Kulturë
Jahë Sadrija: Letërsia e Rilindjes Kombëtare tek Arbëreshët e Italisë
E shtune, 28.01.2012, 06:58 PM
Letërsia e Rilindjes Kombëtare tek Arbëreshët e Italisë
Rrethanat historike, shoqërore e letrare të krijimtarisë arbëreshe
Nga Jahë Sadrija
jahesadrija@live.com
Gjatë procesit të lindjes dhe të zhvillimit të Letërsisë së Rilindjes, një rol të rëndësishëm e luajtën edhe shqiptarët jashtë atdheut. Arbëreshët e Italisë për katër shekuj me radhë ruajtën të paprekur ndjenjën e dashurisë për atdheun e të parëve,gjuhën,zakonet dhe traditat e stërgjyshërve. Ndërsa në shekullin e XIX,manifestuan me një force të rrallë vetëdijen e tyre kombëtare.
Italia në gjysmën e pare të shekullit XIX luftonte për unisimin e saj. Një rol të veçantë në bashkimin dhe çlirimin e Italisë luajtën edhe arbëreshët. Në krye të aksioneve luftarake në Kalabri ishte filozofi e shkrimtari Dominik Mauri, mik i De Radës. Po ato përpjekje dështuan. Ndësa Gjyzepe Garibaldi ishte udhëheqësi më i shquar i masave për bashkimin e Italisë,që pjesërsht u arrit më 1861, pastaj më 1871. Me gjithë kryengritjet e mëdha,sakrificat shkuan kot. Italia në në vend që të shpallej republikë,u përfshi edhe më shumë nga diktatura. Italia jugore u bashkua me Piemontin dhe hyri në një zgjedhë të re. Dëshprimi i intelektualëve dhe krijusëve ishte i madh .
Nën ndikimin e këtyre ngjarjeve dhe të përpjekjeve që bëheshin në Shqipëri,një lëvizje e dendur politike e kulturore u zhvillue te arbëreshët e Italisë. Në ballë të kësaj lëvizje qëndronte De Rada dhe intelektual të tjerë si:Vinçens Dorsa,Dhimitër Kamarda,Dara i Ri si dhe patriot të kolonive shqiptare, si Thimi Mitko, Naum Veqilharxhi, Elena Gjika, Zef Jubani etj. Ky koordinim dhe bashkëpunim politik ,sa vinte e forconte idetë patriotike tek arbëreshët të gjenin forma nga më të mundshmet për veprim gjithëshqipëtar.
Lëvizja patriotike shqiptare zgjerohej e thellohej perms shtypit të kohës. Më 1848 De Rada botoi gazetën “Arbëreshi i Italisë”,që u pasua nga “Flamuri i arbërit”[1883-1887]. Pastaj në Katanxaro të Kalabrisë doli e përdyjavshmja “Kombi shqiptar”, organ të cilin e drejton A.Lorekio,që vazhdon të dali në dritë për një çerekshekulli [1897-1924]. Në këtë revistë botuan shkrimet e tyre edhe Naimi,Samiu, Çajupi,Asdreni etj. Shtypi arbëresh ëluajti rol të madh për propagandimin e ideve patriotike,qëë zienin në botën arbëreshe për zhvillimin e publicistikës dhe të letërsisë në tërsi. Një lëvizje e tillë zgjoi interesimin e shumë pësonaliteteve evropiane për çështjen arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi. Me rëndësi të veçantë ishte puna e palodhshme e mledhësve dhe studiusëve të folklorit shqiptar nga De Rada,Dhimitër Kamarda,Zef Skiroi etj.
Letërsia arbëreshe e shekullit XIX ishte kryesisht romantike ,një romantizem përparimtar,që është karakteristikë për popujt e vegjël dhe të shtypur. Romantizmi arbëresh iu shmang ndikimit të atij Italian. Ai lindi spontanisht me një vrull që i ka rrënjët në folklorin e ruajtur me shekuj. Temat më të shpeshta qenë:Dashuria ndaj atdheut ,të parët tanë,nostalgjia,malli për te,temat me karakter shoqëror e social,të trajtuara sidomos nga Anton Santori. Tema e çlirimit dhe e bashkimit të vëndit me aluzion të theksuar te çështja e Shqipërisë,është potencuar sidomos nga Serembe. Në letërsinë e Rilindjes arbëreshe lulëzoi sidomos poezia. Me dramen dhe me romanin u mor Anton Santori,veprat e të cilit dolen në dritë vonë. Sa I përket prozës,ajo nuk u kultivu me sukses,ndërsa publicistika ishte më e përhapur.Sidoqoftë Letërsia Arbëreshe pati një rol të rëndësishem në transformimin e vetëdijes shqiptare në ruajtjen dhe kultivimin e vazhdushem të gjuhës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.