Kulturë
Sabile Keçmezi-Basha: Trokitje
E enjte, 02.02.2012, 07:57 PM
TROKITJE
Nga Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com
Trokitje…
Troket në brigjet e pritjes
Koha shtatzënë
Dhe ndrydhë me shputë të grisur
Vije-vragat e rrugës
Mbi ballin e globit
Shalojnë vitet e çartura
Si fëmijët e dëshpëruar
Që presin për të ardhur
Në kohën beronjë
Mallkim
Mos mallko pritjen e stërgjatur
Plis - qumështi im
Se katrahurat dinë si ushunjëza
të na thithin pjalmin
Mos shiko vëngër si acari
Plis - bardhi im
Se lumenjtë rrjedhin
pa na varur fare
Mallkim, mos lësho
Sonte në këto troje
Se mjaft patë shtrëngatë
Mjaft patë furtunë
Plis - kuqi im
Mos ofkëlli
Trim-madhi im
Se rruga tërkuzë
Pëson metamorfozë
Edhe pse është
pranverë e vonuar.
Sikur ta ditshim...
Sikur ta ditshim
Se ditë-dritat lëngojnë si fëmijët
Nata ecën çalamane
Trotuareve të historisë
Sikur ta dijshmi
Eh, sikur ta dijshmi
Se ëndrrat e dhembjeve
Nuk shlyhen me lot
Atje …
ku janë, e ku s`janë
Kulla e lejleku
Në hyrje të kullës
Qëndron lejleku i kuq
Me syrin - monitor
Me sqepin –urë
Magjitë i prish
Që stinët i harruan
Në të lodhur
Shpesh i kam takuar
Kullën e lejlekun në kuvend
Themelet e kullës i gurosnin në blerësi
dhe flijonin dëshirat për kutinë e Pandorës
Pa kullë -thanë, nuk rron dot lejleku
Pa lejlek do të rrënohej kulla
Apoteozë e pambarimtë
Në shekullin e ri
Metamorfozë
Dalëngadalë
Në rrugët tona
Nuk ka më as zhurmë
As nguti
As ankth mortor
Dhe
as stinë të lodhura
Dal nga dal
Kanë filluar
Të qetohen zogjtë
Pulëbardhat nuk kanë droje
Papandehur vjen
Zhurma prej celofani
troket në kthinat tona
Bënë alarmin
Gjymtyrët qëndrojnë vertikalisht
Dal nga dal
do të mësohemi
të mos flasim me magjistare
me gishta mesazhe të mos përcjellim
për hënën që do bëhet nuse.
Dal nga dal...