E hene, 10.02.2025, 07:43 PM (GMT)

Kulturë

Vangjush Ziko: Duke pritur Magët

E diele, 22.01.2012, 05:56 PM


DUKE PRITUR MAGËT

 

Nga Vangjush Ziko

 

 

DUKE PRITUR MAGËT

 

Përjashta ndritin

dritat yje.

Qyteti,

Shpell 'e Betleemit.

Veç Magët s' duken që të hyjnë

Dhe as dhurata nuk po sjellin.

 

S' ka kërcënime të Herodit.

As foshnja therrur me hanxharë.

Vetëm muzik' e himne koresh

Dhe shatërvane fishekzjarrësh.

 

Dhe

ky trishtimi yn' i ëmbël

Si ëmbëlsi e zaharinës

Që e përtyp këndshëm mes dhëmbësh

Pastaj

ndjen thellë hidhërimin.

 

Përjashta ndritin tanët yje.

Qyteti,

shpell' e Betleemit.

Por Magët

S' duken që të hyjnë.

Kometa jonë

është

e rreme.

 

 

GRAZHDI

 

Ai nuk pati

as djep as shtrat.

Mbi kasht' e vunë

në atë grazhd.

 

Lopët,gamilet

që rrotull rrinin,

Me gjuhë kafshësh

Atë lëpinin.

 

Dhelat e tyre

Ai s' harron.

Nga qiejtë lart

grazhdin vështron.

 

Kafshë dhe njerëz

porsi dikur.

Ajo shkretirë.

Ai ahur.

 

Kryqin

ku shpirtin e tij e dha

derdhur e kanë

në bronx e ar.

 

Me gjakn' e Tij

kungatën pijnë.

Përpara korës

ndezin qirinë.

 

Të Tijat fjalë

psallme i thurrin.

Ndritin e mbushin

me 'to ahurin,

Ku kafsh' e njerëz

bashkë flenë...

 

Një lot i shket

dhe mbush Mesdhenë.

 

 

LUTJA E MËKATARËVE

 

Zot,

na dëgjo

pastaj gjyko

dhe na dëno.

 

Shpirtin

në ferr na hidh

dhe terr.

 

Nga terri

vijmë

që të gjithë.

 

Ty të harruam.

Faltoren tënde

ta rrënuam.

 

Iu falëm

viçit tonë të kuq.

E mbajtëm vetë

mbi tonin sup.

 

Si skllevër ecëm

në atë brazdë

me lluc' e bajgë.

 

Na laj

me ujin e bekuar

me Tëndet duar.

 

Në vend të zemrës

son' gënjeshtare,

të pabesë.

Na verë zemër të re gastare

larë me vesë.

 

Me vesën tënde

të dashurisë

dhe mirësisë

që jetën ndrit.

 

Zot,

Na dëno.

Dhe

na rilind.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora