E merkure, 30.04.2025, 04:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Fondamentalizëm i pastër gjuhësor

E marte, 17.01.2012, 09:04 PM


FONDAMENTALIZËM I PASTËR GJUHËSOR.

 

NGA DANIEL GÀZULLI

 

Tashma Shqipnia, si u mbush me bunkerë, po mbushet përditë e ma shumë me Dr. e Prof.

Ajo që e karakterizon këte kategori nuk asht mendja e ndritun, por arroganca kundër secilit që mund të ketë mendim të ndryshëm prej tyne.

Shembulli ma i fundit asht një intervistë e dhanë nga Zonja Kristina Jorgaqi, gjuhëtare, pedagoge e landës së Sociolingiustikës dhe Planifikimit Gjuhësor në Universitetin e Tiranës.  (Gazeta Shqiptare on line datë 16.01.2012).

Që zonja titullshumë të mbrojë standardin e shqipes, asht e drejta e saj, bile edhe detyra e saj, nëse e ban këte nëpërmjet argumentimeve shkencore.

Mirëpo, gjatë intervistës, ndeshesh në të pavërteta të hapta, mjaft të vërtetojë tezen e saj se standardi nuk ka nevojë për rishikim, ashtu sikundër, simbas saj, nuk asht prekë standardi as në gjuhët moderne asnjëherë.

Vetëm në 15 vjetët e fundit ka pasë disa reforma gjuhësore edhe në gjuhët ma të zhvillueme, ndër ta gjermanishtja, që reforma e fundit gjuhësore e preku në vitin 1998. Por jo, simbas zonjës standardi ynë nuk ka nevojë as të përmirësohet, as të plotësohet, sepse ai asht i dhanë një herë e mirë, si Bibla. Dogmë ma të pastër nuk mund të gjesh.

Por edhe në tema të veçanta zonja nuk asht kursye të mashtrojë, mjaft të mbrojë tezën e vet.

Ja disa fragmente:

“Thuhet se nga fjalori i shqipes standarde është lënë jashtë pjesa më e madhe e pasurisë leksikore të gegërishtes. Sa e vërtetë është kjo?

Si studiuese, e them me përgjegjësi të plotë që ky është një trillim, i sajuar, në rastin më të mirë, prej padijes. Nga toskërishtja, shqipja standarde vërtet "ka huajtur" strukturën fonetike dhe gramatikore, por leksiku i standardit është "trashëgimi" prej të dyja dialekteve.”

Të gënjesh ditën për diell, kur në fjalor janë futë edhe turqizma, por jo fjalë shqip vetëm pse ishin gegnisht, kësaj i thonë kalimi i çdo caku në shtjellimin e një teme.

Për të mos lodhë lexuesin, po i kujtoj zonjës se do të kishte mjaftue të merreshin nga fjalori në fjalor fjalë si:

akulltar/-e, anx:ë/-a, ballot:ë/-a, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë, pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Por ata nuk u moren, se ishin serbisht, më falni, desha të them gegnisht.

Pra, ma mirë turqishtja “çiban”, se sa gegnishtja “birth”, sepse “birth” nuk e paska tosknishtja; ma mirë turqishtja “abrash”, se sa shqipja “i përmielltë”, se nuk e ka tosknishtja.

“U la jashtë shqipes standarde edhe trajta paskajore e foljeve. A është dëmtuar standardi prej kësaj?

Struktura gramatikore e standardit, siç e thashë, është ajo e toskërishtes, kurse paskajorja është tipar i gegërishtes. Për këtë arsye ajo mbeti jashtë shqipes standarde. Ndërkohë, funksionet e saj në standard i kryen mënyra lidhore. Mbase keni dëgjuar të flitet për rifutjen e paskajores në standard. Dua të sqaroj që është një kërkesë, e cila nuk vjen "nga poshtë", pra, nga përdoruesit e gjuhës, pasi këta nuk e ndjejnë nevojën e përdorimit të paskajores. Rifutja e paskajores është një kërkesë "nga lart", me qëllim që të rehabilitohet ky tipar thelbësor i gegërishtes. Harrohet që ndërhyrjet në gjuhë bëhen duke respektuar prirjet e natyrshme të saj, jo duke i shkuar atyre ndesh. “

Gjendemi në kufijtë e të pabesueshmes. Të thotë një gjuhëtare se paskajoren e zevendësueka lidhorja, asht të vesh duert në krye. Lidhorja ka vendin dhe përdorimin e vet, kurse paskajorja, zonjë e mirë (jo dhe aq), asht trajtë e shqipes, jo e gegnishtes.

Se kërkesa për ripërfshimjen e paskajores në standard qenka “nga lart” e jo nga 2/3 e popullsisë shqipfolëse, edhe ky asht një mastrim i madh.

“Ama për "zhbërje" të një standardi të ngritur mbi një dialekt me synimin për të krijuar një standard të ri mbi bazën e një dialekti tjetër, këtë vetëm në Shqipëri ta zënë veshët. “

Zonjë e mirë,

Të përmirësosh e të pasunosh standartin në tema vërtetë të vlerta për shqipen, jo për hatër të gegnisghtes, siç janë:

1) Pasunimin e gjuhës shqipe me të gjitha trajtat e saj fonetike e morfologjike ma përfaqësuese e shprehëse, që të lejojnë zhvillimin e papremë të saj, jo ta fosilizojnë si po ndodhë me famëkeqen gjuhë standarde;

2) Përfshimja e trajtave themel të shqipes në gjuhën e njësueme, si janë paskajorja e pjesorja e shkurtë;

3) Rishikimi i rregullave të shumësit të emnave e të mbiemnave;

4) Rishikimi i “ë”-së së shurdhët në trup të fjalës në raport me zanoren “a”;

5) Përjashtimi nga normat e drejtëshkrimit i fjalëve me theks fundor nën ndikimin e osmanishtes si; babà, joqë: babë; parà, joqë: pare; kafé, joqë: kafe etj.

nuk do të thotë “zhbërje”, po “bërje”, pse nuk po kërkohet asgja ma shumë se sa thuhej në Rezolutë të Kongresit: "Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si edhe çështjet e reja që nxierr praktika gjuhësore, Rregullave të drejtshkrimit t'u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura".

“Sipas jush, standardi nuk ka nevojë për ndërhyrje a ndryshime?

E thashë qartë, më duket, që standardi nuk ka pse ta ndryshojë bazën e tij dialektore, jo që nuk ka nevojë për ndërhyrje e përmirësime. Vetëm gjuhët e vdekura, si latinishtja, greqishtja e vjetër, janë standardizuar një herë e përgjithmonë. Standardi pa dyshim që ka nevojë t'i zgjerojë e t'i pasurojë resurset, sidomos ato leksikore, por edhe t'i përdorë e t'i shfrytëzojë me sa më shumë efikasitet ato ekzistueset. “

Falemnderit për lëshimin, për bujarinë tuej, që do të na lejoni “të zgjërojmë resurset, sidomso ato leksikore”.

Se mund të arrihet edhe deri aty: t’i marrim fjalët nga greqishtja, turqishtja apo serbishja, por jo nga gegnishtja; po zonja tregohet bujare dhe i lë shteg të hapun edhe leksikut gegë.

Këtij i thonë, zonjë e mirë, fondamentalizëm gjuhësor.

Ku e ka bazën dogma juej?

Nuk asht vështirë të kuptohet, aq sa nuk ia vlen ta lodhim lexusin.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx