E enjte, 25.04.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti shqiptar në një antologji të përbashkët

E merkure, 01.02.2012, 08:58 PM


Shpirti shqiptar në një antologji të përbashkët

 

(Trup ?i suflet/Trup dhe shpirt, Bukuresht, 2012)

 

Nga Baki Ymeri

 

Thonë se pas sinqeritetit dhe talentit, thjeshtësia e vërtetë është ajo që e bashkon mirësinë me bukurinë. E këtillë duhet të jetë poezia, dhe e këtillë duket edhe seria e botimeve tona antologjike, e thjeshtë, me emra të njohur e të panjohur, por në brendi të tyre fshihet një bukuri e rrallë e shpirtit shqiptar dhe e shpirtit poetik të një kombi me të cilin kemi do lidhje të lashta të miqësisë historike, etnike, linguistike dhe gjeografike. Trup dhe shpirt është antologjia e 15-të me 15 krijues shqiptarë dhe rumunë. Inisiatorë të një prezantimi të këtillë janë  Vitore Stefa Leka dhe Mardena Kelmeni, ndërsa libri del në dritë nën përkujdesjen e Shoqatës së Gruas Italo/Shqiptare Camminiamo Insieme (Ecim së Bashku) dhe Redaksisë së revistës Shqiptari në Bukuresht. Përkthimi i lëndës shqipe në gjuhën rumune i përket autorit të këtij shkrimi, parathënia dygjuhëshe (Ftesa e një antologjie) me moton Teksa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë, i përket Visar Zhitit, i cili mes tjerash thekson:

Dëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar.  Shqiptarët sipas parathënësit, janë bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se vetveten.”

Libri hapet me poeteshën rumune Ioana Greceanu, padiskutueshëm, një pendë fort e mirë, pronare e një diskursi poetik të mugët, të rafinuar, inteligjent, që s’ta gërvish veshin, pa vende të pëbashkëta, një fjalim poetik që i nxjerr në sipërfaqe zonat e thellësive të shpirtit. Që nga fillimi e deri në mbarim, lirika e saj të josh ta lekturosh përmes një egaliteti stilistik të pamëkatshëm, në njëfarë drejtimi të veçantë, të parashikueshëm. Duke e zotëruar plotësisht një teknikë poetike pa kusur, Ioana Greceanut nuk i mbetet veçse të bëhet e paparashikueshme, dhe, nëse mundet, edhe sublime. Mendimi kritik i përket poetit të famshëm rumun, Cezar Iv?nescu, me origjinë shqiptare për nga mamaja, Ioana duke qenë e vlerësuar përmes një medalioni estetik edhe nga Dr. Luan Topçiu.

Victor Sterom-i, poet dhe kritik letrar, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, autori i disa vëllimeve poetike dhe i një vëllimi bilingv (Shkallët), i cili i prezanton edhe vlerat shqiptare të krijuesve tanë nga Shqipëria historike dhe diaspora shqiptare, prezent me një cikël poemash në gjuhën rumune dhe me 7 poezi në gjuhën shqipe. Sa për ilustrim frymëzimi, po e japim vetëm njërën prej tyre: “Më është shkrirë çasti/ Në dorë të djathtë duke mbajtur/ Përmbi kokë largësinë/ Tani bie dëborë / Me mëshirë ndaj hyjnive/ Bie shi me hije yjesh/ Përmbi kryqin tim të përflakur/ Një dordolec sa një kishë/ Numëron rrudhat e gojës duke bërtitur/ Ndërsa përposhtë janë valët.” Florica Bud, e prezantuar me dy vëllime edhe në gjuhën shqipe (Glina joshëse dhe Flamuri i dëshirave), sipas kritikut Horia Gârbea, praktikon një gjini të rrallë në letërsinë bashkëkohore. Shkrimi i saj është në përkufizim ndëmjet fikcionit, eseut dhe publicistikës. Eksperienca e vëllimeve paraprake të saj, dedikuar si fëmijëve dhe të mëdhenjve, ia shtojnë vlerën teksteve që bëhen të kapshme dhe të brishta. Florica Bud është një shkrimtare që përpiqet ti përvetësojë të gjithë përmes brishtësisë. Në botën letrare ajo manifeston plotësisht vokacionin kulturor, ngase ka talentin  për ti afruar artistët dhe për të mediatizuar me delikatesë krenarinë e tyre. Shkrimtarja nga Baia Mare është një Madame de Recamier që i mbron artistët nga pasojat e tranzicionit.

Ion Scorobete, poet, prozator, jurist dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, autor vëllimesh me poezi dhe prozë, si Gjeometria e dëborës, Barikada me engjëj, Dashuri dhe zogj tjerë për gjah, Kavaleri i pasmesditës, Nata e krenarive, Biblioteka e zhurrmave, Fluturim i brendshëm, autor i një vëllimi bilingv, shqip-rumanisht (Ushtrime të vetmisë), prezent në faqet e kësaj antologjie me poezitë Hapje, Territor, Mall, Identitet, Terapeutikë, Natore, Kohë. Miradije Ramiqi,tribuna e arteve të bukura, vjen nga Pozharani i Kosovës. Është poete dhe piktore e afirmuar vlerash universale në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Merret aktivisht me krijimtari letrare e artistike. Pos pjesëmarrjes në ekspozita të shumta të arteve figurative, kolektive e individuale, ka botuar edhe disa vëllime poetike si Drithërimë ngjyrash, Shi në pasqyrë, Pëshpërimë mbretërie, Shpirt i përflakur, Heshtje e (k)thyer, Hirësi përrallore etj. Sipas Agim Vincës, poezinë e Miradijes e karakterizon përpjekja e autores që me një gjuhë të figurshme poetike të shprehë preokupimet e saj jetësore. Krijuese që u falet hireve të fjalës, të ngjyrave dhe të perspektivës, Miradije Ramiqi është në kërkim të identitetit krijues. Ecejaket e saj imagjinative në botën antike shqiptare, po aq sa edhe në përditshmërinë tonë jetësore, me imazhet dhe topografinë e saj autentike; rurale e urbane, përfundojnë në studion e poetes-piktore dhe të piktores-poete, ku ajo rikrijon botën e saj artistike.

Pason Vali Nitu (shq. Nicu), me bibliografi në gjuhën rumune dhe me vargje në të dy gjuhët (Secunda celest?, Sekonda qiellore, Secunda zilei, Sekonda e ditës, Secunde rescrise-n timp, Sekonda të rishkruara në kohë, Sunt în poem, Jam në poemë), autori duke qenë edhe pronar i një vëllimi bilingv  (Muret e fjalës). Dikush mund të preket pse nja tre poetesha i kemi prezantuar edhe në antologjinë paraprake, edhe për hirë të vlerave, edhe për hirë të kontributit që kanë dhënë për botimin e kësaj vepre. Disa autorë i prezantojmë në kontekstin e këtij shkrimi vetëm me bibliografi, ndërsa disa tjerë me tituj poemash apo me ndonjë vjershë në original. Pas Valit vjen Mihai Pascaru, për të cilin një eseist ka thënë se në një kohë kur grafomanët marrin hov dhe sëmudja e autorllëkut bën kërdinë,  shqetësimi i poetit si njeri i shkencës konfirmon një përgjegjësi të madhe në valët ironike ku  autoironia dallgëzon tekstin dhe drithma lirike, duke u përpjekur të çajë  mburojën e sociologut, riguroze dhe e akulltë, që fanitet madje edhe në jetën akademike. Mihai Pascaru është autor i vëllimin me prozë të shkurtë Piramida, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Adraian Tabaku, i disa vëllimeve poetike dhe i përmbledhjes Definicione, që poashtu ka dalë në dy gjuhë (shqip-rumanisht).

Hasan Qyqalla vjen në faqet e antologjisë respektive me vargje bilingve (Ditën e dielë, Takimi me Da Vinçin, Të nesërmen) dhe me disa poezi në gjuhën shqipe: Shpresa vdes e fundit, Betohu, Tokë e djegur, Mos, Sonte, Marshi i vargut dhe Ta bëjmë Shqipërinë. Poeti u lind në Bardh të Madh, komuna e Fushë Kosovës. Ka kryer studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Me shkrime merret që nga viti 1976, krijimet e tij duke e parë dritën e botimit në shumë gazeta e revista e asaj kohe. Herë pas here ka bashkëpunuar edhe me mediat radiofonike dhe vizuale. Që nga viti 1993 jeton dhe vepron në Brol afër Bonit, në Gjermani. Deri tani ka botuar librat Dua të vdes shqip, Robi i Lirisë, Prekja e ëndrrës, Arkeologji e shpirtit,  duke patur dy vëllime poetike dhe një roman në shtyp. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, bashkëthemelues i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, laureat i një numri të konsideruar çmimesh e mirënjohjesh të ndryshme. Bajame Hoxha-Çeliku, viktimë e terrorit komunist, vjen nga Kukësi, me studime të larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, autore e veprave Diku aty, Miu, miu kacamiu, Tomi dhe Xheri, Përtej dhimbjes, Nata e një martese, Ana dhe Klajdi, Gjysma ime, Puthmë, Vajet e pranverës, Blinera dhe Lea. Sipas mendimeve kritike, autorja ngre mijëra pasione përbrenda zjarrit të shpirtit, të cilat sëmbojë dhe prekin, grishin dhe ndjenjëzojnë, shpërthejnë sfondin errëti dhe metaforizojnë të bardhën dlirësi, tronditin dhe refleksojnë. Vetë në thelb kjo është poezia, që të ngrejë magjinë fjalë në art dhe artin ta shndërrojë në letrargji, të mesazhojë sublimitetin dhe të optimizojë jetën e thjeshtë njerëzore.

Seveme Fetiqi vjen nga Vushtrria e  Kosovës. Ka studiuar mjeksinë në Universitetin e Prishtinës. Poezitë e saj u botuan pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat shqiptare në Kosovë, si dhe në përmbledhjen "Rrjedh e le gjurmë". Më 1985 iu botua përmbledhja e parë "Kurorë e kaltër", që u shpërblye si libri më i suksesshëm i Plejadës nga gazeta "Zëri i rinisë". Në vitin 1998 boton përmbledhjen e dytë "Dëshmia e kthimit tim". Ne vitin 2003 poezitë e saj botohen në Antologjia e poezisë moderne të Ferdinand Lahollit, ku janë të përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Është anëtare e Shoqatës së shkrimtarëve te Kosovës, anëtare e Shoqatës se Shkrimtarëve shqiptarë në diasporë dhe anëtare e Lidhjes së Poetëve Ndërkombetarë "PEGASI". Aktualisht vepron si arsimtare në shkollën me mësim në gjuhën shqipe "Naim Frashëri", pranë klubit "Bashkimi Kombëtar" në Ofenbah të Gjermanisë, ku edhe jeton.

Gabriel M?l?escu u lind në Bukuresht dhe jeton në provincë. Babai i tij duke qenë i persekutuar politik, vendoset me familjen sipas rradhës, në disa lokalitete. Ka absolvuar Fakultetin e  Elektroteknikës në Jash të Moldovës. Në vitet 1991 dhe 1992 punon nga një muaj në Shqipëri, në montimin e disa instalimeve të kërkimit në Kuçovë, pranë Beratit. Shkruan poezi që nga mosha e adoleshencës. Debutimi letrar me përmbledhjen e vargjeve Violina Moldave (1969). Për shkak të një lajthitjeje kritike, por edhe për shkak të origjinës së tij, para revolucionit antikomunist (1989), boton rrallë në revistat letrare. Debuton editorialisht me vëllimin e vargjeve Vetmia në ne, (2010), Humbjet e panjohura (shqip/rumanisht, 2011), Pavilioni i hijes (2012). Është anëtar aktiv i klubit letrar „Atitudini”, që vepron pranë Shtëpisë së Kulturës I. L. Caragiale në Plojesht. Prezent në antologji me 9 poezi në origjinal dhe me disa poema në gjuhën shqipe: Dhurata e fundit, Mirëmëngjez, etj.

Albina Idrizi vjen nga Tërnoci i Bujanocit, me studime të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Kryesisht merret me prozë, por edhe me poezi. Është fituese e një serë shpërblimesh letrare në Kosovë, kurse në vitin 1997 botoi përmbledhjen me poezi për të rritur “Heshtja e mbarsur”, më 2007 boton përmbledhjen me poezi për fëmijë Ëndrra me ylberë. Njihet sidomos me romanin e saj të parë, Hijet e Kullave, i përkthyer edhe në gjuhën rumune nga Adriana&Sherban Tabaku. Në ndërkohë ka botuar edhe disa vepra tjera të një rëndësie të jashtëzakonshme. Albina Idrizi është prezente me vargje bilingve në antologjinë Tempulli i fjalës (Bukuresht, 2009), Busulla e shpirtit (botim i dytë, Bukuresht, 2012), si dhe në disa antologji tjera, dhe shquhet si kursimtare e madhe e fjalëve dhe gjurmuese e figurave të reja në letërsinë shqipe. Duke ikur një çik nga subjekti, pa e anshkaluar shpirtin shqiptar në një antologji të përbashkët, vlen të theksojmë se gjatë prezantimit të antologjisë Kështjella e ëndrrave, harruam ta përmendim edhe një vlerë të rrallë të lirikës shqiptare në trojet gjermane, Pal Sokolinme vëllimin Gjaku i dashurisë, i prezantuar në disa revista rumune të kalibrit të lartë.

Pason Gheorghe Vrana, poet rumun me origjinë arumune. Ja vetëm disa tituj nga poezitë e tij: Në atdheun tim, Fjalë, Takim, Via Egnatia, Katakombe. Sa për ilustrim po e japim vetëm njërën nga to:  Blegërima e deleve/ në kujtesë/ terri bie mbi botë/ si një shi/ Në shpirt është vonë/ si në një çadër të kalbur/ pa felinar/Ku do të prehen eshtrat e mi/ kush do të ma ndezë qiriun/ Kaq varreza të paveguara/ Në horizont asnjë gëzim/ Nuk nxjerr tym nga oxhaku (Katakombe). Octavian Mihalcea, poet ushtarak që shkruan duke i dashur lumenjtë, një tjetër membranë e prerë, shikon me magjinë e asaj shprehjeje në plus. Nuhas diktimin. Mëndafshi mbulonte gjakun e lidhur. Dielli i vjetër qe harruar, më dinë vjeshta dhe zëri i ri, plagë të pritura.” Antologjia përmbyllet me disa poema të poetit Jordanian, Munir Mezyed, prezantimin e të cilit e jep në gjuhën rumune Maria Mugurash Petrescu, njëra nga to (Ngashnjimi i dashurisë), e botuar edhe në gjuhën shqipe: “Kur them Të dua/ E ndjej tronditjen e detit/ Në zërin tim/ Gjëmimin e tunelit/ Në zemrën time/ Shiun e purpurtë që vërshon/ Nga shpirti im/ Ja! Dashuria jote më bën/ O hyjni, o budalla.”



(Vota: 15 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora