E diele, 28.04.2024, 05:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Illyricum Sacrum: Epifanía e Zotit tonë Jezu-Krishtit

E hene, 23.01.2012, 08:29 PM


Epifanía e Zotit tonë JEZU-KRISHTIT

 

Prej Illyricum Sacrum

http://nenaekeshillittemire.blogspot.com/

 

Mbretnit dijetarë, mbasi panë hyllin, i thàne njâni-tjetrit : "Qé shêja e Mbretit t'madh; t'shkojmë e T'a kërkojmë; T'i dhurojmë ar, temjàn dhe mirrë, aleluja. (Prej Mbrâmsores s'parë-Vespers)

 

Tnjofim n'adhurimin e Mbretënve-dijetarë fillesat e thirrjes dhe Fesë tonë dhe t'festojmë me zemra t'mbushuna me gazmênd lindjen e ksaj shprese t'gzueshme, sepse qysh tash ne kemi fillue me hí n'trashigimínë qiellore. (Papa shën Leoni, Matins)

 

* * * *

 

Festa e Epifanisë ose e Manifestimit të Zotit tonë JEZU-KRISHTIT ka kênë gjithmonë shumë e bujshme në Kishen Katolike deri aty sa edhe vetë perandorët nuk mungojshin me asistue në meshën dhe ceremonitë e ksaj dite t'bekueme të 6 Janarit. Epifania âsht Festë e urdhnueme në Kishen Katolike universale. Kshtû, si diten e Dielë, ndalohen punët servile dhe urdhnohet asistimi n'Meshen shêjte.

 

Kjo festë âsht festue n'Lindje qysh n'shekullin e III A.D. dhe ka fillue me u celebreu n'Perëndim kah fundi i shekullit të katërt. N'kjoftë se në Kshndella, Zoti iu paraqit n'mnyrë të dukshme popullit të zgjedhun hebré, në misterin e Epifanisë, KRISHTI Zot i manifestohet popujve paganë, që përfaqsohen në grazhdin e Betlehemit me 3 Mbretën dijetarë të ardhun prej Lindjes.

 

"N'kyt ditë Ati i zbulon kombeve jo-çifute Birin e Tij" (Prej lutjes' Meshës)

 

Profeti Izaí e ka profetizùe kyt mister kur shkruen se "të tânë kanë me ardhë prej Sabës me prue ar, tejman dhe me shpallë lavditë e Zotit" (Izaía 60,1-6)

 

Po n'kyt ditë Kisha Katolike nderon edhe dy manifestime të tjera të KRISHTIT Zot : E para, Pagzimin e KRISHTIT n'ujët e Jordanit - prandej edhe Epifania njifet te né edhe si Festa e Ujit t'Bekuem, dhe e dyta, mrekullia e transformimit t'ujit në vênë prej JEZU-KRISHTIT në martesën e Kanës, n'Galilé.

 

N'kjoftë se Kshndellat i kndojnë himn natyrës hyjnore dhe asaj njerzore të KRISHTIT, Epifania nderon bashkimin mistik të shpirtnavet me JEZUSIN :

 

"N'kyt ditë Kisha âsht bashkue me Bashkshortin e saj qiellor, sepse KRISHTI ka lâ krimet n'ujin e Jordanit; mbretnit vrapojnë me dhuratat e tyne n'martesen mbretnore dhe dasmorët pijne me gzim ujin e shndrruem n'vênë." (Prej Mbrâmsoreve të dyta)

 

Dita e Epifanisë, krahas Krishtlindjes, Pashkës, Ngritjes s'KRISHTIT n'Qiell dhe Rrëshajës, cilësohet n'Kanonin e Meshës, si ditë shumë shêjte, dhe kjo me të drejtë sepse JEZUSI i shfaqet jo vetëm popullit hebré, t'ndriçuem prej ligjit mozaik dhe profetëve, por edhe popujve jo-hebréj, që jetojshin n'injorancë dhe paganizëm, në mnyrë që të dy popujt t'adhurojnë Zotin e vërtetë JEZU-KRISHTIN dhe të mbrrijnë n'lumnín e Parrizit.

 

Ashtû si Lindja e KRISHTIT iu lajmnue çifutve me anen e êngjëjve, ashtû iu zbulue popujve paganë ardhja e Tij me dukjen n'Qiell t'nji Hylli t'jashtëzakonshëm. Mbreti David profetizon mbi mbretniit dijetarë kur shkruen se :

 

"Mbretnit e Tarsit dhe t'ishujve do t'napin peshqèshe, dhe mbretnit e Arabisë dhe të Sabës kanë me prue dhurata. Të tânë mbretnit e botës kanë me E adhurue dhe të tâna kombet kanë me E shërbye." (Psalmi LXXI)

 

Simbas Traditës Katolike kto mbretën dijetarë, shumë t'përparuem n'njoftjen e shkencave natyrore dhe t'pajisun prej Zotit me nji urtsí t'madhe, thirreshin : Gasper, Baltazar dhe Melkior. Ata përfaqsojnë kshtû tri degët e njerzimit : Melkior, pasardhsit e Sem-it; Gaspri, pasardhsit e Çam-it; dhe Baltazar, pasardhsit e Jafetit, ku Sem, Çam e Jafet janë 3 bijtë e Noésë prej ku rrjedhin tâna kombet e botës.

 

Me anen e astronomisë, 3 mbretnit shikuen n'Qiell prezencen e nji hylli mâ t'ndritshëm se tâna hyjet e tjera, dhe, prej frymzimit hyjnor, u kujtuen mbi Hyllin e Jakobit mbi t'cillin kishte profetizue profeti Balaam. Ky hyll ishte shêja e Mbretit t'madh që pritej me lindë, mbi t'cilen kishin dijeni edhe paganët, e veçanarisht ata mâ të shkolluemit. E kshtû 3 mbretnit lanë vendin dhe pasunitë e tyne me ndjekë Hyllin. A veprojë kshtû katolikët sod ? A janë gadi me lanë vendin, pasuninë e gjithshka tjetër me ndjekë thirrjen e Zotit ?

 

Nuk dihet me siguri vendi prej kah erdhen 3 Mbretnit, megjithse n'Unjill thuhet se ata erdhen prej Lindjes së Betlhememit, Jeruzalemit. Pra, mendohet se ata ishin prej Arabisë, që popullohej n'at kohë prej fmijve që Abrahami kishte pasë me gruen e tij të dytë, Ceturen. Kto fmij ishin Jeksani, i ati i Sabës, dhe Madiani, i ati i Efas. Në fakt Mbreti David, në psalmin 71 profetizote adhurimin e KRISHTIT Zot prej mbretënve të Arabisë dhe Sabës, tuej I dhurue ar arabijet. Po ashtû, profeti Izaía parashikote se kishin me ardhë prej Madianit dhe Efës për me njoftë Mbretin JEZUS. (Isaia 60)

 

Kur mbretnit mbrriten në Jeruzalem, ata hupen pamjen e Hyllit hynor e kshtû ata shkuen me u informue te priftnijt dhe të ditunit e Izraelit. Ky fakt dishmon mbi autoritetin hyjnor që kishte Sinagoga e vjetër çifute, dhe vetëm ajo, me interpretue pa gabime mesazhet hyjnore.

 

"Ku âsht Mbreti i Hebrèjve sepse ne kena pâ hyllin e Tij n'Lindje dhe kèna ardhë me E adhurue" (Mateu 2,6)

 

I trazuem s'tepërmit prej ktyne fjalve të tre Mbrètënve dijetarë, Mbreti i Izraelit, Herodi, konsultoi kryepriftníjtë dhe skribët për me ditë se ku kishte me lindë KRISHTI, fjalë që don me thânë i vojósuni, Mbreti. - Simbas ceremonísë t'konsakrimit mbretnuer, mbreti vojóset me vojin e shêjtë - . Të dítunit e Izraelit iu përgjigjen se KRISHTI kishte me lindë në Bètlehem, simbas profecisë të profétit Miké (Mateu 2,4-6) :

 

"E tí, ô Bèthlehem Éfrata, megjithse jé nji qytet i vogël midis qyteteve të Judésë, prej tèjet ka me dalë Mbreti i Izraelit." (Mikéja 5,2)

 

Mbasi ndahen prej Herodit, qé ku i del edhe njiherë përpara hylli n'qiell dhe i drejton 3 dijetarët deri në grazhdin e përvujtë t'Betlehemit ku ata gjejnë KRISHTIN ZOT e Mbret t'shtrimë mbi pak kashtë, t'rrethuem prej Nânës' Tij t'bekueme, Virgjines' Papërlyeme Marí dhe sh'Jozefit. Mbretnit adhurojnë Mbretin e mbretënve me respekt të madh dhe I ofrojnë, ar, me nderue Mbretnínë e Tij; temjan, me njoftë Hyjninë e Tij dhe mirrë, me pranue natyren e Tij njerzore.

 

Tuej u kthye n'vendin e tyne, ata moren nji rrugë tjetër, për me i ikë gjurmimit t'Mbretit Herod i cilli i kishte porositë me i diftue vendin e lindjes s'KRISHTIT, për me zhdukë shdo kërcënim t'mundshëm të tronit mbretnuer t'Izraelit. Kshtû duhen me ndrrue rrugën pagane t'idolatrisë dhe t'mkatit të gjithë ata që kanë pa hirin e Zotit, për me marrë rrugen hyjnore t'virtyteve kristjane.

 

E kshtû vepruen edhe 3 mbretnit dijetar mbasi pane nji Zot-fmí n'vorfní e përvujtní. Murgu Ciril, në jetën e sh'Theodosit, shkruen se 3 mbretnit làne, mbretnitë, pasunitë dhe qejfet e kasj bote me imitue dhe ndjekë KRISHTIN Zot. Mbas Deks, Rinjalljes dhe Ngritjes s'KRISHTIT n'Qiell, Apostulli sh'Tomë shkoi me unjillzue vendin e 3 mbretënve, t'cillve, mbasi i takoi, u diftoi me hollsi mbi jeten e Shëlbuesit t'njerzimit.  Historia na rrfen se 3 Mbretnit, Gasper, Baltazar dhe Melkior, u bâne priftnij dhe ipeshkvij dhe n'fund dhanë jeten si martir me dishmue me gjakun e tyne bujar Zotin tonë JEZU-KRISHTIN.

 

Sod eshtnat e tyne shêjte pushojnë n'Katedralen madhshtore të Köln-it në Gjermani.

 

Dashtë KRISHTI Zot me ndërmjetsí t'Nânës s'Kshillit t'Mirë, na nep edhe né hirin e forcen me dishmue me vepra t'mira e nji jetë shêjte katolike Shëlbuesin e tânë njerzimit.

 

 

Bibliografia :

 

Mgr Paul Guérin, Les petits bollandistes, 17 volumes, Paris, 1878.

Dom Gaspar Lefebvre, Missel quotidien et vesperal, Paris, 1936.

Wikipedia : http://en.wikipedia.org/wiki/Cologne_Cathedral



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora