjetur sllavët kur erdhën atje. “Gjatë një udhëtimi tim nëpër Kroaci konstatova se në bazë të fizionomisë, zakoneve, veshjes dhe natyrës së qetë, tip i shkurtë e i zeshktë, ishin karakteristika që unë u thoja “latinë të sllavizuar”. Më tej, autori përmend rumunët autentikë të Luginës së Timokut, Moravës, Krajinës dhe maleve të Humolies, shumica ndër ta duke u konsideruar si latinë. Divizionet rumune i çliruan serbët nga turqit, kurse Milan Obrenoviçi, “në shenjë mirënjohjeje për trimërinë e tyre, ua ndaloi gjuhën në Liturgji, dhe prej atëherë (1883), nuk dëgjohej në krejt territorin e Serbisë dhe Jugosllavisë asnjë fjalë rumune në kisha dhe as në shkolla.” (fq. 26-27).” Është një përrallë dhe një gabim i rëndë të thuash se neve na krishtëruan Metodi dhe Qirili, thekson Dr. Nicolae Lupu dhe vazhdon: “ata i krishtëruan sllavët, kurse rumunët ishin të krishterë që nga shekulli i I-rë pas Krishtit, Shën Andrei dhe Niketa nga Remesiana duke qenë apostujt e tyre. Cruce (Kryq) dhe Dumnezeu (Zot), janë fjalë latine e jo sllave.” Në këtë kontekst, vlen të përsërisim një të vërtetë karakteristike: Kur vdes një rumun në Luginë të Timokut (që shtrihet tejmatanë Kosovës dhe Toplicës e Nishit), që të mbrohet nga serbët edhe në botën tjetër, në arkivol, pranë kufomës i venë një shkop druri.

 

“Dakishtja dhe trako-ilirishtja janë gjuha dhe gjaku ynë”

 

Më shumë se një e treta e banorëve të Serbisë janë rumunë edhe sot e kësaj dite, thekson ish ministri rumun, Lupu, i cili përmend fjalët e Patriarkut Miron, sipas të cilit një episkop serb e ka parë një fëmijë të porta e shtëpisë, që i kundronte fëmijët e tjerë që loznin e flisnin serbisht, por ky nuk fliste fare. Përse ti nuk flet me kolegët tu, e kishte pyetur episkopi, kurse ky ia kishte kthyer: “Nuk më lë mamaja!” Gratë dhe nënat rumune e kanë kultivuar gjatë shekujve gjuhën rumune. Po qe se flet serbisht në shtëpi, atë vit pemët nuk bëjnë fryte dhe lopët e humbin plleshmërinë e tyre. Ky është besimi popullor në Timok, në shenjë të ruajtjes së gjuhës, por për fat të keq,  si pasojë e administratës shovine të Beogradit, pjesa dërmuese e rumunëve të këtij vendi janë sllavizuar. Merre me mend, mbiemrin Cr?ciun (që vjen nga shqipja Kërcunë), e që ndërlidhet me Krishtlëindjet, serbët e kanë detyruar rumunin e Timokut të pagëzohet Cr?ciunovici. Dr. Nicolae Lupu më tej thekson se (para 100 vitesh) gjysma e Bosnjes fliste vllahisht, se “gjysma e oficerëve dhe trupës së divizionit serb në Odesë, ishin rumunë.”  Këtë e konfirmon edhe një ish korrepondent i luftës gjatë përleshjeve të përgjakshme serbo-boshnjake para 15 vitesh, Ion Vulpe, i cili kishte parë fshatarë nëpër tregjet e Bosnjes që flisnin vllahisht (rumanisht).

Për të mos e anashkaluar librin librin në fjalë, autori parashtron asokohe pyetjen: “Pse të mos vijë Jorga të hulumtojë manastiret e Kroacisë dhe të Jugosllavisë e të shpjegojë këtë fenomen, sepse në këto vende, deri në mbarim të shek. XV-të gjuha e liturgjisë, librat në kisha, ishin në gjuhën vllahe, në kohën kur në Rumani ishin në gjuhën sllavone?”, duke shtuar më tej se nga 7 milionë banorët e Kroacisë 2 milionë ishin vllehë, të cilët kroatët i konsideronin si “serbë”, por ata nuk ishin serbë por rumunë të patër ortodoksë. Në Epir, në rrëzë të bjeshkëve të Pindit, nga 50 komuna, 30 ishin rumune. Bregdeti adriatik i Dalmacisë, poashtu ishte rumun, numri i rumunëve duke qenë i madh edhe në Shqipëri. Në shekullin e IX-të pas Krishtit, rumunët patën përjetuar dy invazione, njërin gjysmë-sllav dhe gjysmë-mongol me bullgarët, dhe tjetri fino-mongolik me hungarezët… Në kohën e Perandorisë Bizantine, pjesa europiane e saj ishte e banuar me mazhorancë rumune, Romania duke qenë sot e kësaj dite si toponim në Bosnjë, ndërsa perandori Justinian, sipas autorit Nicolae Lupu, nuk ishte serb, por trako-ilir, sipas tij rumun, kurse sipas neve shqiptar.

Çdokush mbron interesin e vet, siç e mbron edhe autori respektiv interesin rumun, por duke e thënë të vërtetën pa dorëza, duke theksuar në Konkluzione (fq. 33), se “Si gjuhë, dakishtja dhe trako-ilirishtja nuk janë do gjuhë të panjohura që nuk kanë lënë gjurmë gjatë shekujve, por ata janë vetë gjuha dhe gjaku ynë”.



(Vota: 17 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora