E shtune, 25.05.2024, 10:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylldije Sulka: Partizani djeg fëmijën

E merkure, 25.01.2012, 08:54 PM


Ylldije Sulka

 

Tregim

 

Partizani djeg fëmijën

 

Dera e madhe e oborrit të shtëpisë së Agzotit e la erën të gjëmonte dhe vetë u plas përtokë pasi para saj u gjend një tufë me njerëz pa uniforma dhe me pushkë të cilët më shumë shfrynin se sa merrnin frymë.

Në ballë kishin nga një yll ndërsa më poshtë yllit, fytyrat e tyre ngjanin me ca egërsira që donin vetëm të copëtonin çdo gjë që iu dilte përpara. Ishin partizanë.

Një vajzë që ishte në mes të oborrit la lodrat dhe e frikësuar mori për të ikur e lebetitur por para i doli i pari i turmës dhe me një zë që kishte edhe fodullëk e tromaksi edhe më shumë fëmijën.

E kujt je ti moj? - i bërtiti partizani pinjolles së derës së Agzotëve, derë që kishte nxjerrë bij e bija për vendin e shqiponjave, që nga koha e krijimit të botës.

Këtë e kishte marrë vesh partizani Bebo dhe i kishte djegur që kjo familje ishte një nga “ato“ që iu këndonin këngë brez pas brezi.

Por tani kanë ndryshuar kohërat, i kishte thënë komandanti i partizanëve.

Tani e tutje do t’iu këndonin atyre, partizanëve dhe askujt tjetër.

Kjo gjë i pëlqente shumë partizanit Bebo.

Dhe pikërisht që t’i ngrinin këngë atij, partizanit Bebo, ai sot kishte ardhur të arrestonte Luan Agzotin sepse ai kishte qenë Kryetar i Ballit Kombëtar të zonës.

Por, Ballistët, pas luftës së Dytë Botërore, u shpallën humbës se ashtu kishte thënë partia e Bebos.

Lufta kundër shtresës fisnike për të eleminuar shqiptarët, kishte filluar shumë kohë më parë, ndërsa partizani Bebo nuk e dinte këtë.

Ai kujtonte se ballistët do i shfaroste partia e partizanëve dhe se ata, partizanët, do të ishin të parët e vendit, të ndihmuar nga partia e tyre. Dhe kjo kishte filluar t’i pëlqente Bebos.

Këngë për partizanin Bebo nga partia e partizanëve!

Tingëllonte kaq bukur.

- “Cila parti o Bebooo” – i kishte thënë thirrur nën zë dajua i tij kur ai i kishte treguar punën e këngës, - ajo parti që ka vrarë shokët e vet?

Bebua kishte mbetur i hutuar sepse ai e dinte se sa shokë partizanë kishte vrarë pa gjyq partia e partizanëve.

Por, ka njerëz që harrojnë shumë shpejt.

Dhe ai vazhdonte të mbante partinë e partizanëve duke mos e çuar shumë gjatë mendimin sepse ai ishte mësuar të luftonte armikun gjatë luftës dhe, tani pas lufte, zbatonte urdhërat që i jepte partia.

- “E kush ke qenë ti, o Bebo, para se partia të të merrte në gji”?! - i thoshte përherë komisari dhe partizani Bebo tundte kokën se kjo ishte e vërtetë

Ja, si sot.

Partia i kishte thënë se Luan Agzoti ishte armik i pushtetit popullor dhe ai kishte ardhur këtu për ta arrestuar në befasi dhe nëse ai do të rezistonte, duhej ta pushkatonin në vend.

Por i kishte dalë përpara kjo vajzë. Tufa e armatosur priste pak më larg.

- E kujt je moj, fol, pse ke mbetur si guhake

- i bërtiti ai fëmijës.

Por ajo, tepër e frikësuar ia kishte nisur me të qara.

Sa shumë e ndjejnë fëmijët të keqen.

Partizani Bebo nuk duroi më.

Duhej të arrestonte Luan Agzotin dhe po të rrinte aty, ai mund edhe t’iu ikte e t’ia mbathte.

Ndaj partizani Bebo bëri përpara si të ishte në një fushëbetejë.

Brenda e priste e gjithë familja dhe përpara ishte ai, Luan Agzoti. Ai ishte i qetë dhe sapo partizani Bebo iu drejtua për t’i thënë se ai ishte i arrestuar në emër ë popullit, Luani nuk rezistoi por i tha se ishte i gatshëm të shkonte pas tij.

Partizani Bebo u habit.

Nuk po i dilte si i’u kishte thënë komisari partizanëve që të rrinin në pozicion për zjarr.

Por Luan Agzoti nuk po bënte rezistencë.

Ai po ecte përpara.

Partizani Bebo ngriti dorën, e çoi mbrapa veshit dhe ngadalë filloi të lëvizte kapelën me yll të kuq në ballë duke zënë sytë, sepse nuk dinte si t’ia bënte.

Por teksa po mendohej, afër tij erdhi zëvendëskomisari i cili ishte në krye të skuadrës partizane.

- Na iku shoku Bebo – i tha ai nën zë.

- Jo o shoku zëvendëskomisar, ai do të

vijë vetë në zyrë - tha Bebua gjithë siguri, -

ja ta pyes unë - dhe iu drejtua Luanit.

- Na more ti, ku vete?

- Po vij me ju – tha Luani qetë, - ju vini në emër të popullit dhe ligjit dhe unë i respektoj të dy.

Bebua shikoi nga zëvendëskomisari.

- Ti nuk je i popullit dhe ligji nuk është i yti por i joni që fituam luftën – u hodh e foli zëvendëskomisari.

- Luftën e bëmë bashkë zotëri - tha Luani po aq qetë sa në fillim.

- Unë nuk jam zotëri more armik i popullit – thirri zëvendëskomisari dhe iu kthye partizanëve tjerë duke thirrur:

- Zjarr!

Bebua nuk rriti të flasë për të kundërshtuar.

Trembëdhjetë breshëri u derdhën mbi trupin e Luan Agzotit.

Ai nuk ra menjëherë por u kthye përgjysmë si për të parë për herë të fundit njerëzit e familjes së tij të dashur por e vetmja pamje që pa ishte ajo e vajzës së vogël të tij që u fut nga jashtë në oborrin e madh.

Ajo pa se si para syve të saj i ati u godit nga trembëdhjetë tyta armësh dhe klithi.

Bota u godit thellë në zemër.

Ajo u sul mbi partizanët për të mbrojtur babanë e saj.

Por ata ende qëllonin si të ishin të ikur nga mendja.

Ata nuk shikonin por vazhdonin të qëllonin derisa të merrnin urdhër nga zëvendëskomisari i tyre.

Dhe ajo, vajza e vogël, kërkonte të ndalte ata njerëz që të mos e qëllonin më babanë e saj.

Ajo kujtonte se ai ishte ende gjallë dhe ajo se mund ta shpëtonte ose mund ta ndihmonte sado pak.

Ky reagim i vajzës së vogël e ndezi keq zëvendëskomisarin. Ai u sul dhe me një dorë, sepse me tjetrën qëllonte në ajër, e mbërtheu atë fëmijë për flokësh dhe gjëja e parë që i erdhi ndër mend ishte ta vriste dhe atë.

Ngriti dorën që mbante fëmijën dhe ia drejtoi armën por ajo ende lëvizte dhe përpëlitej duke u munduar që të shpëtonte atë, babanë e saj, pa e pasur mendjen tek rreziku që i kanosej për vete.

Zëvndëskomisari, duke e parë që vajza mund t’i shpëtonte, filloi të qëllonte por e pa se plumbat nuk po e preknin ndaj rrotulloi kokën dhe syri i zuri një zjarr në atë oborr të madh dhe e vërviti atje.

Vajza ra e alivanosur dhe nuk po mundej më të lëvizte edhe pse zjarri po e përpinte me po atë vrull që partizanët po qëllonin sa mbi trupin e Luan Agzotit aq edhe në ajër.

Babanë ia vranë dhe ajo nuk kishte mundur të bënte asgjë, ishte e plagosur dhe edhe përplasja që i kishte bërë ai burrë me kapele me yll të kuq në ballë, e bënë që ajo të mos reagonte nga flakët.

Po digjej, trupi i njomë i vajzës së vogël po mbështillej me shpejtësi nga flakët dhe ajo as që reagonte.

Bota ishte pushkatuar dhe tashmë po digjej. Vetëm Zoti mund të bënte një mrekulli që ajo foshnjë të shpëtonte.

Dhe ja ku erdhi.

Nga brenda shtëpisë, përmes gardhit të partizanëve që ruanin njerëzit e tjerë të familjes që të mos dilnin por vetëm të shihnin se çfarë po bëhej, u sul një grua. Ajo iu drejtua të shoqit që edhe pse e dinte se ai kishte vdekur, i fliste e i thërriste sikur ai të ishte gjallë.

- Çohu Luan burri se ta qëlluan vajzën e vogël dhe po ta djegin të gjallë, ngrehu o shtyllë e shtëpisë se po të shembet shtëpiaaaa – thirri ajo dhe u derdh mes grykëve të pushkëve të partizanëve që përballë furisë së kësaj gruaje nuk po dinin se çfarë të bënin.

Ajo u përkul mbi zjarr dhe me vërtik ngriti fustanin, e futi vajzën poshtë trupit të vet dhe filloi me furi të shuante flakët.

Vajza ishte e vdekur.

Gruaja luftonte e luftonte me flakët dhe teksa përpiqej t’i fikte ato,fustani i saj po digjej dhe mishi po merrte përcëllimat e para por ajo as që ndiente.

Me duar e me tërë trupin ajo lëvizte e shuante flakët duke i thirrur të shoqit që të ngrihej se vajzën po i’a digjnin të gjallë.

Por Luan AgZoti nuk ishte më në jetë. Atij i kishin mbetur vetëm sytë hapur si për të parë se çfarë bëhej.

Zjarri pushoi.

- Eja të ikim, - dha urdhër zëvendëskomisari, - këtu e mbaruam detyrën.

Me kokën lart duke kujtuar se e bënë detyrën, ata ikën të gjithë.

Shtëpia ra në një heshtje që do të duheshin shumë vite të prishej nga zhurmat e jetës.

Vajza e vogël erdhi në vete vetëm pas disa kohësh duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës në një kamp interrnimi diku andej nga Myzeqeja.

Ajo tashmë ishte me një këmbë gjysmë të djegur, çalonte.

Zemrën e kishte të vrarë.

Në atë kamp interrnimi, vite më pas erdhi edhe partizani Bebo pasi kishte bërë shtatë vite burg dhe dajën ia kishin pushkatuar pasi ai, nipi i tij i kishte treguar partisë së tij, pra partisë së partizanëve, se çfarë kishte thënë ai për atë parti që e quante popullin si mall të vetin.

Dhe partia e partizanëve e pushkatoi pa gjyq brenda disa orëve.

Ndërsa ajo vajzë e vogël ishte rritur tashmë, partizani Bebo, sa herë kalonte afër saj, priste të merrte mbi vete urrejtje dhe tortura por ajo kurrë nuk e bëri këtë gjë edhe pse ishte në moshën e saj më të mirë dhe ai tashmë një plak i luftuar nga partia e tij.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora