E enjte, 28.03.2024, 07:07 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo & Ajaz Isaraj: Doktorit që nuk i mjaftojnë tri dimensione…

E premte, 20.01.2012, 07:59 PM


 

Doktorit që nuk i mjaftojnë tri dimensione…

 

(Nderim për veprën e prof.dr. Mantho Nakuçit)

 

Nga Ajaz Isaraj

Kozeta Zylo

 

Në botën e sotme paksa të çakërdisur harxhohen biliona dollarë për kozmetikën dhe estetikën.  Industria e estetikës për të shitur dhe injektuar çdo gjë në lëkurën e njerëzve që të duken sa më të rinj, kalon gati në çmenduri për tregëtarët e sotëm të saj.

Kjo lloj industrie i kalon kufijtë veçanërisht me moshat mbi 60 vjeç, kur rudhat në lëkurë bëjnë të vetën në mënyrë krejtësisht natyrale…  Kjo formë ndërhyrje zakonisht ndodh me artistët dhe personat publik që nuk mund ta durojnë dot procesin normal të mplakjes, për rrjedhojë atyre iu është kthyer në alergji kjo lloj pamje për të mos treguar moshën.  Ndërsa shumë njerëz në botë mundohen të eleminojnë moshën e viteve mbi kurriz, miliona njerëz të tjerë janë prekur nga sëmundjet e lëkurës, ose shumë prej tyre vdesin nga kanceri i lëkurës.

Në lidhje me këto që thamë më lart, deshëm të ndaleshim se si është trajtuar ky problem në vendin tonë dhe a kemi traditë mjekësore për këtë?

Padyshim në këtë fushë të mjekësisë një vend të rëndësishëm zë mjeku dermatolog dhe shkenca e dermatologjisë që ka pasur në krye të saj doktorin e mirënjohur të ndjerin Mantho Nakuçi me një kontribut të jashtëzakonshëm dhe me origjinë nga Konica e Përmetit.

Ai punoi disa vite si mjek i përgjithshëm në rrethin e Tepelenës dhe të Përmetit, ku populli i këtyre vendeve e kujton me respektin më të madh dhe e nderojnë ashtu siç mund të nderohet një mjek i vërtetë.

Por kultura dhe vizioni i tij nuk mund ta linin dr.Nakucin thjesht një mjek të përgjithshëm, ai u specializua si mjek dermatolog ku së bashku me prof. Kadri Kërçukun, Kleo Mihon, Mihal Caridha, Shyqyri Basha dhe më vonë me dr.Rus Torsujev, (nje leprog i famshem).  Doktori punoi për mesuesit e shkollave në Durrës, të cilët nuk do ta harrojnë doktorin me biçikletën “Mita” i cili kontrollonte nxënësit për një sëmundje të lëkurës, që po përhapej me shpejtësi, e quajtur ndryshe në gjuhën popullore (qerja).

Për here të parë Dr.Nakuçi diagnostikoi sëmundjen Grosti-Gianti në Shqipëri.  Ai punonte vazhdimisht me kohë e pakohë si dhe me mendjet e mykura që ndoshta për shkak të zilisë e frenonin në zbulimin e shkakut të sëmundjes.

Prof Nakuçi është themelues dhe presidenti i parë i  shoqatës së Dermatologjisë së Shqipërisë.  Ai është themelues i Institutit të studimeve dermatologjike.

Si mjek human ai kërkoi me çdo kusht që të gjitha rrethet të pajiseshin me një dermatolog, mjek të specializuar, me qëllim që t’u krijonte kushte banorëve të rretheve të vendit të mos mundoheshin në qendra të mëdha, por të kuroheshin në rrethet e tyre.  Dr.Nakuçi diti të hynte psikologjikisht në zemrat e njerëzve dhe t’i kuronte ata në shumë drejtime.  Lidhur me këtë profesori i shquar Bedri Dede do ta vlerësonte doktorin si një monument psikologjik, një personalitet të papërsëritshëm…, ndërsa prof. Arqile Teta thotë: “Mantho ka bërë aq shumë sa për disa jetë”…

Për kontributin e doktorit do të flasin me shumë emocion dhe njerëzit e thjeshtë që e kanë njohur nga afër si z.Ajaz Isaraj i cili thotë: “Për merita pune, në kohën e diktaturës shteti shqiptar iu dha disa personaliteteve të veçanta nga një veturë të vjetër për shërbime.

Une ishja mekanik në parkun e autobuzeve, sektori i taksive dhe për cdo defekt që ndodhte unë merresha me riparimet e tyre.  Në patronazh kishja makinën e dr.Nakuçit, Petro Canit, Dr.Zymës si dhe të Bajram Prezës, me të cilët shkoja shpesh jashtë Tirane.

Manthua ishte i qetë, por dhe shumë i guximshëm.  Ai në kulmin e nervozizmit kishte një sens humori të rrallë.  Një ditë më erdhi në park dhe m’u ankua se makina nuk më bindet.  Në se unë heq duart nga timoni ajo del jashtë rruge.  Pasi e dëgjova me vëmendje të posaçme e pyeta se ç’funksion kanë duart?  -Ai m’u pergjegj se ushqejnë trupin, të mbrohen, të kapin çdo gjë etj...  Atëhere unë i përgjigjem: Mos e lësho timonin.  Kur ajo del jashtë rruge, ju me duar silleni prapë në rrugë.  Duke më vrojtuar dhe dëgjuar më tha se kjo përgjigje s’më kishte vajtur në mend, paska pasur të drejtë “xhaxhi” Enver që thoshte të mësojmë nga kllasa punëtore...

Z.Ajazi vazhdon se ka shumë kujtime me profesorin, do të duheshin faqe të tëra të shkruheshin për të, por ajo që do më ngelet në kujtesë tregon ai është kur u ktheva nga Amerika ne Mëmëdhe pas 16 vjetësh...  Unë shkova ta vizitoja në klinikën private të tij dhe qëndrova ballë për ballë me profesorin si pacient... Pasi më pyeti se çfarë keni?  -I përgjigjem se jam i sëmurë.  -E di më tha që jeni i sëmurë, se këtu nuk vjen njeri për qejf.  Unë i thashëqë kam shumë respekt për gruan tuaj që bënte punën e sekretares, për ju dhe gjithë pacientët që presin në radhë, por jashtë kësaj dere unë nuk dal!  Qenke interesant më tha.  Si e pashë që shakaja nuk shkonte më iu prezantova.  Sa fillova të thoshja Ajaz ai bërtiti dhe m’u hodh në qafë.  Qenke shkurtuar atje, këtu ke qenë i gjatë ndaj dhe nuk të njohëm.  Nuk priti dhe i tha Marjanthit të shkrepte aparatin.  Ky ishte takimi i fundit me profesorin, që personalisht s’do ta harroj kurrë mirësinë, kulturën dhe komunikimin e tij me njerëzit e thjeshtë.

Profesor Manthoja edukoi mijëra breza, leksionet e tij tejet profesionale dhe plot kulturë priteshin me plot respekt në auditoret e universitetit të mjekësisë.

Dr.Mantho Nakuçi ishte krejtësisht i dallueshëm dhe nga shumë mjekë të tjerë, që vizitën e kanë fitim material, ai ishte siç thotë Dr.Hektor Peçi në një emission televiziv i ftuar nga Dr.Flamur Topi se doktori punonte shumë, dhe në ndryshim nga njerëz të tjerë që fitimet e punës i bëjnë vila, ai vetëm financonte konferencat dhe botimet dermatologjike.

Dr.Nakuçi ka lënë një pasuri të vyer për mjekësinë në të gjitha aspketet e saj.  Botimi i një atlasi të Dermatologjisë është një libër shkencor me vlera të jashtëzakonshme, botim që u bë ne bashkëpunim me të birin e tij po doktor, z.Mikel Nakuçin, doktor i shkencave të Universitetit të Janinës.

Mjeket e vërtetë janë dhe artista në shpirt, ata nuk mund të kuptohen si mjekë në se nuk kanë shije të holla estetike dhe artistike.  Pikërisht këto pasione të bukura e kishin bërë atë të ishte anëtar i shoqatës së fotografëve të Shqipërisë  dhe të shoqatës “Mjekësia, letërsia, arti”.   Në fototekën e Institutit të Studimeve dermatologjike ka rreth 30 000 fotografi, fototekë që është themeluar së bashku me birin e tij Mikelin, një mjek që ecën ne gjurmët e arta të të atit.

Krahas 14 librave mjekësorë ai botoi dhe librin me poezi: “Në prehërin e nënës” libër që është pritur mjaft ngrohtë nga lexuesit, të cilët kanë ndjerë nga afër rrahjet e zemrës së doktorit dhe fjalën e bukur të gjuhës sonë Hyjnore.

Në vitin 1972 ka realizuar filmin shkencor “Dermatomikozat” dhe “Controll of Leprosy in Albania” 1987.

Dr.Mantho Nakucin e kanë vlerësuar jo vetëm në Shqipëri por dhe personalitete botërore ndërmjet tyre do të përmendim profesorin e Janinës z.John Hatziz i cili thotë: “… një person akademik i vërtetë në vendin tuaj, por gjithashtu edhe një ambassador i Universitetit të Tiranës dhe përgjithesisht i Shqipërisë jashtë saj.  Kur shoh ose mendoj për Manthon tre dimensione nuk i mjaftojnë.  Ai është në të vërtetë një njeri multidimensional në një shkallë shumë të lartë.  Ai është doktor dhe dermatolog, pedagog dhe shkencëtar, humanist dhe filozof, epidemiolog dhe leprolog, autor i shumë librave dhe filmave shkencore, mik dhe gjysh gjithashtu”.  Dhe më tej: “ Eshte një nder i madh për mua që Mantho Nakuçi është një nga shokët e mi të me të mirë dhe të ngushte”.

Por a është e mundur të shkruhet gjithë puna e tij në një shkrim homazh dhe nderim për doktorin?  Kjo është e pamundur pasi jeta e tij është nga më të pasurat për kontributin në fushën e mjekësisë, që do të vlejë për gjithë brezat e ardhshëm që do të studjojnë për mjekësi ngase ai ka bërë aq shumë siç thotë Prof.Arqile Teta sa për disa jetë.

Prandaj kur njeriu punon për disaj jetë e kemi të pamundur të përmbledhim në një artikull gjithë veprimtarinë e tij, por e rëndësishme është që Dr.Mantho Nakuçi i qëndroi besnik betimit të Hipokratit në të cilin thuhet:  Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit... Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute.  As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit.  Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal”...

Dhe për këtë prof. M.Trashilieva nga Bullgaria e çmon Dr.Nakuçin si një shembull të shkëlqyer, një personalitet të vërtetë me një kualifikim profesional të padiskutueshëm.  Prof.Trashilieva vazhdon se ju na mësoni se si duhet të mbrojmë të drejtat tona dhe interesat e të sëmurëve, se si duhet të luftojmë për përmirësimin e vetes dhe profesionit.”

Duke përfunduar ndjejmë se shpirti i dr.Mantho Nakucit shëron nga parajsa, ndërsa mjekësia është me fat që veprën e tij multidimensionale e studjojnë brezat dhe biri i tij Dr.Mikel Nakuci i cili vazhdon të eci në gjurmët e arta të të atit.

 

Dhjetor, 2011

New York



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora