E premte, 04.10.2024, 09:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Zjarrmi e kthjelltë - Zbrazja e të pathënave

E hene, 30.01.2012, 08:55 PM


Sabit RRUSTEMI

 

ZJARRMI  E  KTHJELLTË

 

Zbrazja e të pathënave

 

 

TË TJERËT

Të mëdhenj a të vegjël
Ç'patën
E thanë

Tash neve e kemi radhën
Për t'i zbrazur
Thasët e të pathënave

Sëmundja e përsëritjes
Ndryshe nuk evitohet

As ajo fytyrë e çiltër
Me emrin
Më të fatshëm në botë
Nuk gëlltit
Racion të njëjtë
Përditë

(Mbrëmje, 16 korrik 2009)

 

ECJA VERTIKALE

 

Jetojmë mes shpifësish

Mes ziliçarësh

Hajnash e vrasësish tinzarë

 

Jetojmë e kryejmë punët tona

Mes plumbash e fjalësh

 

Anise plumbat këpusin jetëra

Nuk shpojnë sa fjalët

Sa e vërteta

Kur shfaqet lakuriq

 

Mjerë ata që s'do kenë sy

S'do kenë fytyrë

As kohë s'do kenë

Për t'i tharë të palarat

 

Miq

Kudo që jeni

Ecjes vertikale

Mos i bishtëroni

 

Edhe nëse duhesh

Ngrënë dhëmbët

Dhimbjet

 

(12 mars 2010)

 

 

IMAZHET E VJEDHURA

 

I

Iku dita me imazhet e vjedhura

Në duart e një hajni

 

Shkrimtari mbeti pa tekst

Rrugës kah zbriste tek sheshi

Pa imazhe e idole që i ruante

Mbeti

 

Hajnin sa hap e mbyll sytë

E lëshoi toka pa britmë

 

Në ç’kantë bërllogu

A çufrrajë parku përfundoi

Ai imazh varri i Sadek Hedajatit

 

Po fotografitë me gjurmët e Kafkës

Shënimet ai filgjan i kafës

Vendet nga ka ecur

Idhulli ku është ndalur

 

Apo e dashura e tij

E ngrirë në një stacion treni

Ku do ketë tretur

 

Rrudhë supet kalimtari

Që ngjeshë nën sholla

Mijëra fije bari

 

II

E - express-ot me radhë

Në kafenenë para teatrit

Nuk e kthjellojnë

 

Vetëm brengat

Së brendshmi e mjelin

Cigaret e bëjnë shpuzë

Në taketuke

 

Policët sa nuk qeshën në zë

Kur i a  morën deklaratën

 

Si dëshmi identiteti

Vërtetim t’ përkohshëm i lëshuan

Nisjen e hetimeve premtuan

 

Po kjo s'e ngushëlloi

Mësa nata që iu kthye

Krejt e zbrazur

Me mungesë të dashurish

E skica vargjesh

 

Çdo t’i thoshte nesër Sadek Hedajati

Si do t’ia dëshmonte përkushtimin

Po Kafkës

 

Ah

Ai as që do ta dëgjojë

Mësa të dashurën

 

Mbylli sytë

Për t’i kërkuar përmes ëndrrës

 

Një zhurmë nate

E la dhe pa ëndrra

 

Mëngjesi

E nxorri në të njëjtën rrugë

Për ditë me radhë

 

Po hajni vodhi dhe gjurmët

As përmes ndonjë pusulle

Nuk e ngushëlloi

 

( 22 Korrikut 2009)

 

 

LUTJE  E DITËS

 

Zoti na ruajt

Nga hajnat

Nga rrencat

 

Që na shqyejnë xhepat

Na shtojnë brengat

 

Pa u skuqur

Pa u fshehur

 

Ditë'm drekë

Përmidis qytetit

Syve  të miletit

 

Zoti ua theftë qafën

Mbrapshtë ua ktheftë

Gjurmët

 

Atyre që përmbysin sofrën

Faqe botësh fikin votrën

 

(6 mars 2010)

 

 

NATA RREBELE

 

Nata rrebele

Pllakate prej letre

Ngjet hyrje daljeve

Nëpër mure

Trungje

Rrugëve

Shesheve

 

Buzëqeshjet e ngrira

Fshehur mes numrash

Slloganesh

Na ftojnë për t'i shpërgjumur

Nga botë e heshtur

Tek kanë mbetur

 

Të dergjur presin

Të lagur

Vjeshtave me mjegull

 

Dita gdhinë

E vjen

Dora tinzare

Gishtërinjtë shtrinë

E gris e gris e gris

Kudo që rastis

 

(2 dhjetor 2010)

 

 

ECËN I LAGUR

 

Vërshojnë retë mbi gënjeshtra

Vërshojnë gjerë e gjatë

Tokës së mpirë shpresash

Me premtime boshe

 

Gënjeshtarët nën ombrella

Struken katesh të larta

 

Po populli ecën rrugësh

Këmbëlagur i qullur

Se s’ka si struket xhepash

 

Vetëm pritjeve thahet 

Prej fjalëve

Që pa prekur tokën

Barten prej ere

 

Sa shi bie

E pritet me ra

Këtë soj gënjeshtarësh

Për me la e shpërla

 

(3 dhjetor 2010)

 

 

PËR DRITË TË LLAMPËS

 

Për dritë t'llampës

I futën gishtërinjtë

Duart

Dhe kapën qetas

Atë pjesë të vullnetshme 

Për ta hedhur

Atje ku s'binte

 

Më pas

Futën dhe këmbët 

Qetas e pa drojë

Sipas porosisë

Spërkatën me egjër

Njerëzit e shtëpisë

 

Shpërgjumja ndodhi vonë

Diku në mesnatë

 

Kryemjeshtri i hajnisë

Pa gojë la një popull

Në qendër të Dardanisë

 

Historia

Aty ku përsëritet

Nuk është mësuese e jetës

Fituesi edhe njëherë

Shpallet përmes gënjeshtrës

 

 (13 dhjetor 2010)

 

 

PËR DRITË LLAMPE

(variant))

 

Për dritë të llampës

Futën gishtërinjtë

Duart

Dhe kapën qetas

Atë pjesë të vullnetshme 

Për ta hedhur

Atje ku s'binte

 

Më pas

Futën dhe këmbët 

Qetas e pa drojë

Sipas porosisë

Spërkatën me egjër

Njerëzit e shtëpisë

 

Shpërgjumja ndodhi vonë

Pasi mjeshtëri i hajnisë

Cipricullak la të zonë

 

(13 dhjetor 2010)

 

 

MUNGOJNË

 

Teshtinë Kosova

Nga të kundërtat

Zbresin celZeusët  përjashta

Temperaturat ngriten përmbrenda

Dyert hapen

Koridoreve të mbyllura

Mungojnë shkallët për të zbritur

Zonave të lira

 

E mali harxhohet

Muret nxihen

Trarët e shtëpisë

Mushkëritë e njerëzisë

 

Tabletat

Si përkujdesje çasti

Dhimbjet fshehin

 

Të kundërtat rikthejnë teshtimat

Lutjet

 

Bëje mirë o Zot

 

(15 dhjetor 2010)

 

 

KOKRRAT

 

Dimri ha kashtën

Leje ma kokrrat

 

Dilni

Përpushni

Ç’prisni

 

Mblidhni më

Ato dokrra

Kokrra

 

Hajni e borë po reshë

Si brenda

Si jashtë shtëpisë

TROJËS iu shterr zëri

Iu mpi goja

 

Prej acarit

Dhe veshtë na lanë

 

Ku me gjetë lesh

 

Pojatën kush s’e ruan

E ujqit

Bartën kopenë

 

Dimër i shtirë

Do vijë

Mbi ne do n’lurë

Do teshtijë

 

Dhe flokët do të na bien

Prej kresë

Duke kruar

 

Dimrit iu sos kashta

Kokrra po ha

 

(16 dhjetor 2010)

 

 

UDHA E SOTIT

 

N'gushtohet njeri

Në ditë të sotit

Shtirë me ecë drejtë

Me metë n'kamë

 

Përfundi akull

E naltë

Nji qiell i vratë

 

E lehtë

E lehtë i qoftë udha

Kush ka me udh'tu

Gjatë

 

Deri tek ai lis

Me maje t'thatë

 

(20 dhjetor 2010)

 

 

BJERI TRUP

 

Ka shumë shtigje

Deri tek ajo maje

 

Kahdo që t'i biesh

Ecja jote do shihet

Nuk ka se si fshihet

 

Mali që patëm

Më parë është prerë

Tash po digjet

 

Bjeri trup përpjetzës

Diku gjunjaz

Diku me duar

 

E di sëpaku

Që arrive vetë

Kurdo që ta prekësh atë majë

 

Tagër s'i paguan askujt

 

Pusho pastaj

Pusho e kënaqu

Krejt i qetë

 

(22 dhjetor 2010)

 

 

ATA QË LEHIN

 

Maestro
Po ata janë

Që të lehën dhe në ëndrra
Ata që mallë e patën të prekin
Dhe ku shkelte jote thembra
Ata që lëpinë natë e ditë
Kuzhinave bizantine

Ata dhe sot po lehin
Në eshtra e vepra
Që shkëlqim i japin qiellit
Kësaj toke dardane

Lehin imzot
Lehin lëpijnë e llomotisin kot
Si dje si sot si n'mot

Se tjetër zanay s'kanë mësuar
Për atë Zot

(10 korrik 2011)

 

 

MINUKËT

Kudra para dere na i la

I shihni çarshisë gojëhapur
Me gjuhët përjashta

Përjargen së lehuri
Për një kothere
Tek fusin turinjtë 
Konteniereve

Mos u mashtroni
Kur ju vardisen

Minukët tinëz grithin

Ama sa lehtë ikin

Me një të rrahur këmbësh
Mbushin brekët 

Për t'i vjellur

 

 

QENI ILIR

 

Prej antikës e deri sot

Nuk bishtnoi udhën

As ndryshoi farën

 

Nën qiellin e kësaj toke

Ruan vatrën

Vathin

 

Sillet kah sillet

S’e ngatërron adresën

 

Besën e jep pa fjalë

E nuk e shkelë për mallë

Njerëzit e shpisë

I memoron me një të parë

 

Jo vetëm për dritë

I njeh edhe në pikënatë

Përmes të ecurës

Zërit

 

A shenjës që mbajnë

 

Një kullë e ka hak

Që s’lodhet për miza

As kokën futë nën fshisa

 

Ka malin përplot lisa

 

Pinikë e minukë

Në bisht i sjell

 

As birën e veshit

Për ta s’e lodhë

Kur e lehin anash

 

Vetëm me bisht syri i kshyrë

 

Nuk është lehtë me ia thy mendjen

A me grishë

Është roja e shpisë

 

Kur leh ai

Ngritu e dil

Në të thatë nuk lehë kurrë

 

Nuk e sheh as n’ëndërr te sofra

Një kafshatë goje duke pritë

E le më çarshisë

 

Magjes huaj nuk ia pi gjellën

 

Po e nguce

Ta zë derën

E ta errë jetën

 

Saktë e di kur duhet rruar poshtë

Kur lartë

E kur hiç

 

Për këdo

Nuk lëviz vendi  

 

Në këmbë e ke

Sa herë e lypë rendi

 

Lum shpia që e ka

 

(12 korrik 2011)



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora