E premte, 19.04.2024, 09:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati: Nora

E enjte, 02.02.2012, 08:36 PM


Shpëtim Kastrati

 

N O R A

 

tregim

 

Ajo nxitoi hapat deri tek cepi i rrugës ku i’u bë sikur ishte hija e tij, vështroi djathtas e majtas pastaj vazhdoi drejt. – O Zot, të ket ardhur deri këtu, të jet ai?! – pëshpëriti me vete e friksuar. Neonet e rrugës e kishin bërë edhe më të zbehtë, dhimbja e vogël në fund të barkut e pengonte të ecte më shpejtë, zhurmat e makinave dhe bisedat e kalimtarëve as që i ndiente, vetëm ecte ashtu e hutuar që të harrinte sa më parë në shtëpi. Semafori përball e ndali, rregulloi pak flokët që ia shpupuriste era e lehtë, psherëtiu dhe mallkoi dritën udhëzuese që po zgjatej ose ashtu i dukej. Tabela e rrugës atje tej e përmendi, u kujtua se ishte shumë larg shtëpisë dhe po ecte në drejtim të kundërt, u kthye menjëherë dhe nisi të ecte si me vrap sa të mundej.

Sapo mbrriti në shtëpi, siguroi derën dhe u përplas në kolltukun e paradhomës pa u zhveshur, ashtu të përhumbur e zuri gjumi. Kur u përmend drita ishte e ndezur, vështroi me habi përrreth dhomës së vogël, pastaj veten e sajë ashtu gjysëm shtrirë, i ra me pëllëmbë faqes që i dukej si e mpirë dhe u ngrit ndenjur. - Ç’bëhet me mua kështu? – pyeti veten dhe pa marr përgjigje u shkreh në ngashërime.

Ëndrra që sapo kishte parë e kishte tronditur edhe më shumë. – Ç’nusezeza jam unë? – i   tha vetes edhe si e përvuajtur edhe si e ngërdheshur, por një buzëqeshje e pavetëdijshme e gënjente si një fëmijë që e joshin për lodrën e tij në faqen e një reviste.

Në ëndërr i ishte bërë sikur po dilte nuse nga shtëpia, nëna e ndiqte pas dhe i pëshpëriste: - Mbaj nur, mblidhe veten se do të qeshin nesër, njëherë bëhesh nuse. – Ajo tërhiqte ngadalë fustanin e bardhë, mundohej ta mbante kokën drejtë dhe të xixëllonte sytë, por velloja e zezë i fërfërinte nëpër faqe dhe herë i zinte edhe sytë, pamja errësohej dhe njerëzit i bëheshin sikur hungërinin. Lodrat dhe muzika, herë i bëheshin si krisma dhe herë si gjëmime që shpërthenin shtëpitë para syve të sajë, shihte njerëz të shqyer nga shpërthimet që vërviteshin përpjetë të ndarë në copra, të thirrura, lebetima dhe rënkime, pastaj sarkazmë, të qeshura zëmëdha nga disa njerëz ose kafshë të çuditshme që skërmiteshin dhe picërronin sytë tek silleshin nëpër gërmadha duke shpuar edhe barqet e maceve që suleshin gjithëandej për të shpëtuar nga ky tmerr i llahtarshëm. U shkëput nga këto mendime të sikletshme dhe iu kujtua që të nesërmen do të shkonte për vizitë tek mjeku, u zhvesh shpejtë e shpejtë dhe bëri një dush të lehtë.

Të nesërmen pas vizitës tek mjeku nuk kishte më dilemë, tani ishte katër muajshe shtatzanë dhe sipas mjekut duhej të ushqehej mirë dhe të kujdesej edhe më shumë për veten dhe fëmijën. Kjo e nervozoi dhe e tronditi edhe më shumë dhe mendime të errëta i vinin rrotull. – Jo, jo kjo nuk do të ndodh kurrë, ky fëmijë nuk do të dal i gjallë nga barku im, jo kurrë, ose tek e fundit do ta bart me vdekjen time. – gërmitej me vete kur sapo kishte dalë nga mjeku. Ecte rrugës dhe i hidhte sytë vjedhurazi poshtë nga barku që i ngrihej pak i rrubullakët dhe i ngrinte sytë menjëherë sikur të mos ishte i sajë dhe sulej përpara që ta humbiste atë që sapo kishte parë. Sa do dëshironte të dëgjonte për atë, që dikush i kishte dhënë ndonjë plumb ballit apo ndonjë shpërthim e kishte shqyer në copra, kështu e ngrinte kokën lartë dhe i lutej Zotit.

Për ditë me rradhë ushqehej vetëm me diçka sa pë të mbajtur shpirtin, mendime dhe hamendje të ndryshme të zymta i ishin mbledhur lëmsh si gjarpërinjë që e helmonin nga pak çdo ditë. Po afronte data tjetër pë të bërë vizitën tek mjeku dhe e vinte re që gjëndja e sajë ishte keqësuar edhe më tepër, medikamentet që i kishte dhënë mjeku as që i kishte marr në farmaci dhe as që kishte ndërmend që t’i përdorte. – Më mire kështu – thoshte me vete – sesa të sjell në jetë atë … oh atë … - dhe shkrihej në ngashërime çdo ditë.

Kur mjeku e vizitoi për së dyti dhe pa përgjigjen e analizave të fundit e pyeti edhe më gjatë për jetën e sajë, por ajo nuk i jepte spiegime. Mjeku i qetë i tha asaj se tani ishin krijuar kushte të detyrueshme që të qëndronte në spital për kurim, ndoshta për disa kohë dhe nëqoftëse nuk do të ndryshonte gjëndja do të qëndronte aty deri në lindje. Ajo kundërshtoi, por mjeku këmbënguli se kjo ishte e detyrueshme dhe e mbështetur në ligjet e vendit. Erdhën menjëherë dy infermiere dhe e morën të shoqëruar për krahësh. E sistemuan në një dhomë të rehatshme, i dhanë një numër telefoni me të cilin mund të lajmëronte të afërmit që ndodhej në spital dhe se të nesërmen do të bënte vizita të tjera në shoqërinë e tyre dhe sigurisht do të ndihej më mire, për aq sa kuptonte Nora ato që i spiegonin infermieret me përzemërsi.

Atë natë nuk vuri gjum në sy me gjithë shërbimin dhe kujdesin e vazhdushëm të infermiereve. Ishin shuar shpresat për ta vrarë fëmijën ose vetvrasjen që kishte menduar, ndaj edhe hetonte rreth e rrotull të gjente ndonjë mundësi, nuk e dinte se në ç’kat të spitalit ishte se ndoshta mund të hidhej nga dritarja për tu vetvrarë ose krijonte mënyra për ndonjë mundësi tjetër, por kujdesi i infermiereve dhe vizitat e tyre në dhomën e sajë ishin të shpeshta dhe ato ishin të vëmendshme për çdo vogëlsi.

Pas dy ditësh konsulta e mjekëve vendosi që përveç terapisë për të stabilizuar tensionin dhe pasurimin e gjakut ishin të nevojshme edhe disa seanca me psikologun, por vështirësia ishte se Nora nuk dinte mirë gjermanisht, me atë mund të flisje lirshëm vetëm në gjuhën serbo – kroate. Kjo ishte detyrë e konsultës së mjekëve por për ta zbatuar këtë tani duhej edhe interesimi i autoriteteve të spitalit që të siguronin mundësinë e një psikologu ndoshta dygjuhësh. Pas disa orësh në prezencën e dy infermiereve u paraqit pranë sajë një vajzë e qeshur dhe e lezetshme, u prezantua menjëherë në serbo – krotisht me një prezantim të shkurtër dhe se ishte e dërguar nga autoritet e spitalit për të ndërmjetsuar një psikolog. Nora e kundërshtoi me vendosmëri dhe që nuk donte të bisedonte më me atë vajzë. Atherë u gjetë një mjek në spital me origjinë kroate që erdhi dhe bisedoi privatisht me Norën.

Kishin kaluar disa ditë të mjekimit intensiv dhe një mbasdite u paraqit tek Nora një grua rreth të dyzetave nga Bosnja por me banim të përhershëm në Gjermani dhe i spiegoi Norës sepse gjendej aty. Nora e falenderoi e ndrojtur dhe u përlot. Pas séancës së dytë psikologu i ndërpreu ato nga sygjerimi i gruas nga Bosnja që e ndërmjetsonte tek Nora, ndoshta për t’i rifilluar më vonë.

Tani gruaja nga Bosnja vinte edhe më shpesh tek Nora dhe bisedonin hapur si gra, ajo i lutej që të kujdesej për veten dhe fëmijën se një ditë do të ishte e lumtur sido që të ishte historia e sajë, por nga ana tjetër Nora i përgjërohej për ta hequr fëmijën, kjo këmbëngulje e Norës e habiste atë, por mendonte se kishte kohë për t’i ndërruar mendjen. Duke biseduar një ditë, gruaja nga Bosnja i kërkon me këmbëngulje që t’i thotë historinë e sajë, por Nora e vendosur i lutej të ndërmjetsonte për të hequr fëmijën dhe se askujt nuk do t’ia tregonte atë histori. Pastaj ajo e ftoi të dilnin për pakë në lulishten e spitalit dhe u ulën në një nga stolat pranë e pranë.

Gruaja nga Bosnja theu heshtjen – ne kemi diferencë në moshë, ju jeni tani vetëm 22 vjeçe, gati sa ime bijë, unë dua të bisedoj me ty si me vajzën time.

Nora nuk u përmbajt, ngashëreu dhe e mbështeti kokën në prehërin e sajë.

- Të lutem! – i tha ajo Norës duke i ledhatuar flokët, - sigurisht që nuk e

kam të lehtë dhe nuk dua të hap plagët e tua, por unë dua të ndihmoj, se më dhimbsesh!

Nora menjëherë ngriti kokën dhe i tha: - nëqoftëse do të më ndihmosh, unë dua

të heq fëmijën.

- Kjo nuk është aq e lehtë as për ty as për mua, – i tha ajo si e zënë në faj, -  unë dua të di diçka për ty dhe pastaj shohim sesi mund të ndihmoj.

Nora ju drejtua në fytyrë dhe i tha ngadalë,- keni shumë vite që jeni larguar nga Bosnja?

Po, - i tha ajo – shumë vite, mëse tridhjetë vjetë, fëmijët kan lindur këtu.

-           A e shihni se ç’po ndodhë atje? – i tha prerë Nora.

-           Sigurisht që i shohë, - i tha ajo si e përhumbur – i ndjejë dhe më digjet shpirti

që popullin tim e vrasin sikur të ishin shtazë.

-           Kjo më ka ngjarë dhe mua – tha Nora pënjëherësh, - a nuk jam edhe unë një

nga ato shtazë dhe aq më keq që në barkun tim po rritet një bishë? – ngashëreu dhe e mbështeti kokën përsëri në prehërin e sajë.

-           Të kuptoj, bija ime, - i tha ajo dhe i ledhatonte flokët, - por ti duhet të më

thuash diçka, ç’të ka ngjarë, unë do të ndihmoj me sa të mundem dhe do të jem pranë gjithmonë.

Nora ngriti kokën, i puthi dorën dhe ngashëreu.

-           Të lutem, më thuaj diçka! – i tha ajo duke ja vënë të dyja pëllëmbët në faqet

dhe e puthi në ball.

-           Do mundohem – pëshpëriti Nora.

-           Mund të më thuash ç’të ka ndodhur? – këmbënguli përsëri ajo.

-           E di, që përpara jush këta të spitalit kishin dërguar një vajzë serbe për të

biseduar me mua? – tha Nora duke iu dridhur zëri.

-           Sigurisht që e di, - tha ajo – ma thanë këta të spitalit dhe që ju e kishit

refuzuar,siç më thanë ishte vajzë e mirë, ishte praktikante, ka mbaruar mjekësi, po ju pse e refuzuat?

-           Vetëm që ishte serbe – pëshpëriti Nora.

-           Të kuptoj, -  i tha ajo mendueshëm – por të fillojmë, ç’të ka ndodhur , ma

thuaj ngadalë pa u ligështuar, por më parë po shkoj të marr dy kafe aty dhe erdha.

-           Mirë do bësh, - tha Nora si në mëdyshje.

-           Kujdes! – i tha ajo Norës kur sapo ishte kthyer me kafet në dorë – është pak e

nxehtë, por një kafe mbasdite gjithmonë të bën mirë.

-           Faleminderit! – falenderoi Nora dhe ja nisi të tregoj:

-           Gjysma e fshatit ku ishim ne kishin ikur në mal ose ku të mundnin, do të

sulmonte ushtria serbe thoshin dhe ne kishim dëgjuar që kur sulmonin ata nuk linin gjë të gjallë pas, ndaj dhe shumica iknin pa e ditur se ku, por nëna jonë nuk kishte mashkull të rritur që ta udhëhiqte për diku ndaj edhe sajoi një vend të fshehtë në hajatin që kishim ngjitur me shtëpinë ku mund të fshiheshim kur të vinin. Dhe një ditë ata erdhën duke vrarë e prerë ç’të gjenin përpara, nëna na fshehu menjëherë sapo dëgjoi krismat dhe të thirrurat, dikur erdhi dhe vetë dhe u fshehë aty me ne, babai na kishte vdekur kohë më parë, vetëm nëna kujdesej për ne, vuante shumë e shkreta, unë isha më e madhja dhe e ndihmoja sa të mundja, motra tjetër ishte 13 vjeçe dhe vëllai 9 vjeçë. – Ajo heshti sikur donte të merrte frymë dhe vazhdoi, - ushtarët serbë hynë në shtëpinë tonë, përmbysën gjithçka aty por nuk na gjetën, dikur u larguan dhe nëna na pëshpëriti, që ata mund të digjnin edhe shtëpinë, por do të dilnim vetëm kur të na thoshte ajo dhe ndërkohë motra ime e vogël teshtiti padashur, një ushtar serb ishte ndodhur aty afër, brenda shtëpisë, nuk ishte larguar me të tjerët, ndoshta plaçkiste aty dhe sapo ndjeu të teshtiturën e motrës e shkallmoi hajatin dhe na nxori që aty. E urdhëroi nënën që të dilnim në oborr të shtëpisë, por nëna e shtyu dhe i tha që të dilte ai se ajo ishte në shtëpinë e sajë, atherë ai e zuri nënën nga krahu dhe po e hiqte zvarrë për nga dera, vëllai im i vogël gjeti një copë dru dhe i ra ushtarit me të në kurriz, ushtari i dha një shkelm dhe ia zbrazi automatikun në gjoks. – heshti dhe u ngashërye në të qara, ndërkohë ishte përlotur edhe gruaja nga Bosnja dhe i ledhatonte flokët duke i pëshpëritur, pas pakë ajo filloi të tregojë përsëri - Nëna iu hodh ushtarit në grykë, por ai e përplasi përtej dhe ia shkrehu automatikun në kurriz, nëna diçka donte të thoshte por sa e hapi gojën dha shpirt, - u shkreh prapë në ngashërim, fshiu sytë me të praptën e dorës dhe duke i mbështetur të dyja duart në prehërin e sajë nisi të belbëzoj prapë - e kapa motrën e vogël për dore dhe e fsheha pas vetes, ajo donte të shkonte tek nëna por unë nuk e lija, ushtari hezitoi për një çast pastaj u drejtua drejt nesh, ma rrëmbeu motrën nga dora dhe e përplasi tek muri, u zgërdhi dhe i shkrehu automatikun, ajo ra zvarrë nëpër mur duke lënë aty shenjat e gjakut, unë ngriva, isha mpirë nga ajo llahtari, ai hodhi tej automatikun dhe më zuri fortë për dore dhe me dorën tjetër më kapi gryksen e fustanit dhe e grisi deri në fund të këmbëve, - sikur iu këput koka,e lëshoi në prehërin e sajë dhe u ngashërye, gruaja nga Bosnja ia mori kokën me të dyja duart, e shtërngoi fort në gjoks dhe i pëshpëriti me zë të dridhur, - më fal, bija ime, që të zgjova këto kujtime të llahtarshme, por duhet, më beso, duhet që të të ndihmoj ty. – isha bërë si kërcu, - vazhdoi Nora duke iu dridhur zëri – më shtriu përtokë dhe më hipi sipër, më kafshonte në gjoks, në gushë, në faqe dhe shfrynte si derr, e godisja me grushta sa të mundja dhe mundohesha të çlirohesha prej tij, por ai më shtërngonte fortë dhe më peshonte trupin e tij të rëndë, dikur humba ndjenjat. – u ngashërye përsëri dhe vazhdoi ngadalë – jam përmendur diku në një çadër ku kishte dhe shumë të tjerë të sëmurë dhe të plagosur, pë dy javë humbisja ndjenjat vazhdimisht dhe nuk ambjentohesha dot ku isha, mbas dy javësh dy plaka që më rrinin tek koka më thoshin se do të shërohesha dhe se isha në vend të sigurtë. Mbas disa ditësh më thanë se gjendesha në një spital të kryqit të kuq dhe tani që isha bërë më mirë duhet të largohesha prej andej, por në fshatin tonë ishte ende zonë lufte dhe unë duhet të largohesha diku jashtë Bosnjes për siguri. Disa gra që ishin aty thanë se do të shkonin në Gjermani, ndaj dhe e mira ishte që edhe unë të shkoja me ato se nuk kisha njeri tjetër të familjes aty. Kështu na prunë këtu në Gjermani dhe na ndanë nëpër vendet që ishin të lira dhe që prisnin refugjatë.

Gruaja nga Bosnja psherëtiu, ia hodhi duart në qafë, e mbështeti në gjoks dhe e shtërngonte fortë, lotët e sajë pikonin mbi flokët e Norës, por ajo e shtërngonte edhe më  fortë, ndejtën ashtu një copë herë, pastaj ajo i tha: - shkojmë lartë në spital, bija ime, do të mundohem t’i shëroj plagët e tua sa të mundem.

Ajo vinte çdo ditë dhe më shpesh që e takonte Norën dhe njëkohësisht punonte me një avokat për të gjetur një mënyrë sa më të lehtë për ta lehtësuar disi. Heqja e fëmijës përjashtohej dhe nuk mbetej mundësi, se këtë nuk e lejonte ligji, përderisa nuk përbënte rrezikshmëri për jetën e nënës në lindje, prandaj po shihnin mundësinë për birësimin e fëmijës tek ndonjë i iteresuar menjëherë pas lindjes. Dhe ashtu u bë. Një çift nga Amerika kishin firmosur birësimin për fëmijën që sapo të lindej. Fëmija lindi djalë dhe prindërit amerikanë që e birësuan e morën menjëherë në Amerikë, me të cilët u njoha rastësisht dhe më treguan këtë histori të dhimbshme. Ata ishin të lumtur me fëmijën që po rrisnin, pavarësisht nga historia e tij. Dëshira e tyre ishte që ai të bëhej diplomat kur të rritej, për të shtuar edhe një zë të zbutur në rrokopujën e konflikteve dhe mosmarrveshjeve që ziejnë në këtë botë, për të shmangur gjakderdhjet me tepri të kësaj bote të vogël me arsye të ngushtë dhe për të çliruar disi shpirtërat e shumë viktimave të pafajshme.

 

Tampa  Janar 2012



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora