E premte, 01.03.2024, 06:52 AM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Romantika e amshueshme e lirikës së dashurisë

E hene, 30.01.2012, 07:51 PM


ROMANTIKA E AMSHUESHME
E LIRIKËS SË DASHURISË

 

(Në vend të recensionit)

 

Nga Prend BUZHALA

 

Dikur, në kohët antike poezi quhej teksti që këndohej, poezia nuk recitohej e as deklamohej, por këndohej... këndohej gjatë vallëzimit sidomos. Së këndejmi, edhe libri poetik “ Zana dhe Guri” e Nehat Jahiut, na i përkujton ambientet deradiane, arbëreshe, të një romantike të përhershme, të amshueshme, të thadruar në shpirtin e dashurisë që nga kohët e moçme e deri më sot. Është një lirikë me përbërës erotikë të muzës popullore të dashu­risë. Duke u orkestruar në frymën e tillë, me ritmin me rimën, kjo lirikë ta kujton melodinë, vallëzimin, instrumentin popullor, herë këndimin në grup e herë atë solistikë. Forma themelore e strukturës së kësaj lirike të N. Jahiut, është një dialog i mono­logizuar me miken e zemrës në ambientin rural, në një mjedis kaq të hapur e të magjishëm, posi kjo ndjenjë e fisnikëruar dashurie, ndjeshmëri, ritëm e ambient krejt shqiptar; ndryshe nga ambineti i mbyllur urban me thekse orientale... Këndohet nëpër­mes memorizimit metaforik të çasteve të dikurshme...po edhe nëpërmes një narracioni lirik... Kështu gjithnjë këndon lyra poetike e Nehatit për dashurinë...

Përjetimet intime (posi të barinjve shqiptarë), me shenja protagonizmi i takojnë edhe kohës sonë (punëtorë, të rinj, të arsimuar, ithtarë të së resë). Paradigma e tillë motivore, e hequr nga tradita e këngës shqiptare të dashurisë; përbën, nga ana tjetër, një sintezë lirike të historisë sonë shpirtë­ro­re; përbën, po ashtu, sintezën autoriale të shtrirjes së kësaj kënge në të gjitha periudhat tona letrare dhe në të gjitha hapësirat shqiptare... duke e pasu­ruar “moralin e normëzuar” dashuror me thyerjen e konventave, me rrezatime të shumta kuptimore e figurative, edhe si arritje estetike, si fryt estetik. Lirika, në të cilën ligjëron herë një Unë (“Unë e Zana...”) herë një vetë e tretë, është një dashuri e kënduar, ndjesi e raporteve të fuqishme mes dy qeniesh, djalit dhe vajzës, mashkullit dhe femrës. Aty këndohen bukuri shpirtërore dhe bukuria fizike, kokrra e pjekur e dashurisë e fryti i saj si vazhdimësi jete dhe trashëgime; lirikë që semanti­zon harmoninë më të ëmbël (si do të shprehej Balzak). Dashuria, te libri poetik i Nehatit, i ka stinët e saj, pranverën e emocionit të çiltër dhe historinë e saj, por e ka edhe gjeografinë shpirtërore të Atdheut e hapësirat e kësaj ndjesie. Kund e kund ligjëron Folësi Lirik i dashurisë, si subjekt poetik,

herën tjetër ligjëron Erosi, me shprehjen e lirshme të sensualitetit.

Poeti e nis librin me poezinë “Na ka zënë dashnia”” me ato ambientet e njohura popullore e lasgushiane të takimeve te kroi e me shqetësimet e emocionit dashuror. Mandej përgjoërtime lutjesore për realizimin emocional të kësaj ndjesie, nuk kanë fund (nisin me poezinë “Pash nënën tënde”). Në poezinë “Dasma” kjo lirikë ndërfut edhe këndimin e lekturës nacionale: vetëm shqiptari për DASMËN thur legjenda e mite, DASËM e quan shkuarjen në luftë të Djalit, Dasmë e quan dhe lirinë, dasmën e kulmit jetësor, paçka se dekori oriental nuk është i shtrirë në tërë territoret etnike të dasmës... (kurorë­zimin e dy të dashuruarve...). Cikli poetik i Nehatit për dasmën është i thurur me ritëm, rimë, me mjete shprehëse e ligjërim të frymës së këngëve popu­llore. Ndërkaq poezia “ Do të bëjmë dasëm” është ai çasti dehës poetik i ekzaltimit të një dasme aq të dëshiruar, te përjetimi me aq gjakim i të bukurës, ai çast ndjellamirës lirik i ëndërrimeve e idealeve të përbashkëta... Tek poezia “Për çdo natë e mbyt na­tën pa gjumë” këndohet vetmia, një natë pa gjumë, një fustan i nusërisë pa Zanën, e cila mungon, kurse folësi lirik, pret e pret, shoqërohet me një pishë të ndezur...deri në agim...diku te një kasolle me kashtë tek vreshtat, - ky simbol pikësynimi e begatie... është një metaforikë ekzaltuese e idealit...

Personazhet lirike të Zanës e Gurit(“Të merr gjumi”), si dhe ligjërimi i subjektit (folësit) lirik nga pozicioni i një kolektiviteti ("Sa shpejt na iku kjo natë e gjatë. Hëna,xixillonja na puthnin në ballë e sy...

Urojnë ditë të bukura për ne të dy...”).  na përcjellin edhe kësaj radhe. Diku tjetër .

 

Eja ti aty tek kroi,eja.., eja tek livadhi.

Ta puthësh Gurin në sy, mu aty tek balli.

Dhuroja të ëmblën atë tënden dashuri.

Mos e lerë Gurin të vuaj për ty.

(“Eja Zana !...”)

 

shqiptohet si URDHËR ETIK-poetik, për vlerat esenciale të qenies sonë dhe për realizimin e qenies së saj jetësore e shpirtërore ... dhe po u prekën këto vlera, atëherë shkelet ardhmëria, përdhoset histo­ria, fëmijët mbesin jetimë, përgjaket toka... Prandaj, në poezitë, ku poeti drejtohet në veten e dytë,  thuren me ritëm e me retorikën tipike të thënies popullo­re... Një dialog i gjetur lirik me nënën (mëmë­dheun...) tek poezia “Nëno” e librit paraprak, por edhe te një varg poezish të këtij vëlli­mi, nëna merakoset dhe merr pjesë në shqetesimet e vajzës:

I thoshte: Të ikim se nëna ashtë ba merak.

Ai ta kthente: të rrimë, të rrimë edhe pak.

(“Dielli  i zinte në vreshta”)

 

Tipologjinë e kësaj lirike të dashurisë, e pasurojnë edhe ato të punës, të dasmës, të fejesës, të përcjelljes dhe sidomos ato të të qëndruarit larg, në vetmi, në mërgim pa mënjanuar (poezinë “Tërë natën”, “Në prehrin tim do të përkundi”, “Aty në livadh”), kurse protagonistët përgjërohen me mall:

 

Ajo iku, iku diku larg e më larg.

Ai mbeti i vetmuar,i vetëm aty në mal.

Koka të dyve u mbeti menjanë.

Njëri- tjetrit puthjen pa ia dhanë.

 

Ndërkaq, më parë, te libri pararendës, motivi i mërgimit (“Qava e qava kur dola nga dera”) e ku kënga e mërgimit nuk pushon së kënduari as në këtë shekull. Dhe pyetja e folëses lirike është e ligjshme:

 

Më thoni...

Kur do të vijë dita.

Të shoh diellin e hënën.

Prej pragut të derës sime?-

(te libri “"Të pret malli që na treti")

 

pyet folësi lirik, që situatat e tilla më të mos përjetohen me peshën e tragjikës së kohës dhe këto situata barten edhe te ky libër. Por përgjigje nuk merr... A thua, përnjëmend, pse kombi ynë ende përjeton këso ditësh!? Por, kjo tipologji pasurohet me këndimin e mallit, me tone elegjiake e me nuancime epike-rapsodike! Diçka ka ndodhur në tërë këtë hapësirë, ku përhapet "piskama" ... Piska­ma, në fund, nguroset te një flamur! Asociacion i bukur poetik! Personazhet lirike të Zanës e Gurit, si dhe ligjërimi i subjektit (folësit) lirik nga pozicioni i një kolektiviteti ("sa shpejt na ikte e na tretej në livadh e ëmbla nata,/ zogjtë e hëna sa mundnin na puthnin në ballë e sy"), na përcjellin edhe kësaj radhe te poezia “Të merrte gjumi”, ku forca e këndimit dhe transponomi i forcës artistike, të asaj ndjesie erotike si një flakë që nuk shuhet asnjëherë:

 

Sa e sa herë na ngriu dëbora e akulli.

Sa e sa herë na ndriti hëna, atje te kroi, tek shpati.

Sa lotë në qepallat e syve, na ishin ngrirë.

Ku fryma e njëri-tjetrit atë e ka shkri.

 

Situatat lirike të kësaj poezie janë të llojlloj­sh­me, të pasura, me takime nëpër ato vende rurale si te lirika popullore, por edhe nëpër mese urbane të një mesi tashmë të emancipuar; na shqiptohen situata të vetmisë kundruall atyre të takimeve; situata të mallit kundruall atyre të emocionit dashuror si burim i pashterur përjeti­mesh; shpalosje e ndjesive të dy protagonistëve ndaj njëri-tjetrit; thurje ambientesh, ngjarjesh e situatash, ku ndër­hyj­në edhe subjekte  e personazhe tjerë (nëna, shoqet, miqtë, shokët..), apo edhe personazhe që thurin intrigën e dashurisë. Male, fusha, shtëpi, kopshte, lisa, livadhe, zogj, hënë, qiell, diell, me një fjalë, hapësira kozmike e natyra, marrin pjesë në këtë “lojë dashurie”, kurse idealet e tyre shkojnë edhe përtej një shpalosje e harxhimi, kurrë të shteruar, të mallit dhe emocionit: shkojnë deri te Molla e Kuqe (toponimi metaforike-simbolike e kufinjve të etnisë shqiptare, por edhe shenjë simbolike e dasmave shqiptare).

 

2.

 

Poeti Nehat Jahiu nuk pretendon që ta demistifikojë këtë ndjesi të amshueshme romantike, as nuk pretendon të ndërfutet në hapësirat e thë­nies ironike; as të ndërfusë eksperimente moderne të këtij këngëtimi; ta mënjanojë patosin apo ta krijojë vargun e lirë, elastik, me një leksik e diskurs më elastik, më bashkëkohor. Assesi! Madje, ai i ikën edhe një qëndrimi distancues artistik, ku lirika moderne thur frymën e autenticitetit objektiv. Në këso hapësirash të diskursit lirik, ai depërton vetëm

atëherë, kur përshkruan ndonjë situatë a skenë dashurie, me rrethana psiko-sociale, familjare apo të asociacioneve që zgjojnë pushtimet e gjata e që na dalin si pengesë e realizmit të një dashurie të lirë. Mirëpo, krijuesi letrar, as në këso rastesh nuk reshte për të qenë anash; ai identifiko­het plotësisht me protagonistët e tij, Gurin e Zanën, sa, të duket, sikur nuk e heton se apo ligjëron Guri, poeti, apo një i tretë... kësaj fryme i shkon edhe vargu i lidhur, i kënduar  me ritëm e rimë., ku dashuria shpaloset me një ndërthurje të ngjeshur estetike; me shpalim të botës së pasur shpirtërore; me shpërthime lirizmi për dashurinë e vërtetë, kundruall një poetike rituale të mesit rural (ritet e fejesës, dasmës, përcjelljes... këngëve të dasmës etj) e që gjejnë manifestimin e tyre te kjo poezi. Poetika e këtij libri, prandaj, sikur e ndërthur një lirizëm epik për dashurinë, me tërësinë e tij motivore e tematike.



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora