Kulturë
Poezi nga Julia Gjika
E diele, 05.02.2012, 06:57 PM
Julia Gjika
NGRICE
Në këmbët tona,
Oqean i ngrirë, i vdekur.
Peshqit nuk levrijnë, balenat kanë humbur,
me gjith’ elegancën e zhytjes.
Delfinët nuk dhurojnë sinjale, tinguj të qeshur
Oqeani ka ngrirë.
Gjithcka është tjetërsuar
Siperfaqja e braktisur
Nga gjurma e pulëbardhave.
Skelete të ngrirë, të tharë, bërë kockë.
Nga erdhën gjithë këto kufoma?
Brigjeve shëtisin dinosaurë
nga kohët prehistorike ardhur
I hakërehen hapësirës,
Me dhëmbët shpatë
Për të vrarë dritën.
Era bucet e zemëruar.
Pareshtur u përplas shtëllunga rëre.
Në verbëri të plotë, bishat
shijojnë njeri tjetrin e s’nginjen.
Hidhërohet qielli nga e tyrja frymë
Oqeani ka ngrirë në këmbët tona.
HARRIM
Flakur në një cep të qytetit
Në një shtëpi ku sundon heshtja.
Shpresa kërkon qiellin e ëndrrës
Dhe ngre kapakët e munduar të syve.
Flakur me ty harrim
Kokë më kokë mbledhur me psheretimën
Dhe zërin këmbanë,
Që gdhin ditën.
Jam guacka që nxjer dallga,
Buzë një deti të panjohur
Për të më dhënë ngrohtësi një fëmije,
Që zbavitet në ranishte,
Duke më marë në pëllëmbët e vogla
nën rreze korriku.
Janar 2012