E enjte, 28.03.2024, 03:54 PM (GMT)

Kulturë

Cikël me poezi nga Sabit Idrizi

E diele, 05.02.2012, 05:39 PM


Monday, 30 January 2012

"Miq të Klubit Jonian": Sabit IDRIZI

 

Sabit IDRIZI u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe. Deri më tash ka botuar këta libra:

 

1. Pesha e fundshekullit, poezi, 1995

2. Përderisa është e martë, poezi, 1997

3. Diell me dhëmbë, poezi, 1998

4. Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000

5. Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006

6. Zarfi, prozë, 2008

7. Ma fsheh bregun tjetër, poezi, 2010

 

Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në Komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash. Është edhe kryeredaktor i revistës letrare Fjalë e valë, të cilën e financon Kuvendi i Komunës së Mitrovicës e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”, kryetar i së cilës është. Është redaktor, recensent apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare. Është përfaqësuar në disa antologji dhe leksikone. Disa nga poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në rumanisht dhe anglisht. Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Mitrovicë.

 

Sabit IDRIZI

 

BASHKUDHËTARJA IME
(Gruas sime Hajries, e cila po lëngon nga një sëmundje e rëndë)

Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tua

Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Po vetë kulmi i vjeshtës

Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura

Ani
Le të ketë mungesë barërash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit...

Ne do të shkojmë prapë tek doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu

Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku...

 

Mitrovicë, mars 2011

 

 

KËMBIMI

 

Me një kavanoz zorrë në dorë

Trup i bie Prishtinës

Më prinë përpara shpresa

Hallet m’rëndojnë shpinës

 

Diku te “Bill Klintoni”, më thonë

Është laboratori “Shpresa”

Aty ku dritëson dielli

Aty ku veson vesa

 

Kërkoj dhe e gjej “Shpresën”

Hallet m’rrinë karshi

E jap një grusht lekë

Marr një kumt të zi

 

Prishtinë, maj 2011

 

 

KËRKOJ FALJE

(Gruas sime Hajries, në dymujorin e vdekjes)

 

A të kujtohen ato ilaçet që t’i përmendja përditë

(Aty tek shtrati i dergjës)

E që po vononin të na vinin

Nuk kanë qenë ilaçe

Kanë qenë përpëlitjet e mia të fundit

Përpara se t’ia dorëzoja qiellit

Flakën e shkrumbimit tim

 

Mitrovicë, më 1 shtator 2011

 

 

SINJALE TË MJEGULLTA

 

Unë të flisja për arritjet e mëdha në Shkencat e Mjekësisë

Ti e haje shtatin nga dhembjet e padurueshme

 

E diku nga pellgu i thellë i verdhësisë sate

M’i dërgoje do sinjale të mjegullta

Që t’i deshifroja prometheisht

 

Ç’po ndodh kështu me këtë shekull të ri

Që po sqepton kaq pamëshirshëm

E s’po ngopet mëlçi

 

 

BUZËQESHJE E VYSHKUR

 

Më së shumti më dhimbseshe

Kur shtërzoje me krejt fuqinë e shpirtit

Për ta pjellë një buzëqeshje të vyshkur

 

 

FALJE-MARRJE

 

Kur hoqën dorë të gjithë mjekët

(Kemi arritur shumë në Shkencat e Mjekësisë, s’ka fjalë!)

Ajo m’u dorëzua mua

Dhe Krijuesit të Madhërishëm

Unë për vete

(Me pafuqinë time prej vdekatari)

S’lashë ilaç pa trilluar

S’lashë guri pa rrotulluar

Që t’ia falja bile do pritje

Kurse ai...

Krijuesi i Madhërishëm

(Që s’ka çka s’ka)

Pse ia mori të gjitha përnjëherë nuk e di

 

 

DORËZOHEM

 

Ndonjëherë kur të kesh kohë me bollëk

Ktheji sytë edhe kah fëmijët e mi

E shihi si vdesin nga dash (uria)

 

Të lutem shumë atdhe

M’u hëngër mëlçia

Nuk jam më Promethe...

 

 

BISEDA E FUNDIT ME TË

 

Kësmet

Posa t’ia japë syri i pranverës (më tha)

Do t’ia nisim shtëpisë

 

Po (ia ktheva) do ta ndërtojmë një shtëpi të re

 

Ndoshta deri atëherë (vazhdoi ajo me gjysmë zëri)

Do të punësohet bile njëri djalë

 

Po (ia ktheva, i bindur se po e gënjeja) do të punësohet njëri

 

Posa ta ndërtojmë shtëpinë (i shkëlqyen sytë nga gëzimi)

Do t’i marrim dy nuse të mira

 

Po (ia ktheva) do t’i martojmë të dytë përnjëherë: Ramadanin dhe Liridonin

 

Do të na mbushet shtëpia plot me nipa e mbesa (u fundos ajo krejtësisht në pellgun e ëndrrave të veta)

Ani kur të na vijnë edhe ata të Linditës, të Albanës...

 

Po (ia ktheva) do të... (dhe dola jashtë e ia plasa vajit)

 

Kur u ktheva sërish në dhomë

Ajo tashmë ishe nisur pakthyeshëm

Dhe po fluturonte drejt yllit të vet

 

Në dy pika loti të kristaltë

Që ende po rrëshqisnin ngadalë faqeve të saj të vyshkura

Po fundosej qetësisht një anije me ëndrra...

 

 

ÇUDI

 

A malli si prush

A pse po ndjehem tjetërkush

 

 

Ç’TË BËJ ME TO

 

T’u lëshoj fre ëndrrave

A t’i vë nën dry

N’ç’themele t’i ndërtoj të shkretat

Tash pa ty

 

 

KUSHT

 

Po ma gjetët një epokë që s’u përpoq t’i verbojë poetët

Do t’jua jap sytë e tyre që të shihni në përtejkohë

 

Po ma gjetët një të tillë që s’u mundua t’i vrasë ata

Do t’jua jap jetët e tyre të gurëzuara nëpër kështjella metaforash

Që edhe ju ta merrni guximin

E t’ia tregoni bërrylin vdekjes

 



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora