E premte, 19.04.2024, 09:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Ëndrra

E merkure, 01.02.2012, 08:59 PM


Nuhi Ismajli

 

(Tregim)

 

Ëndrra

 

Kreshniku, apo Kreshniku i Maleve, siç i thoshin zakonisht, ndonëse e dinte se po shkonte në një ndeshje jo të favorshme për të, për shkak të mungesës së barutit, po jo pak edhe për shkak të vjetërsisë së armëve, që kishin luftëtarët e tij, nuk po mund të frenonte dëshirën të dilte fluturim në zonën e ndeshjes, te “Udha e Hekrit”, e ta priste me barut pushtuesin, ashtu si ishte mësuar ta priste gjithnjë gjatë jetës së tij.

- Idriz, - iu drejtua tërë respekt bashkëluftëtari tij, Malë Ahishta, - duhet ta mendojmë edhe punën e barutit, se nuk kemi barut bash sa duhet. Edhe armët na janë vjetrue bukur shumë…

- Po, o vlla. Bash ashtu, si po thue, asht. Po, si ta lamë t’hujin t’na hi n’vater pa e pritur me pushkë ?! Qe sa kohë, natë e ditë, ket punë jam tue mendue. Po, nuk kemi qare, me ket takat qi e kemi pa dalë e me kundershtue. Si me pritë anmikin me na e turpnue vartën t’u nejt kamkryq?! Pasha tokë e qiell, Idrizi nuk munet me nejtë kamkryq e anmiki me na e shkrye vatren! Sa të jam gjallë, jo! Do t’luftoj me shka t’muj!

- Ashtu koftë ! – tha Mala. – Pertej vatrave tona s’kemi ku me shkue!

Nëpër natën e errët, të cilës ia prishte ngapak vetëm një shtresë e hollë bore, Idriz Seferi, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, kishin zënë pozitë te “Udha e Hekrit”. …

Beteja kishte filluar më parë se që ishte menduar. Vëzhguesit e pushtuesit, të parët ishin gjendur nën tytat e luftëtarëve. Pas tyre, pushtues të panumërt i ishin afruar “Udhës së Hekrit”. Armët e Kreshnikut të Karadakut po kujdeseshin që të mos zbrazeshin kot. Këtë e kishte parasysh çdo luftëtarë i tij. Vetë, Kreshniku i Kardakut, më parë se për mbarimin e barutit, brengosej për mundësinë e ngrohjes së tytave. “Le t’shkojë, sa t’shkojë!”, - thoshte vetë me vete ai.

Fishekë pak, armiq shumë. Bashkëluftëtarët shtinin duke numëruar fishekët. Tyta e armës së Canit ishte nxehur dhe trimi, i skajuar nga shokët, po mundohej ta ftohte atë me  ujin e hollë. Bashkëluftëtari tjetër, Ceni, po mundohej ta tërhiqte nga fushëluftimi dhe ta ndihmonte luftëtarin e plagosur.

-M’la e shkreta! – tha Kreshniku i Maleve, për armën që nuk po i funksiononte nga nxehja. -Mos shtini ma! – iu thirri, më pas, ai bashkëluftëtarëve.

Luftëtarët u befasuan. Idriz Seferi po dorëzohej! Nuk po vdiste në fushën e luftës. Mbase mund të vdiste në fushën e luftës. Nëse nuk do të vdiste aty, do të burgosej përgjithnjë. Ky ishte dënimi që i ishte shqiptuar nga sulltani, në rast se do të zihej. Këtë e dinte mirë Kreshniku i Maleve. Po ai kishte vendosur të dorëzohej dhe u dorëzua.

Kreshniku nuk u vra. Ka mundur te vritej lehtë, por u ruajt qëllimisht të ishte i gjallë, ta shihnin nga afër, atë që perandorisë po i sillte gjithë atë shqetësim…

Bashkë me bashkëluftëtarët, Kreshnikun e Karadakut e dërguan në Nish. E nxëron në gjyq. Tre kadinj ia numëruan mëkatet ndaj perandorisë e sulltanit, të cilin ai e quante zaptues. Kryekadiu më në fund shpalli dënimin. “Idriz Seferi, - tha ai, - i njohur si Kreshniku i Karadakut, për cenimin e autoritetit të pushtetit të sulltanit të madhërishëm dhe rezistencës kundër perandorisë sonë të shenjtë, dënohet me 101 vjet burg”.

Kadinjtë u habitën, sepse Kreshniku nuk u habit. Në vend se Kreshniku, u habitën ata. Kreshniku as u ligështua, as i shkoi mendja të pendohej e të kërkonte falje. Ai vetëm tha: “Shnosh! Nuk po m’dënon Zoti! Nuk i frigona gjygjit t’njerit!”.

Kreshnikun dhe bashkëluftëtarët e tij i vendosën në burgun e Nishit. Kreshniku duhej të vuante 101 burg! Kjo domethënë të rrinte aty përgjithmonë! Të vdiste në burg! Ai që  jetën pa liri nuk e konsideronte jetë!

Trimat, të burgosur në burgun e Nishit, nuk po flisnin. Secili po mundohej të gjente arsyeshmërinë e rënies në duart e pushtuesve.

Do të mund të tërhiqeshin para se të rrethoheshin nga masa e madhe e pushtuesve. Po nuk u tërhoqën.

Ndoshta më e mirë ka qenë vrasja në fushëluftë sesa dorëzimi. Çfarë dobie do të kishte burgu, nga i cili nuk do të mund të dilet i gjallë ?

Sipas gjykimit, nga ai burg i gjatë, të dënuarit, për të gjallë, nuk do të dilnin. Burg i gjatë njëqind e një vjet! Kjo domethënë të mos dalësh kurrë i gjallë! Veç kësaj, një brengë tjetër po i brente keq kreshnikët e burgosur. Fshatarët, në atë dimër pa të reshura, po të acartë, në mungesë të ushqimeve nuk do të kalonin lehtë.

Veç një brengë nuk i mundonte kreshnikët: pushtuesit nuk do të mund të ngjiteshin dot kodrave e t’i ndëshkonin shqiptarët për shkak të rezistencës së tyre. Ata nuk do të mund të kalonin mundimet e asaj natyre, e cila shoqërohej edhe me plumbat e pahuqur të fshatarëve.

Kreshniku i Karadakut, Idriz Seferi, i mësuar me lartësitë, me bukuritë dhe ajrin e natyrës së Karadakut, në atë burg - në burgun shekullor të Nishit, si “Labirinti i Kretës” - i cili dukej se të shtinte nga brenda akullin e vdekjes, nuk po mund të shtinte gjumë në sy. I dënuar me atë burgim të gjatë, në vend se të gjente qetësi e të mbronte sadopak shëndetin e trupit e të mendjes, ai nuk po mund të qetësohej.

Pas tri ditësh e tri netësh, kreshnikun e zuri gjumi. Në një gjendje as fjetur, as zgjuar, heroi pa një ëndërr. Në ëndërr: një kodër e lartë, e bukur e tërë gjelbërim. Rrëzë kodrës, një ka i zi duke kullotur. Sigjumi iu ndërpre shpejt, kurse zgjimi i solli një pamje gëzimi në fytyrën e tij. “Anrrat kallxojnë. Ka do sheja qí kallxojnë kush mun m’í kuptue. Edhe kjo anrra jeme thotë díshka, po m’doket per mírë…!”

Me atë hov gëzimi, nga një shenjë shprese, për dalje nga “Labirinti i Kretës”, kreshniku shpejtoi t’i njoftonte edhe shokët.

- O shokë, - i thirri kreshniku bashkëluftëtarët. - Ejani t’u kallxoj ni anërr!

Të ulur përkrah e para tij, bashkëluftëtarët po prisnin me padurim të kuptonin enigmën e atij disponimi të mirë në fytyrën e kreshnikut.

- Veçsa m’koti gjumi, - filloi rrëfimin kreshniku, - pashë ni anërr. N’anërr pashë ni kodër t’madhe jeshil pranvere, qi ta kish ana m’e pa. N’rrajtë t’kodres, ni ka t’u kulloten. Ni za shumë i kthjelltë m’tha: “Idriz, kur t’dal ky ka tue kullotë, n’maje t’kodres, ki me dalë prej ktuhit”.

Kreshnikët qeshën.

-Qysh po thue ti, - tha njëri prej tyre, me të qeshur, - na paskmi me dalë ni dit prej ktuhit !

-Po, - tha kreshniku. - Une kam ymyt; ymytin se humbi kurrë, as se jap per asgja! Veç duhet të presim. Durim, burra!

Kreshniku kishte një parandjenjë dhe e ndjente thellë se, megjithë atë burg të gjatë dhe pushtetin e Perandorisë, një ditë do të dilte i gjallë nga aty. Ai kishte një shpresë, e cila e bënte të fortë dhe të pamposhtur. Shpresën, nuk e humbte, as e jipte për asgjë, siç thoshte shpesh.

Ëndrra e kreshnikut komentohej vazhdimisht në ato ambiente mbytëse të jetës dhe ishte një motiv që jipte forcë dhe krijonte gjallëri jete. Dhe, nuk kalonte pothuajse asnjë

mëngjes që kreshnikët të mos pyesnin kreshnikun në mos e ka parë ëndrrën, apo kaun duke u ngjitur kodrës…

Pas një kohe jo aq të gjatë (por jo sipas llogaritjes së kohës brenda burgut, ku ditët ishin muaj, ndërsa muajt vite !), kreshniku u zgjua një mëngjes herët, u rrua e u pastrua në ato mundësi që jipte burgu, drodhi mustaqet dhe mori kafe e sheqer t’u maronte kafe të gjithë bashkëluftëtarëve.

Të zgjuar, si gjithnjë, me mahinë e ëndrrës së kreshnikut, shokët e kreshnikut zgjohen me mahi. Por, ajo ditë dukej e veçantë; kreshniku po u bënte edhe kafe. Vetë kreshniku po iu shërbente shokëve. Sipas moshës, të gjithëve po iu afronte kafenë.

-Idriz, - filloi i pari t’i drejtohej kreshnikut, një bashkëluftëtarë i vjetër i tij, Mala, - ti qi po na ban kafe, a po na tregon se shka ka ndodhë ?

- Kallxona mos a ngjitë kau n’maje t’kodrës ? – shtoi një bashkëluftëtar tjetër.

Derisa po pritej me padurim të kuptohej enigma, Idriz Seferi po përdridhte mustaqet, herë po rrufiste kafenë e herë po pinte duhan me  kamishin prej qelibari dhe po i shikonte me radhë bashkëluftëtarët, sikur të donte t’u shpërndante të gjithëve, veç e veç, gëzime e urime të veçanta.

- E dini anrrën qi ju pata kallxue doheresh ? – pyeti ai.

-Po, - thanë pothuajse njëzëri bashkëluftëtarët, të cilët me padurim prisnin se ç’do t’u tregonte ujku i maleve.

- Prapë e kam pa atë anërr, atë ka t’zi tu kullotë. Kau kish dalë maje kodre! - tha ai.

- Oooo,  ha-ha-ha…, - qeshën trimat.

(Të regjur me jetën e vrazhdë dhe të papriturat e saj, ata nuk ishin njerëz që bëjnë hop pa e kaluar lumin).

- Qysh po thue, paska ardhë fundi i burgit tonë, a? – pyeti bukur seriozisht Mala, një nga kreshnikët më të vjetër dhe mjaft të regjur në shkollën e jetës.

- Po! - tha kreshniku. – Zemra po ma ninë se shumë shpejt do t’i shohim malet tona!

Kreshniku dhe bashkëluftëtarët, të mbushur optimizëm për triumfin e tyre, mbetën të vërtetojnë mundësinë parathënëse të ëndrrës.

Ditët në atë burg, pas tregimit të ëndrrës së dytë të kreshnikut, po zgjasnin sa vitet. Koha nuk po kalonte assesi, kurse ditët brenda burgut po e digjnin në mënyrë të padukshme jetën e secilit të burgosur.

Një ndryshim jete ndodhi papritmas një mëngjes kur rojat e burgut u vonuan, munguan krejt dhe nuk i hapën fare dyert e qelive të burgut. Më pas, të burgosurit kishin dëgjuar krismat e mëdha të atyre që me forcë po i hapnin dyert e burgut. Ishin këta fshatarët, të cilët, nga rrethe të largëta, kishin ardhur që, pas tërheqjes së rojave të burgut, të lironin të burgosurit.

Ëndrra e kishte paralajmëruar Kreshikun e Karadakut për fundin e burgut të tij.

Derisa po i mirrte ato pak gjëra që i kishte për ta braktisur burgun e Nishit, Kreshniku i Maleve, pothuajse po e këndonte frazën e përsëritur: ”Veç ymytin s’e shes kurrë!”, atë që, si një formulë lutjeje, e kishte pëshpëritur që nga fillimi i burgosjes së tij.

Narratori, sa herë që kishte dëgjuar e menduar legjendën për ëndrrën e Kreshnikut të Karadakut, kishte forcuar edhe më një bindje të tijën për ëndrrat. Ai kishte provuar domethënien parathënëse të ëndrrave. Në jetën e vet, vërtet, ëndrrat e para shumë vite më parë, kishte pasur rast t’i përjetonte realisht.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora