Kulturë
Elida Buçpapaj: Na i hëngrën vitet
E premte, 27.01.2012, 08:19 PM
ELIDA BUÇPAPAJ
NA I HËNGRËN VITET
Na i hëngrën vitet
si konsumojnë
me babëzi
nëpër ahengje perverse
kohën si çamçakiz
Na i hëngrën vitet
lubitë dhe kanibalët
e tranzicionit
ballkanas
Na i hëngrën sekonadat,
minutat,
orët,
ditët
javët,
muajt,
vitet
Na i bënë mish dhe pré
për ujqit,
çakejtë,
kojotat
Na e pinë gjakun
ditë për ditë,
pak e nga pak
me gota vere
me gota shampanje
nëpër orgji
lumpenësh
për të fshehur
shëmtimin e
tejskajshëm
nga përçudnimi i tyre
që nuk e fsheh dot
as errësira
e varreve
Na e harxhuan durimin,
na e bënë leckë,
na e përqeshën, tallën
blasfemuan
si viktimat
që diktatura
pasi i vrau
i groposi nëpër gropa
pa emra dhe varre
duke i lenë edhe sot e kësaj dite
të afërmit
të mbeten në kërkim
të trumbave të eshtrave
të të dashurve të tyre
Na dëbuan nga Atdheu
si Milosheviçi shqiptarët e Kosovës
por dëbimin e pranuam si sfidë
sikur Odiseu i kaloi të gjitha provat
veç që të kthehej në Itakë
Dëbimin e pranuam si luftë e shpallur
si luftëtarë
ndryshe do të ishim viktimat
e rradhës të tranzicionit
makabër
midis mijëra
shqiptarëve të tjerë
Na dëbuan nga Atdheu
sepse ishim luftëtarë të së keqes
së tyre
sepse ne e njihnim
identitetin e tyre
të njollosur
që as deti Adriatik dhe Jon
nuk e lan dot
njollosjen e tyre
ata të armatosur
deri në dhëmbë
me të gjitha mjetet shfarosëse
nga më të sofistikuarat që ka pjellë
fundshekulli XX
dhe fillim shekulli XXI
ne përballë tyre
vetëm me
të vërtetën…
Ata duke e kamufluar
njollosjen e tyre
me pancirë pushteti
e duke i sofistikuar edhe më
skalionët
e mjeteve të
urrejtjes përpirëse
ata
si atavizmat më monstruoze
të tranzicionit dhe
post diktaturës
ne duke u trupëzuar me të vërtetën
duke u bërë shpirt e mish
me të
duke u kapur pas saj
si tek një komardare
shpëtimi
duke ia ngulur thonjtë
për t’i shpëtuar
dallgëve
deri sa të arrijmë tek bregu!