Kulturë
Resmi Osmani: Kur mbarohen të gjitha
E diele, 22.01.2012, 05:08 PM
Resmi Osmani
Tregim
KUR MBAROHEN TË GJITHA
Sokrati kishte kohë që ishte zgjuar,por në ngrohtësinë e shtresave ndjehej mirë,e kaplonte gjumi pastaj zgjohej sërish, duke përjetuar atë gjendje prehjeje sikur qenia vozit pezull midis vetëdijes e pavetëdijes,në copëza gjumi të trazuara me ëndrra të çuditshme e pakuptim. Ishte ngopur me gjumë,por ishte ende herët për t’u çuar. Edhe pse trupin e ndiente të mpirë dhe beli i therte, nuk lëvizte se druhej mos zgjonte të shoqen.Ajo e kishte gjumin të lehtë. Së fundi,doli nga shtresat dhe qëndroi ulur buzë shtratit që të mos i merreshin mendtë.Në mugëtirën e dhomës mezi arriti të shquajë akrepat e orës që shënonin pesë të mëngjesit. Ndjeu të ftohtë, veshi çorapet, shapkat dhe hodhi mbi shpatulla batanijen e leshtë. Siç bënte përditë, u afrua te dritarja që shihte nga lindja. Dimri zbrazte dufet e tij: Retë pisë të zeza,kërlesheshin me njëra tjetrën,bubullonin, gjuheshin me rrufe, flaka hapte plagë dhe nga humbellat e shqyera derdheshin vrundujt e shiut që rrihnin muret me tërsëllimë. Sokrati u mrrol, i shkuan të dredhura dhe u pështoll më shumë me batanije. Nga parvazet dhe kornizat e dritareve, të kalbura e të brejtura nga mola e drurit, uji depërtonte dhe rridhte në murin e brendshëm.
-Pse je ngritur si lugat? Hape dritën!-Dafina fliste pa zbuluar kokën dhe zëri vinte i mbytur.
-Mirmëngjes- i tha Sokrati-Korrenti është prerë. Përjashta bëhet kiameti.
-Sa është ora?
-Pesë,- tha ai si i zënë në faj.
-U plake shpejt,miku im.
Sipas huqeve të vjetra, kur ishte oficer, edhe pse në pension,i kishte mbetur zakoni i të rruajturit përditë. Ndezi qirin dhe nën dritën e zbehtë u shkumos, por uji ishte i ftohtë akull. Brisku ishte topitur, nuk priste mirë. Kërkoi në raft, por pakua e brisqeve ishte bosh. U rrua si mundi, por lëkura i digjte, dhe vende-vende i mbetën tufëza qimesh të thinjura. Mori shishen e deodorantit të disinfektohej, por në të s’kishte mbetur pikë. E flaku i nervozuar në koshin e të fshirave. Duke çapitur ngadalë, me atë bisht qiriri që i kullonte mbi gishta,hyri në kuzhinë. Ndjeu kollën e së shoqes, pastaj ajo u shfaq në gjysmë errësirë me atë trup të rënduar nga mbipesha, të ecurën e ngadaltë dhe që çdo hap e shoqëronte me një rënkim.
Ata jetonin vetëm,në apartamentin e vogël në një pallat të vjetër të ndërtuar dikur nga ushtria. Të dy djemtë,me gratë dhe fëmijët, kishin emigruar në Gjermani. Me pensionet e vogla,mezi i shtynin ditët. Sokrati, ndryshe nga e shoqja, ishte shtat hedhur, i thatë si dru thane, i shkathët , plot gjallëri e me humor dhe pleqëria ende s’e kishte vënë poshtë. Dafina thuajse tërë kohën e sëmurë, ishte me fat se Sokrati i gjendej dhe përkujdesej me shumë dashuri. Duhej ndezur soba. Hyri në depo për të marrë drutë, por gjeti vetëm ca kleçka dhe nja dy dru të gjata që duheshin prerë se s’i nxinte soba.
-Sa ditë ka që i kemi faturuar drutë?
-Po bëhet java. Po nuk shkove vetë dhe nuk u dhe ndonjë lek nën dorë ,mos prit të vinë drutë. Po nuk do që të mbetemi nën batanije , duku një herë andej.
-Maskarenjtë! - Shfryu Sokrati, teksa jepte e merrte me ca gazeta të ndezura që t’u jepte flakë druve, por era që hynte nëpër oxhak, tok me flakën nxori jashtë sobe shtëllungat e tymit. Sado që e mbylli deriçkën e sobës, tymi vazhdonte të dilte.
-Më mirë shuaje se na plasën sytë dhe na u zu fryma- i tha ajo duke u kollitur, por në fund soba u ndez dhe ajri u ngroh.
-Kafenë, si zakonisht, do ta bëj unë, se ty të pritet shkuma-tha Sokrati.
Mori xhezven, hapi rrathët e sobës dhe e vuri mbi zjarr, që uji të ziente shpejt. Kur shkoi te dollapi dhe hapi enën e kafes, ajo ishte bosh.
-Ku është kafja?
-Ke sjellë kafe gjë ti? Dje e pe që ishte mbaruar apo jo? Tani pse ma kërkon mua?
- Po pse dreqin i pret të gjitha nga mua?
-Eh,mor burrëziu,mund të kisha dërguar Fluturën,vajzën e Filipit,të merrte një pako kafe,po me se?Nuk na ka mbetur kokërr leku. Apo ke ti dhe s’mi rrëfen mua se t’i prish? Shiko aty te cepi se më duket që është një qeskë letre me kafe elbi!
-Ah, jo, faleminderit, kam frikë se po e piva do filloj të hingëllij si kalë!
-Eh,po më kruhen hundët-turfulloi Dafina.
-Mbaje veten- i tha i shoqi- Për sherr duhen dy veta, mua, smë ke, mbetet vetëm një. Po deshe grindu me veten tënde!
-Më bëj mua një filxhan. Sido që të jetë më mbledh barkun.
Në ujin e xhezves që valonte Sokrati hodhi kafen dhe e përzjeu ngadalë, që të delte me shkumë.
-Ma jep sheqerin.
-Ka mbaruar qysh pardje. Do ta pi shqeto, më bën mirë për diabetin.
-Po ti sikur mbaje një kavanoz rezervë?
-E mbaja, po ka ditë që i ka dalë fundi. Mos më fole më se mezi flas,ma mori shpirtin gulçi, edhe këtë tymin patëm mangët-tha ajo me frymarrje të rënduar, teksa rrufiste me zhurmë kafen.
Në portë u dëgjuan të trokitura të forta.
-Është fshatari që sjell qumështin- i tha ajo- Thuaji se paratë ja japim nesër.
Sokrati hapi derën. Vërtet ishte djali që sillte qumështin, sado i mbështjellë me shall dhe kapuç, duart dhe hundët i kishte të skuqura nga të ftohtit. Sokratit iu dhimbs dhe e ftoi të hynte brenda, por djali nxitonte të shpërndante qumështin.
-Soba nuk ka zjarr për ta zier, po presim sa të vinë dritat.
-Lere aty se nuk e gjen gjë në këtë të ftohtë. Shiko ziej një filxhan për vete që të mos mbetesh esëll.
- Nuk e dua, më mirë po kthej një kupë raki, më bën mirë se më zgjeron damarët.
Mori në bufe shishen, por aty ishte apo s’ishte një gisht raki. E hodhi në gotë, nuk u mbush as gjysma. E ktheu me fund. Edhe rakia kishte mbaruar.
-E vogël është gota, por e mbaron shishen e madhe dhe po nuk pikoi, ajo nuk buron-shpotiti Dafina.
Sokrati nuk u ndie. E shoqja kishte të drejtë.
Moti përjashta sikur ishte qetësuar,era ishte platitur dhe drita e ditës,sido që e pakët dhe e mugët, nisi të ndriçojë shtëpinë. Por dritat nuk po vinin. Sokrati filloj të vinte rrotull. Ishte koha që në televizor jepeshin gazetat dhe ca më pas lajmet.
-Sot s’i shohim dot gazetat dhe lajmet e mëngjesit-mërmëriti Sokrati, që prerj shumë kohësh, priste të dëgjonte ndonjë lajm për rritjen e pensioneve të oficerëve.
-E pse i do, s’u ngope me dëngëlat dhe gënjeshtrat e politikanëve.
Ai nuk dinte ç’të bënte. Dafina u ngrit dhe u afrua te lavapjata. Vërtet ata dy veta ishin, por pjatat e palara ishin bërë pirg. Ajo përveshi llërat, mori sfungjerin, i hodhi larësin dhe hapi rubinetin. Uji nuk rrodhi. E hapi deri në fund,por më kot,ujë nuk kishte!
-Po kjo,mor burrë? Burimin e ujit e ka zënë kuçedra. Përjashta mbytet Tirana dhe rrëketë rrjedhin si lumë. Çezma nuk ka ujë. Pika qeverisë!
-Ka të ngjarë të ketë rënë rrufeja në transformator dhe pompat s’kanë korent- i tha Sokrati si të ishte ekspert.
-Flaka e rrufesë, t’i bjerë fund e krye këtij dreq vendi,që të shpëtojmë një herë e mirë!
-Mos truaj që në mëngjes se nuk është mirë dhe na shkon dita ters.
-Do truaj që çke me të! Më ters s’ka si i bëhet. Po ti ç’ke që lëviz si penduli i sahatit, ulu se më more mendtë.
Sokrati u afrua te tryeza e telefonit, formoi numrin dhe vuri receptorin në vesh,por dora me gjithë receptorin iu var si e pajetë. Telefoni nuk punonte.
-Akoma nuk e kanë rregulluar telefonin, sa ditë u bënë që s’ka sinjal? Kam lajmëruar tre herë!
-Kush do ta rregullojë,të vdekurit? U bë një javë. Kushedi sa herë kanë marrë djemtë nga Gjermania. Janë bërë merak djemtë e nënës. Ku s’u vete mendja,se helbete,pleq jemi.Po ti , cilë do të merrje në telefon që në mëngjes ? Njerëzia ende nuk janë ngritur nga gjumi.
-Milon. Do ta ftoja ta pinim kafen bashkë. Ma do shpirti një ekspres.
-Po ti s’ke një grosh. Dashke t’i biesh qylit. Për moshën tënde sikur nuk ka lezet!
-Të pish kafe me shokë,nuk është t’i biesh qylit. Sot paguan ai,nesër paguaj unë.Është si vallja që vjen rrotull.
Pas një copë heshtje, e shoqja bëri pyetjen e zakonshme:
-Po drekës si t’ia vëmë emrin?
-Mos u bëj e bezdisur,sajo ç’të mundesh. Ti e di që unë jam pa naze në të ngrënë,pastaj ty nënoke, të ka lezet dora!
Dafina hapi kanatat e dollapit të ushqimeve. Raftet ishin bosh. Ajo nisi të flasë me vete: “Fasulet janë mbaruar, thjerzat janë mbaruar, makarona jo, në qeskë kanë mbetur dy lugë oriz, edhe shishja e vajit ka shkuar në fund. Ka dy kokrra patate,një kokëlakër dhe dy bishta karota”, bëri inventarin e pasurisë Dafina
-Bëj një supë të hollë orizi dhe preje me vezë e limon, është gjellë e lehtë dhe e shëndetshme.
-Po vezën, unë ta pjell?
-Me ty sot nuk flitet dot- u ankua Sokrati- Unë po dal një herë.
-Prit sa të pushojë shiu. Do të qullesh e do të bëhesh pellg. Edhe gripi na duhet!
-Eh,moj zonja ime, i mbyturi nuk ka qeder nga të lagurit!- tha ai ndërsa ishte duke veshur xhupin e ngrohtë dhe çizmet, që ia kishin dërguar çunat nga Gjermania.
-Kollaj të dalësh, por prit dhe më dëgjo mua, pastaj shko ku të duash. Në shtëpi na janë mbaruar të gjitha. Dhe kur mbarohen të gjitha, shtohen vetëm hallet. Shko dhe lutju asaj zonjës, që të na i japë pensionet para afatit. Kuptohet që duhet t’i lesh ndonjë lek. Pastaj te fusha e druve, edhe atje duhet të paguash, më pas në Telekom, tako teknikun, jepi edhe atij një kafe. Pa para s’ka derman. Çmimet vetëm rriten. Paguaj dritat, ujin dhe telefonin, pastaj me kusurin ktheu në “Big Market” dhe merr ato që na duhen, se çfarë ti e di vetë. Mbaj para vetëm sa për ilaçet, bukën dhe qumështin. Në dyqanet rreth nesh defterët i kemi të hapur. Do zoti, kujtohen djemtë e dërgojnë ndonjë markë dhe e shtyjmë këtë copë dimër!
-Si urdhëron komandant!- tha Sokrati, mori drejtqëndrim dhe nderoi, pastaj zgjati dorën- Hidhu, mi jep ato lekët e kafes!
-Gjithë ç’janë,i ke te komoja,merri, janë paratë e bukës. Bëj si ta shohësh.
Sokrati hapi derën. Era e ftohtë që frynte shkallëve hyri me turr brenda. Ai priti që Dafina të delte dhe ta përcillte siç e kish zakon. Ajo u afrua duke hequr këmbët zvarrë.
-Merri një çikë edhe të fshirat.
-Silli – i tha ai.
-Kij mendjen nga makinat!
-Pa merak - i tha ai.
-Nga do ta nisësh?
-Së pari, do të zbatoj këshillën e doktorit: Një shëtitje të gjatë dhe ajër, sa më shumë ajër, është e vetmja gjë, që nuk na është mbaruar. Të përfitojmë nga rasti sa kohë që nuk e kanë privatizuar! Mirë të gjetsha. Mbylli derën dhe zbriti shpejt shkallët e zhytura në gjysmë errësirë.
Dafina duke shfryrë e gulçuar si një lokomotivë e vjetër,u ul në divan dhe u mbulua me batanije. Përbrenda kishte një angështi dhe shtërngesë, sa i dukej sikur nga moshkalli do t’i plaste zemra. Shtjella e mendimeve, si një gjeratore i pështjelloi me vrundujt e saj vetëdijen e ligështuar. Sytë iu rrëmbushën dhe lotët i rrodhën çurk faqeve dhe iu mblodhën në mjekër. Qau për të shoqin, qau për vete,qau edhe për mijëra të tjerë që vuanin si ata. Qau se kjo varfëri e detyruar e mosmirnjohëse, që u helmonte ditët e pleqërisë, ishte e padurueshme, cfilitëse, poshtëruese dhe vrastare. Ku shkuan gjithë ato vite pune të ndershme dhe të përkushtuar,të një jete të tërë, ku ajo kishte ndriçuar mendjet e nxënësve të tridhjet brezave? Po shërbimi i të shoqit,që delte që pagdhirë dhe kthehej në mesnatë,dimër e verë,në shi e në borë? Ishte kjo mospërfillje dhe heshtje tinzare e përbuzëse, që përditë ua nxinte jetën me atë varfëri që pillte. Rënkoi dhe ofshau së thelli dhe fshiu lotët. Edhe pse kishin mbaruar të gjitha, dhe kjo përsëritej si një ritual i përmuajshëm, atë nuk e linte shpresa. Ajo, sado e dobët, regëtinte atje larg si një bukurezë në mugëtirën e jetës se djemtë do t’u gjendeshin dhe do bëheshin të gjallë. Nuk kaloi shumë dhe e zuri gjumi. Pa në ëndërr sikur të dy djemtë,të qeshur e të bukur, kishin ardhur nga larg, e përqafonin dhe ajo i puthte e i puthte.