Kulturë
Cikël poetik nga Shpëtim Kastrati
E marte, 24.01.2012, 07:16 PM
Shpëtim Kastrati
ATDHEU
Ç’më rri i krrusur, Atdhe i shtrenjtë,
Me të hirtin, të grisurin, kostum të vjetër.
Të përgjërohem ty, o kreshtë e argjendë,
Se si ti s’më gjendet kurrë asnjë vend tjetër.
Ku ta gjej, o Atdhe, kurmin tend erëmirë,
Ujërat e kthjellta, gjethin e egër e të blertë,
Mëngjezin e zhurmshëm, mbrëmjen e lirë,
Të qeshurën, shpotinë a inatin e sertë?
Të dua Atdhe, me të gjitha marrëzitë, të dua,
Veç jo të krrusur e të zhveshur si dru.
Si shqiponja të dua, të ashpër e të vështirë.
Se nën lëkurën time tani u ngjiz, u krijua,
Virtyti arbër, i qelqtë e i zjarrtë gjithashtu,
Dhe kripa jote që s’tretet, në zemër më ka ngrirë.
LULET E SHEGES
Ndoshta ishte një mesditë e ngjeshur,
S’më kujtohet as që pëshpëriste.
Veç lëkundjet e qeta të atlasit kishte
Liqeni ndër flladin duke qeshur.
Strehëz ndër ne, një pemë shege ish,
E ndezur paq, si agimi i përflakur.
Ku flokët nën puthje si të përgjakur
Nga ndrojtja na rrënqetheshin sërish.
Dhe një degëz u këput e ra
Mbi gjokset tona larë në dritë,
Si prush i derdhur plot shkëlqim.
U ndrit në çast gjithçka si në amshim,
E flakë mu ndez, më dogj në shpirt,
Sa mu duk sikur zemra krejt mu ça.
MESUESIT TE LETERSISE
M. Bungo
Nuk e di ku ndodhesh ti tani,
Që më dhe të pi të parën sisë
Me qumësht të çuditshëm të letërsisë,
Që vrer mu bë e helm i zi.
Një shtizë mu ngul drejt e në zemër
E tani vuaj nga sëmundje e pashëruar,
Çdo ditë, çdo çast ndihem i lënduar,
E dhimbja më ther deri në thembër.
Në shpirt më grish kjo botë e trazuar,
Kur shoh të fiket shpresa tek ti njeri,
Shënuar në fytyrë nga vul’e zbehtë.
Ndaj dhimbjen nuk e mbaj të fshehtë,
Se s’gjej dot më prehje dhe qetësi,
Dhe si mallkim buka më vjen e hidhëruar.
LETER NENES
Mbete që mbete tek shtëpi e vjetër,
Me pak ajër e dritë nga dritaret e vogëla.
Midis shegëve ku zvarritet ndonjë pjepër
E ku fiqtë pufkojnë në mëngjes si gogëla.
Seç kuturis përditë atje me trëndafilat,
Dhe pas pak, e di, ja kris me të qarë.
Ç’i ndërron aq shpesh vazot e zymbylat
E di, moj nënë e di, që nuk prehesh e qetë,
Dhe lulet, jo nuk janë për ty ngushëllim,
Paçka se oborri i shtëpisë ndrin si qilim.
E di ku bredh ajo zemëra jote e shkretë,
Ku ne jemi shpërndarë si zogjtë në erë,
E mundohesh ti, të na mbrosh nga skifterët.
NE VENDLINDJE
Dhe ja më në fund
Në truallin e vjetër,
Ku dhe i fundmi gjeth’ shkund
Purpurin e vjeshtës.
Erdha sot tek ju,
Si flutur në ëndërr.
Midis miqsh’ këtu
Paçka se dikush më sheh vëngër.
Pa dhe dua e s’ndahem dot
Nga ku ngjit baltë e sertë,
Se portën e lash’ hapur.
Të flas ngado dua, ashtu kot,
Të zhgrryhem në barin e blertë,
Çakërrqef, pa u menduar, pa u matur.
DASHURIA
Si pemë e bleruar
Dimër e verë,
E beftë e shpirttrazuar
Ngaherë.
Shartesë e domosdoshme,
Çatizë e lëvizshme,
Dallgë valëvitëse e përkohshme,
Herë mizë e bezdisshme.
Si fener i natës
Që prin në errësirë
E vetëndizet në furtunë.
Si nyj’ e denjë e kravatës
Në jakën e ngrirë,
Je mbështetur tek unë.
ILIRIA
Si agim i shkuar, Iliri,
Më shquhesh tek sodis e belbëzoj.
E shpesh kujtoj atë gjeni
Që n’shenjtëri ty të gjalloi.
Përhumbem rishtas k’tu ndër gurë,
Ku ti fle thellë e më s’flet.
Veç pëshpërit aty në mur
Kur hija lehtas më rrëshqet.
Sigurisht, një botë tjetër,
I mbylli portat përgjithmonë,
Pa dritë, pa jetë, pa dashuri.
Kujtesën kur gërmon,
Ku gurët shfaqen mbretër?!
LETER E FUNDIT
S’dua të lëndoj tani, po kam dëshirë,
Zemërvrarë ju shkruaj: Qofsh e lumtur!
Në fletëzën e kujtimit, je përsëri e bukur,
E në zemrën besnike guri më i dlirë.
Vite n’ëndërrim, o qysh kaluan, pa shpresë,
Me fjalë s’ta them dot, se buza m’dridhet.
Një psherëtimë që m’shket lehtas përvidhet,
E tretet gëzueshëm me diellin ndër vesë.
Oh, ta dish, sikur kjo ëndërr t’ish e vërtetë,
E sa me gëzim e ndjenjë kur ju mendoja,
I mrekulluar më
Ti lulëzofsh, s’dua të ngrysesh n’dëshpërim,
Veç vargjet që po shkruaj sa desha t’i dëgjoja,
Ashtu si dikur, që në dorë i kishe vetë.