E enjte, 01.05.2025, 03:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Odise Kote: Darkë e hijshme në Zemun…

E diele, 23.10.2011, 07:54 PM


Darkë e hijshme në Zemun…

 

Tregim

 

Nga Odise Kote

 

…kur shoqëruesi serb na spjegoi programin e ditës, mbeta në mëdyshje për darkën e përbashkët, nëse duhet të shkoja ose jo. Darka ishte prenotuar në një lokal preferencial në anë të lumit Sava, lumë që përshkonte periferinë e kryeqytetit serb. Gjatë viteve epiko-folklorike të opozitës së tij, lideri i saj që sot është kryeministër, deklaronte shpesh se pikërisht aty ishte strofkulla e klanit të Zemunit, i njohur për trafikun e armëve, krimet e organizuara, deri në vrasjen mizore të kryeministrit properëndimor Zoran Xhinxhic.

Kjo ndjenjë dyzimi për pranim ose jo të ftesës më shoqëroi gjatë asaj paraditeje të konferencës për të drejtat e njeriut e minoritetet që organizohej nga Këshilli i Europës në hotel Kontinental në qëndër të Beogradit.

-…oh…super…super – përplasën duart disa nga përfaqësueset ceke e hungareze të kësaj koference.

-…do të jetë një natë surprizë për të gjithë ata që nuk e njohin Beogradin – siguroi drejtuesi serb i seancës Vladimiri.

Po bënim një javë në Beograd dhe gjatë ditëve të qëndrimit vizituam disa nga qëndrat kryesore, parlamentin, bashkinë, godina qeveritare, ministrinë e drejtësisë, përfshirë këtu dhe godinën –gërmadhë tashmë të kthyer në muze të ish-radiotelevizionit shtetëror. Godina si e arnuar me fosile mitesh, mbante ende të gjallë si dëshmi historike gjurmët e bombardimit të NATO-s në atë fundmaj të vitit 1999.

Binte një shi gati biblik që dukej sikur prej shekujsh dëshironte të lante gjakun mëkatar të krajlëve pushtues.

Mure gjysëm të rrëzuar, vrima të mëdha nëpër koridore e dritare, shembje e një prej studiove të incizimit, madje përkthyesit thoshin se njëra syresh qe ajo e lajmeve të edicionit qëndror, si dhe materiale të gazetarëve e kameramanëve të rëna në tokë, gjendeshin ashtu sikundër i gjeti casti i fillimit të bombardimeve të atij viti. Kjo materie shkatërrimi, kinse, tani përbënte pjesën kryesore të axhendave turistike të gjithkujt që vizitonte Beogradin, a thua se vërtet ajo kishte vlerën e duhur turistike e ky qytet nuk kishte tjetër pasuri për t’ua rrëfyer vizitorëve.

Kushedi për c’arsye organizatorët serbë dhe ata të Këshillit të Europës kishin planifikuar që dhe grupi ynë ta vizitonte patjetër këtë godinë. Unë besoja se serbët prireshin nga motive krejt të ndryshme përkundër atyre të specialistëve europianë në këtë planifikim, por gjithsesi trishtimi e keqardhja që të ngjallte në kontaktin e parë ish-godina e radiotelevizionit serb, qe prezente në fytyrat e të gjithëve.

Ta kuptoje këtë objekt të të shkëputur nga konteksti i ngjarjeve ballkanike, ta mëshiroje e deri t’i jepje të gjithë mbështetjen si një viktime tragjike, pikërisht sic është prirja natyrale e njerëzimit ndaj viktimave, ky duket se ka qënë dhe synimi i fshehtë i planifikuesve serbë.

-…po qysh…a thua se Serbinë e kanë pushtu fqinjët…a…- më ndukte krahun gjithë kohës Hyjria, shqiptaro-maqedonesja e brishtë me flokët e gjatë e të verdhë.

Sa herë dilte jashtë seancës për të ndezur ndonjë cigar ( zakonisht kur flisnin përfaqësuesit serbë) ajo më këshillonte : – kujdes, më thuej nëse na e shajnë Shqipërinë…e shqiptarët !

Ne ishim përfaqësues të të drejtave e lirive të njeriut nga të gjithë vendet e Europës Qëndrore e Juglindore, dhe gjurma që synohej të mbetej nga kjo vizitë në memorjen tonë do të kishte sipas tyre ndikimin e duhur në vitet e kohët më pas.

Pas shtangies në castin e parë, dhe argumenteve jo korrekte të shoqëruesit serb, më erdhi ndërmend një shkurtimë mencurie e anëve tona, që thotë se shpesh jeta i ngjan një baltovine ku cdo përpjekje për të nxjerë njërën këmbë, bën të zhytet më thellë këmba tjetër. Ky verb sepse m’u duk i përputhur për psikikën kolektive serbe të kapërcyellit të shekullit të njëzetë. 

Si pakuptuar, gjithë këto përjetime iu shtuan asosacionit që m’u ngjit në tru atë paradite, të fundit të Konferencës, kur ia behu ftesa e papritur për një darkë të përbashkët në Zemun..

FTESA.

Darkë në Zemun !

Darkë në vendin e ….

Mendja nuk ishte më në sallën e konferencës.

Erdh nga lumi një korb i zi…

Epik si në një baladë.

Ik, ik, o mallkim i zi !

Një kalë i vdekur vraponte jashtë dritareve në horizonte...

Me zjarrmi nisa të shqyrtoj me ngut rastet tragjike të ftesave  për dreka e darka të organizuara nga fqinjët tanë, për ne shqiptarët.

…mos…

Shën Naumi ishte aty, mu në qëndër të kujtesës së ndezur zjarr me ngjarjen e lemerishme.

Dreka dhe …

Të gjithë prijësit shqiptarë të helmuar.

Të vdekur.

Ndonëse Shën Naumi shquante dukshëm, vegullthi m’u ravijëzuan dhe qytete të tjera brenda e jashtë viseve, ku në tavolinën e gjatë të drekës së bollshme ishte realizuar ajo, kokëprerja, helmimi, vrasja tinzare e princave e prijësve shqiptarë.

Në mungesë të oborreve mbretërore, krimet ndaj shqiptarve, vinin pikërisht prej këtyre drekave e darkave, ose së paku të planifikuara kësisoj.

Dhe karemi gjithmonë ishte FTESA, ose më saktë pranimi i saj.

Kurthi ngrihej mbi besimin.

Ose në dhënien e besimit me mëndjelehtësi.

Dorëzimin fare lehtë të besimit tek ky cast sipëran komunikimi njerëzor, që ne shqiptarët e kemi të shenjtë, por që na ka kushtuar shtrenjtë.

Gjithmonë bëhemi viktima të besimit e sinqeritetit tone !

Viktima të besimit që u japim pa kursim të gjithëve, shpesh pa i njohur në thellësitë e errëta. Pa verifikuar, pa analizuar, ashtu direkt me fjalën e burrit.

Në analizë të fundit, më rezultoi se tek FTESA, oh c’dhimbje koke, pra në të shumtën e rasteve tek ajo, ishte ndërkallur fataliteti, tradhëtia, pabesia, konspiracioni, manipulimi e deri tek krimi shtetëror e klanor. Madje më ngjau se tek ballina imagjinare e Ftesës, e gërvishtur me kujdes, ishte fshehur fjala KRIM.

-Më jep një aspirinë - i them Hyjries që kam në krah, e që e thërras Hyjni se është kaq e bukur dhe inteligjente.

-C’ke…? -merakos sytë e kadifenjtë Hyjria.  

- Darka…Zemuni …- i pëshpëris lehtë në vesh dhe mbahem tek krahu i saj.

-…aha – buzëqesh ajo…- ke ethe qysh tash…?

-…po…- them pa mundur t’ia spjegoj gjithshka që mendoj.

-…bënu burrë…përballoje…- ngushëlloi pa kuptuar gjë Hyjria e më zgjati qetësuesin.

Ethet e mia nuk ishin emocione turistike, por vinin prej ftesës së darkës, në klubin e famshëm të Zemunit, aty ku sipas kryeministrit tonë shkojnë kriminelët, trafikantët dhe planifikuesit e vrasjeve të ardhshme.

Këtë Hyjria nuk kish si ta kuptonte.

Ftesa tashmë ishte kryer nga drejtuesi serb i konferencës.

Me siguri tani edhe krimi është duke u përgatitur, mendova një cast. Specialistët kanë përcaktuar mënyrat e veprimit deri në detaje. Detyrat po kryhen në imtësitë më të holla. Bashkë me kontrollin e tyre. Ndoshta ka edhe një plan B, në rast se nuk do të  funksionojë plani kryesor A.

Krimi do të ndodhë patjetër.

Eshtë planifikuar.

Tani ai rri fshehur pas ftesës.

Pret orën e caktuar.

Pret darkën e përbashkët në Zemun.

-… si do të jetë ai ? – gati thirra.

-…kush ? – Hyjria më trandi duke më shtrënguar dorën që të më kujtonte se gjendesha në sallën e konferencave dhe se ose kisha parë ëndërr ose flisja përcart prej temperaturës. Ose ndoshta i ngjaja si bard plak me lahutë në dorë që kisha humbur rrugën, për shkak të syve prej mermeri të verbër.

-…krimi – i thashë në vesh asaj.

-…ë….ë….- shqeu sytë e kadifejtë Hyjria dhe për herë të parë më shikoi si të isha ndonjë Ufo që kisha zbritur befasisht aty në atë sallë luksoze, e që disa ditë më pas do të ndërronte pronar, duke u bërë pronë e një greko-amerikani.

-…Zemuni …- munda të shqiptoj…

-…aha …- më vuri dorën në gojë si për t’i dhënë fund përcartjes time. 

Nuk u qetësova.

Përkundrazi.

Nga mijra versionet e rastet që njihja përmes letërsisë e historisë, krimi që niste e  kryhej në vende të njohura , ose që e kishin një nam të tillë, ishte më i vështiri për t’u realizuar, por dhe më i mundshmi.

Më spektakolari.

Si në një lojë inteligjente shahu.

Kjo për shkak se krimi duhej të sofistikohej, të fshihej thellë për të mos u kuptuar në cast, por vite e vite më vonë. Të ishte krim i papritur, trullosës, pasi vetë viktimat e ardhme po për këtë shkak, sikur parandjenin, parapërgatiteshin.

Sikundër po më ndodhte mua !     

Asosacioni FTESË – Krim, po ngjizej e njehsohej fort brenda meje. Ai nisi me ardhjen time në Beograd, me kumtesën për liritë e të drejtat reale që minoritetet gëzojnë në Shqipëri.

Solla thjesht shembuj nga jugu i Shqipërisë. mbi barazinë funksionale të pakicave me shumicën e sidomos me përparësitë e mësimit të gjuhëve amtare, të promovimit të kulturës, e integrimit në jetën shqiptare, duke e mbyllur me apelin se ky model bashkëjetese duhet promovuar në gjithë Ballkanin e zhuritur nga luftrat nacionale të fundshekullit të njëzetë.

Fjalët e mia sepse morën peshën e një nënkuptimi djegës aq sa Ludmilla Stërkovic, përfaqësuesja serbe që drejtonte seancën, nuk e fshehu pezmin e saj, duke tërhequr vëmëndjen e pjesëmarrësve për largim nga faktet konkrete historike.

-… le të shohim nga e ardhmja…- tha ajo me një buzëqeshje si një xham i thyer.

Orët që pasuan ditën deri në darkën e përbashkët në Zemun, u rrokullisën me nxitim si kuaj të lodhur që binin tërë vdekje në fushën me shi,  e ngjanin se ma shtuan vetëdijen për autongjarjen fatale, e cila tashmë dukej e shënjuar, paracaktuar dhe e pakthyeshme.

Më mbetej vetëm t‘i dorëzohesha fatit !

Shënjimit tragjik.

Përkundër kësaj paranoje që po më torturonte e më kishte dhënë dhembje të tmerrshme koke, unë pranova sfidën. Vendosa të shkoj me grupin eurojuglindor në lokalin preferencial, në anë të lumit Sava.

Në Zemun.

Lokali ndanë lumit ishte një oaz paqeje që rridhte e rridhte si nëpër këngë kërshëndellash, ku harmonia e traditës dhe dlirësia e mikpritjes të krijonin atë ngrohtësi njerëzore që i  shkrinte gjithë akujt e shekujve.

I ndërtuar me dru sipas stilit të marinarëve të vjetër, dhe përplot me sende folklorike të jetës së thjeshtë të njeriut, u gjenda i befasuar dhe ndjeva se paranoja e gjithë ditës  po më rrëshkiste nga supet si një pelerinë e zezë.

Gjithcka aty brenda, prej shërbimit e deri tek muzika që luhej prej një orkestre djemsh e vajzash të reja, ishte ashtu sic e dëshiron festën shpirti i njeriut.

Fizarmonika e violinat luanin magjishëm këngët e gjithë Ballkanit, deri dhe Jaret e Luleborën shkodrane. Këndohej e kërcehej parreshtur.

Aty nga mesi i natës, qejfi mbërriti kulmin, kur hypur mbi tavolina kërceheshin vallet karakteristike dhe shërbehej vera e kuqe me mollë e mjaltë falas në shenjë mirënjohjeje. Nga pronarët e lokalit.

Nuk kishte ndodhur asgjë nga parandjenjat e paranoja torturuese e kur mbërrita në hotel aty nga ora tre e ditës tjetër, fjeta një gjumë të lehtë.

Në ëndërr pashë një vajzë Shqipërie. Një vajzë Shqipërie që i shkruaja që fëmijë me avionë prej letre. Dilja tek dritarja dhe ia nisja fluturim…

Ndërsa befas në ëndërr dallova se avioni që po vinte të më merrte në Beograd ishte me krahë duralumini dhe bosh përbrenda.

U trishta. Si  të shkruaja në krahë duralumini…?

Kam nevojë për ty jo për metalet, më duket se thirra në ëndërr… 

U zgjova.

Kishte kaluar paraditja.

Ora 12.00.

Në orën katër duhej të isha në aeroport për t’u kthyer në atdheun tim.

Bëra shpejt e shpejt gati bagazhet, zbrita poshtë në recepsion ku më priste Hyjria e dolëm në sheshin qëndror. Ishte ditë me diell dhe parqet e lulishtet të jepnin ndjesinë e një dite pranvere.

Po shijonim kapucinot, kur përballë ia behën një grup nxënësish a studentësh, si ndonja njëqind vetë, me ushta, përkrenare e stema varur në gjoks, me flamurin e Krajl Llazarit që marshonin nëpër rrugët qëndrore të Beogradit. Policia shoqëronte në distancë dhe të rinjtë hidhnin parulla në gjuhën që unë nuk e kuptoja.

Mund t’i merje edhe për figurantët e ndonjë filmi.

-…shih, pa shih…janë don kishotët e rinj…të tredhurit…- u nxeh Hyjria dhe nxori aparatin fotografik për të bërë një seri fotosh.

Ajo lëvizi gjithandej për t’i fotografuar nga pozicione të ndryshme.

-…të gjorët…- foli jo pa shpoti kur erdhi tek unë - kërkojnë mbretërinë e Car Llazarit, prej Danubit e gjer në Dalmaci e Adriatik…

-…ah…tani…- bëra të flas po Hyjria më bëri shenjë të ngriheshim se ora po shkonte e s’ia vlente të rrije më gjatë aty.

Ikëm.

Taksia na coi në aeroport.

Hyjria fliste serbisht e cdo gjë po shkonte sahat. Deri në castin kur paraqita pasaportën time tek polici doganor.

Ajo që ndodhi më pas nuk është për t’u treguar.

Përkundër pasagjerëve të tjerë, që ishin italianë, grekë, turq, maltezë a ku e di se prej c’vendi tjetër, ne që kishim pasaportën Albania iu nënshtruam një superkontrolli pervers e të imtësishëm si të ishim kriminelë lufte, e jo përfaqësues që kishim marrë pjesë në një Konferencë Ndërkombëtare për liritë e të drejtat e njeriut, që Këshilli i Europës e organizoi në kryeqytetin e tyre, Beograd.

Kur polici doganor serb vazhdonte të kontrollonte e të shikonte me vëmëndjen më të madhe deri dhe rrypin e mesit, se si më erdhi t’i thërrisja fort :

- Kontrollo, or trap, kontrollo, po unë isha dje në një darkë të mrekullueshme në Zemun…, në Zemunin e kriminelëve, sic thotë kryeministri ynë !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx