E premte, 26.04.2024, 10:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Namqorri nuk e sheh rrugën e mesditës së madhe

E hene, 30.01.2012, 08:59 PM


NAMQORRI NUK E SHEH RRUGËN
                           E MESDITËS MADHE

 

NGA KALOSH ÇELIKU

 

Ditën, po shpeshëherë edhe natën, Shkrimtari e shihte Plakun me abetare me gunën e zezë krahëve se si hynte në Tyrbe. Disa herë, nga mendimet që i silleshin nëpër tru, ndalej në mes të rrugës dhe tinëz vidhte me sy burrin e botës, se si hynte me struken krahëve përmes varreve. Ia merrte lakmi këtij plaku me mjekër, që hynte me aq guxim midis varreve dhe i shërbente madhërisë së Baba Shehut. Zemëroheshte, shpesh edhe e shante veten, pse ne të tjerët nuk e kishim një trimëri të tillë si Plaku me abetare. Pse ne nuk flenim si ai në rrugë… Tyrbe… Varre?...

       Atje, o vëlla i dashur, e nisi rrëfimin Plaku me abetare, ka çka të të dojë zemra. Vijnë pleq, plaka, fëmijë, cuca, nuse të reja… Sillen tri herë me radhë rreth varrit të Baba Shehut: te koka, te këmbët… Te koka, i lënë dy shtamba me verë të kuqe… Te këmbët: rroba… Para  Përçudi, një natë pa hënë e kam parë të lutet mbi varrin e Baba Shehut edhe Namçorrin për Shqipëri Etnike. Uleshte e ngriheshte mbi varr si lugat. I pëshpëriste diç në vesh Baba Shehut. Dikur, e puthi varrin dhe iku me shpresë se Baba Shehu e ka shëruar nga magjitë, xhindet…

       Punën tash e mora në dorë unë, plaku. Parat i futa në xhep. Rrobat njëra pas tjetrës në një thes të grisur me arna. Shtambave me verë të kuqe ua ngrita bythët në hava:

       - Gët-gët, gët-gët, gëët-gëëët…

       - Hu-hu… Hu-hu… Huu-huuu…

       Në Fund u rash duarve si pehlivani i Shkupit rreth nuses që nuk iku me të tjerat në shtëpi, po me këmbëngulje priste ta shëroj Baba Shehu. E vesha dollamën e gjelbër. Shtëllungën e bardhë të leshit e vara për qafe dhe iu afrova nuses.

       Hë e hëë e hëëë… Përsipër… Përfund… Përmbrapa… Bythekrye bashkë… Dikur, nusja u bë qull nga djersët. Atëherë unë biro, edhe njëherë ia përzura të gjitha xhindet dhe e përgëzova, i rash me shpullë bythëve: - me shëndet!...

       Plaku me abetare kur ia tregoi Shkrimtarit të gjitha këto mrekullira, nusen me të cilën lënuri lesh arapi në dhomën e Baba Shehut, ai e harroi frikën. Shprehu dëshirë të shkojë edhe ai në Tyrbe, t’i presin së bashku krah për krahu të sëmurët, që vijnë t’i shërojë Baba Shehu. Plaku me abetare nuk i kundërshtoi, por me një kusht që ai për të gjitha ato që do të bënin e shihnin me sy mos t’i shkruante nëpër gazeta, libra.

       Rafti me libra. Plaku me abetare dhe Shkrimtari një mesdite vere, tinëz argatëve që punonin në fushë, hynë në Tyrbe. Dhoma e rregulluar aq me shije, thuaj se këtu jetonte me të vërtetë njeri e jo xhenaze, ia përziu trutë. Filluan t’i merren këmbët… Mendtë… O Zot! Më mirë jetoka i vdekuri, se i gjalli! Tyrbja për të ishte një zbulim i ri në jetë. Shtrati i rregulluar me çarshafë të bardhë… Jastëkë për nën krye... Tavolinat… Luganiku… Magja… Karriget… Enët… Lëkurat e ogiçëve… Rafti me libra… Shkurt, s’ia kishte marrë mendja Shkrimtarit se Baba Shehu kishte qenë edhe adhurues i madh i librave. Vetë ai sa qe gjallë, ndërtoi Tyrben… Varrin… Solli çdo gjë që i nevoitej një njeriu në jetë pas vdekjes.

       - Mirë, po kush e mbanë kaq në rregull këtë Tyrbe?

       - Nuset e reja…

       - Dhe unë, pse ia bëj gjithë këtë shërbim Baba Shehut, ditën, natën? Ose, pse ua përzë nuseve të reja, xhindet?

       Edhe këso pyetjesh do të më bëni, e di… Ashtu e kërkon puna, he burrë! Ne të gjallët duhet t’i bëjmë të gjitha këto mrekullira, se të vdekurve u kanë mbetur vetëm eshtrat. E sa di unë, eshtrave nuk u duhet ushqim… Verë… Para… Nuse… Më duhen mua, o burrë! Patjetër, mua, plakut. Ose, ndonjë tjetri kështu si unë, që nuk e ka kaq mirë në shtëpi. Zoti me të madhin e vet ka menduar edhe për ne të varfërit… Ose, siç thoni ju të mençurit për ne, “të krisurit”.

       Shkrimtari u ngrit nga shtrati. Ngadalë e ndezi fenerin mbi oxhak. Nëpër dritën e zbehtë mezi e dalloi në një qosh Plakun me abetare se si ia përzente xhindet një nuseje me pashterkë të kuqe. Edhe ky më nuk priti të mbarojë ceremonia, por vrik e vrik i shpërtheu pantallonat dhe iu afrua nuses që i rrinte te koka Baba Shehut. Këmishën e gjatë ia përvjeli duke ia hudhur mbi kokë dhe filloi t’ia përzejë xhindet. Dikur, i larë në djersë, u nis kah rafti me libra dhe nisi t’i shfletojë disa tituj të dorëshkrimeve: Pazari i grave, Shtrigani i Allahut, Rrufjani, Mëzati i tredhur kuqezi, Rrugaçja, Dalldia politike e butakëve, Delezet e nënkryeme kakademike, Lufta për pushtet e veshur “kuqezi”

       Në dorëshkrimin e fundit: Lufta për pushtet e veshur “kuqezi”, padashtas lexoi mes atyre faqeve: Humbje kohe është ta bindësh Namqorrin që nuk e sheh rrugën e Mesditës Madhe, e ku më dhiaret e Natës pa hënë. Përmëtepër, t’i thuash se nuk di të lexoj në gjuhën shqipe. Shkaku, se: ai e “njeh” më mirë se ti gjuhën shqipe. Edhe atë, është “patriot më i madh se ti kuqezi”. Përpiqet syrin e tjetrit ta “mjekoj”, nxjerr ashkëlën e nuk ka aftësi shkencore nga syri i tij ta heqë trungun.

       Namqorri “kuqezi” nateditë trumbeton bashkim kombëtar, e nuk e di se s’ka sy e as tru për t’u ngjitur dhiareve në Baba Tomor. Vendin e Perëndive. Tyrben ku pihet vera. Lindë poezia. Dhe, bëhet dashuri me Hënën. Kokëshkreti, të gjithë ata që nuk i shkojnë prapa në këtë “betejë patriotike kuqezi”, i shpallë tradhtarë.

       Tjetër, nuk e ka të qartë Namqorri “kuqezi” se, me cilët shqiptarë do ta bëj “bashkimin e tij kombëtar”, kur një pjesë të shqiptarëve jashtë kufijve politik ende i quan dhe ankohet: “Ah. ç’na ka gjetur me ju sllavo shqiptarët”???!!!... Përvetson pa pikë djerse mendimin tim që unë (K. Ç.) i pari e kam publikuar këtë pagëzim për “sllavo shqiptarët” nëpër shkrimet e mia në mjetet e informacioinit. Vetëm për dallim, ky “patriot kuqezi” të gjithë shqiptarët e këtyre trojeve etnike shqiptare jashta kufijve poilitik të Shtetit shqiptar i shti në një thes me arna për t’ia lidhur grykën nesër me një kordhë kanapi. Pavetëdije, i harron ngjarjet historike shqiptare: se, po të mos ishte Isë Boletini me kosovarët trima, Ismail Qemali vështirë do ta shpallte Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë…



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora