Kulturë
Sarë Gjergji: Një studim i mirë shkencor mbi trashëgiminë tonë kulturore
E premte, 27.01.2012, 08:38 PM
NJË STUDIM I MIRË SHKENCOR MBI TRASHËGIMINË TONË KULTURORE
Kastriot MARKU, KISHAT E KURBINIT, Geer, Tiranë,
Nga Mr. Sarë GJERGJI
Libri Kishat e Kurbinit, i studiuesit Kastriot Marku, paraqet një moment me rëndësi në historiografinë e kishës katolike shqiptare. I bazuar në punën kërkimore në terren dhe mbi dokumente të shumta të shkruara, relacione të priftërinjve e prelatëve të kohës, të ruajtura në arkiva të ndryshme evropiane, autori hedh dritë mbi kontributin e klerit katolik shqiptar, në rrafshin shpirtëror e arsimor, në krahinën e Kurbinit e më gjerë.
Pa dashur të komentoj këtu rrethanat e deritashme në të cilat u gjend shoqëria shqiptare, në këtë kontekst edhe studiuesit shqiptar, lënda që ofron në këtë monografi autori, duke përfshirë edhe të dhënat mbi ndërtimet e kultit, të kishave të shumta, disa prej të cilave vijnë vetëm si rrënoja në ditët tona, madje për herë të parë, tregon për një hap përpara të studimeve në këtë fushë. Së këndejmi, monografia Kishat e Kurbinit do të shërbejë edhe si orientim, mbështetje dhe referencë e mirë edhe për studiuesit e mëvonshëm.
Libri është i ndarë në tre kapituj brenda së cilës sistemohet dhe mbarështrohet një lëndë jo e vogël. Të tri pjesët janë të ndërlidhura mirë mes veti dhe përplotësojnë e përmbushin funksionin, qëllimin e veprës si tërësi.
Pjesa e parë, Organizmi kishtar në Kurbin, flet jo vetëm për organizmin dhe veprimtarinë e kishës ndër shekuj në këtë krahinë, por edhe me gjerë. Me një vështrim të përgjithshëm mbi kishën në mbarë Shqipërinë, ajo cilësohet me të drejtë nga autori, si një nga protagonistët kryesorë të historisë sonë kombëtare. Në të vërtetë, është kisha katolike, ajo që ka shenjuar me jetën dhe veprën e saj murin mbajtës identitar të kulturës dhe qytetërimit arbëror, kundrejt erozionit shpirtëror e kulturor që u përpoq ta realizonte pushtimi osman, shprehet autori. Materiali, dokumentacioni i shumtë që sjell në libër, gjykimi, interpretimi i burimeve arkivore, i fakteve të ndryshme relevante, është bërë me një akribi vërtet shkencore nga autori. Kjo dhe i mundëson atij përfundime të pranueshme dhe të qëndrueshme shkencërisht, ndonëse të arritura pas një pune dhe mundi mjaft të madh.
Monumentet kishtare në Kurbin, është pjesa e dytë e librit, e bazuar mbi të dhënat dokumentare sipas burimeve historike. Autori sjell të dhëna mbi 33 kisha të famullive të Milotit, Laçit e të famullisë Zhejë-Mamurras. Të gjitha këto monumente të kultit të krishterë, të identifikuara në terren, disa syresh edhe në formën e rrënojave sot, dhe mbi bazë të dhënave historike, vijnë pas një pune sistematike e këmbëngulëse të autorit dhe paraqesin një thesar të paçmuar të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore, jo vetëm për kishën, por për mbarë historinë tonë kombëtare. Tendenca për të analizuar e shpjeguar tipologjinë dhe teknikat e ndërtimit të objekteve të kultit, kishave, por edhe mikrotoponomia e ofruar në libër, janë një cilësi tjetër që e karakterizon studimin mjaft të vlefshëm të Kastriot Markut.
Kapitulli i tretë i librit ka të bëjë me Kontributin e kishës katolike për arsimin në Kurbin. Ai do shkruajë për shkollat në Milot e Zhejë, por që theksin kryesor e vë mbi shkollën shqipe të vitit 1632, në Gallatë të Kurbinit, ku dhe, sipas autorit, duhet kërkuar fillet e arsimit shqip në Shqipëri. Në favor të kësaj ai sjell relacione të shumta të prelatëve kishtarë të kohës (drejtuar Kongregatës së Shenjtë), por edhe referenca të studiuesve të ndryshëm që janë marrë me arsimin e shkollën shqipe, me mendimet e të cilëve autori i kësaj monografie herë-herë edhe do polemizojë me të drejtë. Do thënë se këtu do mësojmë edhe për kontributin e Austro-Hungarisë dhënë për shkollën shqipe e arsimin shqip, nëpërmjet Protektoratit të Kultit (Kultusprotektorat).
Me mjaft rëndësi për lexuesin dalin edhe Fjalorthi, Shtojca me Relacionet e Ipeshkvijve të Arbërisë nga Kurbini e dokumente të tjera, si dhe fotot e kishave të shumta e të mbishkrimeve të gjetura në këto kisha, në fund të librit. Ndërkaq, recensionet e Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës dhe të studiuesit të mirënjohur, Aleksandër Meksit, në fillim të librit, dëshmojnë për një punë të shkëlqyeshme që ka bërë autori Marku në monografinë Kishat e Kurbinit.
Zaten, ky libër i shkruar me një akribi shkencore, do jetë një ndihmesë e madhe për studiuesit e ardhshëm në fushë të historisë së kishës sonë në veçanti dhe të historisë sonë kombëtare në përgjithësi, të trashëgimisë sonë shpirtërore e materiale, të shkollës e arsimit shqip.