E diele, 01.12.2024, 08:20 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: Plaga

E hene, 23.01.2012, 07:57 PM


DANIEL GÀZULLI

 

P L A G A

 

- tregim –

 

Adria po rritej si llastar dhe nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e njerëzëve përreth. E ama dalldiste nga gëzimi, jo vetëm për bukurinë e saj, që tashma mbahej në gojë, por edhe për edukaten, sjelljen e hijëshme në shtëpi e shoqni, përparimin në shkollë e gjithçka tjetër. Nuk mungonte edhe ta vishte ma mirë se të gjitha: Nuk ishin veshje të shtrejta, estravagante, por do të gjente gjithmonë diçka të veçantë që të tërhiqte vëmendjen e të vinte në dukje edhe ma shumë bukurinë e së bijës.

E mbanin në gojë nanat e shoqeve të saja, jo pa pak smirë; e mbanin në gojë djemtë e rijë, sidmos ata që vërtiteshin rreth gjimnazit gjithë paraditën.

Edhe mësuesit e mbanin në gojë, po të gjithë vetëm për mirë.

Shoqet e donin shumë, sepse ajo ishte gjithmonë e hareshme, e gjallë, gjithë humor. Apo nuk tregonte bukur për djemtë që i vinin rrotull. Në ato pak çaste që ajo i fiksonte në bebzat e saj të shëndritëshme, do të gjente gjithmonë një difekt që t’i tallte mandej me shoqet. Nuk ua kishte me të keq, por i pëlqente t’i vinte pak në lojë djemtë që silleshin në mënyrë krejt të panatyrëshme sa herë ndesheshin me vështrimin e Adries.

Ajo ishte e vetëdijëshme për bukurinë  e saj joshëse, për dalldinë që u shkaktonte djemëve dhe të gjithën këte e kthente në rrëfime gazmore. Asnjeni nga djemtë nuk kishte arrijtë t’i afrohej sa të bahej objekt i ndonjë dyshimi për ta përgojua, aq sa filluen të thonin për te se ishte tip i vështirë, e paafrueshme, e eger, bile ndonjeni e përfoli edhe për mendjemadhësinë e saj.

Jeta e paqtë në familje, komunikimi i ngohtë me nejrëzit, vardisjet e djemëve të bordurave të gjimnazit, i jepnin vetëm gëzim dhe sigurinë se kur të dashunohej me ndonjenin, lumtunia do të ishte e tillë që tashti nuk ishte në gjendje as ta konceptonte.

Prindët e saj ishin në gjendje të mirë dhe nuk kursenin asgja për te. Të dy punon në bankë, kishin të tynin katin e parë të një pallati, që ishte ndërtue në trojet që i kishin tarshigue dhe kishin gjashtë dyqane të lëshueme me qira; me pak fjalë nuk kishin përse ta rrudhnin dorën, aq ma tepër që një vajzë të vetme kishin.

Edhe prindët e saj binin në sy për veshjen gjithë elegancë, për sjelljen e kulturueme, për mënyrën e komunikimit me buzëqeshje gjithmonë të çiltër, për jetën e tyne aktive në shoqni, por larg politikës.

Si mbaroi vitin e tretë të gjimnazit, një ditë, ndërsa po shëtiste bregut të detit me shoqet në plazh, u ndesh përballë Mikel Seferit, një djalë që i kishte sjellë të dridhma edhe një vit ma parë, kur kishte ardhë në verë për pushime, por atëherë ishte përpejkë t’i rrinte larg. I pashëm, serioz, pothuej i heshtun, biles me një pamje pak të trishtë, që i jepte edhe ma shumë hir, e që fliste pak e me za të ultë, ndrysh nga mërgimtarët tjerë, që mbushnin shetitoren me zhurmë. Bile edhe buzëqeshjen e kishte të kursyeme. Po t’i afrohem, mendonte Adria, vështirë ........ vështirë t’i rezistoj, po unë jam ende e re, ai po mërgimtar në Itali, kush e njeh. Jo, dashunia ime e parë nuk duhet të jetë kurrë një zhgënjim.

Ajo e ngadalësoi hapin që ta fiksonte mirë: I gjatë, trupin sportiv e te bronzët, një mjekërr të zezë të mbajtun bukur, fare të shkurtë, sa i mbulonte nofullat e që i shkonte mrekullisht ngjyrës së fytyrës së tij të zeshkët e gjatoshe. Djalë .... djalë që i kishte të rrallë shokët në mes mija të rijëve që kishin mbushë plazhin, po mendonte Adria.

Ndjeu se të rrahunat e zemrës  iu shpeshtuan dhe iu banë të forta.  Edhe donte të vazhdonte shëtitjen me shoqet, po kambët nuk e çonin ma tej. Bebzat e syve iu hapen aq shumë dhe ngelën të shtanguna tek djali, aq sa nuk e dëgjoi çfarë i tha mikja e saj.

Gjatë gjithë ditës nuk iu hoq nga mendja. Nuk ishte Adria e gjallë e ditëve të tjera. Ndej shumë në det, notoi deri sa u lodh, doli dhe u ul nën çadër, po përsëri shikimin diku larg atje mbi valë dhe nuk u ngrit ma të shëtiste. U tha shoqeve se ndjehej e lodhun dhe mbas pak, krejt papritë, u ngrit të kthehej në shtëpi.

Ecte drejt stacionit të autobuzava pa shikue as majtas e as djathtas. Mendjen e kishte në një vend. Gjithë qenja e saj ishte rrëmbye nga  pamja e atij mëngjesi: Mikeli, vështrimi i tij i butë, mjekrra e zezë sterrë .....

Iu ndal një makinë mun tek kambët. Ishte një BMW krejt e re. Ai që e drejtonte ishte vetëm dhe i bani me shenj të hipte. U drodh. Ishte Mikel Seferi.

As hezitoi, as nxitoi. As e kuptoi se ç’forcë e shtyni drejt makinës dhe pa thanë asnjë fjalë hipi dhe u ul në sedilen pranë tij.

“Mirëdita, Adria” .- i tha ai.

Vajza as e shikoi, as i kthej përgjigje.

Kur po afroheshin në qyet, Mikeli foli përsëri.

“Na mund të martohemi që këte vjeshtë, bile qysh tashti. Që të vish menjëherë në Romë e të mbarosh gjimnazin atje”.

Vajzën e përshkuen mornica, po nuk u përgjegj. As do të ishte në gjendje me u përgjegjë, edhe sikur të donte të thonte diçka. Ndjeu se ishte skuqë dhe se përvëlonte e tana. Një fyryrë i shkonte e një i vinte, herë e kuqe flakë, herë e zbehtë meit. Por nuk ishte e vështirë të dalloje tek ajo edhe nje buzëqeshje ekstaze, një andërr.

Nuk folën ma asnjë fjalë. Asnjë.

Ai e ndali makinën tek pallati ku banonte Adria me prindët, e ndoq me vështrim tek po largohej dhe priti ta shikonte edhe kur do të ngjitej shkallëve. Mund ta shikonte kur të kalonte në sheshpushimet në mes kateve.

Si arrijti në katin e dytë, Adria u ndal për një çast dhe vështroi në rrugë me shpresë mos ishte ende atje ai. Po, ai ishte dhe po e vështronte.

Vajza i dërgoi një të puthun me maje të gishtave dhe vrapoi të hynte në shtëpi.

U xhvesh shpejt e shpejt dhe hyni në dush. Jo vetëm të hiqte ranën dhe kripën e detit. Jo vetëm për ato. Desh të lahej në dushin e gëzimit.

Atë çast ajo do të kishte qenë modeli ma i përsosun për piktorin që do të derdhte ngjyrat në kompozimin “Lumtunia”.

 

*****

 

Në mbramje u tha prindëve se do të dilnin të shëtisnin bashkë. Kishte kohë që ajo nuk shëtiste me ta. Me shoqet, u thonte sa herë do të dilte.

Po atë mbramje ajo desh të dilte me ta dhe burrë e grua u shikuen në sy: Nuk ishte e vështirë të pikasja se diçka kishte ndryshue tek e bija.

Nuk kishin vetëm pak minuta që ishin në shetitore dhe ajo u shkëput papritë nga prindët dhe u takue me djalin e Shan Seferit, Mikelin. Nuk e ktheu ma kryet mbrapa t’u thonte ndonjë gja prindëve. Po ecnin para tyne dhe mbas pak i ati dalloj se ata u zunë përdore, porsa, majat e gishtave.

Në darkë vonë, kur u kthye, shumë mbas prindëve, ajo sa i përshëndeti dhe shkoi e u ndrye në dhomën e saj.

I ati dhe e ama u shqetësuen. Dinin pak për atë djalë. Dinin po që nuk kishte një profesion, një shkollë të naltë, edhe pse kishin dëgjue se kishte një ndërmarrje të vogël ndërtimi në Romë e se prindëve u kishte ble dy apartamente ngjitë, mbi 200 m2 sipërfaqe. Që ishte i pashëm, nuk kishin nevojë të pyesnin, se ate nuk mund ta mohonte askush që kishte sy në ballë, por ....

Ajo “por”, në ma pak se një javë, u ba një ankth i vërtetë si për Adrien, ashtu edhe për prindët e saj. Ajo “por” u kthye në një roman të tanë aventurash dashunie të djaloshit në Romë, sidmos po t’u besoje atyne që kishte tregue me shumë zell Zaidja, e shoqja e rojes së Bankës ku punonin ata.

Mikeli e kuptoi se lumtunia  e Adries  po tretej nga dita në ditë dhe nuk ishte e vështirë për ta merrte me mend shkakun.

“Ndoshta të kanë thanë se unë kam qenë i fejuem në Romë” – i tha një mbramje tek po shëtisnin të heshtun. – “Një histori e mbyllun një herë e mirë, e varrosun. (Adries iu përqeth trupi nga fjala “e varrosun”). Shpresoj të mos kemi nevojë t’i kthehemi ma kësaj teme. E di që do të t’i kenë mbushë veshët këto dit. Po deshe, të tregoj gjithçka, po nuk ka kuptim. Ajo histori asht mbyllë përgjithmonë”.

“Jo – i tha Adria pa e shikue në sy – Jo, nuk due të di asgja”.

Por ato dit ai nuk ia përmendi ma martesen, që të mund të bante bashkim familjar e të shkonte për ta përfundue gjimnazin në Romë.

Të gjitha shpenzimet, deri sa të kryesh universitetin, i kishte thanë i ati, t’i heqim na.

Mbas dy ditësh Mikeli i tha se duhej të kthehej urgjentisht në Romë për çashtje pune, por mbrenda shtatorit do të vinte përsëri.

 

*****

 

Ai nuk erdhi në shtator. Edhe telefonatat nuk ishin aq të shpeshta dhe gjithmonë vetëm në orët e para të ditës, kurrë në mbramje.

Djemtë e bordurave të gjimnazit nuk e ngacmonin ma. Ajo ishte e fejueme.

Fakti që ata nuk e ngacmonin, pse ajo ishte e fejueme, e trishtonte dhe e bante të mbyllej edhe ma keq në vetminë e saj.

Por përgojimet dhe dyshimet për marëdhjanjet e saj me Mikelin u shpeshtuen sidomos qëkur Adria filloi të shkonte në Kishë, bile edhe të merrte pjesë në Meshë me shumë zell. “Adria fetare?!” – pyesnin njerëzit me habi. “Adria që thonë se as pagëzue e krezmue nuk asht, se prindët e saj janë deklarue “jo besimtarë”?!. Të gjitha shoqet betoheshin se ajo nuk kishte ardhë kurrë ma parë në Kishë. Kur e ftonin të shkonte me to, ajo buzëqeshte dhe u thonte: “Jo, më vjen keq, nuk ndjej asgja” - dhe me kaq mbyllej biseda.

Kurse tashti, ja, çdo të djelë po e po, por edhe në Meshën e orës 17 të të martave e të të ejtave.

As me prindët  nuk foli asnjëherë për Mikelin. Më kot lodhej e ama t’ia hapte bisedën për të.

 

*****

 

Por një mbramje ajo u tha vetë se donte të bisedonte me ta.

Nuk u nxitua. Ua kishte thanë që kur ishin kthye nga puna, por mandej nuk u ndal t’u fliste .

Orët kalonin dhe vetëm mbasi hangren darkë, ajo, i shikoi drejt në sy, dhe filloi të fliste, në dukje, e qetë:

“E mbani mend si iku papritë me 23 gusht? Me siguri e mbani mend.

I kishte telefonue një shok dhe i kishte thanë se Livia B. ishte shtatzanë dhe se pretendonte që fëmijën e kishte me të.

Ai më kishte thanë se ishte një histori e mbyllun me kohë. Nuk paskish qenë ashtu. Po edhe kjo ndoshta nuk ka shumë randësi. Unë e dua! Po, e dua! E dua edhe tashti mbas të gjitha këtyne që kanë ndodhë, por nuk do të martohem me të.

Ai u kthye në Romë dhe nuk pranoi që Livia e kishte fëmijën me të. Puna shkoi keq dhe ai kambënguli të prisin t’i banin analizat e ADN-së fëmijës kur të lindte, përndrysh nuk do ta njihte atësinë dhe se, pavarësisht nga këto, nuk donte t’ia dinte ma për Livian. U ka thanë edhe se asht i martuem në Shqipni. I martuem, jo i fejuem. I martuem me Adria P., emen e mbiemen. Sot mora një letër nga Livia, ia kishte dhanë adresën një mërgimtar, shok i Mikelit. Nuk ma thonte emnin, po edhe kjo nuk ka randësi. Randësi ka se ata kanë qenë bashkë çdo ditë e çdo natë para se Mikeli të nisej për në Shqipni, por provën e fëmijës e kërkonte nga ADN-ja”.

Adria u ndal dhe vështroi si po reagonin prindët.

“Po ndoshta vërtetë nuk asht fëmija i tij” – foli zadridhun e ama.

“Pse, ADN-ja e vërteton atësinë?” – foli me shumë trishtim Adria dhe u ngrit e shkoi në dhomën e saj.

 

*****

Ata u takuan që mbramjen e parë kur ai u kthye për Krishtlindje. U gjetën përballë papritë në shetitore.

Mikeli desh t’i jepte dorën, po ajo nuk ia zgjati të sajen. E shikoi gjatë buzëgaze dhe tue iu hapë bebzat sikur nuk po shikonte mirë, i tha:

“Ti pret që unë të të jap një shuplakë në surratin tand të jargët? ......  Pret kot. Nuk do ta flliq kurrëma dorën time me lëkuren tande prej zhapini”.

..... dhe u largue të arrinte dy shoqet  që po e prisnin pranë një palme.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora