Kulturë
Kristaq Turtulli: Në atë stol të thjeshtë prej dërrase
E enjte, 02.02.2012, 08:23 PM
KRISTAQ TURTULLI
NË ATË STOL TË THJESHTË DËRRASE…
Atje, në atë stol prej dërrase,
jetonte një njeri.
Stinët për të ishin mure dhe qielli çati.
Dimri i dërgonte dëborë, erë dhe shi.
I ngrirë,
i qëndronte mbi qerpik loti.
Pranvera naive i dhuronte fllad dhe këngë,
por nuk e ngrohte...
Vera, në netët shkëlqimtare
Me zemërgjerësi e mbështillte,
e çlodhte.
Nën kuvertën e yjeve,
me fshehtësi
me majat e buzëve, i dhuronte puthje.
Vjeshta finoke, si femër e pjellë, vithedalë
e mbulonte me fletë të arta,
E së bashku pëshpëritnin plot gjera të vjetra,
Në atë stol të thjeshte dërrase.
Në atë stol,
Midis lulishtes dhe rrugës së madhe.
Burri i pastrehë,
lahej dhe krihej në vesën mëngjesore,
Me ceremoni lidhte kravatën e ylberit,
I buzëqeshte rrezes së dritës
dhe ngrohej tek rrekëza e shpresës.
Por stinët e harruan një natë,
Nuk kishin kohë
Ishin të preokupuara me ballon e madhe.
E lanë vetëm.
Burri pa shtëpi,
Pa fjalë, pa mërzi.
Me kujdes palosi
Kravatën e vjetër të ylberit
Si jastëk e vuri
nën kokë
Dhe iku si të tjerët me erën.
Dërrasat e lagështa u drodhën, mërdhinë
Atje, në atë stol të thjeshtë...
Atje, në atë stol jetonte një njeri.
Dikush me pendesë një trëndafil vendosi
A ndoshta e flaku rastësisht aty.
Eh, aty,
Në atë stol të thjeshtë prej dërrase...