E shtune, 04.05.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati: Një tren për në parajsë

E diele, 22.01.2012, 06:55 PM


Shpëtim Kastrati

 

NJE TREN PER NE PARAJSE

 

- tregim -

 

Të shtunën paradite duke u rrokollisur përtueshëm retë e përhimta të nëntorit, u pa të ndalej një tren diku rrëzë Malit të Dajtit. Kjo ndodhi ishte krejt e papritur sa edhe e habitshme sepse aty nuk kishte ndonjë rrugë hekurudhore dhe as që mendohej dhe as ishte dëgjuar për një të tillë, megjithëatë lajmi u dha shpejtë dhe pothuajse e lajmëruan të gjitha mediat kryesore, bile disa e ilustruan edhe me pamje filmike. Në dukje të parë ishte vërtet një tren i zakonshëm, krejt në ngjyrë të bardhë të tejdukshme si prej xhami, me konture të vijëzuara sa që mund të shquaje dritaret ose dyert si prej fildishi por të papërshkueshme.

Kureshtja joshi shumë njerëz që aviteshin për ta parë, por qeveria menjëherë kishte marr masat, një rreth ushtarësh përqark trenit nuk të lejonin t’i afroheshe, por që mund të soditej nga një distancë e caktuar, njerëzit shkonin e vinin të çuditur, ndoshta edhe të friksuar për këtë të paparë ndonjëherë. Sigurisht filluan edhe thashethemet, siç ndodh zakonisht për ndodhi të tilla të rralla dhe të pashpjegueshme si kjo. Por ishte përsëri media ajo që zhveshi pak a shumë lëvozhgën e kësaj çudie dhe thërrmoi thashethemet:

Pothuajse të gjithë folësit e televizioneve dhe të radiove lajmëronin që treni ishte i vërtetë, pak i ndryshëm nga të tjerët dhe që vërtitet gjithmonë rreth botës, por rrallë i takon të kaloj nëpër Shqipëri, dhe sipas tyre, shqiptarëve u jepej një mundësi e rrallë si dhe e lakmueshme që të udhëtonin për në Parajsë. Sigurisht kjo ishte dëshirë e çdo njeriu, por e ekzaltuar dhe e dëshirueshme pas vdekjes, dhe në këto rrethana disi e pabesueshme. A dëshironin shqiptarët të shkonin në këtë mënyrë në Parajsë, por edhe nëqoftëse dëshironin si mund të shkonin vetëm me një tren?! E hamendje të ndryshme si kjo.

Fshatarët e ndodhur aty më pranë menduan që u kishte prirë atyre fati për së pari të shkonin në Parajsë, por si, dhe qysh?! Pyesnin njeri – tjetrin por ç’të thoshin! – Të shkojmë në komunë, - tha dikush – të pyesim kryetarin. Por a është kjo punë komune – pyesnin të tjerët? Nëpër hamendjet e ndryshme u vunë në punë radiot e veshit dhe njerëzit nga çasti në çast prisnin ndonjë lajmërim a udhëzim të ri, aq më tepër që kryetari i komunës nuk gjendej asgjëkundi, ndoshta dhe ai strukej diku për të mësuar diçka më shumë. Pavarësisht nga kjo, shumë fshatarë filluan të bëheshin gati, (tek e fundit ç’do të humbisnin? vetëm varfërinë e përjetshme) paketonin ç’të mundnin, mblidhnin fëmijët rreth vetes dhe prisnin çastin, disa hoqën dorë sepse nuk bëheshin dot bashkë ngaqë fëmijët e tyre ishin në kurbet shumë larg, por ndonjë edhe telefonoi tek fëmijët e tij në kurbet, por ata talleshin matanë telefonit dhe këta mbeteshin pa shpresë. Dikush i nxiste që të çanin gardhin e ushtarëve dhe të hynin në tren si të mundnin, por të shumtët hezitonin dhe thoshin që më mirë të presim. Dhe nuk kishin gjykuar keq sepse sakaq u dha njoftimi tjetër nga mediat:

- Treni do të qëndrojë vetëm gjashtë orë pas këtij njoftimi dhe do të marr njerëz për në Parajsë aq sa ka edhe kapacitetin. Të gjithë ata që do të kenë mundësinë të shkojnë në Parajsë do të paraqiten vetëm me rrobat e trupit dhe pa asgjë tjetër me vete, madje as dokumentat; pasaportë, letër njoftimi etj. nuk hyjnë në punë, pra asgjë nga këto përveçse biletës përkatëse që kushton 500000 euro. -  Ky njoftim sqaroi një pjesë të mirë të njerzëve, por njëkohësisht edhe demoralizoi pjesën dërrmuese të tyre dhe plot të tillë të zemëruar keq nga çmimi fantastik i paarritshëm thirrën në inat e sipër  për ta shkatërruar trenin, por gjë që s’bëhej sepse trenin e përforcuan edhe me forca të tjera, mbetej të joshnin ushtarët me dredhi a tradhëti, por edhe kjo as që bëhej sepse koha ishte fare e shkurtër, ndërkohë shumë të tjerë nisën llogaritë që të bënin paratë për biletën, të mblidhnin ku kishin e ku s’kishin, të shisnin ç’të mundnin, të mashtronin kë të mundnin, pra duke vënë të gjitha aftësitë e tyre qoftë edhe të dyfishta në lojë.

Ngaqë shuma ishte e madhe dhe koha e shkurtër por edhe e papërsëritshme, kjo i ngacmoi menjëherë falsifikatorët të cilët hetonin me kujdes. Pothuajse e gjithë Shqipëria ziente, madje edhe Kosova dhe vendet fqinje që ishin informuar, ndaj u vunë edhe andej matanë në lëvizje sepse udhëtimi nuk kërkonte përkatësi etnike apo shtetërore, mjaftonte vetëm bileta.Qytetet zienin nga lëvizjet, bisedat, mashtrimet, herë pas here edhe dhunë, policia dhe ushtria e gjitha e shpërndarë në veprim dhe sirenat gjithfarëllojesh ulërinin anë e kënd. Bankat ishin përforcuar me ushtri dhe polici, por funksiononin në mënyrë ekspres për të gjithë nevojtarët, madje duke shtuar edhe sportelet e shërbimit.

Në të gjithë këtë rrëmujë, medja e instaluar pranë trenit po informonte çiftin e parë që avitej për në Parajsë. Ishte një çift moshatarë, dy pleqë që kishin qënë dikur mësues dhe të cilët kishin vetëm një djalë që kishte emigruar në Angli prej vitesh por që nuk  dëshironte të kthehej më, në këto kushte ata kishin vendosur të udhëtonin për në Parajsë. Sa për paratë, atyre u kishte ecur me disa prona të trashëguara që i kishin shitur kohë më parë, por edhe ca nga puna si sekser që kishte bërë i moshuari, pra kuleta u gjet plot dhe në momentin e duhur, dhe duke përshëndetur të pranishmit ata hyn në derën që u vethap dhe po ashtu u mbyll. Për pakë çaste njerëzit vunë re vetëm siluetat e tyre të vetëtinin dhe pastaj nuk u panë më. I dyti i rradhës ishte një ish i burgosur politik, të cilit për fat i ishin paguar 30 vitet e burgut dhe kishte fituar edhe një shumë të mirë  fal kumarit që i kishte ecur, dhe ngaqë familje nuk kishte gjetur pas daljes nga burgu dhe as nuk la më pas, hyri në tren ashtu pa përshëndetur duke u tundur në siluetën e tij të madhe që vetëtiti për pak dhe u zhduk edhe ajo.

Për të shumtët tani nuk kishte më mëdyshje ç’fare po ndodhte, mrekullia ishte duke u bërë dhe për ata që e kishin mbledhur mendjen top, vështirësia ishin vetëm paratë, të paktën nuk vihej re ndonjë seleksionim karakteri, vesi, tiparesh, profesioni apo përkatësie politike, por koha shkonte shpejtë, ndaj edhe falsifikatorët më të shkathët u vunë në punë për të fallsifikuar biletën. Si shumë të interesuar ata blenë një biletë dhe sipas sajë arritën ta fallsifikonin deri diku, si fillim vendosën një çmim gjysëmpërgjysëm

pra vetëm 250000 euro, por donin të siguroheshin që dikush të hynte në tren me biletën e falsifikuar dhe pastaj edhe mund ta ngrinin çmimin. Për këtë zgjodhën një deputet të opozitës, të cilin e akuzonin për korrupsion dhe mandati i tij ishte i lëkundshëm, e joshën me një biletë të falsifikuar falas, dhe nën vëzhgimin e grupit të falsifikatorëve ai hyri për në Parajsë pa as më të voglin telash, dhe fill pas tij i katërti për nga radha ishte një grek që sapo kishte mbrritur në aeroportin e Rinasit, kishte derdhur 500000 eurot enkas për biletën dhe hyri në tren më me nxitim se të tjerët. Ndërkohë falsifikatorët me suksesin e deputetit e ngritën çmimin në 400000 euro dhe po konkuronin bindshëm, ishin të ardhur nga Kosova dhe vendet fqinje ata që morën biletat e para tek falsifikatorët, ndërsa koha mbetej mjaft e ngushtë, me vetëm edhe dy orë dhe përpëlitjet nga të gjitha palët vazhdonin ethshëm. Por nuk thonë kot, “ Që shqiptarët kanë lindur me këmishë”. Një njoftim i papritur entuziazmoi pothuajse të gjithë të interesuarit, nisja e trenit shtyhej edhe për tre ditë të tjera, kështu që edhe ata që kishin marr biletat nuk nxituan të hynin në tren sepse tani kishin mjaft kohë edhe për të festuar në atmosferën festive që ishte ngjallur në të gjithë vendin. Biletat reale nuk po shiteshin, dhe ky ishte ndoshta edhe shkaku që nisja e trenit u shty edhe për tre ditë, kjo u kishte dhënë kurajo falsifikatorëve që ta itesifikonin punën duke i shpërndar biletat edhe nëpër rrethet e tjera të vendit, suksesi ishte i paimagjinushëm dhe shitjet ndoshta e kishin kapërcyer edhe kapacitetin e trenit, por kjo nuk vlente tani për falsifikatorët, ndërsa blerësit as që mund ta mendonin shifrën reale të biletave të shitura, sidoqoftë atmosfera festive vazhdonte gjithandej, madje edhe ata që nuk kishin menduar për të shkuar në Parajsë tani u dukej sikur po e jetonin atë edhe këtu, dhe pa asnjë paragjykim të gjithë mendonin që kjo atmosferë do të vazhdonte edhe pas nisjes së trenit, bile edhe mund të përsëritej për së afërmi, për të lehtësuar disi vuajtjet e dikurshme të shqiptarëve, ndaj gjithsesi kjo atmosferë kishte pushtuar gati çdo shtëpi, të paktë ishin ata që dyshonin dhe as që guxonin që të pëshpërisnin pë ta prishur këtë atmosferë.

Mbas dy ditësh festë, më të paduruarit filluan t’i afrohen trenit për të shkuar në Parajsë, sigurisht duke u përshëndetur dhe brohoritur edhe nga shumë të pranishëm që për çudi ishin edhe ata po aq të gëzuar sikur ata që shkonin në Botën e Endërruar. Rojet ushtarë, edhe ata të gëzuar, nuk e kishin të vështirë t’i lejonin një nga një ata që kishin biletën e posaçme, dhe pas pak u bën ndonjë dyzinë njerëz përpara dyerëve të trenit, ndoshta hezitonin për një çast për të shijuar edhe pak brohoritjet apo jehona e tyre i joshte dhe i tundonte, por nuk ishte as njëra dhe as tjetra, dyert nuk po hapeshin dhe njerëzit silleshin sa në një derë tek dera tjetër, vërtiteshin rreth e rreth trenit por më kot, ato nuk hapeshin, thërrisnin, kërkonin ndihmë, por ku, drejtoheshin nga ushtarët, ktheheshin prapë, vështronin trenin me habi, e preknin disi si për ta zgjuar nga gjumi, por prapë

heshtje, ai metal apo xham ishte i pandjeshëm, akull. Ndërkohë ushtarët e ndërprenë futjen e mëtejshme të njerzëve të paisur me biletë, dhe vështronin edhe ata të habitur trenin fantazmë siç u dukej tani, ndërsa ata vetë kishin parë me sytë e tyre dy ditë më parë, çiftin mësues, ish të burgosurin politik, deputetin dhe burrin grek që kishin hyrë në tren pa as më të voglin telash, dyert vetë ishin hapur dhe vetë ishin mbyllur, ç’ishte kjo tani, ç’farë po ndodhte?! Habiteshin, ngrinin supet dhe nuk lejonin më askërkënd që t’i afrohej trenit, se ashtu e kishin edhe urdhërin. Brohoritjet kishin pushuar dhe habija i kishte mbërthyer të gjithë sa ishin të pranishëm, disa të mësuar tashmë me këto të papritura vunë në punë përsëri radiot e veshit pë të mësuar ndonjë të re nga mediat. Por andej ende vazhdonte entuziazmi dhe hareja e mëparshme. Ra nata dhe treni do të nisej të nesërmen në mëgjes, dhe pothuajse të gjithë ata që kishin marr biletën po vinin me nge, por disi të çuditur qëndronin pas gardhit të ushtarëve sepse nuk lejoheshin të hynin në teritorin e trenit pa hyrë më parë ajo dyzinë me njerëz që ndodhej aty. Kishte arritur mesnata, njerëzit e kishin humbur durimin dhe tanimë thërrisnin, kërcënonin, dërgonin pedicione në qeveri dhe flisnin hapur se ishin mashtruar, por heshtje gjithandej, askush nuk jepte përgjigje, asnjë spjegim, as nga qeveria as nga media, bile edhe ata që njiheshin

më thashethemexhinjë nuk dinin ç’të sajonin për këtë rast të çuditshëm. Orët kalonin dhe pothuajse të gjitha mediat jepnin muzikë dhe humor, kjo i nervozonte edhe më shumë ata që kishin blerë biletë, ndonjë e përplaste radion në tokë, e shtypte me këmbë deri në ciflosje dhe hungërinte sikur të ishte ajo fajtore për gjithçka po ndodhte. Dikush thirri që të sulmohej treni dhe të hapeshin dyert me forcë, por ndërkohë ushtarët e kishin marr urdhërin që të largonin njerëzit edhe më tej, në një distancë tjetër të caktuar prej trenit, kur duhej edhe vetëm gjysëm ore që ai të nisej një grup ushtarësh i nxorën me forcë edhe ata dyzinë njerëzish që ishin brenda teritorit. Megjithatë të gjithë njerëzit ishin në ankth pë atë gjysëm ore që kishte mbetur. Ç’farë do të ndodhte në të vërtet?! Dhe pak nga pak ra qetësia dhe gjithsekush tani numëronte minutat. Të gjithë ata që kishin biletën mendonin pa mëdyshje që nisja do të shtyhej përsëri, të tjerë ishin fiksuar për ndonjë avari që me siguri prisnin njerëz të posaçëm që mund ta riparonin, vetëm pak ishin ata që mendonin ndonjë mashtrim të mundshëm. Kur duheshin edhe pesë minuta nga nisja, flakëriti një ngjyrë e kaltër dhe përshkoi gjithë trenin dhe u qetësua në çast duke dredhur të gjitha zemrat e atyre që prisnin, ajo u përsërit edhe mbas dy minutash, tani askush nuk pipëtinte, vetëm numëronin sekondat dhe vjedhurazi i hidhnin vështrime njeri – tjetrit, sikush me pamje të ndryshme; të habitur, të friksuar, të pëhumbur në fobinë e çastit pa hamendje, kur befas i ndriçoi flakërimthi një ngjyrë e kuqe që zgjati pak më shumë se flakërimet e mëparshme. Gojëhapur të gjithë i kishin ngulitur sytë tek treni, tani edhe sekondat nuk vlenin më, çdo e papritur ishte e vetdijshme pa asnjë lloj hezitimi, drita që kishte rënë ngadalë as që ishte vën re, vetëm treni në sytë e të gjithëve zmadhohej pak e nga pak. Ngadalë dhe papritur u dëgjua një kërcitje e lehtë, pastaj një bisht ngjyrash valëzoi për disa momente dhe u zhduk, pa asnjë reagim tek turma që priste gojëhapur, por pas asaj fashe ngjyrash ishte zhdukur edhe treni dhe para syve të njerzëve u shfaq vetëm rrëpira e mëparshme e Malit të Dajtit, shumë nga ata fërkonin sytë si të rizgjuar, por pamja nuk ndryshonte, ishte po ajo; rrëpira dhe po ato pak shkurre nëpër të.

Sigurisht që treni nuk kishte qënë fals, dhe përkatësisht teknika e avancuar e një Bote të Ëndërruar nuk mund t’i pranonte njerëzit e paisur me bileta false, sa për deputetin nuk kishte mëdyshje që falsifikatorët nga nxitimi i kishin dhën atij biletën arigjinale dhe vërtet ai sotë prehet në Parajsë, së bashku me çiftin mësues, ish të burgosurin politik dhe burrin grek.

Dhe kjo ndodhi vërtet u përket afërsisht  viteve 1995 – 1997. Efekti i rremë do të sillte pasoja për një shoqëri të brishtë si ajo shqiptare, e hutuar dhe  e ç’kurajuar në fillin e sajë për të dëshiruar dhe ëndërruar dhe shkaqet e imazhet e hidhura do të shkundeshin si gjethet në vjeshtë për të ruajtur dhe stimuluar vetëm konturin e riprodhimit, ndoshta për ta joshur përsëri?! … Kushedi!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora