Kulturë
Arif Kutleshi: Protestojnë
E hene, 30.01.2012, 07:38 PM
Arif KUTLESHI
akutleshi@hotmail.com
PROTESTOJNË
protestojnë
bashkë me tymin gazmor
që proteston kundër dobësimit të diellit të kallnorit
spërkatin nga ana tjetër herë pas herë
me ujë të ftohtë në minus gradë
me qëllim që ta kthejnë në akull
buzëqeshjen e një brezi
që flet gjuhën e vet dhe dëgjon zemrën e vet
dëgjohën zëra thirrje ulurima
nga kokat e avulluara që presin
të kositen nga kërbaçi
shpinë pas shpine që të mbrohet kurrizi
anipse duart s´ka kush t´i mbrojë
nga hekurat, se s´kanë imunitet
ata protestojnë rrugës dhe arave dhe dyqaneve
s´ka kush t´i strehojë t´u jap ujë t´i pastrojnë sytë
të mos verbohen
të mos helmohen siç i helmuan vëllëzërit e tyre
në 88/ten
dalin nga portat e afërta dhe bien në pritë e kositen
ulen në asfalt me shpresë por rrënjë nuk mund të lëshojnë
dhe kositen
njëri provon me karrocë në emër të invaliditetit
që nuk ia njohën, sepse çuditërisht kishte ngelur gjallë
dhe s´mund ta shpallnin hero të mermerit
dhe kositet
një nënkryetar i parlamentit i ha çizmet veshkëve
të mos adrenalinohet kundër sindromit të stokholmit
lëvizin nëpër borë arave të dheut të bardhë
a dheut të zi të Llapit
se u ka ardhë tambëli i nanës në fyt
duke i paguar Serbisë haraç për djegiet e shtëpive
përdhunimet plaçkitjet masakrimet dëbimet
dymbëdhjetë mijë punëtorë serbë marrin rrogë nga motra
dhe gruaja dhe nëna ime
të përdhunuara dhe të djegura midis oborrit
dymbëdhjetë mijë punëtorë serbë punojnë në fabrikën e babës
që e gjeta mbas dy vjete në pusin tridhjetë e dy metra të thellë
tre fëmijët e mi hanin ende keksa plazma
në qiellin e shtatë të parajsës
si të ishin në Karagaç
a do të më mbesin edhe mua në fyt
si llokumet me arra të Krushevcit
gjëma e motrës e nënës e gruas dhe ulurima e fëmijëve
a do të më mbes në fyt mallkimi i tyre
për tregtinë gjithnjë të lirë apo jo
me kasapët
e lirë tregëtia dhe ajri dhe lëvizja
pa viza po po
si tulipanet holandeze
mall i lirë që duhet të jemi të lirë si vaji i kondensuar
që lubrifikon zorrët poltroniste
t´u shkojmë kasapëve në duar
të gatshëm për flijime të reja
duke paguar në dorë me euro
gjëmën tonë të re
të së nesërmes
mos i zini rrugët të na i sjellin makinat përplot eshtra
a hirin e urnës të të djegurve në tymtarët e Majdanpekut
hapni rrugën magjistrale nacionale le të na e sjellin hirin
e Ukshin Hotit
ta derdhim, më në fund, në dri të bardhë
a në kristalorin e Prizrenit
le të na i sjellin ato njëqindmijë copë eshtrash të copëtuara
le t´i sjellin se po i presim qe dymbëdhjetë vjet
bashkë me dyert e shkreta të Mejës
ta nisim një biznes të ri para se të skadojë gazi lotësjellës
pa ADN veç me sharje nënash tashti në shqipen tonë
të pavarur
reciprokisht si gjithmonë ata lëkurën tonë për tarabuka
ne demëshpërblimin të ndarë në dy pjesë, siç ndahet buka...
kallnor, 2012